(Ky shkrim u botua në 24 mars 2020)

Pasojat e rënda të pandemisë së COVID-19 mbizotërojnë në titujt e lajmeve anembanë globit, dhe kanë tërhequr vëmendjen e publikut ndryshe nga çdo çështje apo ngjarje tjetër. Kudo në botë shoqëritë po përpiqen t´i përgjigjen e të përshtaten me skenarët e nivelet e rrezikut që po ndryshojnë shumë shpejt. Masat e emergjencës kanë ndërprerë jetën e përditshme, udhëtimi ndërkombëtar dhe shumë shtete kanë mbyllur kufijtë. Udhëheqësit e shteteve po e krahasojnë luftën kundër virusit me angazhimet ushtarake – edhe pse është e qartë se ky paralelizëm është i gabuar dhe se ata që janë përfshirë në «luftë» nuk janë ushtarë por thjesht qytetarë. Situata është e rëndë, dhe do të ishte gabim i madh të nënvleftësohej rreziku prej infektimeve, humbjeve të jetës, rrëzimit të shërbimeve shëndetësore dhe ekonomisë. Megjithatë është e nevojshme të theksohet se kjo fazë paqartësish bart në vetvete dhe rrezikun e normalizimit të politikave «të jashtëzakonshme», të cilat ngushtojnë liritë e të drejtat në emër të krizës e të sigurisë publike – dhe jo vetëm në afatshkurtër.

«Prej gjithë lirive specifike të cilat na vijnë ndërmend kur dëgjojmë fjalën liri» shkruajti dikur filozofja Hannah Arendt, «liria e lëvizjes është historikisht më e vjetra dhe më bazikja». Sidoqoftë në kohë pandemie lëvizjet njerëzore shndërrohen në probleme gjithnjë e më të mëdha. Thuhet se liria e lëvizjes kufizohet, për të mirën e përgjithshme, sidomos për të moshuarit e për grupet me rrezikshmëri të lartë. (Vetë-)izolimi duket si kyç – «lëvizjet» jo të domosdoshme dhe kontakti me të tjerët duhen shmangur. Në Kinë, Itali etj. masa të rrepta janë vendosur dhe shkelja e tyre mund të sjellë ndëshkime të forta. Që të shkosh nga një lagje në tjetrën duhet autorizim shtetëror, dhe lëvizjet e paautorizuara mund të pësojnë nga ndëshkimet. Ka arsye të forta për të gjitha këto, sigurisht. Mirëpo gjithseis është e nevojshme të merren parasysh edhe impaktet më të gjera të situatës aktuale.

Në një vështrim të përgjithshëm, kufizimet aktuale të lëvizjes përbëjnë problem për njerëzit të cilët nuk kanë shtëpi, dhe për të cilët vetë-karantinimi sigurisht që nuk është i mundshëm. Po ashtu edhe për njerëzit me paaftësi, të cilët mbeten pa përkujdesje, dhe për njerëzit, shumë prej tyre gra, shtëpia e të cilëve nuk është strehë e sigurtë por vend i pasigurisë dhe i abuzimit shtëpiak. Kufizimet janë veçanërisht problematike për ata të cilëve liria e lëvizjes ka qenë e penguar qysh para se të niste pandemia e COVID-19, por të cilëve u duhet të lëvizin për të gjetur siguri. Emigrantët mishërojnë në vetvete në formën më të ashpër kontradiktat dhe tensionet që rrethojnë lirinë e lëvizjes dhe mohimin e saj sot. Nuk është për t´u habitur se në situatën aktuale ata priren të bëhen një prej shënjestrave të para të masave më kufizuese.

Popullatat e emigrantëve të cilat kanë lëvizur apo presin të lëvizin përtej kufijve pa patur autorizim në mënyrë që t´u shpëtojnë rreziqeve, përballen me izolim dhe me arrestime, të cilat justifikohen shpesh duke u thirrur në sigurinë publike dhe në shëndetin e të gjithëve. Praktikat diskriminuese që segregojnë në emër të sigurisë i transformojnë njerëzit e rrezikuar në njerëz të rrezikshëm. «Po luftojmë një luftë me dy fronte» deklaroi kryeministri hungarez Viktor Orbán, «njëri front quhet migrim dhe tjetri është virusi korona, dhe ka një lidhje logjike mes të dyjave, sepse të dyja shpërndahen përmes lëvizjes». Rreziku i përzierjes së luftës së shpallur kundër pandemisë me luftën kundër emigrantëve është shumë i madh, dhe kostot njerëzore janë të larta. Pengesat e forta kufitare vënë në rrezik jetët e popullatave të brishta, për të cilat lëvizja është mjet mbijetese.

Disa javë më parë u dokumentua se roja bregdetare e Greqisë hapi zjarr mbi emigrantët që po përpiqeshin të kapërcenin në kufi detar apo tokësor mes Turqisë dhe Greqisë. Disa njerëz vdiqën e shumë u plagosën në këtë ushtrim jo-proporcional të dhunës. Reagimi evropian, ashtu siç u shfaq përmes presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, iu referua Greqisë si «mburoja» e Evropës. Pak ditë më vonë u mor vesh se një varkë emigrantësh me 49 veta, të cilët tashmë kishin kaluar kufirin detar dhe ishin në një zonë të patrulluar nga trupat evropiane të kërkim-shpëtimit, ishin kthyer në Libi përmes masave të koordinuara të agjensisë evropiane të kufijve Frontex, Forcave të Armatosura të Maltës, dhe autoriteteve libiane. Në shkelje të ligjeve ndërkombëtare dhe të parimit të moskthimit të azil-kërkuesve, ata njerëz u kthyen në kampet e tmerrshme të emigrantëve në Libi, një vend i cili është ende në luftë. Tani që nuk ka OJQ të cilat merren me shpëtimin e emigrantëve në detin Mesdhe për shkak të pandmisë, vetëm gjatë një fundjave në muajin mars më shumë se 400 veta janë kapur në det dhe janë kthyer me dhunë në Libi, e mbi 2500 syresh janë kthyer atje gjatë këtij viti.

Këto ndalime drastike të emigracionit e këto masa të forta kufitare vënë në rrezik jetën e atyre që «lëvizin», dhe përkeqësojnë rrezikun e shpërhapjes së virusit. Ata që janë të mbajtur në kampet e Libisë, të cilat disa diplomatë gjermanë i quajtën si «të ngjashme me kampet e përqendrimit», shpesh kanë sisteme imunitare të dobësuara shumë, e po aq shpesh vuajnë nga sëmundje si tuberkulozi. Një shpërthim i virusit korona atje do të ishte katastrofal. Mjekët pa Kufij kanë bërë thirrje që të evakuohen sa më shpejt kampet e emigrantëve në ishujt e Greqisë, duke theksuar se kushtet johigjienike dhe grumbullimi i madh i njerëzve në to «ofronin një shans të lartë për shpërthimin e pandemisë». Kështu është situata e përgjithshme në kampet për emigrantët gjithandej në Evropë e në vende të tjera, siç është edhe në burgjet «e zakonshme» në të gjithë botën.

Bashkë me virusin po shpërndahet nëpër botë edhe një politikë e frikës, e cila shtyn drejt masave edhe më kufizuese. Përveç pasojave katastrofale të kufizimit të lirisë së lëvizjes për ata që janë më të brishtë, shqetësim është se shumë prej këtyre masave do të mund të vazhdojnë të pengojnë të drejtat dhe liritë për një kohë të gjatë edhe pas zhdukjes së pandemisë. E ndërkohë që, siç vë re Naomi Klein «një shock-doktrinë e pandmisë» do të mund të mundësonte zbatimin «e gjithë ideve më të rrezikshme që qarkullojnë, duke nisur prej privatizimit të sigurimeve shoqërore, deri te mbyllja e kufijve dhe burgosja e emigrantëve», ne pajtohemi me të kur thotë se «ende nuk është thënë fjala e fundit për këtë histori».

Situata është e ndryshueshme, se si do të shkojë puna varet edhe nga ne e nga mënyra se si mobilizohemi kolektivisht kundër tendencave tashmë të forta autoritare. Gjithandej rreth nesh shohim se si njerëzit i përgjigjen situatës aktuale me forma të reja solidariteti e me mënyra kreative të përkujdesjes për «të përbashkëtën». Argumentët janë në anën tonë. Pandemia tregon se një krizë globale shëndetësore nuk mund të zgjidhet përmes masave nacionaliste, por vetëm përmes solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar – virusi nuk njeh kufij.

Pasojat rrënuese të virusit forcojnë kërkesën tonë për shërbim shëndetësor për të gjithë, apo për vlerësim më të lartë të punës së përkujdesjes, e cila vazhdon të jetë punë shpërpjesëtimisht më shumë e bërë nga gratë. Pandemia u jep argument atyre që kërkojnë për të drejtën e strehimit e për çmime të përballueshme për strehim për të gjithë, e u jep municion atyre që prej shumë kohësh janë përpjekur kundër kampeve të arrestimit të emigrantëve, apo përqendrimit të tyre masiv në qendrat e mbajtjes, si dhe kundër deportimeve të emigrantëve. Virusi po shpërfaq mënyrat me të cilat modeli i kapitalizmit gjuetar, shpesh i përshkruar si «logik» e si «pa alternativa të tjera», nuk i jep përgjigje dot krizës globale shëndetësore, ndërsa modelet socialiste munden. Po tregon se burimet mund të mobilizohen kur ekziston vullneti politik dhe se politikat ambicioze siç është «Green New Deal», janë të mundshme e nuk janë «jorealiste». Virusi korona po ashtu po thekson se sa e rëndësishme vazhdon të jetë liria themelore e lëvizjes.

Liria e lëvizjes sigurisht do të thotë edhe të kesh lirinë që të mos lëvizësh. Dhe, kohë pas kohë, edhe që të kesh lirinë për t´u vetëkufizuar. Për shumëkënd, sidomos për ata që janë më të brishtë e që nuk u njihet qytetaria, kjo liri elementare nuk është e dhënë. Kjo gjë nënkupton se edhe gjatë një pandemie ne duhet të qëndrojmë në solidaritet me ata të cilët marrin vetë lirinë të lëvizin, sepse nuk mund të qëndrojnë më në kampet çnjerëzore brenda në Evropë apo në kufijtë e saj, prandaj përpiqen që të arratisen për të gjetur një vend ku janë të mbrojtur. Të mbrojtur prej luftës e përndjekjes, prej varfërisë e urisë, të mbrojtur prej virusit. Në këtë periudhë kur kufijtë janë shumëfishuar, beteja rreth lirisë elementare të lëvizjes do të vazhdojë të jetë mjet dhe qëllim brenda luftës më të gjerë kundër padrejtësive, edhe gjatë krizës globale të shëndetësisë, madje sidomos gjatë saj.

Përktheu nga anglishtja, Arbër Zaimi