Pandemia e Covid-19 reflekton një krizë sistemike, të ngjashme me kolapset seminale gjatë shekullit XX

(Kjo është pjesa e parë, nga dy të tilla)

Teksa zinxhirët globalë të ofertës po këputen, kompanitë e fluturimeve po ndërpresin udhëtimet, kufijtë mes shteteve-kombe po forcohen, bursat po dridhen plot frikë dhe recesioni i kanoset ekonomive prej Kinës e deri në Gjermani, Australi apo ShBA, nuk mund të vihet më në dyshim se po jetojmë në kohëra të jashtëzakonshme.

Por mëdyshje kemi ende, megjithatë, sa i përket aftësisë për t´i kuptuar këto kohëra duke përdorur fjalorin që trashëgojmë nga dekadat gjatë të cilave globalizimi dukej si një fakt natyror, si ajri apo era. Sepse virusi korona sinjalizon një transformim radikal, të atij lloji që ndodh një herë në shekull, nga ata që i bëjnë copë e thërrime bindjet e deri-atëhershme.

Në fakt një përmbysje e tillë për herë të fundit ndodhi thuajse saktësisht një shekull më parë, dhe e ndryshoi botën aq dramatikisht sa që u nevojit një revolucion në art, shkencë e filozofi, që të mos përmendim edhe disiplinën e ekonomisë, për të mundur të kuptohej çka ndodhi.

Vitet e para të shekullit XX, njësoj si tash, karakterizoheshin prej një tregu të lirë global të mallrave, kapitalit dhe punës. Ajo ishte koha kur, siç e kujtonte John Maynard Keynes, “banori i Londrës mund të porosiste me telefon, teksa gjerbte çaj shtrirë në shtrat, produkte të ndryshme nga e gjithë bota”.

Ky bërës dhe konsumues i kapitalizmit botëror mund të investonte “pasurinë e tij në burimet natyrore dhe në sipërmarrjet që ndodheshin në çdo cep të botës”. Ai po ashtu mund të “siguronte menjëherë, nëse kishte dëshirë, mjete të lira e të rehatshme udhëtimi drejt çdo vendi apo çdo zone klimatike, pa pasaportë dhe pa ndonjë formalitet tjetër”.

Një botë e tillë, ekonomikisht e gërshetuar, shumëkujt i dukej se ishte siguria më e madhe kundër luftës – në kohën tonë një version i një optimizmi të tillë ka qenë Teoria e “Harqeve të Artë” të Thomas Friedman-it, sipas së cilës nëse dy vende kanë secila restorante McDonald´s, nuk i hapin luftë njëra-tjetrës.

Lufta e Parë Botërore jo vetëm që i dha fund të tmerrshëm një periudhe globalizimi të papenguar. Ajo po ashtu përgënjeshtroi inteligjencian e kohës e cila kishte besuar në progres të pandalshëm, dhe me ndodhjen e luftës u detyrua të pranonte se, siç i shkruante Henry James një shoku në gusht të 1914, “dallga e cila na paska shtyrë përpara, paska qenë vazhdimisht duke shkuar drejt kësaj Niagare të stërmadhe”.

Njësoj si me krizën tonë, kolapset seminale të shek. XX – Lufta e Parë Botërore e ndjekur prej Depresionit të Madh – ishin të vështira për t´u kuptuar sepse shkaqet kryesore të tyre kishin nisur të lëviznin dekada më parë, por nuk ishin marrë seriozisht prej politikanëve dhe komentuesve mainstream.

Demokracia, qoftë si një ideal emocional për barazi, apo si institucione përfaqësuese që bazohej në atë kohë në një elektorat gjithnjë e më të zgjeruar mashkullor, ishte bërë asokohe parimi kryesor i botës moderne, sidomos gjatë kohës kur rritja industriale prodhonte pabarazi të reja.

Vazhdimisht kjo aspiratë për demokraci mbahej e ndrydhur, gjë që ndezi lëvizje të së majtës e të djathtës ekstreme, të cilat u ngritën kundër elitave sunduese.

Politikanët radikalë i gjetën mbështetësit më të zjarrtë në mes të popullatës së shtypur të qyteteve të cilat po përjetonin një zmadhim të përshpejtuar. Të mbushur më së shumti me njerëz të saposhkëputur nga jeta në fshat, të shkulur prej jetërave tradicionale dhe të detyruar të jetojnë një mjerim urban, qytetet e mëdha të botës kishin nisur të bëheshin vatra të nxehta pakënaqësie, në mbarim të shek XIX.

Problemi i përmbushjes së aspiratave në rritje për barazi përmes ekonomive që prodhonin pavarazi u bë tepër i rëndë në shtetet kombe si Gjermania, Italia dhe Japonia, të cilat po përpiqeshin të kapnin hapin e vendeve perëndimore ekonomia e të cilave ishte tashmë e zhvilluar.

Tronditjet ekonomike që filluan në fund të shek. XIX dhe që kulmuan në Depresionin e Madh pothuajse e garantuan ardhjen e të djathtës ekstreme në pushtet dhe intensifikimin e konflikteve mes shteteve.

Në situatën tonë aktuale, i kemi të pranishëm të gjithë përbërësit e katastrofës së shekullit të shkuar, ç´është më e keqja, në një shkallë edhe më të madhe.

Për dekada me radhë tashmë, de-industrializimi, outsourcing i vendeve të punës e më pas automatizimi, i kanë lënë pa siguri e dinjitet shumë punëtorë, duke bërë që të mllefosurit edhe në vendet e përparuara perëndimore të jenë të prirur për të rënë pre e demagogjive. Në të njëjtën kohë, stagnimi i modernizimit ekonomik, një proces i dështuar urbanizimi në fuqitë “ndjekëse”, si India apo Rusia, ka krijuar thuajse sipas formulave librore, bazën politike për figura dhe lëvizje të së djathtës ekstreme.

Kriza financiare e vitit 2008 e cila ka shkaktuar dëm më të thellë e më të gjatë se ai i Depresionit të Madh, mund ta ketë diskredituar elitën globalizuese e cila premtonte mbrothtësi për gjithkënd, gjë e cila krijon hapësirë të gjerë për demagogë oportunistë si Donald Trump. Megjithatë, pak mësime u nxorën prej asaj krize dhe kolapsit global të tregjeve, ndërsa dallga po lëvizte gjithnjë e më shpejt drejt Niagarës. Kjo është arsyeja pse kriza e kohës sonë është intelektuale po aq sa është edhe politike, ekonomike dhe mjedisore.

Një shenjë e mangësive analitike është ajo se si zgjidhje për sëmundjet e shumëfishta vazhdojnë të jepen recetat e njëjta nga shumica e politikanëve dhe gazetarëve mainstream: më shumë “reforma” ekonomike, kryesisht në drejtim të hapjes globale të tregjeve të lira, ripërdorim i slloganeve të parafabrikuara gjatë luftës së ftohtë mbi superioritetin e “demokracisë liberale” karshi “autoritarizmit”, si dhe aspiratave për një rikthim te “njerëzillëk” dhe te “lidershipi global”.

Këto shpresa për një kthim në statusquo-në politik dhe ideologjik që ekzistonte para 2008 shpesh janë të mbrujtura me një shqetësim të rritur, edhe pse joefektiv, për ndryshimet klimaterike. Sa të pavend janë, do të bëhet edhe më e qartë në muajt në vijim, kur kombet e prekura, po ashtu si individët, do të përpiqen të vetë-izolohen, duke i sakrifikuar shumë nga lopët e shenjta dhe mitet neoliberale, për urgjencën ekzistenciale të mbijetesës. Virusi korona, i cili në vetvete është rrënues, mund të dalë se është vetëm i pari prej shumë tronditjeve që kemi përpara.