Nga Donatella Di Cesare

(Ky shkrim është botuar në 26 mars 2020)

Qysh kur virusi korona është bërë padron i hapësirës publike, duke mbushur lajmet, gazetat e rubrikat, eksponentët e qeverisë dhe të opozitës duket sikur janë zhdukur. Me pak përjashtime, si puna e kryeministrit që del ndonjëherë. Gjatë ditëve të para, kur filloi të rritej infeksioni viral disa politikanë me të madhe kanë thirrur se duhet të hynin në skenën publike mjekët. Kanë përsëritur se nuk duan të bëjnë asgjë tjetër përpos të zbatojnë udhëzimet e shkencës. «Le të flasin ekspertët».

Pohime të tilla priten nga publiku a thua se vërtetësia e tyre është e padiskutueshme. Shumë komentues me këtë rast kanë argumentuar se ky është momenti për të reflektuar për dëmet që na i ka shkaktuar deri më tash mungesa e kompetencës. E kështu kaluam, prej partisë komplotiste që nuk beson te vaksinat, te partia shkenciste e shtetit mjekësor.

Është gjë shumë e rëndë që politika abdikon haptazi para shkencës. E nënshtruar ndaj diktatit të ekonomisë, e katandisur thjesht në administrim qeverisës, politikës tashmë i ka mbetur një hapësirë shumë e ngushtë veprimi, e cila po rrezikon të zhduket tërësisht. Kështu që politika nuk mund të heqë dorë prej përgjegjësive të veta.

Sigurisht që mungesa e kompetencës është e dëmshme. Nuk mund të luhet me improvizim roli i ekonomistit, juristit, konstitucionalistit etj. E aq më pak nuk mund të improvizohet politikani (e as filozofi!). Kemi paguar çmim të shtrenjtë për idenë se qytetari i çfarëdoshëm mundet brenda ditës të bëhet deputet e të ushtrojë pa e vrarë mendjen ato funksione. Mirëpo pranimi i kësaj nuk do të thotë miratim i regjimit të ekspertëve. Rreziku për demokracinë do të ishte i stërmadh.

Nuk ka mbetur më program televizim që të mos ketë të ftuar ekspertin e radhës në panele nga më të çuditshmet. Shpeshtësia me të cilën haset figura e ekspertit ndodh si pasojë e hiperspecializimit të shkencës dhe kompleksitetit të saj gjithnjë e më të madh. Shpesh përdoret gabimisht termi «ekspert» si sinonim i «shkencëtar». Mirëpo do të duhej të bëhej një dallim. Për shkencëtarin studimi shkencor është i pjesshëm e i përkohshëm. Në të kundërt, eksperti, nën presionin e opinionit publik që ka dëshirë të dijë e të parashikojë, ka nevojë për përgjigje të qarta e për të dhëna operative. Në lojërat e interesave kundërthënëse politike e ekonomike – vini re, ajo lojë nuk është neutrale – eksperti ofron një qëndrim që bie era shkencë. Mirëpo shkencëtari shpesh atë qëndrim nuk e pranon si shkencor. Raporti mes të dyve gjithnjë është karakterizuar prej fërkimeve. Përveç kësaj, qëndrimi i ekspertit duke qenë se i besohet fluksit tepër të shpejtë të mediave, ndryshon e shndërrohet. Ndodh që i njëjti ekspert të ndryshojë qëndrim brenda pak ditës. Epo mirë se njeri është edhe ai? Në ndërkohë kompetenca e tij obsesive me shifra, tabela, grafikë, ka heshtur e ka zhveshur prej përgjegjësisë miliona qytetarë, aftësia gjykuese e të cilëve kësisoj ndryshket e gërryhet.

Politikani i drejtohet ekspertit sepse ai duhet t´ia lehtësojë zgjedhjen, me të dhëna e me informacion. Në situata emergjence, si ajo e virusit korona, mbase edhe mund t´ia lërë gjithë skenën ekspertit. Por edhe pse është gjë e mençur të dëgjosh qëndrimin e ekspertit, është e gabuar t´ia lësh atij fjalën e fundit, a thua se gjykimi i tij është përgjigjja përfundimtare, instansa supreme e vendimmarrjes. Autoriteti i pakufizuar i ekspertit tashmë po rëndon mbi sferën e errët të së jashtëzakonshmes. Prandaj lënia e gjithçkaje në besim të fuqisë së opinionit të ekspertit, ky supersticion i kohëve tona, fsheh rreziqe të pamendueshme.

Politika nuk mund të kufizohet në zbatimin e udhëzimeve të ekspertëve. Politikani nuk është ekspert i ekspertëve, hipertekniku i programimit, i cili në rastin më të mirë di të administrojë, di të përzgjedhë mjetet qeverisëse, por nuk është më në gjendje të shohë se për cilin qëllim sepse nuk është më i aftë të vendosë për qëllimet. Torturimi që shoqëron bërjen e një zgjedhjeje, marrjen e një vendimi, si dhe brenga e mbajtjes së përgjegjësisë, këto janë abc-ja e politikës.

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi