(Ky shkrim u botua në 20 mars 2020)

Bunkerët, hapësira misterioze: nuk mund të hysh. Çelësin e ka veç njëri. Bunkeri është një dukje metalike në mes të një fushe, hapësirë që nuk mund të shkatërrohet. Duhet pasur frikë, shumë frikë, prej asaj që nuk mund të shkatërrohet. Të pavdekshmit e rinj, zota të rinj: bunkerët. Inxhinieri që prodhon zota të rinj.

Bunkeri, në kohë lufte, si një dordolec i ri: i tërheq bombat kah vetja që të shpëtojë njeriu. Një mburojë e palëvizshme.

Mendoje një bunker, që veç të lë të hysh – nuk të lë të dalësh. Një bunker që të shpëton, vërtet, por kurrë më nuk mund të dalësh prej hapësirës shpëtimtare. Do të mbetesh i shpëtuar, por i palëvizshëm. I shpëtuar por i zënë. Vetëm ata që abdikojnë prej jetës së jashtme do të shpëtohen. Ata që abdikojnë prej hapit përtej. Shpëtimi si rezultat i dorëzimit të parë e të fundmë.

Bunkeri si element i një feje të re, i një feje teknike. Shpëtimi është aty brenda. Ta ndërtosh shpëtimin me materiale konkrete e shumë të rënda, me mjete konkrete, me peshore e metër; një shpëtim që është e kundërta e shpëtimit shpirtëror. Shpëtim teknik. 

Përfytyroje një hapësirë të stërmadhe e të zbrazët me mjëra bunkerë që dalin prej tokës si të ishin pemë. Bunkerë mbi dhe. Dhe po, imagjino që në secilin prej atyre bunkerëve qëndron një njeri, me mjete për të mbijetojë, po të jetë e nevojshme, edhe një shekull.

Një hapësirë tërësisht vertikale: nën bunker një bodrum i stërmadh që lejon gjithçka. Por nuk do të ketë shtigje lidhëse mes bunkerëve, bunkerët do të jenë tërësisht individualë. Të martuarit të ndarë, prindërit të ndarë prej fëmijëve. Të gjithë do të mbijetojnë, të gjithë do të shpëtohen, por kurrë ai njeri që do të vendosë të shpëtohet nuk do të mund të prekë tjetrin. Shpëtimi është edhe izolim. Shpëtimi është eliminim i prekjes, i takimit, mallkimi është i tillë: veç veten do mundesh të prekësh, deri në fund të kohërave.

Përktheu nga gjuha portugeze Arbër Zaimi