(Ky shkrim u botua në 22 mars 2020)

Është imponuar me një spontanitet shqetësues metafora e «luftës» si imazh dhe justifikim për masat radikale të marra kundër virusit. Conte në Itali, Macron në Francë, Sánchez dhe Iglesias në Spanjë, i kanë shpallur «luftë» virusit ose kanë folur pandërprerë për një «situatë lufte». Në Spanjë, në të njëjtën kohë kur në disa qytete doli ushtria, kemi parë zëdhënësin e Shëndetësisë, Fernando Simón, të shoqëruar në konferencë për shtyp prej Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneralit Villarroya, ndërhyrjet e së cilit shpesh marrin një ton prej fushëbeteje e llogoreje: ai flet për një «përplasje luftarake» dhe për një «luftë të pazakontë» në të cilën të gjithë «jemi ushtarë», dhe na kërkohet një «moral luftarak» duke lavdëruar «vlerat ushtarake» për tú përballur me kërcënimin kolektiv. 

Le ta themi shumë qartë: kjo që po përjetojmë nuk është luftë, por katastrofë. Në një katastrofë mund të jetë e nevojshme të mobilizohen të gjitha burimet e mundshme për të mbrojtur shoqërinë civile, duke përfshirë aty edhe ekipet e përvojën e ushtrisë, por fakti që një katastrofë kërkon masa të jashtëzakonshme nuk autorizon që të përdoret pa rrezik një metaforë e cila, si çdo metaforë, transformon ndjeshmërinë e atyre që e dëgjojnë dhe i jep formë vetë atyre që e marrin mesazhin. Kur u vihet gjërave nje tjetër emër, nëse nuk po bëhet poezi, e nëse po flitet për përkujdesje, shërim, rishpërndarje e mbrojtje, mund të kemi si rezultat një politikë shumë të keqe shëndetësore; një politikë shumë të keqe. Tash kur po ballafaqohemi me realitetin – ndryshe prej botës së fantazisë pa skaj në të cilën kemi jetuar në Evropë gjatë dekadave të fundit – nuk duhet ta deformojmë atë me tropet e trashëgimisë më të keqe të traditës sonë perëndimore. Si shenjues emërtues, interpretues e vendimmarrës, metafora e luftës – përveçse kur përdoret nga mjekët e nga punonjësit e shëndetësisë të tronditur prej vdekjeve që nuk kanë arritur të shmangin – duhet të ngjallë një shqetësim të madh te ne.

Luftë? Kundër kujt? Kush është armiku? Kur shqiptojmë fjalën «luftë» shfaqet para syve tanë një njeri negativ, i cili meriton të eleminohet. Me këtë metaforën e luftës në fakt ndodh diçka paradoksale: i jepet virusit një natyrë njerëzore, mvishet me personalitet dhe me vullnet. I njihet virusit agjenci e synim, ndërkohë që zhvishen prej natyrës njerëzore bartësit e tij, të cilët në të vërtetë janë viktimat. Armiku në këtë provokim shëndetësor, nëse duam ta quajmë kështu, është me gjasë brenda secilit, gjë që e pamundëson shndërrimin e tij në objekt persekutimi apo sulmi ushtarak.

Pra kjo ideja e paqëndrueshme e «luftës» u jep padashje argumentë atyre që, të kapluar prej një paniku mesjetar, nuk ndalen së shpallur armik ata që janë bartës të virusit, duke harruar se edhe vetë ata – së paku potencialisht – mund të jenë po ashtu të tillë. Lufta mund të bëhet veç midis njerëzish, e nëse duhet «luftuar» kundër virusit, atëherë do të përfundojmë që do të bëjmë luftë kundër trupave që bartin virusin, apo (dhe kjo është e njëjta gjë), kundër po asaj njerëzie që po përpiqemi të mbrojmë. Në gjendje «katastrofe» padyshim se është e domosdoshme të «ndëshkohen» ashpërsisht, njësoj siç ndëshkohen ata që shkelin kodin e qarkullimit rrugor, ata që shkelin masat kufizuese duke vënë në rrezik vetveten, fqinjët dhe përgjithësisht sistemin shëndetësor, mirëpo as ata nuk mund të jenë «armiqtë» e një «situate luftarake», nëse nuk duam ta ngatërrojmë virusin me bartësit e vet potencialë dhe nuk duam më pas të nxirim një «luftë» civile mes bartësve potencialë.

A vlen të përdoret diskursi i armikut përballë efekteve të virusit? Qeniet njerëzore jemi të brishtë e të cënueshëm. Historia jonë gjithnjë është përshkuar e përshkohet prej sëmundjeve, prej urisë, virusëve dhe braktisjes. Kemi mbijetuar duke ndërtuar marrëdhënie me natyrën dhe mes personave, duke u përpjekur ta zvogëlojmë rrezikun dhe pasiguritë. Përkujdesja dhe vëmendja, mbështetja e ndërsjelltë, bashkëpunimi, shëndeti e arsimi publik, ndihma ekonomike, rishpërndarja e pasurisë, të gjitha këto janë shpikje të cilat i kanë aftësuar shoqëritë – në formë shpesh të pabarabartë e të padrejtë – të merren me papërshtatshmëritë që has jeta e mbyllur në trupa të cilët janë të brishtë, të cënueshëm dhe të paaftë të jetojnë në vetmi.

Një virus nuk është armik me vetëdije e dashakeqësi, ai është inherent me vetë jetën. E tmerrshme do të ishte po të ndërtoheshin shoqëri aliene, të cilat nuk duan ta dinë se ekzistojnë virusët, sëmundjet, të korrat e këqija apo stuhitë. Të ndërtosh ekonomi e politika mbi fantazitë e qenies njerëzore si një qenie pa trup e pa rrënjë në tokë të cilat e mbajnë – kjo është çka pjell luftë kundër jetës, kundër cikleve, kundër kufijve, kundër lidhjeve e kundër marrëdhënieve. Në momente begatie këto fshihen e bëhen të padukshme, gjë që çon në shkëputje prej tyre e përbuzje pikërisht për to, për sjelljet e zakonet e kohët e përkujdesjes, të cilat bëhen të dukshme vetëm gjatë katastrofave e gjatë luftërave.

Lufta, dhuna e armatosur, është pikërisht e kundërta e përkujdesjes, mashkullorësi e gabuar, justifikim i flijimit të hetëve njerëzore për hir të një kauze më të lartë. E pra, nuk duhet të harrojmë se në këtë rast «kauza më e lartë» është pikërisht shpëtimi i të gjitha jetëve, secilës jetë që është në rrezik. Nuk bëhet fjalë për të dhënë burrërisht jetën për kauzën duke bërtitur «rroftë vdekja», sepse kauza është mirëmbajtja e jetës tënde. Nuk ekziston fitorja finale që varet prej disiplinës dhe prej shndërrimit në ushtarë, siç linte të kuptohej në shfaqjen e tij gjenerali Villarroya. Sakrifica për të cilën bëhet thirrje, si gjatë katastrofave ashtu edhe pas çdo lufte, nuk është gjë tjetër përveçse forcim i logjikës së përkujdesjes, së parandalimit të problemeve, të ndihmës së përditshme për të mirëmbajtur jetën gjatë kohës së katastrofës, përpjekje që janë të njëjta me ato që duhen bërë përditë për ta mirëmbajtur, edhe gjatë kohëve normale.

Në çdo luftë, ka thëne Simone Weil, njerëzimi ndahet midis atyre që janë të armatosur e atyre që nuk janë, dhe këta të fundit janë gjithnjë tërësisht të pambrojtur, pavarësisht grupit që i përkasin apo flamurit. Në gjendjen e katastrofës aktuale, të gjithë spanjollët janë potencialisht viktima të virusit, dhe ndahen mes atyre që nuk mund të vetë-izolohen dhe atyre që mund ta bëjnë një gjë të tillë, ose nëse duam ta themi ndryshe, mes atyre që janë të ekspozuar më shumë ndaj virusit, dhe atyre që janë më pak. Ata që janë më shumë të ekspozuar – personeli mjekësor, punëtorët e transportit, shitëset e supermarketeve, pastrueset, punëtoret e përkujdesjes etj. – as nuk kanë armë  e as nuk bëjnë plane mes vedi që të mbrojnë vetëm njerëzit «e tyre». Komplet ndryshe nga ajo që ndodh nëpër luftëra, kjo «anti-ushtri e çarmatosur», e pajisur vetëm me mikroskopë, termometra, përparëse, duar dhe ndjenje detyre, nuk po lufton. Nuk po luftojnë as ata që janë të mbyllur në shtëpi, më pak të ekspozuar dhe tërësisht të çarmatosur. Është siç ka thënë Leila Nachawati, saktësisht e kundërta: ata ekspozohen për të na mbrojtur të gjithëve, duke e ditur se në atë formë mbrojnë dhe vetveten e rendin qytetërues prej të cilit varen e i cili varet prej tyre. Prandaj duhet t´i admirojmë e t´i mbështesim; prandaj është një papërgjegjësi imorale e vetëvrasëse të mos i zbatosh urdhëresat shëndetësore. Por nëse ka një situatë që nuk ngjan fare me luftën – me dimensionet e saj etike, anti-identitare dhe «universale» – është pikërisht katastrofa që po përjetojmë. E gjithsesi, ato që kanë vepruar kundër «kauzës së lartë» të shpëtimit të gjithë jetëve njerëzore të vëna në rrezik, kanë qenë masat ekonomike të hyra në fuqi gjatë dekadës së fundit, dhe politikat të cilat tashmë duhet të ndryshojnë me çdo kusht që të mbrohen ata të cilët janë shoqërisht të pambrojtur. Në këtë kuptim, atje ku përgjegjësia individuale dhe ajo institucionale kryqëzohen me të përbashkëtën dhe publiken, janë politikanët dhe elitat ekonomike ato që mbajnë më shumë përgjegjësi – meqenëse në to gërshetohen të dy aspektet – se sa qytetarët privatë.

Nuk është luftë, është katastrofë. Është e vërtetë që për dy breza me radhë evropianët nuk e kanë njohur luftën (në vende të tjera ajo është përditshmëri normale), dhe ky realitet është më i ngjashmi me një situatë lufte që kemi përjetuar ndonjëherë. Por kriza prej virusit korona është në thelb e kundërta e një lufte. Çfarë është «e kundërta» e luftës, edhe kjo meriton një analizë të thellë. Realja nuk na u paraqit si një dashakeqësi apo identitet agresor, por si kontigjencë impersonale që na kundërvihet brenda një konteksti kapitalist i cili (e këtu po, është e justifikuar metafora), prej shumë vitesh i ka shpallur luftë natyrës, trupave dhe sendeve. Është «impersonaliteti» jo luftarak i katastrofës kapitaliste ai që duhet përmbysur e transformuar: prandaj është shumë e rëndësishme kjo konvergjencë tragjike mes përgjegjësisë individuale e institucionale, i cili sot po na tregon se sa të rëndësishme janë përkujdesjet personale e ato kolektive. Fundi i kapitalizmit mund të vijë i shoqëruar prej luftërave, por nuk do të jetë një luftë: paraprirësi dhe metafora e tij, si një kolofon i dinamikës së brendshme të anti-qytetërimit të pakufizuar, do të jetë ky «virus» pa fytyrë dhe pa të ngjashëm, i cili do të shfaqet edhe herë të tjera në formë të «katastrofës». Për këtë betejë nuk duhen ushtarë por qytetarë; dhe ata ende nuk janë bërë. Katastrofa është një shans për t´i bërë qytetarët.

Nuk është luftë, është katastrofë. Imazhi i ushtrisë nëpër rrugë – dhe ai i një gjenerali në konferencë për shtyp – mund të jetë i arsyetuar por është megjithatë shqetësues, politikisht e antropologjikisht. Që të mos vazhdojnë të na shqetësojnë – madje që të gëzohemi në praninë e tyre, nëse kjo është vërtet e mundshme – do të ishte e domosdoshme që politikanët tanë (sigurisht të gjithë burra), të mos vazhdojnë ta përshkruajnë këtë situatë në terma të «luftës» të «përballjes luftarake», të rikthimit të «vlerave ushtarake». Vetëm mjekët mund të flasin për «luftë», e sa i përket frymës së «sakrificës» të përmendur nga gjenerali Villarroya, ndoshta duhet të jenë «nënat» e jo ushtarakët ata që na japin ligjërata. Një mik tepër inteligjent na thotë se kemi nevojë për shembuj mobilizues e për epikë shpëtimtare. Është e vërtetë. Por kjo nuk është luftë, është katastrofë. Mjaft e rëndë është të përballesh me një «katastrofë», sa që nuk ka nevojë të kemi frikë edhe prej bashkë-viktimave e atyre që duam të mbrojmë. Shembuj tashmë kemi, dhe janë aq banalë sa ç´është banale e keqja arendt-iane së cilës po i kundërvihen; epika po ashtu ekziston: është ajo e gjithë burrave e grave që në ballkonin përballë, katër metra më larg, befasisht zbulojnë te fqinji i tyre i urryer (që deri dje mezi i kishin dhënë dorën), një qenie të dashur e thuajse miqësore, të cilën nuk mund ta përqafosh. Është paradigmatike dhe shumë e bukur që pikërisht në një situatë izolimi të detyrueshëm shoqëror, kur puthjet e përqafimet ndalohen, ne po mësojmë emrat e atyre që jetojnë në lagjen e në shkallën tonë, dhe shqetësohemi për ta se a kanë ushqim e a kanë nevojë për barna.

Kjo nuk është luftë, është katastrofë. Ndryshe prej secilës luftë, nuk ka asnjë kauzë më të lartë se shpëtimi i të gjithë jetëve njerëzore. Do të fitojmë vetëm nëse nuk do të ketë viktima. Ose nëse janë sa më pak të tilla.

Mbase do të mund të fitojmë kësaj radhe. Por duhet të përgatitemi për herën e ardhshme, dhe kjo tronditje e cila do të rivendosë prioritetet mund të jetë një parapërgatitje vendimtare për të gjithë ne.

Përktheu nga gjuha spanjolle Arbër Zaimi