(Ky shkrim u botua në 23 mars 2020)

Numrat gjithnjë kanë pasur rëndësi në jetët tona të përditshme. Por në kohën e pandemisë së COVID-19, numrat bëhen edhe më shumë të rëndësishëm, teksa shfaqin gjithë karakterin e tyre biopolitik. Çdo ditë media na bombarodin me numrin e rasteve të konfirmuar me virusin korona, dhe me numrin e të vdekurve prej sëmundjes. Të tjerë numra që rrjedhin prej pandemisë drejtpërdrejt adresojnë masat e shëndetësisë publike (të cilat të gjitha janë në thelb ndërhyrje biopoitike), të cilat janë ndërmarrë për të ngadalësuar shpërhapjen e virusit.  Që të mbahet «distanca sociale», na kanë paralajmëruar se tubimet e më shumë se 100, apo 50, apo edhe 10 vetave do të ndalohen ose duhet të shmangen. Na thonë po ashtu se «distanca shoqërore» kërkon prej individëve të rrinë së paku 1 metër (apo ndoshta, që të përdorim një frazë aktuale, «me kujdes të shtuar» të rrimë 2 metra) larg njëri-tjetrit. Udhëtarët e huaj, qytetarët që janë kthyer në atdhe nga jashtë, apo ata që kanë patur kontakt me ndonjë të infektuar, duhet të vetëizolohen për 14 ditë. Logjika përfundimtare e vetë-izolimit është sigurisht që të arrihet pastërtia e numrit «një».

Numra njësoj domethënës, të cilat mund të përshkruhen si raste dëmesh anësore, kanë dalë pas shfaqjes së virusit. Tregjet e aksioneve nëpër botë kanë humbur mbi 20 trilion dollarë (në 18 mars). Një sondazh i zhvilluar në 13-14 mars ka zbuluar se 1 në 5 familje, apo rreth 18% syresh në ShBA, janë prekur prej pushimeve nga puna apo zvogëlimit të orarit të punës, teksa pjesë të gjera të industrive të prodhimit, zbavitjes, shërbimeve dhe hotelerisë është dashur të mbyllen, për shkak të masave të shëndetësisë publike, të ndërmarra për «të sheshuar lakoren» e shpërhapjes së virusit. Shumë familje nëpër botë po ashtu është dashur të ndryshojnë rutinën e tyre të përditshme, sepse shkollat janë mbyllur në 85 vende, gjë që ka prekur 776.7 milion fëmijë.

Sigurisht mund të vazhdohet me numra të tjerë të rëndësishëm që dalin prej pandemisë, si psh. numri i ventilatorëve për të cilin kanë nevojë spitalet që t´i mbajnë gjallë të sëmurët, numri i biletave të aeroplanëve që janë anuluar, numri i muajve apo viteve që do të duhet deri sa publikut t´i shpërndahet një vaksinë për t´u imunizuar, numri i personelit të sigurisë apo i dronëve që duhen për të monitoruar mbylljen (100.000 policë janë mobilizuar në Francë psh.), apo edhe numri i punëve dhe i shanseve financiare që do të mund të krijohen si pasojë e logjikës mizore të «kapitalizmit të katastrofave» (Amazon ka shpallur lajmërimin se do të punësojë 100.000 punëtorë). Në këtë artikull sidoqoftë unë dua të analizoj shkurt se si përdorimi i numrave funksionon si një teknikë kontrolli biopolitik, para se të vazhdoj të reflektoj mbi rolin e luajtur nga numri «një» – numërori më i vogël, sipas Arjun Appadurai-t i cili i rri mbi kokë kërcënueshëm teorisë shoqërore liberale sepse është «shenja numerike e individit» (Appadurai 2006:59) – një numër që merr shumë kuptime në kontekstin e «vetë-izolimit» gjatë këtyre kohëve të pandemisë.

Numri i madh i infektimeve dhe i vdekjeve të përditësuara e të raportuara në të gjitha mediat ka patur përgjithësisht si pasojë ose frikësimin e publikut, ose shtimin e ankthit e të vigjilencës vetë-mbrojtëse, që është e njëjta gjë. Me të njëjtin hap që rritet numri dhe i rasteve të infektuara e të të vdekurve, qeveritë rrisin numrin dhe intensitetin e ndërhyrjeve që synojnë të administrojnë e të ngadalësojnë pandeminë. Rritja e numrit të të infektuarve dhe të të vdekurve që raportohen nuk duhet të shihet si shkak i panikut të publikut. Këta numra të raportuar duhet të shihen, së bashku me masa të tjera, siç janë mbyllja në shtëpi, mbyllja e kufijve, si pjesë të një aparati qeveritar të kontrollit që synon të ofrojë siguri. Numrat e raportuar tregojnë se qeveria ka vënë në punë një lloj aparati panoptik i cili mundet të gjurmojë, të gjejë dhe të raportojë për numrin e të infektuarve dhe të të vdekurve. E vërtetë, nuk është një aparat perfekt i mbikqyrjes dhe i numërimit; autoritetet shëndetësore janë gati ta pranojnë se mund të ketë raste që kanë kaluar pa u vënë re apo pa u numëruar. Mirëpo numrat që raportohen përditë megjithatë konfirmojnë se mbikqyrja nga ana e pushtetit, është e fuqishme dhe është e aftë ta mundë armikun viral. Në fakt, ndoshta paradoksalisht, sa më shumë raste infektimi që regjistron dhe raporton qeveria, aq më shumë dëshmon fuqinë e saj zbuluese. Kështu që frika prej numrave të mëdhenj nga ana e publikut duhet të lexohet përmes kuptimit se vetë regjistrimi i këtyre numrave tregon që qeveria e ka ende nën kontroll situatën. Regjistrimi dhe publikimi i numrave të infeksioneve dhe të vdekjeve duhet të shihet në fakt si një lloj censusi shtetëror në kohë krize. Në shumë aspekte kjo ngjan me atë që Foucault kur shkruante rreth një qyteti të goditur nga murtaja në shek. XVII e përkufizonte si «numërimi i madh i të gjallëve e i të vdekurve»: «Secili i mbyllur në kuvlinë e vet, përgjigjet kur e thërrasin në emër dhe del në dritare kur ia kërkojnë – ky është numërimi i madh i të gjallëve dhe i të vdekurve» (Foucault 1979:196).

Rastet e infeksioneve të cilat, siç e pranojnë autoritetet shëndetësore, mund të mbeten të pazbuluara, paraqesin megjithatë një problem për aparatët qeveritarë të mbikqyrjes e zbulimit. Të panumëruarit mund të ngrenë dyshime të mëdha për të numëruarit. Meqenëse virusi është, siç e ka përshkruar presidenti Macron i Francës, i padukshëm dhe i pakapshëm, ai nuk e shfaq lehtë veten, përveçse kur shkakton tashmë simptoma të plota në një person. Është raportuar se virusi mund të jetë i pranishëm dhe mund të transmetohet te persona të tjerë, edhe prej bartësve që nuk kanë vetë simptima, ose që kanë simptoma fare të lehta. Pra nuk është për t´u habitur që shumë njerëz, e midis tyre shumë profesionistë të shëndetësisë, besojnë se një numër i madh i të infektuarve nuk është zbuluar. Kjo çon te dyshimi tjetër se publikimi i përditshëm i numrit të të infektuarve më shumë ka të bëjë me qeverinë që dëshiron të tregojë se e ka nën kontroll situatën, se sa me raportimin e asaj që vërtet po ndodh.

Në librin e tij «Çfarë është reale?» Giorgio Agamben vë në pikëpyetje rolin e luajtur prej shkencës së statistikave. Duke e çuar vëmendjen tonë te një artikull i titulluar «Vlera e ligjeve statistike në fizikë e në shkenca shoqërore», prej fizikantit italian Ettore Majorana (zhdukja e të cilit në fund të marsit 1938 mbetet një mister të cilin nuk e ka zgjidhur asnjë aparat hetimor), Agamben-i nënvizon rëndësinë e këtij paragrafi në artikullin e Majorana-s:

«Në një këndvështrim ngushtësisht shkencor, asgjë nuk na pengon të konsiderojmë të besueshme se … një fakt jetësor i thjeshtë, i padukshëm dhe i paparashikueshëm qëndron në origjinën e ngjarjeve njerëzore. Nëse është kështu, siç ne besojmë se është, atëherë ligjeve statistikore të shkencave shoqërore u përforcohet funksioni, i cili nuk është thjesht ai i përcaktimit të pasojave të një numri të madh shkaqesh të panjohura, por sidomos ai i ofrimit të një dëshmie të atypëratyshme e të prekshme të realitetit. Interpretimi i kësaj dëshmie lyp një art të veçantë, i cili nuk është mbështetje e vogël për artin e qeverisjes» (Cituar nga Agamben 2018: 12)

Duke komentuar këtë paragraf e të tjerë para tij, që kanë të bëjnë me fizikën kuantike, nga artikulli i Majorana-s, Agamben-i konstaton se fjalia enigmatike në fund të paragrafit më lart, merr një kuptim të veçantë në kontektin e analogjisë që bën Majorana mes ligjeve të fizikës kuantike dhe ligjeve të shkencave shoqërore: «njësoj si ligjet probabilistike të fizikës kuantike të cilat nuk synojnë të njohin, por ´të përcaktojnë´ gjendjen e sistemeve të atomeve, ashtu edhe ligjet e statistikës shoqërore nuk synojnë të njohin fenomenët shoqërorë, por ´qeverisjen´ e tyre… Shkenca nuk përpiqet më të dijë realitetin por – njësoj si statistika e shkencave shoqërore – vetëm të ndërhyjë në realitet për ta qeverisur atë» (Agamben 2018: 14). Për më tepër, në secilën përpjekje për të matur një sistem apo një ngjarje që po ndodh, nuk synohet dhe aq njohja e realitetit sepse «së pari e mbi të gjitha synohet modifikimi që ndodh për shkak të mjeteve matëse. Sipas fjalëve të Majorana-s rezultati i secilës matje duket se interesohet më shumë për gjendjen ku çohet sistemi gjatë ndërhyrjes matëse, se sa për gjendjen e panjohshme të sistemit para se të ndërhyhet». (Agamben 2018: 13). Pra Agamben-i del në përfundimin se «statistika nuk është shkencë që synon përmes eksperimentit të njohë realen; më shumë është ajo shkencë që na mundëson të marrim vendime në kushte paqartësie» (Agamben 2018: 37). Kritika që Agamben-i i bën statistikës së shkencave shoqërore mund të përdoret po ashtu edhe për numrat e përpiluar mbi rastet e të infektuarve e të vdekurve nga virusi korona të cilët na paraqiten përditë. Matjet statistikore, numrat e llogaritur kanë të bëjnë vetëm me gjendjen ku shoqërinë tonë e ka çuar virusi, por jo me realitetin e virusit, për të cilin ne dimë shumë pak. Ende na mungon dija për origjinën e tij të saktë, aetiologjinë e tij, apo natyrën precize të transmetimit të tij. Si virus korona i ri, ai mbetet mister i pakuptueshëm. Pra numrat statistikorë dhe masat e tjera nga shëndeti publik ndërhyjnë në krizën pandemike për ta administruar e për ta qeverisur atë, pa e kuptuar tërësisht. Si të tilla, statistikat e përditshme që na paraqiten, janë një demonstrim i shkencës së qeverisjes e cila «na mundëson të marrim vendime në situata të paqarta». Por vendimet qeveritare të marra në kushte paqartësie janë vendime të bazuara mbi «realitetin faktik» i cili nuk korrespondon, siç pretendohet, me realitetin e vërtetë (që është paqartësia e cila ekziston në realitet). Për sa kohë që dija jonë mbi virusin do të jetë e paqartë, virusi do të jetë i paqeverisshëm. Kështu që, nuk është për t´u habitur që shumë njerëz nuk po qetësohen prej masave të marra nga autoritetet qeverisëse, dhe shohin në artin qeverisës asgjë më tepër se sa një retorikë të dëshpëruar të mbajtjes nën kontroll.

Për ta ndaluar shpërhapjen e virusit e për të zvogëluar numrin e infektimeve, qeveritë kanë këshilluar, e kur këshillimi nuk ka funksionuar, kanë komanduar popullin që të ruajë «distancimin social», qëllimi përfundimtar dhe logjik i të cilit është «vetë-izolimi». Siç e përmenda më sipër, synimi i «vetë-izolimit» është të arrihet gjendja e kulluar e numërorit «një». «Njëshi» ndoshta është numri më vetmitar, megjithatë është edhe numri më i mbrojtur, jo vetëm për vete nga infektimi prej të tjerëve, por edhe për të tjerët prej vetes. «Njëshi» nuk duhet të përzihet me të tjerët për hir të vetvetes por edhe për hir të të tjerëve. Edhe pse unë në asnjë mënyrë nuk dua të vë në pikëpyetje domosdoshmërinë për «vetëizolim» në këto kohë të vështira kur sidomos të moshuarit e të sëmurët janë të pambrojtur prej efekteve vdekjeprurëse të virusit, megjithatë mund të shohim te «vetë-izolimi» një veprim prej biopolitike negative e defensive, një gjendje izolimi që është po ashtu gjendje e jashtëzakonshme për gjithsecilin. Siç na ka paralajmëruar së fundmi Agamben-i, nevoja për siguri biologjike fokusohet te mbrojtja e një kushti tërësisht biologjik, prandaj jemi shndërruar të gjithë në «jetë të zhveshura» prej aparatëve të mbikqyrjes e sigurisë shëndetësore të qeverisë. Në një ese të shkurtër të titulluar «Sqarime», Agamben-i ankohet për fundin e shoqërizimit që ka prodhuar «distancimi social» dhe «vetë-izolimi» në përpjekjen për të shpëtuar «jetën e zhveshur»: «Shoqëria jonë nuk beson më në asgjë, pos në jetën e zhveshur. Është e dukshme se italianët janë të gatshëm të sakrifikojnë praktikisht gjithçka, kushtet normale të të jetuarit, marrëdhëniet shoqërore, punën, deri edhe miqësitë, ndjenjat e bindjet fetare a politike, përballë rrezikut se mos sëmuren. Jeta e zhveshur – dhe frika se mos po e humbin atë – nuk është diçka që i bashkon njerëzit, por i verbëron e i ndan» (Agamben, 2020). Pra, sipas pikëpamjes së Agamben-it, animi i shoqërisë kah siguria që ofron «njëshi» i vetë-izoluar është një katastrofë, një pandemi shoqërore e ndarjeve, e cila do ta ndalojë «njëshin» prej qëndrimit bashkë me «njësha» të tjerë, dhe të qenit i zbuluar para tyre, në një komunitet që është i papërkufizuar, pra i pambrojtur, as me ndonjë paracaktim, normë, identitet apo stigmë. Edhe pse esetë e kohëve të fundit të Agamben-it mbi pandeminë e virusit korona janë kritikuar sepse e fokusojnë dyshimin tërësisht te kufizimet dhe anulimet e lirive tona për shkak të gjendjes emergjente, duke i injoruar me mendjemadhësi rreziqet biologjike që sjell virusi, megjithatë ka meritën që na provokon, me një rast tepër të skajshëm që shtrohet nga pyetja e vështirë se sa jemi të gatshëm të sakrifikojmë prej lirive tona që mezi i kemi fituar, për të mbijetuar biologjikisht. Mund të argumentohet se fillimisht duhet të jesh i gjallë, që të mund të vlerësosh apo të debatosh mbi këtë pyetje. Pra, a do të duhej të pajtoheshim se jeta biologjike, apo e zhveshur, është gjëja e parë, e pas saj vijnë liritë shoqërore dhe të drejtat qytetare? Por sa jemi në gjendje të vazhdojmë me logjikën e sakrifikimit për mbijetesë? Dhe me ç´kosto?

Është e mundur megjithatë të bëhet një kthesë dialektike e cila mund ta transformojë programin negativ biopolitik të «vetë-izolimit» që prodhon një vete të siguruar por asociale, në një program biopolitik afirmativ të «vetë-izolimit» në të cilin vetmia jep shansin për të eksploruar kënaqësitë e reflektimit dhe të kuptimit të vetes. Sërish, është e rëndësishme të përmendim se një kthesë e tillë dialektike nuk mëton të mohojë vetminë e dhimbshme, vështirësitë dhe angushtinë mendore që mund të pësohet gjatë «vetë-izolimit»; më shumë kjo kthesë kah pohimi përpiqet të nxisë atë që Hannah Arendt e quan vita contemplativa, të cilën vetmia mund të ta ofrojë. Është e rëndësishme të nënvizohet që një hyrje e tillë në vetmi nuk është asociale. Siç thekson Arendt: «Të jesh në vetmi do të thotë të jesh me veten tënde e të menduarit pra, edhe pse mund të jetë më vetmitari prej gjithë aktiviteteve, kurrë nuk është tërësisht pa bashkëpunëtor e pa shoqëri» (Arendt 1998: 76). Sipas Arendt-it tërheqja në vetminë e vita contemplativa-s është një përgatitje e domosdoshme për të hyrë në vita activa, që është pjesëmarrja në jetën publike e politike; vetëanalizimi dialogjik që mundësohet prej vetmisë së «vetë-izolimit» vepron si një prelud për rikthimin më të mirëmenduar të vetvetes në shoqëri, për t´u angazhuar me të tjerët. Në fjalët e Arendt-it: «të jetosh bashkë me të tjerët do të thotë të jetosh bashkë me vetveten» (Arendt 2005: 21).

Dëshiroj të shtoj se vita contemplativa sigurisht që mundësohet vetëm prej vita activa; puna intelektuale varet prej punës së krahut e cila mundëson materialet dhe shanset që ajo të ekzistojë. Nuk duhet të harrojmë kurrë se reflektimi dhe vetë-analizimi në vetmi bëhen të mundshme vetëm për shkak të punës heroike të bërë nga punonjësit e shëndetësisë, farmacistët, punëtorët që shesin, pastruesit dhe të tjerët të cilët e kanë vendosur përgjegjësinë publike para shqetësimeve personale, duke mos u izoluar pra duke ia zbuluar veten rrezikut të infeksionit. Nuk duhet të harrojmë se vita contemplativa është e mundur vetëm kur e ke barkun plot. Duke i folur një gazetari në Nju Jork, një pastrues i cili kishte marrë me vete dy vajzat e veta në punë meqë shkollat e tyre ishin mbyllur, nënvizoi me sinqeritet brutal: «Nëse nuk punojmë s´kemi ç´të hamë». Për të parafrazuar Brecht-in: «Mbush barkun, pastaj reflekto». E vërtetë, mirëpo njëkohësisht duhet të kujtojmë vërejtjen nga Arendt-i «ta mendojmë atë çfarë bëjmë» (cituar nga Margaret Canovan, tek Arendt 1998: xvii). Pastruesit i duhet të punojë që të jetojë. Por ndoshta, po t´i jepej mjaftueshëm mbështetje materiale e kohë për të reflektuar, ai do të mund të zbulonte se duke menduar mbi predikamentin e vet do ta kuptonte më mirë se si strukturat e padrejtësisë së ndërtuara brenda shoqërisë kapitaliste janë shkaku i vërtetë i situatës së paqëndrueshme ku ai gjindet.

Burimet e nevojshme për ta shndërruar biopolitikën negative të «vetë-izolimit në versionin pozitiv të vetmisë gjenden edhe në veprat e Agamben-it, pavarësisht hulumtimit kritik ndaj modelit negativ që ai bën në kohët e fundit. Vetmia për të cilën ka nevojë jeta reflektuese, ku aktiviteti i punës zëvendësohet nga mospuna dhe zhurma e angazhimit publik nga qetësia e reflektimit, gjen vlerësim në dallimin që Agamben-i bën midis negotium dhe otium: «Teksa për të lashtët ishte puna – negotium – ajo që përkufizohej negativisht krahasuar me jetën reflektuese – otium – modernët duket se janë të paaftë që ta konceptojnë reflektimin, të mos bërit asgjë, dhe kohën e lirë përveçse si një mohim i punës» (Agamben 2019: 26). Por Agamben-i më së shumti në kapitullin e titulluar «Ekzili i Vetëm Njërit me Vetëm Një», në librin «Përdorimi i trupave» përpiqet të promovojë formën vullnetare të «vetë-izolimit» apo të ekzilit. Duke diskutuar mendimin e Plotinit Agamben-i shkruan:

«Më kuptimplotë është fakti se Plotini kategorizon jetën hyjnore e të lumtur të filozofit mbi të gjitha përmes një termi të huazuar nga fjalori juridiko-politik: ekzil. Mirëpo kësaj radhe ekzili nuk është më përzënia e individit prej një qyteti, por ai i «vetëm njërit me vetëm një», kushti i mohimit dhe i braktisjes që termi shpreh kësaj radhe duket se shndërrohen në gjendje `lumturie` dhe `lehtësie`.

«Kontributi më autentik dhe më origjinal» i Plotinit pra konsiston te bashkimi i një termi juridiko-politik i cili nënkupton përjashtim dhe përzënie, me një sintagmë që shpreh intimitet dhe qenie bashkë… Jeta hyjnore e filozofit është paradoksalisht një «përzënie (apo përjashtim) në intimitet» (Agamben 2015: 235).

Ekzil, vetë-përjashtim, vetë-izolim – këta terma prej Agamben-it janë parë jo si «ndalimi në të cilin bartet vetë jeta e zhveshur», por si «figura e re dhe më enigmatike e ndalimit» e cila është «transformuar dhe është kthyer në diçka pozitive, duke marrë pozën e një intimiteti të ri e të lumtur të të qenit `vetëm me veten` si një kod për një politikë sipërore» (Agamben 2015: 236). Urdhëresa aktuale biopitike për t´u «vetë-izoluar» mundet pra të shndërrohet në një regjistër politik më pozitiv. «Vetë-izolimi» nuk ka pse të jetë një asocialitet ndëshkues. «Vetë-izolimi» po të shihet rishtaz si një vetmi e ekzilit që shprehet në formulën «vetëm me vetveten», mund të jetë, prapë sipas Agamben-it, «një shprehje intimiteti. Jemi bashkë, dhe shumë afër, por mes nesh nuk ka artikulim apo marrëdhënie që na lidh. Jemi bashkuar me njëri-tjetrin në formën tonë të të qenit vetëm. Ajo që zakonisht është sferë e privatësisë, në këtë moment bëhet publike dhe e përbashkët» (Agamben 2015: 237). «Vetë-izolimi» në këtë version të biopolitikës nuk është fundi i shoqërizimit dhe i komunitetit, por një përdorim i ri i tyre, një konceptualizim i ri ku singularja dhe e përbashkëta, privatja dhe publikja, nuk janë më të kundërvëna, por mbeten njëra ndanë tjetrës në një gjendje «indiference» (indiferencë jo në sensin e interesit apo përqendrimit, por indiferencë në të kuptuarit se sa të parëndësishme janë dallimet hierarkike që përjashtojnë apo përfshijnë).

Në pandeminë aktuale të virusit korona, ne përballemi me dy interpretime të «vetë-izolimit». Në versionin negativ ne kemi liberalin e trembur e megjithatë të bindur, i cili kujdeset vetëm për «numrin një», «njëshi» që e siguron vetveten duke u izoluar apo duke u ndarë prej të tjerëve. Në versionin tjetër, pozitiv, vetja izolon vetveten në mënyrë që të mendojë më mirë dhe, në rastin e Agamben-it, të mendojë një politikë të re «si një intimitet i pandërmjetësuar prej ndonjë artikulimi apo përfaqësimi» (Agamben 2015: 237). «Njëshi» i këtij versioni, edhe pse mbetet numri i vetvetes, kërkon një intimitet mes vetes së vet dhe numrave të tjerë përmes një kontakti të pandërmjetësuar i cili nuk përjashton e nuk ndan por as nuk përfshin e nuk artikulon. 

Nëse i qëndrojmë versionit pozitiv të «vetë-izolimit», unë dua ta përfundoj me këtë shpresë për kohërat e pandemisë: Ashtu si «vetë-izolimi» i Venedikut – mbyllja e saj për turistët e për anijet kruaziera – ka sjellë ujëra më të pastra në kanalet e saj dhe rishfaqjen e peshqve, ashtu si «vetë-izolimi» i provincës Hubei – mbyllja e fabrikave dhe karantinimi i miliona njerëzve që jetojnë atje – ka sjellë ajër më të pastër e qiell më të kthjellët në atë pjesë të Kinës, po ashtu, shpresoj që «vetë-izolimi» i miliona qytetarëve individualë anembanë botës do t´u lejojë atyre kohën dhe hapësirën që të banojnë një vita contemplativa, e cila pastaj do t´i çojë në një kuptim më të qartë të brishtësisë dhe kufijve të kapitalizmit e të të gjithë formave të qeverisjes, si dhe një dëshirë urgjente për përkufizime të reja e për të përdorur koncepte të rëndësishme si komuniteti, shoqërizimi, puna, papunësia, mirëqenia, kujdesi për njëri-tjetrin dhe për mjedisin.

Përktheu nga anglishtja Arbër Zaimi