(Ky tekst i shkurtër, botuar në 26 shkurt 2020, në ditët e para të shpërthimit të virusit Korona në Itali, nga filozofi G. Agamben, i dha nisje një debati ku ndërhynë më pas shumë filozofë e intelektualë. Po e botojmë në TezaTeza si fillim të këtij debati, të cilin do të përpiqemi ta botojmë sa më gjerësisht)

Përballë masave frenetike, irracionale dhe krejtësisht të pamotivuara të emergjencës për një epidemi që supozohet se vjen nga virusi korona, na duhet t´ia nisim me deklaratat e Këshillit Kombëtar të Hulumtimit (CNR, Itali), sipas të cilit jo që “nuk ka epidemi të SARS-CoV2 në Itali” por megjithatë “infeksioni, sipas të dhënave epidemiologjike tashmë të disponueshme prej mijëra analizash, shkakton simptoma të lehta/të moderuara (një version i influencës/gripit), në 80-90% të rasteve. Në 10-15% mund të zhvillohet si pneumoni, që ka ecuri pozitive në shumicën absolute. Llogaritet se vetëm 4% e pacientëve kanë nevojë për terapi intensive”.

Nëse kjo është situata e vërtetë, atëherë pse mediat dhe autoritetet nxitojnë për të shpërndarë një klimë paniku, duke provokuar një gjendje vërtet të jashtëzakonshme, me kufizime të rënda të lirisë së lëvizjes e pezullim të funksionimit normal të kushteve të jetës e të punës për krahina të tëra? Dy faktorë konkurrentë mund ta shpjegojnë një sjellje kaq në shpërputhje me situatën. Para së gjithash po shfaqet edhe një herë tendenca në rritje për të përdorur gjendjen e jashtëzakonshme si një paradigmë normale të qeverisjes. Dekreti-ligj i cili menjëherë u aprovua nga qeveria për “arsye higjiene dhe sigurie publike” rezulton në fakt në një militarizim të vërtetë të “komunave dhe rajoneve ku rezulton pozitiv të paktën një person të cilit nuk i dihet burimi i infeksionit, apo në vendet ku ekziston qoftë edhe vetëm një rast i infektuar i cili nuk vërtetohet që vjen prej vendeve ku tashmë është përhapur virusi”. Një formulim kaq I vagullt dhe i papërcaktuar ka për të lejuar që shumë shpejt gjendja e jashtëzakonshme të vendoset në çdo vend, sepse është gati e pamundur që të mos ketë raste të tjera të infektuarish. Le të marrim në konsideratë kufizimet e rënda të lirive që vendos ky dekret: a) ndalohet largimi prej komunës apo prej vendit ku shfaqet një i infektuar, për të gjithë individët që tashmë ishin të pranishëm në atë komunë apo në atë zonë; b) ndalohet hyrja në komunat apo zonat e prekura; c) pezullohen manifestimet apo nismat e çdo natyre, organizimet e ngjarjeve apo të çdo forme të tubimit në ndonjë vend publik apo privat, qofshin edhe të karakterit kulturor, zbavitës, sportiv apo fetar, edhe po të zhvilloheshin në vende të mbyllura me qasje publike; ç) pezullohen aktivitetet edukative për fëmijët dhe i shkollave në secilën klasë e nivel, po ashtu edhe frekuentimi i aktiviteteve shkollore apo i arsimit të lartë, përjashto aktivitetet arsimore të zhvilluara në distancë; d) pezullohen shërbimet e qasjes publike në muze e në institute të tjera e vende me rëndësi kulturore apo natyrore; dh) pezullimi i të gjitha udhëtimeve shkollore brenda apo jashtë vendit; e) pezullimi i procedurave të konkursit dhe të aktiviteteve në zyrat publike, përveç shërbimeve esenciale të nevojshme për publikun; ë) zbatimi i masave të karantinës me mbikqyrje aktive për individët që kanë patur kontakte të ngushta me raste të konfirmuara të sëmundjes infektive.

Mungesa e përputhjes së masave të ashpra me atë që sipas CNR-së është thjesht një influencë, jo shumë e ndryshme me ato që ndodhin çdo vit, nuk mund të mos shihet. Do të mund të thoshim se, me mbarimin e terrorizmit si shkak për masa të jashtëzakonshme, shpikja e një epidemie do të mund të ofronte pretekstin ideal që masat e tilla të forcoheshin përtej çdo kufiri. 

Faktori tjetër, jo më pak shqetësues është gjendja e frikës e cila gjatë këtyre viteve qartësisht është shpërndarë në vetëdijet e individëve, e që përkthehet në një nevojë të mirëfilltë për gjendje të njëpasnjëshme panikësh kolektivë. Kësaj nevoje epidemia i jep edhe një herë pretekstin ideal. Kështu, në një rreth vicioz perfekt, kufizimet e lirive që imponohen prej qeverive, pranohen në emër të një dëshire për siguri, e cila induktohet prej po atyre qeverive të njëjta, që tash po ndërhyjnë për ta përmbushur dëshirën.

Përktheu Arbër Zaimi