(Ky shkrim u publikua në 6 mars 2020)

S´do të kisha menduar kurrë se kujtimet që më kanë mbetur prej fëmijërisë tashmë aq të largme, do të mund të njihnin një formë të aktualizimit. Aq më pak që ajo çka e kam konsideruar gjithnjë si idiopati familjare do të mund të bëhej diçka që i intereson publikut. Me sa duket, në thellësi të kujtimeve tona, ashtu si edhe në thellësi të mendimeve tona ka gjithnjë fragmente të cilat mund të gjejnë jehonë edhe te të tjerët, në kohë e në vende të tjera.

Dëshiroj t´ju shtoj si premisë këtyre teksteve që i kam shkruar në një kontekst tërësisht tjetër, pa ditur se si do të vinte e ardhmja, disa konsiderata mbi fenomenet e ndërlidhura me këtë që tashmë është me të vërtetë pandemi e të cilën hipokondria ime e pashërueshme nuk mund ta shohë përveçse me shqetësim të thellë e me interes të sëmurë.

Për habi, ndoshta për shkak se edhe më i errëti ind i angushtive, i katastrofizmave dhe i parashikimeve pesimiste mund të shërbejë si një burim sado i ndrojtur drite, që prej fillimit konjuktura e re e përcaktuar prej epidemisë së virusit korona më ka shtënë mendime, të cilat edhe pse nuk mund t´i quaj pozitive, shërbejnë për t´i parë gjërat nga një këndvështrim jo vetëm katastrofik. Sikur të ketë diçka prej zbulese në këtë pandemi, zbulesë që pezullon, që i vendos në epoka të tjera do të thoja, disa bindje e besime, sjellje, gjeste e zakone tonat e të gjithë botës të cilat mendonim se do të ishte e pamundur, jo vetëm të ndryshoheshin, por qoftë edhe të viheshin në dyshim. Dhe kjo nuk është gjë doemos e keqe.

Janë goditëse psh. fotografitë e publikuara nga NASA, që tregojnë qiellin mbi Uhan, i cili për herë të parë, pas kushedi sa kohësh, është me ngjyrë të kaltër. Ndoshta fëmijët dhe adoleshentët e Uhanit as nuk e kanë ditur, ndoshta thjesht mund të kenë dëgjuar, se qielli mund të merrte atë ngjyrë dhe se horizontet mund të vizatoheshin me peizazhe e male, e jo thjesht me mjegulla të turbullta. Rënia e dioksidit të karbonit ka qenë e menjëhershme dhe shumë e shpejtë. Këtë gjë kurrë, asnjë marrëveshje ndërkombëtare nga ato që mezi janë nxjerrë prej kthetrave të një ekonomie të gatshme për çdo gjë në emër të fitimeve e të rritjes, nuk do të kishte mundur ta arrinte, mbase as ta imagjinonte.

Godet fakti se pandemia nxjerr në pah, si një orakull i pamëshirshëm, se problemet autetike me të cilët ballafaqohemi sot janë probleme të gjithë botës, dhe mund të përballohen vetëm nëse vendimmarrja është në nivel botëror. Një ekonomi e globalizuar e cila bashkëjeton me administrim partikular e gjithnjë e më partikularistik të punëve publike, nuk mund të jetë modeli universal përtej të cilit nuk duhet të shkojnë as mendimet tona, për të mos thënë realitetet tona.

Godet fakti se, për një moment, që ndoshta do të jetë i shkurtër por që gjithsesi mund të na bëhet mësim nëse dimë të përfitojmë prej tij, është lëkundur siguria se ekonomia është parimi rregullues i botës, e që jo vetëm politikat shtetërore, por edhe sjelljet apo proceset mendore të individëve lëvizin dhe rregullohen sipas logjikave të përfitimit.

Godet fakti se ata që po sëmuren janë të pasur e të varfër, madje më shpesh të pasurit po sëmuren më përpara se të varfrit, frekuentuesit e kruazierave shumë të shtrenjta më përpara se banorët e periferive të varfra të qyteteve të mëdha, menaxherët më përpara se punëtorët, e ndonjëherë ata që në Francë quhen, me një shprehje që nuk mund të mos e shoh si ironike, les élus, pra të zgjedhurit, më përpara se të qeverisurit.

Godet fakti se jemi duke paguar dhe do të paguajmë kostot e politikave evropiane për zvogëlim të buxhetit për kërkim shkencor, zvogëlim të buxhetit për shëndetësinë, zvogëlim të numrit të mjekëve dhe infermierëve, por edhe për refuzimin këmbëngulës të vendeve anëtare të BE-së për të unifikuar e për të bashkërenduar formimin universitar dhe sistemet shëndetësore, të cilat tash do të kenë momentin për të treguar pikat e tyre të forta e të dobëta, në një krahasim të imponuar të cilit asnjëri prej vendeve evropiane, të mbyllura në idiotësinë e vet nacionale, deri më tash nuk i ka kushtuar as konsideratën më të vogël. Ndërkohë që sot del në pah edhe budallallëku që kanë bërë kompanitë farmaceutike evropiane dhe amerikane, të cilat e kanë zhvendosur të gjithë prodhimin e lëndëve të para në Kinë dhe në Indi, ku jo vetëm që krahu i punës është më i lirë, por mbi të gjitha nuk ka ligje që kufizojnë ndotjen. Kështu, që, shumë përpara se të bëhen jo-funksionalë antibiotikët e antiviralët për shkak të daljes së bakterieve dhe virusëve të rinj rezistentë, do të përballemi me faktin se barnat do të mungojnë në tregjet perëndimore.

Godet, për fund, fakti se ky virus ka vënë dhe do të vërë secilin prej nesh në atë pozicionin e pështirë ku për një kohë shumë të gjatë ne kemi vendosur të tjerët, refugjatët, imigrantët, të pastrehët: në pozicionin e qenies njerëzore e cila duhet mbajtur larg, prej së cilës duhet të ruhesh, të cilët duhen parë e duhen prekur me mosbesim, qenie njerëzore që duhen shmangur, që duhen vënë në karantinë. Tash në karantinë kemi përfunduar vetë ne.

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi