(Ky shkrim u botua në 18 mars 2020)

Së pari po ju tërheq vëmendjen se ky artikull nuk merr anë sa i përkes situatës që ka shkaktuar marrjen e vendimeve politike skajshmërisht të ashpra e të rënda, të diktuara prej raporteve teknike të mjekëve (sidomos të epidemiologëve), përballë një dallge të stërmadhe presioni shoqëror e mediatik. Nëse këto vendime janë të drejta apo të gabuara këtë do ta thotë koha. Në situatën ku ndodhemi aktualisht, këto masa i janë dukur vendimmarrësve dhe masës më të madhe të qytetarëve të arsyeshme, në kuptimin tekstual të masave të frymëzuara prej arsyesh të vlefshme.

Me çka do të merremi këtu është një aspekt specifik i një çështjeje e cila ndoshta nisi pak ditë më parë, psh. në 11 mars 2020, kur u lëshua dekreti i fundit i qeverisë italiane i cili urdhëron masa skajshëm shtrënguese, sipas të cilave dertyrohen gjithë qytetarët të dalin vetëm për arsye «esenciale», një term që mund të interpretohet – dhe në fakt po interpretohet – në mënyra të llojllojshme.

Gjithsesi, rruga e species njerëzore ndjek një fill që – sipas antropologut Jared Diamond – përfaqëson një vijueshmëri të pandërprerë çështjesh të afërta e të largëta. Ndaj për të kuptuar atë që ndodhi në 11 mars 2020 le të shohim ca ndodhi që kanë ngjarë në një hark kohor të cilin paleontologët e vendosin në një segment goxha të gjerë, mes 300.000 dhe 130.000 viteve më parë.

Pikërisht në atë periudhë u duk në planetin tokë një lloj kafshe, homo sapiensi, i cili dallohet prej formave të tjera të jetës për shkak të dy tipareve ngushtësisht të lidhur me njëri-tjetrin. I pari është se kemi të bëjmë me një prej krijesave më pak të specializuara në lidhje me mjedisin. Në fakt nuk zotëron veti specifike (forcë, përmasa, kthetra…) që do t´i mundësonin mbizotërimin singular në ndonjë ambient specifik. Mirëpo kjo dobësi e tij bën që kjo specie të zhvillojë një zhdërvjelltësi të jashtëzakonshme për t´u përshtatur ndaj situatave të ndryshme, aty ku krijesa shumë më të specializuara, sapo ndërrohet skenar a mjedis, kanë shumë pak gjasa të mbijetojnë. Kështu, domosdoshmëria për përshtatje e homo sapiensit u bë gjithnjë e më tepër një prirje e tij, sepse dalëngadalë e ka bërë të leverdisshëm zhvillimin e një organi specifik, trurit, i cili është shumë më i madh (në raport), më i detajuar e kompleks, krahasuar me speciet e tjera, qoftë dhe ato më të ngjashmet.

Arsyetime të stërholluara, aftësi për abstragim, përkryerje e sistemeve të përçimit dhe ruajtjes së informacionit, të gjitha gjëra që lejojnë forma shoqërizimi jashtëzakonisht komplekse dhe një evolucion që në 10.000 vitet e fundit ka qenë pa domethënie në aspektin biologjik (përzgjedhja natyrore arsyeton në terma të miliona viteve), por ka qenë i bujshëm në aspektin kulturor, apo më mirë shoqëror. Sepse nuk duhet të harrojmë se homo sapiensi edhe pse është në majë të zinxhirit ushqimor, edhe pse pasqyrohet si i bërë «sipas imazhit e ngjashmërisë së Zotit», mbetet megjithatë një krijesë që bën pjesë në mbretërinë e shtazëve. Pra, përparësia intelektuale i ka lejuar një zhvillim në rritje pak a shumë konstante deri rreth viteve 1800, kur në planet mund të numëroheshin rreth 1 miliard banorë. Faktorët e rregullimit të rritjes së kësaj specieje ishin thelbësisht dy: agresiviteti, që e nxiste të ndërmerrte veprime shkatërruese kundër organizimeve të të ngjashmëve të vet që i konsideronte rivalë, për të zotëruar burimet e pakta, si dhe konkurrenca me speciet e tjera që janë pjesë e mbretërisë së shtazëve ose që janë në kufi të saj. Nuk e pengonte shumë konkurrenca me krijesat e mëdha, ato që janë singularisht më të specializuara siç thamë (arinj, krokodilë, hipopotamë, tigra…), përballë të cilave aftësia më e madhe organizative thuajse gjithnjë dilte ngadhënjyese, por ajo me krijesat mikroskopike, njëqelizorët si bakteret, apo edhe joqelizorët, si virusët, aftësia riprodhuese e të cilëve ishte në gjendje të nxiste epidemi që mund të shfarosnin përqindje të mëdha të popullatës (lija, kolera, poliomeliti, gripi spanjoll…).

Pra, deri në vitet 1800 luftërat, skamjet e bukës që vinin si pasojë e tyre, e sidomos epidemitë, përcaktonin një vdekshmëri foshnjore e mekanizma të tjerë automatikë të aftë për të mbajtur konstante, apo të barazpeshuar, ritmin e rritjes së homines sapientesve, apo në gjuhën e përditshme, të qenieve njerëzore.

Ky ekuilibër – si me thënë «i natyrshëm» – u thye përfundimisht gjatë shek. XX, sepse luftërat gjithnjë e më shumë morën një karakter të administruar dhe zhvillimi i mikrobiologjisë e i farmakologjisë në shkallë industriale lejoi që në pjesën më të madhe të planetit kërcënimet që vinin nga mikrokozmosi të bëheshin thuajse të parrezikshme, falë vaksinave, antibiotikëve dhe barnave retrovirale të llojeve të ndryshme.

Kështu pra u bë që planeti gjithnjë e më shumë iu përshtat masës së homo sapiensit, shoqëria e të cilit u bë një dhe e vetme, ngushtësisht e ndërlidhur (zhvillimi i komunikimit e i transportit, rënia e kufijve, i ashtuquajturi globalizim…), dhe e pasur, pra e sigurt e me burime të bollshme për pjesën më të madhe të banorëve të tokës. Kjo gjë çori në rritjen eksponenciale të numrit të individëve, prej miliardit që ekzistonin pak a shumë në 1800 deri në thuajse 8 miliardë që jetojnë sot. Me këtë shkallë të rritjes është logjike të parashikohet se popullata njerëzore mund të arrijë të dhjetëfishohet brenda tre shekujve, kohë që për biologjinë është sa një rrahje qepallash.

Ky fenomen i bujshëm, përveçse që sjell disa eksternalitete pozitive (askush nuk mund të mërzitet që është zvogëluar vdekshmëria foshnjore), sjell edhe shumë pasoja negative, e para mes të cilave ajo mjedisore, e cila perceptohet si një emergjencë epokale, e aftë që të vërë në diskutim vetë ekzistencën e species. Pasojë tjetër është modifikimi i thellë e i dukshëm i ndjeshmërisë njerëzore, së paku i asaj pjesës dërrmuese të tyre që merr pjesë në këtë rritje progresive të standardit të jetesës.

Kjo thyerje e gjithë ekulibrave të cilat kishin rregulluar raportin mes njerëzve dhe ekosistemit të tyre (Natyrës) sot quhet me frikë e admirim «antropocen» por kjo ishte vënë re qysh në agimet e revolucionit industrial, duke i dhënë jetë një sërë spekulimesh, pak a shumë shkencërisht të qëndrueshme, qysh prej teorive të Malthus-it në vitet 1700, deri te i famshi Raport për kufijtë e zhvillimit, i viteve 1970, e deri te Greta Thunberg (mes «apokaliptikëve»), apo Hans Rossling (mes «të integruarve», për të cilët pavarësisht gjithçkaje bota është duke u bërë një vend gjithnjë e më i mirë).

Edhe një njeri në rrugë, që mbase i merr këto informacione pa qenë fort i vetëdijshëm për çështjen, e kupton se ajri që merr frymë është gjithnjë e më e ndotur, që qytetet ku jetojnë janë gjithnjë e më të mëdha, që qendrat e banuara kopjojnë njëra-tjetrën pa patur ndonjë zgjidhje për ndotjen, që trafiku dhe shtimi i dendësisë së popullsisë imponojnë ndërrime thelbësore të mënyrës së të jetuarit (që prej grumbullimit të kategorizuar të mbeturinave e deri te fakti që gjithnjë e më pak banorë të qendrave tradicionale të qyteteve mbajnë autovetura) dhe kupton se bota po ndryshon me një shpejtësi të tillë që e bën të ardhmen një të panjohur gjigante.

Artistë, shkrimtarë, kineastë, piktorë e kështu me radhë, talenti i të cilëve konsiston kryesisht në faktin se i japin formë konfigurimeve të imagjinares kolektive, prej kohës kanë nisur të përballen me këtë lloj shqetësimesh. Qysh prej fundit të viteve 1800, në një kohë të shenjuar prej pozitivizmit por edhe prej procesit të madh të urbanizimit, H.G.Wells imagjinonte tek «Lufta e botëve» një pushtim prej alienësh të cilët pasi masakronin një pjesë të madhe të njerëzimit, vdisnin të sëmurë prej bakterëve tokësorë përballë të cilëve ata nuk kishin antitrupa e imunitet. Fundja Wells-i shkruante në vitin 1897, në të njëjtin vit kur Pasteur-i kryente eksperimentet e famshme që më vonë çuan në zbulimin e vaksinave, dhe vetëm shtatë vite pas kohës kur Dmitri Ivanovsky kishte izoluar për herë të parë një organizëm jo-bakterial në gjendje që të infektonte qelizat. Se kush mund të ishin ata alienë, ka patur shumë interpretime, sidomos pas versioneve kinematike të novelës të cilët e kanë shpalosur rrëfimin në mënyrat më fantastike. Sipas Susan Sontag-ut, psh. alienët e fantashkencës amerikane të viteve ´50, më shumë se personifikime të kërcënimit komunist, të fryrë prej mçarthy-izmit, ishin personifikime të ankthit të brezit të të lindurve e të rriturve në një botë të pasluftës, ku të gjitha vlerat tradicionale filluan të viheshin në pikëpyetje. E ndoshta nuk është rastësi që kohët e fundit janë bërë dy serialë televizivë frymëzuar nga novela e Wells-it: një miniserial anglez i transmetuar nga BBC ku ngjarjet zhvillohen në fund të viteve 1800, dhe një amerikan, i prodhuar nga Fox dhe i vendosur në ditët tona. Ky interes i rigjetur për një botë të shfarosur e të kapluar prej panikut nga një paranojë përballë një kërcënimi i cili për më tepër është i padukshëm, nuk bën gjë tjetër përveçse rimerr në mënyra tradicionale mitin e madh të dekadave të fundit. Që është ideja e një planeti ku normaliteti i ekzistencës hiperteknologjike pëson një ndalim e prapakthim të beftë, shpesh për shkak të zombie-ve (krijesa që janë viktima të një virusi e që bëhen prototip i trupit të infektuar e kërcënues), apo qoftë edhe për shkak të ndonjë ndërprerjeje misterioze të rrymës elektrike (siç ndodh në filmin Revolution), apo për arsye thjesht të pashpjegueshme (si në filmin Leftovers ku befasisht zhduket 2% e njerëzimit). Nga ana tjetër dy prej sukseseve botërore me më shumë impakt në vitet e fundit të kinemasë kanë qenë blockbusters që rrjedhin prej universit vizatimor Marvel. I pari ka qenë Black Panther i cili ka fituar 1.4 miliard dollarë në box office në të gjithë botën, dhe rrëfen historinë e një mbretërie afrikane e cila e fsheh mirëqenien e saj prej gjithë vendeve kufitare, ku vazhdojnë vdekjet prej urisë e prej sëmundjeve të cilat në botën «e qytetëruar» janë shëruar prej kohësh. E filmi i dytë në fakt është një diptik i përbërë nga Avengers: Infinity Wars dhe Avengers: Endgame. Së bashku këta dy filma janë afruar te 5 miliard dollarë fitime vetëm në box office, gjë që tregon një aftësi të tmerrshme për të joshur spektatorë nga gjithë bota. Edhe në këtë rast bëhet fjalë për një kërcënim me pushtet thuajse metafizik (një supernegativ galaktik i quajtur thjesht Thanos…), i cili me një rrahje të gishtave bën të zhduken brenda momentit gjysma e popullsisë së planetit Tokë sepse është i bindur që kjo është e vetmja mënyrë për ta shpëtuar të ardhmen e atij planeti, duke e rikthyer në rendin natyror të zhvillimit.

Nuk na duhet ndonjë njohës i hollë i psikologjisë së turmave për të kuptuar se këto rrëfime popullore, të cilat janë edhe më domethënëse sepse janë rezultat i elaborimit kolektiv e nuk janë të filtruar prej obsesioneve private të personaliteteve autoriale, i japin jetë diçkaje që mund të lidhet me pikëprerjen mes projektimit të një dëshire të pathënshme (Umberto Eco fliste për «një dashuri të fshehtë për katastrofat») dhe ndjenjës së një rreziku kërcënues me përmasa të padëgjuara më parë.

Është kjo perspektiva ku vendoset perceptimi dhe reagimi i shumicës ndaj fenomenit COVID-19, i cili po i ndryshon sjelljet e përditshme dhe modalitetet e marrëdhënieve të pjesës më të madhe të njerëzimit. Apo, për ta thënë më mirë, e asaj pjese të njerëzimit e cila është mësuar me standarde të jetës (apo të pritshmërisë për jetën) e të shëndetësisë tepër të lartë.

