(Ky shkrim u botua në 18 mars 2020)

1. Pandemia nuk është koleksion virusësh, por një marrëdhënie shoqërore mes njerëzish, e ndërmjetësuar prej virusëve.

Asgjë nuk është e pashmangshme, e pandryshueshme apo që nuk mund t´i ikësh dot, tek pandemia e virusit korona që po shpaloset gjithandej përreth nesh, thjesht për faktin se pandemia është shoqërore. Postimet e pafundme dhe lajmerimet që na udhëzojnë kah ndihma «për sheshimin e kurbës» të paktën mjaftojnë sa për të sqaruar se pasojat historike dhe kostoja njerëzore e pandemisë varen tërësisht prej mënyrave në të cilat ne kolektivisht zgjedhim të jetojmë, në raport me vetë pandeminë. Meqenëse pandemia nuk është diçka që thjesht na ndodh, por është diçka në të cilën marrim pjesë, atëherë një hap përpara në këto kohë do të ishte ta refuzonim kafazin e mendimit tonë që merr formën e shqetësimit se si jeta individuale e secilit pëson në mënyrë të veçantë prej virusit, dhe të fillonim të mendonim potencialin që kemi së bashku si kolektiv, për ta ndryshuar rrjedhën e pandemisë si dhe për t´i dhënë formë shoqërisë së re që do të dalë pas saj.

2. Në mos për gjë tjetër, pezullimi gjithnjë e më i gjerë i ligjeve dhe normave shoqërore, ekonomike e politike i shërben secilit prej nesh si një mundësi unike për të vënë në pyetje botën para pandemisë, në të cilin ishim mësuar të gjithë të rronim.

Cila është vlera e punës? Si do të mund t´i shpërndanim ndryshe burimet, po të mos duhej të konsideronim çmimin e tyre? A mund të mbrohet shëndetësia private? A janë vërtet të nevojshëm burgjet? Teksa jemi dëshmitarë të pezullimit të pagesave për shërbimet e dobishme, por edhe të atyre të kredive e të qirave, e po ashtu po shohim se si sistemi publik po shtetëzon klinikat e spitalet private për shkak të emergjencës, po shohim se si janë ndalur arrestimet për shkelje të nivelit të lehtë, e po bëhen thirrje që të anulohen të gjitha kreditë, çka tjetër mund të vëmë në pikëpyetje, e ndoshta më me rëndësi, çka imagjinojmë se do të mund t´i zëvendësonte këto gjëra? Nëse ata në pushtet janë kaq të gatshëm për të pezulluar ligjet e normat shoqërore, ekonomike e politike në interes të mbrojtjes së botës që ata përfaqësojnë, atëherë edhe ne duhet të jemi po aq të gatshëm që t´i pezullojmë ato norma dhe të shpërndajmë imagjinatën e diçkaje tjetër. Brenda kësaj kohe të shkurtër ne tashmë mund të shohim se e vetmja gjë e vërtetë në këtë pandemi është se asgjë nuk do të jetë më njësoj si më parë.

3. Kur shtetet po dëshmohen pa vullnet ose pa aftësi për të mbështetur jetën, prioriteti ynë i menjëhershëm dhe urgjent duhet të jetë të organizojmë ndihmë të ndërsjelltë, solidaritet e përkujdesje duke përdorur çdo mjet të nevojshëm.

Nuk u desh shumë që fantazma e darwin-izmit pandemik dhe e malthus-ianizmit të dalë në sipërfaqje e të gjejë mbështetje te politikanët përreth botës të cilët po u thonë qytetarëve t´ia dalin mbanë vetë. Nëse shteti dhe ekonomia e tregut dëshmohet në paafta për të ofruar format e ndryshme të përkujdesjes tek të cilat mbështetet çdo jetë, ne duhet të gjejmë mënyra për ta ofruar atë përkujdesje pa e vrarë mendjen se kush është pronari i diçkaje, apo se a e lejon ligji. Në këtë kuptim beteja për të mbrojtur jetën gjatë pandemisë kohë pas kohe do e marrë doemos formën e një beteje të drejtpërdrejtë kundër logjikës së kapitalit, dhunës së ligjit e abstraksionit të çmimit. Na duhet të mësojmë për nevojat tona dhe për nevojat e atyre që jemi në gjendje të përkujdesemi, të gjejmë mënyra për të prodhuar, për të shpronësuar e për të shpërndarë të mira të cilat përmbushin nevojat e komuniteteve të ndërlidhura e të ndërvarura, e duhet të jemi të gatshëm të marrim vetë çkado që është nevoja, kurdo që ajo na mohohet.

4. Ndërkohë që ekonomitë e tregjeve të kapitalizmit po na lënë në baltë në çdo mënyrë, ne duhet të guxojmë për të përfytyruar rrugë të organizimit të jetës shoqërore përtej logjikës së çmimit, konkurrencës e përfitimit.

Të organizosh një shoqëri bazuar në përmbushjen e nevojave të të gjithkujt e jo në mbrojtjen e pasurisë së pakkujt nuk është thjesht një ideal i kohës së pandemisë, por një dëmosdoshmëri praktike e popullore. Teksa kjo logjikë e re e përbashkët po nis të shpërhapet e të zërë vend, ne duhet të nisim ta riorganizojmë materialisht shoqërinë mbi këtë parim, duke u siguruar që njerëzit fillimisht marrin atë që kanë nevojë, pa u shqetësuar kurrë për fitimin. Të gjitha praktikat e përkujdesjes që do të lindin do të sfidohen menjëherë prej pushtetit infratrukturor dhe logjistik të kapitalizmit digjital, i cili aktualisht është duke e përdorur pandeminë si një mjet për ta pushtuar e për ta rrjetëzuar tërësisht atë çka mbetet prej ekonomisë globale në kolaps. Nëse «Amazon», e cila po punëson tashmë mijëra punonjës të rinj që të mund të përballojë kërkesat, bëhet mjeti ku mbështeten njerëzit për t´i mbijetuar pandemisë, atëherë bota jonë post-pandemike do të jetë gjithnjë e më e padallueshme prej shfrytëzimit, pabarazisë dhe pambrojtësisë që përkufizojnë modelin organizativ të «Amazon-it».  Thënë thjesht, nëse nuk arrijmë të kapërcejmë logjikën e tregut të përcaktuar prej kërkesës e ofertës, prej çmimit e përfitimit, atëherë kjo logjikë në fund thjesht ka për të na kapërcyer.

5. Rrjetet tona të përkujdesjes e solidaritetit duhet doemos të fillojnë prej veçorive dhe atypëratyshmërive të situatave ku jetojmë, por me shpejtësi duhet t´i shumëfishojnë lidhjet e tyre me komunitete të ndryshme e të shpërndara gjetiu.

Askush nuk jeton dot me të vërtetë vetëm, dhe asnjë gjest individuimi apo privimi mundet ta ndryshojë faktin se secila jetë thelbësisht varet prej shumë jetësh të tjera. Kështu që, nëse vërtet përkujdesemi për veten e për ata me të cilët kemi lidhje intime, kjo do të thotë se duhet të përkujdesemi për gjithkënd. Gjatë muajve në vijim ne duhet të krijojmë e të përfytyrojmë praktikimin e distancimit shoqëror në mënyra që kultivojnë dhe mbarështojnë, e nuk e zvogëlojnë, solidaritetin social. Nëse do të na duhet ta fillojmë praktikisht duke organizuar përkujdesjen për ata që kemi tashmë pranë e të afërm me veten – familjet, miqtë, fqinjët, të dashurit – atëherë pjesë e kësaj përpjekje doemos nënkupton zgjerimin e vazhdueshëm të këtij organizimi dhe koordinimin e përkujdesjes në çfarëdo shkalle që kërkohet. Këto mënyra përfshirëse e të hapura të përkujdesjes duhet t´i ikin logjikës së shtetit e të tregut, duke e ndërtuar vetveten mbi bazën e ndërvarësive dhe problemeve të ndryshme e megjithatë të përbashkëta.

6. Përkujdesja e veprimi në solidaritet me njëri-tjetrin gjatë e përtej pandemisë do të ketë nevojë për ndërtimin dhe mbrojtjen e formave të reja të bashkësisë.

Teksa ne përpiqemi për të organizuar përkujdesjen, kapitalizmi mund të shfrytëzojë gjithë solidaritetin tonë për t´u mbështetur në të e për t´i mbijetuar pandemisë, para se të kthehet në fuqinë e vet e të na flakë në situata të tjera të pambrojtshmërisë, në forma të tjera pune pa përkujdesje, dhe në borxh gjithnjë e më të thellë. Edhe pse shumëçka varet prej mënyrave në të cilat ne do të jemi në gjendje të veprojmë në solidaritet me njëri-tjetrin, duke praktikuar butësi, bujari, bashkëndjenjë e guxim, nëse këto solidaritete nuk ndërtojnë forma të reja të bashkësisë, të cilat e bëjnë kapitalizmin dhe shtetin efektivisht të tejkaluar, atëherë këto forma nuk do të jenë në gjendje t´i përballojnë kërkesat e pandemisë, e as nuk do t´i mbijetojnë masave të pashmangshme që do të merren prej atyre që do të duan të pushtojnë e të kapin çkado që vjen pas pandemisë. Me fjalë të tjera, nëse aftësia jonë për t´u përkujdesur për njëri-tjetrin dështon që të zhvillohet në forma cilësisht të reja, atëherë ka mundësi që thjesht ato të integrohen në shprehje të tjera privimi, shpronësimi e dobësimi të të pambrojturve, në çfarëdo lloj sistemi të ri ligjor e ekonomik që do të mund të përpiqet të zërë vend.

7. Përkujdesja për njëri-tjetrin do të thotë po ashtu militantizëm për të kundërshtuar ata që do të synojnë të vazhdojnë më tej me format tashmë ekzistuese të sundimit, gjatë turbullirave e paqartësive të pandemisë.

Në të njëjtën kohë kur punonjësit e spitaleve po përpiqen të sigurojnë sa më shumë mjete mbrojtëse, qarkullojnë video të policëve të imigracionit të pajisur me maska të reja, duke arrestuar imigrantë pa letra. Ksenofobia është rritur shumë, programet e ndihmës sociale janë shkurtuar, dhe «Palantir» po nënshkruan kontrata të reja me shtetin që të aplikojë teknologjinë e identifikimit digjital të fytyrave, si dhe atë të gjurmimit të celularëve. Nuk duhen nënvleftësuar mizoritë e reja që mund të shpërfaqen gjatë këtyre kohëve, goditjet ndaj komuniteteve që nuk mund të mbrojnë më vetveten apo nuk mund të protestojnë më në rrugë, e aq më pak mund të grumbullohen për t´u organizuar. Çfarë formash të reja solidarizimi e beteje do të mund të shpikim që t´u kundërvihemi praktikave e formave të reja të dhunës që me siguri do të nisin? Si do të mund ta mbajmë distancën sociale e megjithatë të gjejmë mënyrën që të veprojmë së bashku?

8. Pandemia, si fenomen i cili e prek në mënyra të ndryshme gjithë planetin në të njëjtën kohë, duhet të na shtyjë t´i jetojmë jetët përfundimisht përtej logjikës së kufijve e të shteteve.

Punonjësit e shëndetësisë e kanë vënë në dukje me kohë se viruset nuk njohin kufij. As ne nuk duhet t´i njohim. Shumë prej rreziqeve që aktualisht kërcënojnë jetët tona – ndryshimi klimatik, kapitali financiar, pandemia e virusit korona – tash po aktualizohen në shkallë planetare. Pak shpresa ka mbrojtja e jetës kudo qoftë ajo, nëse nuk jemi në gjendje të veprojmë në përputhje me ruajtjen e jetës në secilin vend, duke njohur dinjitetin që është i përbashkët për secilën jetë, nga njëra anë, dhe pabarazitë materiale të cilat vazhdojnë të godasin në mënyra të ndryshme mënyrën se si jeta jetohet, në anën tjetër. Dhuna e pandemisë do të shprehet në forma e intensitete të ndryshme në trupa që historikisht janë të ndryshëm, kështu që mënyrat tona të të jetuarit e të të organizuarit jo vetëm që duhet ta marrin parasysh këtë gjë, por duhet ta bazojnë organizimin pikërisht te ky fakt. Të mbrosh jetën në Nju Jork është ndryshe nga të mbrosh jetën në qytetin Meksiko, në Ramallah apo Hong-Kong, mirëpo këto përpjekje duhet të gjejnë mënyrën se si të rezonojnë e të përforcojnë njëra-tjetrën kryq e tërthor kufijve, kontinentëve e oqeanëve, njësoj siç arrijnë të veprojnë edhe kapitali e pandemia.

9. Meqenëse jeta në pandemi është ashtu siç është, jeta në pandemi nuk do të rrijë ashtu siç është.

Pandemia është një proces historik botëror, e cila nuk do të lërë asgjë pa ndryshuar mbi dhe, dhe vepron si një çarje epokale planetare midis kohës para saj e kohës pas saj. Ne nuk mund të ndryshojmë atë që ka ndodhur para pandemisë, por duhet të mësojmë prej së shkuarës megjithatë, që të mund të sjellim në jetë, të mbështesim e të mbrojmë mundësinë e të ardhmeve të ndryshme prej saj. Histori të llojllojshme betejash kundër shumë formave të shtypjeve e të sundimeve duhet t´i shërbejnë si mësim mënyrave në të cilat ne do të vazhdojmë betejat tona, edhe pse betejat e reja që do të lindin gjatë pandemisë nuk do të ngjajnë formalisht me betejat me të cilat jemi mësuar tashmë. E shkuara kurrë nuk është e kryer, të gjitha ngjarjet e së shkuarës mund të rikuptimësohen në mënyrat e reja me të cilat ne nxjerrim mësime prej tyre. Në këtë kuptim, si mund të nxjerrim mësim prej betejave të shkuara kundër seksizmit, racizmit, fashizmit, diskriminimit të personave në bazë të aftësisë, që t´i përdorim për betejat e reja, gjatë e pas pandemisë? Qëndresa është në një farë mase gjithnjë një përpjekje spekulative, një bast kolektiv që diçka mund të jetë e mundshme para se ajo mundësi të aktualizohet. Tash është koha për imagjinatë, krijim, eksperimentim, të gjitha këto si mjete për të prodhuar dije të reja për situatën tonë e mënyra të reja beteje brenda saj.

10. Duhet të vendosim kolektivisht, me guxim e me bashkëndjenjë, se cilat mënyra të jetesës dëshirojmë të jetojmë gjatë pandemisë dhe në kohët pas saj, përndryshe dikush tjetër do të vendosë për ne.

Mënyrat në të cilat krëcënohet sot për sot jeta njerëzore në shkallë planetare duhet të na nxisin që të konsiderojmë jo vetëm vlerën e përgjithshme të jetës, por edhe vlerën e llojllojshmërisë së formave të jetës e të mënyrave të të jetuarit. Vlera abstrakte e jetës pak na mëson për mënyrat që ne mund të zgjedhim për të jetuar jetët tona të veçanta, kështu që na duhet të përfytyrojmë e të ëndërrojmë se cilat lloje të jetëve ia vlen të jetohen, e kjo gjë mund të na mësojë e të na sqarojë shumëçka. Pandemia na jep një mundësi që të angazhohemi në një përvojë estetike kritike, na lejon jo vetëm që t´i shohim jetët ashtu si janë, por edhe të shohim se si mund të jetohen jetët në mënyra të veçanta, e si do të mund të ishin jetuar tjetërqysh. Që ta marrim seriozisht këtë shans, na duhet hiç më pak se të braktisim gjithçka që e ka qeverisur dhe e ka organizuar jetën tonë gjer më sot. Vetëm atëherë do të jemi të aftë të fillojmë procesin e pambarimtë të të mësuarit qysh të jetojmë, të mendojmë, të përkujdesemi, të veprojmë, të duam, të luftojmë e të ndërtojmë jetë të reja e mënyra të reja të të jetuarit së bashku, sigurisht përtej logjikës së pandemisë dhe të botës që i parapriu asaj.