(Ky shkrim është botuar në 14 mars 2020)

Po propozoj një hipotezë mbi stilet strategjike të administrimit të epidemive, siç janë përdorur në Evropë e në vende të tjera. Nënvizoj se kjo është një hipotezë, sepse për t´u vërtetuar nevojiten kompetenca, informacione statistike, epidemiologjike, ekonomike, të cilat nuk i kam dhe nuk mund të improvizohen. Janë të mirëseardhura kritikat, madje edhe ato radikale.

Hipoteza është si në vijim: Stili strategjik i administrimit të epidemisë pasqyron me besnikëri mënyrën e të kuptuarit të interesit kombëtar dhe prioritetet politike të Shteteve, e në një masë më të vogël, edhe ato të kombeve e popujve. Zgjedhja e stilit strategjik të administrimit, është tërësisht politike.

Stilet strategjikë të administrimit janë në thelb dy:

  1. Shteti nuk i kundërvihet epidemisë, dhe gjithë vëmendja shkon te shërimi i të sëmurëve (modeli gjerman, britanik, pjesërisht francez).
  2. Shteti i kundërvihet epidemisë, duke e vënë në kontroll sa më shumë që është e mundur, me masa urgjente të izolimit të popullatës (modeli kinez, italian, koreanojugor).

Kush zgjedh modelin 1, bën një përllogaritje të kostove/përfitimeve, dhe zgjedh me vetëdije sakrifikimin e një pjese të popullatës. Pjesa që sakrifikohet është pak a shumë e gjerë, në varësi të kapaciteteve që ka shërbimi shëndetësor shtetëror, e sidomos në varësi të shtretërve të disponueshëm për terapi intensive. Me sa unë kuptoj, virusi korona paraqet tiparet karakteristike: ngjitshmëri e lartë, përqindje e kufizuar e rasteve vdekjeprurëse (direkte apo prej komplikacioneve), por një përqindje relativisht të lartë të të sëmurëve që kanë nevojë për përkujdesje në repartet e terapisë intensive (rreth 10%, siç duket). Nëse situata është kështu, në rast të një infektivi masiv – në Gjermani, psh. Angela Merkel parashikon se virusi mund të prekë 60-70% të popullsisë – asnjë sistem shëndetësor i ndonjë shteti nuk do të jetë në gjendje që të ofrojë përkujdesjen e nevojshme për gjithë përqindjen e të sëmurëve që do të kenë nevojë për terapi intensive, e kjo do të thotë se një pjesë e tyre do të dënohen me vdekje paraprakisht. Përqindja e të dënuarve paraprakisht do të varet nga kapacitetet e sistemit shëndetësor, përbërja demografike e popullatës (më shumë rrezikojnë të moshuarit), dhe nga faktorë të tjerë të paparashikueshëm, siç janë mutacionet e mundshme të virusit.

Arsyetimi për këtë vendim duket se është kësisoj:

  1. Përdorimi i modelit 2 (vënie në kontroll e infeksionit) ka kosto ekonomike shkatërruese.
  2. Përqindja e popullatës e cila dënohet me vdekje paraprakisht në masë të madhe është e përbërë nga persona të moshuar, apo tashmë me probleme të tjera shëndetësore, kështu që humbja e tyre jo vetëm që nuk e dëmton funksionimin e sistemit ekonomik, por përkundrazi, e favorizon, duke lehtësuar barrën e sistemit të pensioneve dhe të sigurimeve shëndetësore e sociale në periudhë afatmesme, si dhe do të nxitet një proces ekspansioni ekonomik, falë trashëgimisë. Siç ka ndodhur në epidemitë e mëdha të së shkuarës, për shkak të trashëgimit të pasurisë, kjo do të kalojë tek të rinjtë, të cilët kanë një prirje më të lartë për të konsumuar dhe për të investuar, krahasuar me më të moshuarit. 
  3. Mbi të gjitha, zgjedhja e modelit 1 rrit fuqinë ekonomike-politike të shteteve, krahasuar me konkurrentët e tyre që zgjedhin modelin 2, të cilët duhet të riparojnë dëmet e mëdha ekonomike që ai model sjell. Duke përfituar prej vështirësive të cilat do të kalohen prej shteteve të modelit 2, ata të modelit 1 do të mund të pushtojnë tregje domethënëse, e në afat të mesëm, do të mund të imponojnë hegjemoninë e tyre ekonomike e politike.

Natyrisht, për të zgjedhur modelin 1 janë të domosdoshme dy gjëra: një elitë drejtuese politike e shtetërore e cila me koherencë e tradicionalisht është e orientuar kah avancimi radikal dhe i pamëshirshëm i interesave kombëtarë (tipike për rastet britanike e gjermane); si dhe një disiplinë të fortë sociale (ja pse zgjedhja e modelit 1 nga Franca do të jetë problematike, dhe ndoshta do të pasohet nga një rikthim i stilit strategjik në modelin 2).

Përzgjedhja e modelit 1, shkurt, korrespondon me një stil strategjik tërësisht luftarak. Zgjedhja e sakrifikimit me vetëdije të një pjese të popullatës, e cila është pak e dobishme ekonomikisht e politikisht, duke i dhënë përparësi fuqisë e cila mund të zhvillojë sistemin ekonomik-politik, apo në gjuhë ushtarësh, të heqësh qafe barrën për të luftuar më lehtë, është në fakt një lloj vendimi i domosdoshëm në kohë lufte, kur është normale sepse është e domosdoshme, që t´i jepet prioritet në furnizim me ushqim e mjekim ushtrisë, në krajasim me gjithë të tjerët, përfshi aty edhe gratë, fëmijët e pleqtë, kuptohet, deri në masën që imponohet prej nevojës për të mbajtur lart moralin e popullatës, i cili është po ashtu i domosdoshëm.

Pra, shtetet që përzgjedhin modelin 1 nuk veprojnë sikur konkurrentët e tyre të ishin thjesht rivalë, por sikur të ishin armiq. Për ta konkurrenca ekonomike është si të ishte një luftë e vërtetë, me të vetmin përjashtim, që ushtria nuk është në fushëbetejë. Zhvillimi i këtij lloji të luftës, pikërisht pse është luftë e mbuluar, është veçanërisht i ashpër e i pamëshirshëm, sepse në të nuk zbatohet as e drejta e luftës, e as kodi i nderit ushtarak, të cilët psh. ndalojnë keqtrajtimin apo vrasjen e robërve apo të civilëve, përdorimin e armëve të shkatërrimit masiv etj. Për të përfunduar, zgjedhja e modelit 1 privilegjon, në vlerësimin strategjik, potencialin e menjëhershëm (të fitosh, përmes një veprimi të shpejtë e të dhunshëm, një pozicion të avantazhit strategjik mbi armikun), e jo strategjinë e potencialit afatmesëm e afatgjatë (të forcosh kohezionin nacional dhe të zvogëlosh varësinë e ekonomisë vendore prej vendeve të tjera, duke rritur investimet shtetërore e duke forcuar kërkesën e brendshme).

Duke patur parasysh atë që thamë sa i përket shteteve që përzgjedhin modelin 1, është më e lehtë të përshkruajmë stilin etik-politik të shteteve që zgjedhin modelin 2.

Në rastin e Kinës, pa dyshim që elita drejtuese politike kineze e di shumë mirë se konkurrenca ekonomike është përbërës vendimtar i «luftës hibride». Kanë qenë pikërisht dy kolonelë të Shtabit të Përgjithshëm të Kinës, Liang Qiao dhe Xiangsui Wang ata të cilët në vitet ´80 elaboruan tekstin seminal mbi «luftën asimetrike». Besoj se elita drejtuese politike kineze ka përzgjedhur, me sukses të dukshëm, të zbatojë modelin 2 për tre arsye kryesore: a) karakteri i spikatur komunitar i traditës kulturore kineze, në të cilën koncepti liberal i individit apo koncepti i krishterë i personit kanë rëndësi të vogël, për të mos thënë s´kanë fare; b) respekti i thellë për të moshuarit dhe për paraardhësit, parim i konfucianizmit dhe c) një vlerësim strategjik afatgjatë, i cili mund të përmblidhet në këto dy maksima të Sun Tzu-së, mendimtarit që më së shumti frymëzon stilin strategjik kinez: «Fitorja arrihet kur ata lart dhe ata poshtë frymëzohen nga e njëjta frymë» dhe «Një udhëheqje koherente i bën njerëzit të ndërtojnë besimin se jetojnë në një mjedis të ndershëm e të besueshëm, e që ia vlen të luftohet për të». Me fjalë të tjera, mendoj se udhëheqja kineze ka vlerësuar se avantazhi strategjik afatgjatë, për të ruajtur e për të përforcuar kohezionin shoqëror e kulturor të popullatës së vet, e tejkalon koston afatshkurtër e afatmesme të dëmit ekonomik apo të heqjes dorë prej përfitimit afatshkurtër nga vështirësitë e shteteve rivale. Sepse «rrugët që çojnë tek njohja e suksesit» janë tre: 1. Të dish se kur është e mundur e kur nuk është e mundur të luftohet. 2. Të dish të përdorësh edhe forcat e mëdha, edhe ato të dobëta. 3. Të dish të shpërndash detyra të barabarta, si tek ata lart, ashtu edhe te ata poshtë.

Në rastin e Italisë, përzgjedhja e modelit 2 – sado e paqartë dhe e ekzekutuar keq – besoj se varet prej arsyeve në vijim. 1) Në planin kulturor, influenca e qytetërimit italian e europian paramodern, e mbushur me sensibilitet parakristian, fshatar e mesdhetar për familjen e për njeriun, e cila pastaj është përthithur pjesërisht prej katolicizmit të kundërreformës e prej kulturës baroke, një influencë që ka zgjatur shumë gjatë e që vazhdon të funksionojë, pavarësisht protestantizimit të kishës katolike moderne, e pavarësisht hegjemonisë kulturore, së paku sipërfaqësisht, të liberalizmit ideologjik e atij ekonomik. 2) Sërisht në planin kulturor, prej pacifizmit të mbjellë e të imponuar pas mposhtjes në Luftën II Botërore, të përvetësuar fillimisht prej të majtave komuniste dhe prej katolicizmit, e më pas prej elitave liberal-progresiste europianiste; një pacifizëm që pjell shprehje qesharake si «ushtarë të paqes», si dhe mohimin metodik të dimensionit tragjik të historisë. 3) Në aspektin politik, prej kaosit të rëndë institucional, ku vendimmarrjet i mbivendosen dhe i nxjerrin pengesa njëra-tjetrës, siç është vënë në pah prej konfliktit mes qeverisë qendrore dhe asaj lokale në fillim të krizës epidemiologjike; por edhe nga fakti se të gjitha partitë i japin prioritet interesave elektorale; si dhe nga problemi i vjetër italian, mungesa e besimit te shteti. 4) në planin politik-operativ, prej paaftësisë mahnitëse të klasave drejtuese, përzgjedhja e drejtuesve për dekada me radhë ka qenë negative, duke e përkeqësuar cilësinë e elitës e duke përforcuar zakonin e hedhjes së përgjegjësisë te dikush tjetër, duke krijuar një mendësi e cila nxit gjithnjë marrjen e vendimit për të cilin pritet të ketë më pak rezistencë: i cili në këtë rast është pikërisht ai i vënies në kontroll të epidemisë, sepse për të zgjedhur rrugën më luftarake e cila kërkon sakrificë masive (sido që të mendojmë për atë rrugë, të cilën personalisht e gjykoj negativisht), do të duhej një aftësi shumë e fortë vendimmarrëse.

Me fjalë të tjera, zgjedhja italiane e modelit 2 ka arsye sipërfaqësore, duke qenë të vetëdijshëm për difektet e politikës dhe institucioneve tona, por edhe arsye të thella, për të cilat ekziston vetëm një gjysmëvetëdije, në rrënjët e qytetërimit e të kulturës në të cilat, pa e ditur, Italia vazhdon të frymëzohet, sidomos në momente të vështira: kemi qenë padyshim njerëzorë e të qytetëruar, e mbase edhe strategjikisht largpamës, pa e ditur mirë se pse. Por, kemi qenë, dhe për këtë gjë duhet të falënderojmë paraardhësit tanë, të vdekurit e moçëm. Larët, kulti i të cilëve nën emra të ndryshëm tretet në shekuj e mijëvjeçarë; por si pa e kuptuar rishfaqet, dhe sot i nderojmë e i duam dhe bëjmë gjithë ç´është e mundur për t´u përkujdesur për etërit, nënat, gjyshërit tanë, edhe pse nuk hyjnë më në punë për asgjë.

Mbase Sun Tzu dhe Hegel do të buzëqeshnin me konstatimin se dy modelet imponojnë metoda të zbatimit tërësisht të kundërta me stilin strategjik që ato nënkuptojnë.

Zbatimi i modelit 1 (nuk e vëmë në kontroll epideminë dhe sakrifikojmë me vetëdije një përqindje të popullsisë) nuk kërkon asnjë masë shtrënguese e kufizuese të lirisë: jeta e përditshme vazhdon njësoj si më parë, përveç faktit që shumë sëmuren dhe një pjesë e cila nuk mund të parashikohet saktësisht, por nuk mund as të fshihet, meqenëse nuk mund të marrë përkujdesjen e nevojshme për arsye të mungesës së kapaciteteve spitalore, vdes.

Ndërsa zbatimi i modelit 2 (e vëmë në kontroll sëmundjen për të shpëtuar të shpëtueshmit), kërkon implementimin e masave shumë të ashpra të kufizimit të lirive personale, madje për t´u zbatuar në mënyrë koherente do të kërkonte shpalosjen e një diktature të vërtetë, sado të përkohshme e bashkëkohore, në mënyrë që të mbrohet njësimi i qendrës komanduese dhe i mbrojtjes së popullsisë prej shpërthimit të pasioneve irracionale, pra prej vetvetes. Operativisht, drejtimi ekzekutiv i modelit 2 do të duhej t´i besohej pikërisht ushtrisë, e cila zotëron si aftësitë teknike ashtu edhe strukturën e përshtatshme rigorozisht hierarkike.

E përmbyll duke thënë se unë jam i lumtur që Italia ka bërë zgjedhjen e shpëtimit të të gjithë atyre që mund të shpëtohen. Po e zbaton çalë-çalë këtë politikë, dhe nuk e di mirë se pse e ka zgjedhur: por megjithatë po e bën. Kësaj radhe është e lehtë të thuhet: right or wrong, my country.