Kështu, përgjigjja që u dha prej qeverive të fuqive kryesore ekonomike të botës, në një moment të caktuar të shpërndarjes së infeksionit, konsistoi në pezullimin e gjithë aktiviteteve jo-esenciale si dhe në karantinimin e të gjithëve pa dallim. Sidomos Italia ishte vendi i parë në botë ku kjo masë nuk u mor vetëm për një qytet apo një territor te caktuar, por për gjithë shtetin në tërësi. Brenda pak ditësh jetët e gjashtëdhjetë milion njerëzve u përmbysën tërësisht. U mbyllën shkollat, universitetet, parqet, kinematë, teatret, çdo formë e tubimit, qendrat e sporteve të çdo lloji, thuajse tërësisht zyrat publike e ato të kompanive private, u mbyllën kufijtë, u reduktuan deri në minimum transportet. Njerëzit u këshilluan të mbylleshin në shtëpi e të mos dilnin, përveç nëse kishin arsye shumë të rëndësishme. Praktikisht e gjithë popullata është teknikisht e izoluar dhe vendi në tërësinë e tij po udhëhiqet prej logjikës së mjekësorizimit masiv i cili mbështetet mbi atë që (gjithnjë teknikisht: nuk po gjykoj as nuk po kritikoj, thjesht po përshkruaj një fakt), nuk mund të përkufizohet ndryshe përveçse si një shtet policor, në të cilin duhet lejekalimi për të qarkulluar e ku rrugët janë të zbrazëta, deri edhe qasja në të mirat e domosdoshme, nëse ende nuk është racionuar, është gjithsesi i kufizuar prej procedurash skajshëm të ngurta. Të mos flasim pastaj për përqendrimin obsesiv të medias mbi këtë temë dhe te thirrja gjithnjë e më e shpeshtë për identitet e për bashkim kombëtar. E gjithë kjo në një hark kohor prej pak javësh i cili mund të zgjatet për një sasi të panjohur kohe. 

Tash, nga njëra anë këto masa janë të pashmangshme, nëse praktikisht të gjithë vendet po marrin të tilla: kjo do të thotë se qytetarët presin që të merren këto masa dhe janë – së paku teorikisht – të gatshëm që të paguajnë çmimin e tyre. Nga ana tjetër pasojat janë vështirë të llogaritshme qoftë sa i përket impaktit në prodhueshmëri (thuhet se do të garantohen shërbimet thelbësore, duke nisur prej furnizimeve me ushqime, por askush nuk e di me siguri se a do të jenë në gjendje ta respektojnë këtë garanci të dhënë), qoftë për sa i përket impaktit ekonomik (flitet për masa në ndihmë të shumë kategorive të njerëzve, por askush nuk e di se a do të mjaftojnë ndërhyrjet për të mbuluar nevojat, e as se për sa kohë do të mund të aplikohen këto ndërhyrje), e qoftë sa i përket impaktit tërësor mbi shëndetin publik.

Nga ky këndvështrim i fundit ajo që na bën kureshtarë nuk është edhe aq pasoja që do të sjellin qindra mijëra ndërhyrjeve shëndetësore të shtyra për kur të kryhet pandemia, apo vizita e analiza që do të shtyhen, ndryshimi i mënyrës së të ushqyerit e i të lëvizurit, por më shumë pasojat psikologjike që do të lërë te dhjetra miliona njerëz kjo karantinë e shtrirë në gjithë popullsinë. Është një linjë e tërë studimi që merret me pasojat e katastrofave (që prej «distaster studiesI» e deri te «trauma theory») dhe dihet se cilat e sa janë format e stresit post-traumatik me të cilat është dashur të përballen ata që i janë nënshtruar formave të shtrëngimit, që prej të mbyllurve në burgje apo në çmendina, tek ushtarakët që u është dashur ta kalojnë luftën nëpër llogore gjatë Luftës së Parë Botërore, e deri te ata fëmijët që u shtrënguan të jetojnë për disa javë të bllokuar në një shpellë në Tajlandë. Përvoja shumë më tragjike e të skajshme se ato që jemi të detyruar të përjetojmë ne italianët gjatë kësaj periudhe, të nënshtruar ndaj një forme të zbehtë të arrestit shtëpiak, të ndihmuar prej televizionit, prej të dashurve tanë, prej kompjuterit, prej smartphone-it, prej gjithë atyre teknologjive që në masë të madhe na mundësojnë që të kryejmë edhe prej shtëpisë aktivitetin tonë punues, e asisoj të mbajmë në këmbë një shoqërizim të pranueshëm, qoftë edhe përmes filtrash e distancës.

Gjithsesi është e pamohueshme se gjendemi përballë një eksperimenti të vërtetë psikologjiko-social i cili përfshin gjithë popullatën por që mund të ketë përfundime shumë të ndryshme, sipas kushteve dhe prirjeve të subjekteve të përfshira në të. Sepse ka banorë të qyteteve të mëdha, të cilat janë të mbuluara prej fibrave optike, dhe ka banorë të zonave periferike ku lidhjet janë të paqëndrueshme e të dobëta. Ata që jetojnë të ndërlidhur e që mund të kenë luksin e një biblioteke digjitale e të një videoteke gati të pakufishme, por edhe ata që nuk e kanë një privilegj të tillë. Ata që jetojnë në familje të mëdha, për të cilët problemi gjatë kësaj kohe mund të jetë bashkëjetesa në hapësira të ngushta, në të cilat mund të shpërthejë frustrimi për shkak të nevojës për të negociuar çdo instancë individuale. Dhe ata që jetojnë vetëm, për të cilët vetmia mund edhe të dalë se është një burim i tmerrshëm depresioni. Janë personat të cilët kanë marrëdhënie të qëndrueshme e pozitive, për të cilët bashkëjetesa do të mund të ishte edhe një avantazh, duke i përforcuar marrëdhëniet e dobësuara më parë prej impenjimeve të shpeshta e prej një jete të mbingarkuar në konkurrencë me të tjerët, por janë edhe personat me marrëdhënie të shterura ose me pabarazi të madhe, për të cilët bashkëjetesa e sforcuar ka mundësi që të shndërrohet në një makth e në një përforcim të tëhuajësimit me njëri-tjetrin e të agresivitetit. E më tej, ka persona psikologjikisht të fortë, të aftë që ta përballin situatën me metodë dhe të gjejnë brenda vetes mjetet që ta shndërrojnë këtë fazë në një periudhë rritjeje apo konsolidimi. Por ka dhe persona të brishtë, strukturalisht të dobët, të cilët nëse braktisen në dorë të vetes së vet, përballë frikërave që shkakton situata e paqartësisë ndoshta do të mund të pësojnë përforcim të neurozave e fobive të tyre deri në nivele vështirë të kontrollueshme.

Përfundimi i këtij eksperimenti të pavullnetshëm, duke filluar që prej aftësisë së tij për t´i mbajtur brenda vetes shumicën e «kavjeve», është i paparashikueshëm. Por ajo që e bën interesante këtë gjë, përtej dimensioneve dhe natyrës shumë të llojllojshme të individëve të përfshirë, është fakti se – në tërësi – bëhet fjalë për një popullatë që nuk është mësuar t´i nënshtrohet autoriteteve (ndryshe nga ajo kineze fjala vjen), por zakonisht ka pasur hapësirë të gjerë autonomie, në të cilën ka mundur të ushtrojë subjektivitet të fortë dhe të artikulojë shoqërizimin e vet përmes trajektoresh të sofistikuara. Janë njerëz që dalin shpesh, që takohen, që udhëtojnë, që kanë një rrjet kontaktesh të gjerë. Për sa kohë ka për të qenë e mundur që këta të rrinë të bindur dhe te respektojnë urdhëresat, e çfarë pasojash komplekse do të lënë ato në psiqikën e tyre? Sa kohë do të duhet që ata të kthehen në normalitet, cilat vragë e cilat bagazhe do t´u mbeten trashëgim prej izolimit, cilat sjellje do të konsolidohen e cilat do të braktisen shpejt e shpejt për t´u rikthyer te të mëparshmet? Këto do të jenë tema e objekte të studimit e të vëmendjes të shkencave sociale për dekadat në vijim, e sidomos të atyre studiuesve që mëtojnë të kuptojnë se si marrëdhëniet konsolidohen e modifikohen, duke prodhuar efekte pozitive apo negative në ekuilibrin e trurit të këtij organizmi të fuqishëm e të brishtë që është homo sapiensi. Qartësisht, në dallim prej alienëve të Wells-it, ne e dimë që zhvillimi i vaksinave, barnave retrovirale dhe i imunitetit grupor nuk do të vonojnë e do të vijnë, kështu që sado e rëndë dhe e dhimbshme të jetë situata, sado shumë që të jenë viktimat e sado të rënda pasojat e masave shtrënguese, virusi korona nuk do të jetë ai që do të shfarosë këtë specie. COVID-19 nuk është Thanos-i, dhe viktimat e tij nuk kanë asgjë të përbashkët me zombie-t.

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi