(Ky shkrim u botua në 17 mars 2020)

Duket si rastësi e qëlluar që kërcënimi serioz prej virusit korona e goditi pjesën më të madhe të botës perëndimore rreth periudhës së Ideve të Marsit, ditës kur tradicionalisht në Romën e lashtë kërkohej ballafaqim me borxhlinjtë. Java e shkuar ka qenë tërësisht e paqëndrueshme. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) më në fund e shpalli pandemi infeksionin, qeveritë me zor e me vonesë iu përgjigjën kësaj, virusi dominoi ciklin e lajmeve si edhe zhurmën e madhe të keqinformimit e kundërinformimit në rrjetet sociale, qytete madje edhe vende të tëra mbyllën kufijtë e ndaluan lëvizjet, tregjet e çdo lloji ranë dhe korporatat lajmëruan shkarkime punëtorësh dhe ndalime të prodhimit. U bë e qartë se, cilatdo qofshin origjinat, shtigjet dhe vdekshmëria prej virusit tashmë të quajtur COVID-19, ai sigurisht se do t´i vinte nën sprovë të rëndë kapitalizmin perëndimor e mekanizmat e tij. Thuajse me siguri të plotë do t´i gjente të papërgatitur. Fundja, probleme dhe zhbalancime janë grumbulluar brenda kapitalizmit perëndimor gjatë katër dekadave të fundit, që prej kur mori rrugën neoliberale për të dalë prej krizës së viteve 1970 dhe vazhdoi në atë rrugë, pa e vrarë mendjen për krizat e problemet ku ajo e çonte.

Gjatë këtyre dekadave, sipas një analize të rëndësishme, bota kapitaliste perëndimore vetëm ka «duke blerë kohë», duke grumbulluar borxhe, si publike ashtu edhe private, që ta shtynte sa më shumë dhënien e llogarisë dhe ballafaqimin me tregjet e veta të cekëta e të ngushta, një problem që neoliberalizmi e ka rënduar edhe më tepër, me presionin e madh për të ulur rrogat dhe çmimet.

Kriza e 2008 ka shpërfaqur të vërtetën. Sidoqoftë nuk çoi në asnjë riorientim serioz politik, thjesht u shtetëzua një mal me borxhe private, kur shtetet ndërhynë për të shpëtuar bankat që u vlerësuan «too big to fail», e kur nuk u dënuan drejtorët e tyre që u vlerësuan «too big to jail» e që vazhduan me praktikat e njëjta. Vetëm vdekatarët e thjeshtë humbën vendet e punës dhe shtëpitë, e u desh të përballeshin me imponimin e mjerimit përmes politikave të austeritetit që bëheshin në emër të konsolidimit të financave shtetërore.

Pandemia aktuale sigurisht do të jetë e ndryshme, jo pse është më vdekjeprurëse se ato që i kanë paraprirë (nuk është), as pse po shkakton trandje të tregjeve financiare (shumica e krizave gjatë epokës neoliberale e kanë bërë këtë), por për shkak se po ekspozon dobësitë, shtrembërimet dhe zhbalancimet e aparatit produktiv të formësuar prej neoliberalizmit gjatë katër dekadave.

Neoliberalizmi pritej që ta forconte kapitalizmin, t´ia kthente «frymën shtazarake» që i ishte squllur për shkak të «dorës së mpirë të shtetit». Por kurrë nuk e arriti këtë gje. Shkalla e rritjes gjatë katër dekadave të fundit ka qenë vazhdimisht më e vogël se ajo e «epokës së artë etatiste» të kapitalizmit pas Luftës II Botërore. Gjatë neoliberalizmit sistemi i prodhimit i qeverisur prej kapitalizmit perëndimor u tejshtri e u hollua në së paku tre mënyra. Në aspektin hapësinor, u shtri kryq e tërthor tokës. Në aspektin kohor ra në tensionin e prodhimit për kërkesën e atypëratyshme, pra me pak ose hiç rezerva dhe me pak hapësirë financiare në rast të nevojës për t´u përballur me vështirësi të paparashikueshme. E së treti, u stërshtri shoqërisht, i shtrydhi fort punëtorët dhe bizneset e vogla shumë fort, duke i bërë të japin punë e prodhime për rroga e çmime të ulëta, e njëkohësisht ngarkoi mbi ta çdo lloj risku shoqëror e financiar.

Me siguri, problemet që virusi e lufta kundër tij kanë shkaktuar tashmë e do të vazhdojnë të shkaktojnë, kanë qenë e do të jenë të shtrenjta: pjesë të rëndësishme të ekonomisë botërore nuk mund të ndalen për muaj me radhë pa kosto të tilla. Sidoqoftë një strukturë e shëndetshme e cila ka vënë ca dhjamë, apo ka kursyer mënjanë ca rezerva, do t´i kishte rezistuar kësaj shumë më mirë se sa struktura jonë produktive e dobësuar kockë e lëkurë, e stërshqetësuar, aspak e pavarur, e cila do të duhej të ishte ballafaquar me të vërtetën kohë më parë.

Java e dytë e marsit, kur OBSh-ja e shpalli COVID-19 si një pandemi globale solli tronditje pa precedent në tregjet botërore. Tregjet e aksioneve në ShBA vuajtën rënien më të madhe brenda një dite të vetme qysh prej krizës së ´87, edhe pse Rezerva Federale e uli me urgjencë shkallën e interesit dhe vetëm një javë më parë premtoi se do të injektonte triliona në sistem. Kjo politikë «korrigjuese» nuk solli qetësi. Si rrallëherë, tregjet e aksioneve që zakonisht konsiderohen me risk më të lartë, kësaj radhe nuk ishin vetëm. Edhe tregjet me risk të ulët, ato të bonove, pësuan rënie, siç pësuan edhe tregjet e aseteve «më të sigurta», bonove të thesarit të ShBA-ve, e ato të arit, sepse investuesit patën nevojë për para.

Si të mos mjaftonte kjo, dhimbja nuk ishte vetëm financiare. Teksa shtet pas shteti impononin bllokime të udhëtimeve ajrore, detare e të çdo lloji tjetër, edhe segmentë të mëdhenj, me gjasë të stërfryrë, të sektorit të shërbimeve i cili mbështetet më shumë te prodhimi e konsumi i atypëratyshëm, pësoi mbyllje, zvogëlime të biznesit dhe shkurtime të personelit. Zinxhirët e këputur të ofertës dhe tregjet e rëna, e vunë një peshë tepër të madhe mbi sektorin e prodhimit. Mbi të gjitha këto, në një tjetër zhvillim, mosgjetja e fjalës së përbashkët mes vendeve të OPEC dhe aleatëve të tyre çoi në një betejë të uljes së çmimit të naftës, që e bëri të paleverdisshme industrinë naftënxjerrëse amerikane, e cila kishte qenë një ndër yjet më të shndritshëm të ekonomisë së ShBA-së gjatë një dekade jo fort të mirë si ajo e fundit. 

Edhe pse përmasa e problemeve duket se shkon shumë përtej virusit, gjithsesi qeveritë neoliberale vazhdojnë të tregojnë me gisht pandeminë si fajtorin që mban përgjegjësinë për rënien ekonomike. Njësoj si George Bush Jr. i cili i mëshoi 11 shtatorit dhe ia vuri atij fajin për recesionin ekonomik dhe pse në fakt ai kishte filluar muaj më parë. Madje siç dihet, Bush-i i kërkoi amerikanëve të dilnin për shopping që të demonstronin patriotizmin e tyre.

Ekzistojnë së paku katër elementë të shqueshëm për sfidën me të cilën po ballafaqohen shoqëritë kapitaliste perëndimore, midis kësaj «krize të shëndetësisë publike që është më e vështira e jetuar prej gjeneratës sonë».

Problemi i kërkesës dhe zgjidhjet me politikë monetare

Më themelori prej këtyre elemëntëve, është ai i nivelit të ulët të kërkesës agregate – të konsumatorëve e investitorëve – në raport me aftësitë prodhuese, për të mos përmendur potencialin prodhues. Kjo gjë shkaktoi ngadalësimin e rritjes në vitet 1970. Neoliberalizmi, zgjidhja e preferuar e perëndimit, jo vetëm që nuk e adresoi këtë problem por i përkeqësoi më tej gjërat duke e lehtësuar «investimin» financiar, duke zvogëluar pagat dhe shpenzimet shtetërore e duke rritur pabarazinë. Kjo e fundit i çon paratë në xhepat e atyre që as nuk kanë për t´i shpenzuar, as nuk kanë për t´i investuar në mënyrë produktive, por thjesht do të rrisin shumat e stërmëdha që sjellin lart e poshtë nëpër tregje asetesh spekulative. Ballafaqimi me këtë problem është shtyrë, së pari përmes rritjes së borxhit shtetëror, jo edhe aq për të financuar shpenzimet sociale apo ato për mbrojtje e mirëqenie, por për ulje të paturpshme të taksave për të pasurit si dhe për rritje të madhe të shpenzimeve ushtarake, për subvencionim të korporatave e gjëra të tilla, e së dyti përmes rritjes së borxhit privat i cili kulmoi në krizën e 2008.

Ajo rritje që mundën të sillnin politikat neoliberale ishte kryesisht për shkak të flluskave të fryra të çmimeve të aseteve. Ato i lejuan vetëm një elite të ngushtë që të rrisnin konsumin. Gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit të politikave të «austeritetit» edhe kjo farë rritjeje u zvogëlua e u  tha, dhe perëndimi regjistroi shkallën më të vogël të rritjes krahasuar me çdo dekadë tjetër të neoliberalizmit. Alternativa neoliberale u shterua qoftë edhe si strategji për rritje anemike. Kërkesa gjatë dekadave të shkuara ka qenë e mefshtë, e shumica e kërkesës për konsum e për investime të reja ka ardhur prej Kinës dhe prej vendeve të tjera jo-perëndimore.

Goditja që iu dha kërkesës prej pandemisë aktuale e ka përkeqësuar këtë situatë që tashmë ishte e keqe. Nëse pabarazitë e grumbulluara gjatë dekadave neoliberale e përkeqësojnë shpërndarjen e pandemisë, e kjo pastaj e thellon pabarazinë, do të thotë se problemi i kërkesës do të thellohet edhe më shumë.

Gjatë dekadës së fundit qeveritë perëndimore dhe bankat qendrore kanë gjetur një mënyrë të re për të blerë kohë në emër të sistemit kapitalist: duke bërë një spektakël të madh me idenë se po i përgjigjjen problemeve të rritjes duke përdorur politika ekskluzivisht monetare. E mbajnë publikun të shastisur me politikëbërës dhe opinionistë që bëjnë truqe të mirëmenduara, nganjëherë të pakuptimta, duke nxjerrë lepuj politike monetare prej kapeles – interesa gjithnjë e më të ulëta, interesa negative, lehtësim sasior (quantitative easing), udhëzime politike prej bankës qendrore e çkamos – duke krijuar përshtypjen se po stërmundojnë çdo qelizë të trurit për të shpëtuar ekonominë botërore. Megjithatë, është thjesht një shpërqendrim klasik i vëmendjes: John Maynard Keynes kohë më parë na paralajmëroi se do të vinte një kohë kur vetëm politika monetare nuk «do të ishte e mjaftueshme në vetvete për të përcaktuar shkallën optimale të investimit», pra nuk do të prodhonte një shkallë të pranueshme të rritjes. Efikasiteti i saj do të ishte si «të shtysh një litar».

Gjithë ky diskutim për politikën monetare e heq vëmendjen e publikut prej politikës fiskale, që nënkupton rritjet në shpenzime e investime qeveritare. Edhe pse ka sektorë të shtypit financiar që e pranojnë këtë, ata shpesh shohin ëndrra në diell dhe mendojnë se do të jetë e mjaftueshme një dozë e vogël. Ata harrojnë se Keynes-i vazhdoi të thotë në fjalinë e mëtejshmë «siç e konceptoj unë, një farë socializimi komprehensiv i investimit ka për t´u vërtetuar se është i njëjti mjet për të arritur një afrim me punësimin e plotë». (Për Keynes-in punësimi i plotë ishte objektivi kryesor i politikës ekonomike, objektiv i cili pa ekzagjeruar mund të themi se ishte hapi i parë përtej kapitalizmit, drejt një shoqërie më të mirë).

S´ka nevojë të thuhet, por ajo çka Keynes-i quajti «një farë socializimi komprehensiv të investimit» është e barabartë me një farë socializmi, ku qeveritë marrin përsipër investimet për shkak se sektori privat është i paaftë apo nuk ka dëshirë që t´i bëjë ato, nëse jo për arsye të tjera. Për ta thënë në një mënyrë tjetër, sasia e aktivizmit fiskal që do të kërkohet për të kthyer një nivel të përshtatshëm të rritjes, punësimit dhe kërkesës, do të jetë aq e madhe sa që pashmangshëm do të shtrohen disa pyetje thelbësore. Nëse kapitalistët nuk munden apo nuk duan të bëjnë të vetmen gjë që i bën të pranueshëm edhe më të këqijtë syresh, pra të investojnë e të prodhojnë punësim, atëherë për çfarë na hyn në punë klasa kapitaliste? Pse ka nevojë që shtetet tona demokratike t´i lënë ata të kontrollojnë ekonominë? Në këtë pikë ka qenë kapitalizmi për së paku një dekadë. Kriza aktuale e bën të pamundur mosmendimin e kësaj.

Politika monetare del jashtë binarëve

Përveç që përqendrimi te politikat monetare e ka shpërqendruar vëmendjen e publikut prej aktivizmit fiskal kaq të nevojshëm, ka shkaktuar dëme të mëdha edhe vetë, e ndoshta tash e ka shteruar edhe atë dobi perverse që ka. Sektori financiar, përfituesi më i madh i prirjes derregulluese të neoliberalizmit, bashkë me kushtet e pafavorshme për kërkesën që ka krijuar, të cilat i kanë çuar fondet në tregje të aseteve në vend që t´i çonin në investime produktive, tash po përballet me rrënimin e motorrit të vet kryesor. Kriza e tregjeve të aksioneve e vitit 1987 ishte kriza e parë e madhe financiare gjatë epokës neoliberale dhe kryetari i Rezervës Federale në atë kohë, Alan Greenspan u përgjigj me famëkeqin «Greenspan Put», që esencialisht e rikrijoi likuiditetin e zhdukur – e rimbushi shishen me pije – që gostia spekulative të mund të vazhdonte. Prej asaj kohe Rezerva Federale dhe motrat e saj, bankat qendrore në perëndim, i janë përgjigjur krizave financiare me injeksione likuiditeti, qoftë duke ulur interesat, qoftë në mënyrë më direkte duke blerë asete jo aq likuide, gjë që njihet ndryshe si lehtësim sasior.

Këto praktika janë justifikuar si të nevojshme për rikthimin e investimeve, aktivitetit ekonomik dhe punësimit. Sidoqoftë, e vetmja gjë që kanë kthyer është aftësia e sektorit financiar për të vazhduar spekulimin e vet joproduktiv që shkakton thellim të pabarazisë. Si rezultat kemi patur një varg flluskash të aseteve të cilat rritën pasuritë e 1% më të pasur të popullsisë globale e në një shkallë më të vogël të 10% më të pasur, ndërkohë që shkaktuan shqetësime të mëdha ekonomike për 90% më të varfër, sidomos kur flluskat shpërthyen. Ky varg famëkeq përfshin krizën e tregut të aksioneve në 1987, krizat e ndryshme financiare gjatë fillimit e mesit të viteve ´90 që kulmuan në krizën financiare të Azisë Lindore të viteve 1997-98, krizën «dot com» të vitit 2000, dhe krizën e vitit 2008.

Ndërkohë që politika monetare po vazhdon të rimbushë shishen me pije, gostia është bërë gjithnjë e më e gëzueshme. Qarkullimi ndërkombëtar i kapitalit, për shembull, mbetet 65% më i ulët se kulmi i para-2008, pavarësisht bujarisë së bankave. Bankat dhe institucionet financiare janë nën presion të rëndë prej kërkesave për të patur rezerva më të mëdha, gjë që e imponoi ri-rregullimi i pas-krizës i cili për punë të tjera ka qenë jo efektiv. Duke parë se sa shumë para duhen hedhur në tregjet financiare sot për të fituar diçka, atëherë edhe ky imponim relativisht i dobët, i ka ndikuar për keq përfitimet në sektorin financiar.

Me gjithë këtë, dekada e fundit ka qenë dëshmitare e një flluske të konsiderueshme të tregjeve të aksioneve, e cila duket se ka shpërthyer. Ulja urgjente e interesave prej Rezervës Federale dhe premtimi se do të injektonte triliona në sistem gjatë javës së parë të marsit nuk funksionoi, kështu që në 15 mars u shpall edhe një ulje tjetër e interesave duke i çuar gati në zero, u bënë blerje asetesh dhe si zakonisht u premtua se «do të përdoret i gjithë spektri i mjeteve», pak ditë para se të rihapeshin tregjet lindore. Me këtë lëvizje Rezerva Federale pak a shumë e ka ezauruar gjithë municionin e vet. Qysh prej vitit 2015 ajo i ka rritur interesat me qëllimin e shprehur për të ruajtur ca barut të thatë për krizat e ardhshme, që të kishte ca hapësirë për të ulur interesat. Por në gjashtë muajt e fundit e ka humbur të gjithë këtë hapësirë rezervë, shumicën e saj gjatë muajit mars 2020. Nuk ka mbetur gjë për të bërë. Interesat negative janë llafe në erë. Edhe evropianët më të guximshëm nuk kanë guxuar të shkojnë më shumë se -0.5% dhe Rezerva Federale deri më tash nuk ka treguar ndonjë dëshirë për të ecur në territorin e interesave negative. Thënë kjo, fakti se tregjet refuzuan të përgjigjen pozitivisht ndaj masave të Rezervës Federale, duke u lëshuar në rënie të lirë në lindje e në perëndim, dha një verdikt fatal sa i përket kapacitetit të politikës monetare.

Nuk ka rëndësi sa lart shkon vlerësimi i aseteve në çmenduritë spekulative, nuk ka rëndësi sa e nxit këtë gjë Rezerva Federale, në fund të fundit ato do të kaplohen prej gravitetit që ushtrohet prej ekonomisë prodhuese, nevojave e dëshirave të saj. Flluska «dot com» u desh të shpërthejë, për shkak të mungesës së vlerës së aksioneve të «aseteve të paprekshme». Flluskat e strehimit e të kredive shpërthyen në 2008 kur shkalla e interesit u desh të rritet që të ruhej vlera e dollarit përballë rritjes së çmimeve të komoditeteve, gjë që çoi në ngadalësim të rritjes së çmimit të strehimit dhe në «borxhe nënujore», të cilat gjithnjë e më shumë vlenin më tepër se pronat për të cilat ishin hipotekuar. Sot, problemi i tregut të aksioneve mund të jetë nxitur prej pandemisë, por ai prek probleme edhe më të thella, mbi të cilat ngrihet.

Kur tregjet e aseteve të cilat financojnë spekulimin mbi vlerën e aseteve tashmë të prodhuara, u rritën në përmasë gjatë dekadave, ato e lanë pas çdo proporcion të arsyeshëm me aktivitetin prodhues – çdo investim në prodhimin e të mirave e shërbimeve të reja (tek ajo që dikush e quan ekonomi «reale») – edhe pse ajo ishte dega ku qëndronin. Në krizën aktuale forma këmbëngulëse e qëndrueshmërisë është kjo: Bankat dhe institucionet financiare i pranojnë depozitat prej korporatave prodhuese si fonde të cilësisë më të lartë. Mirëpo nën impaktin e tronditjeve të ofertës e të kërkesës, korporatat prodhuese i kanë tërhequr ato depozita, madje kanë kërkuar kredi. Ç´është më e keqja, korporatat e mëdha këtë gjë po e bëjnë njëkohësisht.

Edhe pse kjo nuk ka prodhuar një krizë të menjëhershme të bankave, rreziqet mund të mos jenë dhe aq larg: siç ka vënë re një kolumnist i Financial Times edhe ligji «Dodd-Frank» e rregullimet e tjera të bëra pas 2008, të cilat i kanë mëkëmbur pak më shumë bankat, kërkojnë prej tyre që të kenë së paku një nivel të caktuar me depozita të tilla cilësore. «Humbja kaq e shpejtë e këtyre depozitave rrezikon profilin e likuiditetit si dhe të qenit në përputhje me rregullat për vetë bankat. E këtë po e themi para se të nisë rritja e reduktimeve në korporata, apo e mospagimeve të borxheve, e cila do të krijojë edhe më shumë presion në fondet e bankave».

Oferta e likuiditetit që ka bërë Rezerva Federale nuk funksionon më, sepse gjëja që i duhet ekonomisë tani është ndonjë mënyrë për të krijuar kërkesë, qoftë ajo konsumatore apo për investime, që të rimëkëmbet e të rritet prodhimi. Në rrethanat aktuale me shpenzim e investim shumë të ulët privat, këtë gjë mund ta bëjnë vetëm qeveritë. Kjo gjë ngre një problem. Nga njëra anë, nëse kjo nuk bëhet atëherë nuk do të jetë larg një krizë e përgjithshme financiare e ekonomike shumë më e thellë se kjo që po shkakton pandemia në impaktin ndaj prodhimit e konsumit. Nga ana tjetër nëse qeveria ndërhyn dhe bën atë që vërtet duhet bërë, kjo do të vendoste një pikëpyetje të madhe mbi të ardhmen e kapitalizmit.

Ekonomia prodhuese e mbingarkuar

Siç e kemi vënë re, ky sistem i mbingarkuar e i stërshtrirë në aspektin kohor, hapësinor e shoqëror, i formësuar prej katër dekadave të neoliberalizmit kishte kohë që duhej ballafaquar. Edhe pse për një dekadë pas 1995 zinxhirët e ofertës së perëndimit u shtrinë edhe në gjysmën tjetër të botës, deri në Kinë, rritja e këtyre ekonomive ishte duke u ngadalësuar qysh para se të vinte kriza e vitit 2008 falë një sërë faktorësh kompleksë që përfshijnë edhe saturimin e tregjeve perëndimore të mbytura prej neoliberalizmit si dhe rritjen e pagave në Kinë. Pas 2008, me ardhjen në skenë të politikave të austeritetit pulat e «marrëveshjeve të tregtisë së lirë» që në fakt ishin marrëveshje për të lehtësuar tjetërkah investime të papenguara prej standardeve të të drejtave të punëtorëve apo ato mjedisore, filluan të ktheheshin në shtëpi për të bërë vezët. Pavarësisht dëngjeve me literaturë që argumentonte se rrogat dhe sasia e punësimit në vendet perëndimore nuk prekeshin nga marrëveshjet e tregtisë së lirë, në realitet ato marrëveshje i kafshuan të dy parametrat, sidomos për jakat e kaltra në perëndim.

Kjo pakënaqësi do të duhej të ishte mobilizuar prej së majtës por kjo u pamundësua prej dekadave plot propagandë poshtëruese kundër së majtës nga ana e të djathtës neoliberale në rritje, të njëjtat dekada gjatë të cilave e majta tradicionale filloi të anonte djathtas ndoshta dhe për shkak të kufizimeve të veta historike. Në vend të kësaj populizmi djathtist e shfrytëzoi vuajtjen dhe përçarjet që rrjedhin prej saj për bëma si Brexit apo si luftërat tregtare, duke u angazhuar shumë pak për shërimin e tyre. Si rezultat u destabilizuan edhe më shumë kushtet e prodhimit, edhe ashtu të brishta, anembanë globit. Epidemia e virusit korona thjesht e ka përshpejtuar ecjen drejt një ballafaqimi.

Kriza e menaxhimit të krizës

Elementi përfundimtar në këtë koktejl të lig ka të bëjë me mekanizmat përmes të cilëve kriza është menaxhuar historikisht në kapitalizëm – shtetin dhe politikën. Dekadat e neoliberalizmit i kanë rrënuar aq shumë, si shtetin ashtu edhe kapacitetin politik në shoqëritë perëndimore, sa që nuk mund të mbështetemi më në to për të prodhuar një përgjigjje koherente ndaj krizës aktuale, qoftë ajo përmes kontrollimit e përfundimit të pandemisë në sensin afatshkurtër, apo në sensin afatgjatë në gjetjen e një riorientimi ekonomik që do të jetë i domosdoshëm.

Kjo më së qarti shihet në ngadalësinë e reagimit perëndimor ndaj pandemisë. Pasi që u kaluan muaj të tërë duke u përpjekur të gjejë fajin te përgjigjja kineze ndaj krizës, tash po shihet se përgjigjja perëndimore është shumë më keq në krahasim me atë të Pekinit. Raporti i misionit të përbashkët të OBSh-së e të Kinës mbi COVID-19 doli me përfundimin se:

Përballë një virusi që nuk njihej më parë Kina ka zbatuar përpjekjen ndoshta më ambicioze, më të zhdërvjelltë e më agresive për administrimin e një sëmundjeje që ka njohur ndonjëherë historia. Strategjia mbi të cilën u ngrit kjo përpjekje parandaluese ishte së pari një qasje kombëtare që vuri theksin te monitorimi i temperaturës, pajisja me maska dhe larja e duarve për të gjithë popullsinë pa përjashtim. Megjithatë, me vazhdimin e epidemisë e me fitimin e njohurive të reja, një qasje shkencore e bazuar në analizën e riskut u ndërmorr për një implementim të përshtatshëm. Masa specifike parandaluese iu përshtatën konteksteve të rajoneve, komunave, madje edhe bashkësive, aftësive që kishin ato për të vepruar si dhe natyrës së përhapjes së infeksionit atje.

Dallimi me perëndimin nuk mund të kishte qenë dot më i madh. Le të marrim dy vendet udhëheqëse neoliberale, ShBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar. Te të dyja katër dekadat e neoliberalizmit e kanë zvogëluar aftësinë e shtetit, i kanë shkatërruar institucionet kyç dhe e kanë larguar personelin më të mirë. Në të dyja vendet klasa politike e ka humbur kredibilitetin dhe sistemet politike janë çrregulluar aq shumë sa që kanë lejuar që sharlatanë të pamaskuar të zënë pozitat më të larta politike. Si vallë munden këto sisteme kaq të shkatërruara të prodhojnë vullnetin politik dhe aftësinë shtetërore për t´u marrë me krizën që po shpaloset? (Mund të shtojmë këtu se kjo pandemi po vë në sprovë edhe vetë arkitekturën e Eurozonës).

Në ShBA, ku ka një sistem mjekësor privat, sigurimet, kostoja dhe parametrat e tjerë komercialë po diktojnë një përgjigjje të rrëmujshme, ku edhe testimi është spontan, duke e bërë të panjohur edhe vetë përmasën e pandemisë. Në MB, ku një dekadë e më tepër me politika austeriteti e kanë bërë tashmë Shërbimin Shëndetësor Kombëtar të paaftë që të përballet qoftë dhe me epidemitë rutinore të gripit stinor, u përpoq që ta paraqiste domosdoshmërinë si virtyt, duke pretenduar se po synonte të arrihej «imunitet i tufës». Kjo nuk ishte gjë tjetër përveçse një shpallje e maskuar e falimentimit, që mbante erë të fortë gjenocidale. Duke ditur se pandemia do të godiste më fort të varfërit, pranimi i shpërndarjes së virusit dhe i faktit se dhjetëra «të dashur» do të vdesin e vetëm më të fortët do të mbijetojnë, është njësoj sikur të thuhej «le t´i marrë djalli ata që kanë mbetur pas». Rreth e qark botës perëndimore sundimi i sistemeve të informacionit prej medias private e medias sociale ka prodhuar një nivel keqinformimi dhe kundërinformimi i cili vetëm i përkeqëson e i komplikon problemet.

Si të mos mjaftonte kjo, paaftësitë e brendshme në nivel shtetëror, komplikohen me rivalitetet e tensionet ndërkombëtare, gjë që e bën edhe më të vështirë një përgjigjje të koordinuar mes shteteve. Rrënjët e rivaliteteve karakteristike për shek XXI qëndrojnë sigurisht te zhvendosja e qendrës së rëndesës së ekonomisë globale larg perëndimit. Kjo u ndihmua prej rritjes së ngadaltë të perëndimit gjatë dekadave neoliberale dhe aftësisë së Kinës e disa qeverive të tjera që t´i arratiseshin, apo që të përshtateshin me shtrëngimet në fjalë. Perëndimi prej kohësh ka nisur që të reagojë keq ndaj kësaj zhvendosjese: duke kërcënuar luftë ushtarake e ekonomike përballë rivalëve e «sfiduesve». Rritja e populizmit thjesht i ka përkeqësuar gjërat.

Edhe pse niveli i miqësisë ndërkombëtare pas 2008 ka qenë gjithnjë më i fryrë se realiteti, dhe përpjekjet e G20 nuk kanë bërë shumë për të lehtësuar krizën, epoka e «America First» dhe e Brexit-it tregon se mosmarrëveshjet kanë arritur një nivel të ri. Përpjekja e Trump-it për të ofruar «shuma të mëdha» kompanive farmaceutike që të kishte mundësinë për qasje ekskluzive në vaksinë mbase është thellësia më e re ku po zhytet sjellja e shteteve perëndimore gjatë krizës. Shumica e politikës dhe e medias në perëndim madje kundërshton edhe të nxjerrë mësime prej sukseseve të Kinës, aq sa nuk raportohet as për përparimet e shëndetësisë drejt një mjekimi më të suksesshëm, e aq më pak të diskutohen apo kopjohen ato. Ndërkohë sanksionet ndërkombëtare ua ndalojnë qeverive të demonizuara, si ajo e Venezuelës, që të blejnë barna për trajtim shëndetësor.

Po të kishte goditur pandemia e virusit korona në një ekonomi botërore të shëndetshme e të harmonizuar, do të kishte shkaktuar dëm të madh, mirëpo dëmi do të kishte qenë i kufizuar në kohë e hapësirë. Por, po godet një ekonomi botërore e një sistem kapitalist tashmë të dobësuar prej dekadave të neoliberalizmit. Efekti i pandemisë është dhe do të mbetet i lidhur pashkëputshëm me këto dobësime paraprake. Duhet të jetë e qartë qysh prej fillimit se situata mban brenda vetes mundësi të mëdha që e majta të përparojë. Por këtë analizë do ta lëmë për ndonjëherë tjetër.

Përktheu nga anglishtja Arbër Zaimi