Nga Miguel Benasayag

(Kjo intervistë u botua në 24 mars 2020. Pyetjet u shtruan nga Cédric Enjalbert)

Filozof dhe psikanalist, specialist i Spinoza-s, ai është autor mes të tjerash i «Pasione të trishta. Vuajtje psiqike dhe krizë sociale» (së bashku me Gérard Schmit, 2003), si dhe i «Lavd për konfliktin» (bashkë me Angélique Del Rey, në 2007). Autor i shumë veprave për bioetikën, ndër të cilat «Tru i zmadhuar, njeri i zvogëluar» (2016), «Singulariteti i të jetuarit» (2017) si dhe «Të funksionosh apo të ekzistosh» (2018). Aktualisht po angazhohet në një platformë ndërkombëtare për reflektimin mbi çështjen e epidemisë.

Si po e përjetoni vetë-izolimin?

Në shtëpinë time, në Paris, me dy vajzat dhe me shoqen time. Nuk kam frikë, por jam i shqetësuar. Se kjo krizë i ka dy fytyra. Një aspekt botëror, historik, shoqëror, por edhe një aspekt më individual. Nisin të dalin gogolët. Secili projekton te katastrofa frikërat e veta. Me mbylljen brenda rritet shumë rreziku që të shohim të zhbëhen shumë shpejt gjithë strukturat tona. Befasisht gjendemi përballë vetvetes, si në një karikaturë të një drame brendashtëpiake. Për ata që banojnë me shumë njerëz, ferri janë të tjerët; për ata që jetojnë vetëm, ferri është vetja.

Në përjetimin e vetë-izolimit dhe të distancës sociale në plan të parë rikthehet menjëherë trupi.

Ata që kanë kundërshtuar mbështetjen e çdo projekti kulturor, solidar po edhe shëndetësor, si të vetmin justifikim kanë pasur: «Eh po ky është realiteti». Vetë mjekët dhe infermierët që sot po i duartrokasim nëpër dritare çdo mbrëmje – unë e di se kam qenë i shtruar në spitale shpesh gjatë më se tridhjetë viteve – të cilët na kanë paralajmëruar se është e domosdoshme të furnizohen me mjete, kanë marrë të njëjtën përgjigje prej menaxherëve të veckël: «Eh po ky është realiteti». Kemi jetuar njëzet e pesë vite në delir postorganik dhe trans-humanist. Kemi krijuar avatarë për veten, në internet. I kemi harruar trupat. Po ta themi me gjuhën e Gilles Deleuze-it, kemi patur një «deterritorializim të egër»: dematerializimin e identiteteve tona, çrrënjosjen e lidhjeve me natyrën e me të tjerët, por pa i zëvendësuar me diçka tjetër. Sot trupat vuajnë, ndërkohë që mbreti është lakuriq. Nuk e dimë se sa të vdekur do të shkaktojë epidemia, mirëpo befasisht realiteti i trupave të sëmurë po e trondit të ashtuquajturin «realitet ekonomik». Kjo po vë në pah shkatërrimin e sistemeve të shëndetësisë në Itali, thërrmimin e tij në Francë. Çfarë është shëndetësia e udhëhequr vetëm prej interesit ekonomik, si në Amerikën Latine? Janë njerëzit që vdesin për shkak të mungesës së mjeteve dhe të personelit. Megjithatë, kriza është edhe një shans i jashtëzakonshëm. Për herë të parë kërcënimi po materializohet në të njëjtin moment në të gjithë botën.

A bëhet vërtet fjalë për një front të përbashkët?

Nuk mendoj se jemi në luftë apo se virusi është një armik. Pandemia s´është gjë tjetër përveçse një pasojë e promiskuitetit mes specieve dhe shkatërrimit të ekosistemit. S´është aksident. Po ta mendosh këtë çrregullim si luftë, do të thotë të mbetesh peng i vetë shkaqeve të problemit. Këtu nuk bëhet fjalë për të fituar, por për të rigjetur një ekuilibër. U desh që miliarda njerëz të vetë-izolohen që të rizbulojmë se si qenia njerëzore është qenie lidhjesh. Kjo ngjarje madhore historike na sjell në një bigëzim: nga njëra anë na fton që të mos e pranojmë më logjikën vetëm ekonomike, që të llogarisim individët të cilët nuk janë thjesht «ingranazhë difektozë» në sistem. Të veprohet duke u nisur prej kësaj përvoje do të jetë shumë gjë pozitive. Por nga ana tjetër, biopushtetmbajtësit kanë mësuar diçka: ata mund t´i mbyllin gjashtë miliardë vetë në shtëpi përmes një nënshtrimi të plotë vullnetar. Çka e b´vuri në pah kërcënimin prej virusit si një fakt madhor nuk ishte mikroskopi, por hyrja në fuqi e dispozitivit disiplinor. Periudha pas vetë-izolimit do të jetë shumë delikate, dhe gjithçka për të, vendoset sot.

A nuk është kufizimi më shtëpi një masë legjitime e shëndetësisë publike?

E shtroj këtë bigëzim si një element kompleksiteti, pa manikeizëm. Mund të vijë koha edhe që pendohemi pse kufizimi nuk u mor më herët si vendim. Por problemi është se ne mësohemi të jetojmë nën kërcënim. Do duhej të ndërmerrej ky kufizim, edhe pse bindja ndaj tij sjell shumë ankth, në kuptimin që na bën të ndihemi të sigurt, mirëpo njëkohësisht na vë në gjumë. Freud-i na kujton se gjatë luftërave nuk ka më neuroza, sepse befasisht, gjatë urgjencës, situata bëhet binare. Të gjithë e dinë çka është lart e çka është poshtë. Nuk shtrohet më si pyetje? Megjithatë, duhet të qëndrojmë vigjilentë.

Si?

Kriza shpërfaq se jeta individuale dhe ajo sociale janë dy anë të së njëjtës monedhë. Është hapur një e çarë, e duhet përfituar prej saj, duke mbajtur parasysh atë për të cilën unë nuk resht së shkruari: ne jemi qenie të lidhjeve, të territorializuara, të pashkëputshëm prej një bote të përbashkët. Deleuze shkruan se individët janë ishuj në det, ama ishujt janë përthyerje të detit.

Ky përjetim i së përbashkëtës është po ashtu një përjetim i brishtësisë. Si ta përballojmë?

Përjetimi i së përbashkëtës dhe ai i brishtësisë janë sinonime. Nëse i përkas së përbashkëtës nuk mund të mos e përjetoj brishtësinë e jetës. Brishtësia nuk është dobësi. Të qenit i fortë a i dobët është problematikë e individëve të izoluar. Si baba psh. unë jam pazgjidhshëm i lidhur me bijat e mia. Jeta ime varet prej asaj që u ndodh atyre. Kjo lidhje më imponon brishtësi, e kjo e rrit qenien time.

Si ta mirëmbajmë këtë brishtësi?

Më kanë arrestuar një herë kur kam qenë në Argjentinë, gjatë diktaturës, dhe nuk mund ta shmang dot krahasimin me burgun. Ishin tre grupe: ata që ishin të thyer e të marrë fund; fanatikët, ata që e dinin se ku po shkonte historia; e në fund një grup informal i përbërë prej gjithë atyre që u përshtatën me jetën në qeli dhe me pasigurinë absolute. Askush nuk e dinte se a do të dilte, apo kur. Ç´ndodhi pra? Ne vendosëm të studiojmë. Kjo nuk ishte sa për të mbushur kohën. Bëhej fjalë që të arrinim të mendonim mundësinë e situatës. Për shumëkënd mbyllja do të jetë e vështirë. Po të kalojnë një apo dy muaj në izolim, pasojat për shëndetin mendor dhe fizik rrezikojnë të jenë të rënda. Por për ata që do të arrijnë ta mbajnë veten të mbledhur e të mos bien pre e impulseve fobike apo depresionit, për ata që do të arrijnë të mbajnë një rregull edhe gjatë vuajtjes, kjo përvojë ndoshta do të bëhet një shtyllë e ekzistencës së tyre.

Cilat janë rekomandimet tuaja?

Duhet të mbahet një rregull gjatë ditës, sepse me vazhdimin e vetë-izolimit dëshira gjithnjë e më shumë zbehet. Ajo që mund të dukej aq interesante për t´u lexuar kur koha mungonte, nuk është më edhe aq e dëshirueshme kur koha tepron. Të vënit në punë kohën e përjashton pyetjen se a ekziston dëshira. Pastaj, duhet pranuar një disiplinë e jashtme prej vetes dhe duhet ndërtuar një koracë e vogël, për një ushtrim si mendor ashtu edhe fizik – nuk duhet harruar trupi! Kjo koracë, tip zhgualli, na garanton një strukturë, një unitet psikik e trupor, kur e përditshmja dhe mjedisi ynë shpërbëhen. Dhe në fund fare, ju ftoj të keni kujdes: rrjetet sociale janë një ndihmë, por edhe një humnerë, kur vërshojnë imazhe dhe biseda që nuk kanë qëllim.

Cilat lexime na këshilloni?

«Murtaja» (1947) e Albert Camus-së. Fjalia e fundit e saj thotë si përmbajtje: të gjithë ata që nuk mund të jenë shenjtorë, mund të jenë mjekë. Le të veprojmë për të shpalosur të mundshmet. Spinoza e thotë me fjalë të tjera te «Etika» (1677). Ai na kujton se fuqia jonë për të vepruar varet nga aftësia që kemi për ta ndjerë botën.

Përktheu nga frëngjishtja Arbër Zaimi