(Ky shkrim u botua në datën 22 mars 2020)

Virusi korona po vë në provë sistemin tonë. Azia duket se po e kontrollon më mirë pandeminë, në krahasim me Evropën. Në Hong-Kong, Tajvan e Singapor ka shumë pak të infektuar. Edhe Koreja e Jugut e ka kaluar fazën më të keqe, po ashtu si Japonia. Madje edhe Kina, vend i origjinës së pandemisë, ka shtënë në kontroll gjithçka. Por as në Tajvan e as në Kore të Jugut nuk u shpall urdhri për të ndenjur në shtëpi, e as nuk u mbyllën dyqanet e restorantet. Në ndërkohë ka nisur një eksod aziatikësh që po largohen nga Evropa. Kinezët e koreanët dëshirojnë të kthehen në vendet e tyre, sepse atje ndihen më të sigurtë. Çmimet e fluturimeve janë shumëfishuar. Biletat e fluturimeve për në Kinë apo Kore është vështirë të gjenden.

Evropa po dështon. Numri i të infektuarve po rritet eksponencialisht. Evropa nuk duket në gjendje ta vërë nën kontroll pandeminë. Në Itali qindra persona po vdesin në secilën ditë. Po ua heqin aparatet respiratore pacientëve të moshuar që të ndihmojnë të rinjtë. Mirëpo ka edhe masa të kota shtypëse. Psh. mbyllja e kufijve është qartësisht një shprehje e dëshpëruar e sovranitetit. Po ndjejmë nevojën të kthehemi pas në epokën e sovranitetit. Sovrani është ai që vendos mbi gjendjen e emergjencës. Sovrani është ai që mbyll kufijtë. Por ky është demonstrim i kotë i sovranitetit, që është i padobishëm. Bashkëpunimi më intensiv brenda Evropës do të kishte qenë shumë më i dobishëm se sa mbyllja e egër e kufijve. Në ndërkohë Evropa vetë ka shpallur ndalimin e hyrjes për të huajt: një gjest tërësisht absurd duke konsideruar faktin se Evropa është pikërisht vendi ku askush nuk dëshiron të shkojë. Në rastin më të mirë do të kishte qenë më e mençur të ndalohej dalja prej Evropës. Fundja Evropa është epiqendra e pandemisë në këto çaste.

Përparësitë e Azisë

Në krahasim me Evropën, cilat përparësi efektive ofron sistemi aziatik sa i përket luftës kundër pandemisë? Shtetet aziatike si Japonia, Kina, Koreja e Jugut, Taivani apo Singapori kanë një mentalitet autoritar që rrjedh prej traditës së tyre kulturore (konfucianizmit). Personat janë më pak refuzues e më të bindur se në Evropë. Kanë edhe më shumë besim te shteti. E jo vetëm në Kinë, por edhe në Kore të Jugut e në Japoni jeta e përditshme është e organizuar në një mënyrë shumë më rigoroze se në Evropë. Sidomos për t´u përballur me virusin, aziatikët janë impenjuar shumë në mbikqyrjen digjitale. Ata pandehin se «big data» mund të ketë një potencial shumë të madh mbrojtës, kundër pandemisë. Mund të thuhet se epidemitë në Azi nuk janë duke u luftuar vetëm prej virologëve dhe epidemiologëve, por sidomos prej informaticienëve dhe specialistëve të «big data». Një ndryshim i paradigmës që Evropa ende nuk e ka mësuar. Mbështetësit e mbikqyrjes digjitale do të mund të thoshin se «big data» shpëton jetë njerëzish.

Vetëdija kritike ndaj mbikqyrjes digjitale është praktikisht inekzistente në Azi. Shumë pak flitet për mbrojtjen e të dhënave, edhe në shtete liberale si Koreja e Jugut apo Japonia. Askush nuk zemërohet me nxitimin e autoriteve për të mbledhur sa më shumë të dhëna. Ndërkohë Kina ka aplikuar një sistem «kreditesh sociale», që evropianët as nuk munden ta përfytyrojnë, i cili lejon një skedim tërësor dhe një vlerësim të secilit qytetar. Secili banor merr vlerësim në raport me sjelljen e tij shoqërore. Në Kinë nuk ka asnjë pjesë të jetës së përditshme që nuk i nënshtrohet vëzhgimit. Secili klik, secila blerje, secili kontakt, secili aktivitet në rrjetet sociale është i kontrolluar. Kush kalon me semafor të kuq dhe hyn në kontakt me kritikët ndaj regjimit apo bën komente polemike në rrjetet sociale, i hiqen pikë. Për ta jeta mund të bëhet shumë e rrezikuar. Në të kundërt, ata që blejnë ushqim të shëndetshëm apo që lexojnë gazeta të lidhura me regjimin, fitojnë pikë. Ai që mbledh shumë pikë, fiton një vizë për udhëtim me çmim të lirë, apo kredite të tjera. E ai që zbret nën një numër të caktuar pikësh, rrezikon të humbë vendin e punës. Në Kinë kjo mbikqyrje sociale është e mundur sepse ekziston një këmbin i pakufizuar të dhënash mes internetit, kompanive të telefonisë mobile dhe autoriteteve. Nuk ekziston praktikisht asnjë mbrojtje e të dhënave. Termi «sferë private» nuk ekziston në fjalorin kinez.

Janë rreth 200 milion kamera mbikqyrëse në Kinë, shumica syresh të pajisura me teknologji tepër efikase për identifikim të fytyrave. Janë në gjendje të kapin deri edhe poret në fytyrë. Nuk është e mundur t´i ikësh kamerave të mbikqyrjes. Këto kamera të pajisura me inteligjencë artificiale mund ta vëzhgojnë e ta vlerësojnë çdo qytetar në hapësirat publike, në dyqane, në rrugë, në stacione dhe në aeroporte.

E gjithë infrastruktura e mbikqyrjes digjitale tash doli tepër efikase për vënien në kontroll të pandemisë. Kur dikush niset prej stacionit të Pekinit, automatikisht kapet prej një telekamere e cila mat temperaturën trupore. Nëse temperatura është shqetësuese, të gjithë ata që qëndrojnë në të njëjtin vagon marrin një njoftim në celularin e tyre. Nuk habitet askush se nga e di sistemi se kush është në tren. Rrjetet sociale pohojnë se dronët përdoren edhe për të kontrolluar karantinat. Nëse dikush shkel pa leje karantinën, një dron fluturon drejt tij dhe i urdhëron të kthehet në shtëpi. Ndoshta, pas ca kohe, dronët do të jenë në gjendje të shkruajnë dhe gjoba, e t´i lëshojnë në ajër të fluturojnë drejt teje, kushedi. Një situatë që për evropianët do të kishte qenë distopike, mirëpo në Kinë me sa duket, nuk ka rezistencë kundër saj.

Shtetet aziatike kanë mentalitet autoritar. Dhe qytetarët janë më të bindur.

As në Kinë, as në vende të tjera aziatike si Koreja e Jugut, Hong-Kongu, Singapori, Taivani a Japonia, nuk ekziston një vetëdije kritike ndaj mbikqyrjes digjitale apo ndaj «big data». Digjitalizimi i drogon menjëherë. Kjo ka edhe një motiv kulturor. Në Azi sundon kolektivizmi. Nuk ekziston ndonjë individualizëm i theksuar. Individualizmi nuk është njësoj me egoizmin, i cili sigurisht që është shumë i përhapur edhe në Azi.

«Big data» duket se është me efikase në luftën kundër virusit, po të krahasohet me mbylljet absurde të kufijvë në Evropë. Megjithatë, për shkak të mbrojtjes së të dhënave, në Evripë nuk është e mundur të luftohet digjitalisht virusi në një mënyrë të krahasueshme me Azinë. Operatorët e telefonisë mobile dhe të internetit në kinë i ndajnë të dhënat e ndjeshme të klientëve me shërbimet e inteligjencës e me ministrinë e shëndetësisë. Pra Shteti e di se ku janë qytetarët, me kë janë, çfarë bëjnë, çfarë kërkojnë, çfarë mendojnë, çfarë hanë, çfarë blejnë, ku shkojnë. Është e mundshme që në të ardhmen Shteti do të kontrollojë edhe temperaturën trupore, peshën, sasinë e sheqerit në gjak etj. Një biopolitikë digjitale e cila shoqëron psikopolitikën digjitale që kontrollon në mënyrë aktive personat. 

Në Uhan mijëra skuadra hetuese digjitale janë formuar për të gjurmuar personat potencialisht të infektuar duke u bazuar tërësisht në të dhëna teknike. Duke u bazuar në analizën e «big data» ata zbulojnë se kush është potencialisht i infektuar, kush duhet mbajtur në mbikëqyrje dhe si përfundim kush duhet shtënë në karantinë. Edhe sa i përket pandemisë, e ardhmja qëndron te digjitalizimi. Me perspektivën e epidemisë, mbade so të mund të ripërkufizonim edhe sovranitetin. Sovrani është ai që zotëron të dhënat. Kur Evropa shpall gjendje alarmi apo mbyll kufijtë, ajo vazhdon të jetë peng i modeleve të vjetër të sovranitetit.

Nga epidemi duhej nxjerrë mësim duke e rikthyer në Evropë prodhimin e disa barnave e mjekimeve

Jo vetëm në Kinë, por edhe në shtete të tjera aziatike, mbikqyrja digjitale po përdoret gjerësisht për të kontrolluar epideminë. Në Taivan shteti i dërgon njëkohësisht qytetarëve SMS për të lokalizuar personat që kanë patur kontakt me persona të infektuar, apo për të informuar se cilat vende e cilat ndërtesa kanë persona të infektuar. Qysh në fazat e hershme Taivani ka përdorur ndërlidhjen e të dhënave për të identifikuar personat potencialisht të infektuar duke u bazuar te udhëtimet që ata kishin bërë. Në Kore të Jugut, kushdo që i afrohet një ndërtese ku ka qenë një person i infektuar, merr një sinjal alarmi përmes aplikacionit «Corona». Të gjitha vendet ku ka pasur të infektuar janë të regjistruar në atë aplikacion. Mbrojtja e të dhënave dhe e sferës private nuk merren fort parasysh. Kamerat mbikqyrëse janë instaluar në çdo ndërtesë në Kore të Jugut, në çdo kat, në çdo zyrë apo dyqan. Është praktikisht e pamundur të lëvizësh në hapësirat publike pa u filmuar prej ndonjë kamere. Me të dhënat nga telefoni celular dhe materialin e marrë prej kamerave, është e mundur të krijohet profili i plotë i lëvizjes së një personi të infektuar. Lëvizjet e çdo të infektuari publikohen. Mund të ndodhë që zbulohen edhe çështje sekrete të tyre. Në zyrat e ministrisë së shëndetësisë të Koresë së Jugut punojnë disa persona që titullohen «tracker», detyra e të cilëve është pikërisht të analizojnë materialet e përgjimit ditë e natë për të plotësuar profilin e lëvizjes së të infektuarve dhe të gjejnë personat që kanë patur kontakt me ta.

Ka filluar një eksod i aziatikëve që lënë Evropën. Duan të kthehen në shtetet e tyre se atje ndihen më të sigurtë.

Një dallim i madh mes Azisë dhe Evropës duket te maskat mbrojtëse. Në Kore Jugut nuk del askush jashtë pa vendosur maska respiratore speciale që janë në gjendje ta filtrojnë ajrin prej virusit. Nuk janë maskat e zakonshme kirurgjike, por maska speciale mbrojtëse me filtra, që përdoren edhe prej mjekëve të cilët mjekojnë infeksionin. Në javët e shkuara çështja kryesore në Kore të Jugut ishte pajisja e popullsisë me maska të tilla. