(Ky tekst u shkrua në 27 shkurt 2020, në përgjigje të një teksti të mëparshëm të filozofit të shquar italian, Giorgio Agamben, në lidhje me situatën e pandemisë së virusit korona dhe masave shtetërore të ndërmarra.)

Giorgio Agamben, një mik i vjetër, pohon se virusi nuk dallon shumë prej një influence të thjeshtë (gripi). Harron se për influencën “normale” ne disponojmë vaksinë me efikasitet të dëshmuar. E edhe ajo duhet të përshtatet çdo vit me mutacionet virale. Pavarësisht kësaj influenca “normale” vret vazhdimisht njerëz të çdo shtrese, dhe virusi korona për të cilin nuk ekziston asnjë vaksinë, ka potencial për vdekshmëri dukshëm shumë më të lartë. Dallimi (sipas burimeve të të njëjtit tip si ato të Agamben-it), është 1 me 30: dhe nuk më duket dallim i vogël.

Giorgio pohon se qeveritë përdorin çdo lloj preteksti për të vendosur vazhdimisht gjendje të jashtëzakonshme. Por nuk vë re se e jashtëzakonshmja bëhet, në realitet, rregull në një botë ku ndërlidhjet teknike të çdo specieje (zhvendosjet, transferimet e çdo lloji, ekspozimet apo shpërndarjet e substancave etj.) po arrijnë një intensitet që nuk është njohur më përpara në histori, dhe që po rritet ashtu siç po shumëfishohet dhe popullsia. E me rritjen e kësaj të fundit, në vendet e pasura kemi edhe zgjatjen e jetëgjatësisë, që nënkupton rritje të numrit të personave të moshuar e në përgjithësi të personave të rrezikuar.

Nuk duhet të gabojmë shënjestrën: i gjithë qytetërimi është në diskutim, e për këtë nuk ka dyshime. Ekziston një lloj jashtëzakonshmërie virale – biologjike, informatike, kulturore që na pandemizon. Qeveritë nuk janë gjë tjetër veçse ekzekutues të trishtë, dhe të shënjestrosh ato më shumë i ngjan një manovre diversioni se sa një reflektimi politik.

Vura në dukje se Giorgion e kam mik të vjetër. Më vjen keq të nxjerr këtu një kujtim personal, por pa u larguar fundja nga regjistri i përgjithshëm i reflektimit. Thuajse tridhjetë vjet më parë mjekët gjykuan se unë duhet të bëja një transplant zemre. Giorgio ishte një ndër ata pak veta që më këshilloi të mos i dëgjoja. Po të kisha ndjekur këshillën e tij, me shumë gjasë do të kisha vdekur herët. Mund të bëhen gabime. Giorgio mbetet një shpirt me rafinim e butësi që mund t´i cilësoj – pa asnjë ironi – të jashtëzakonshme.

Përktheu Arbër Zaimi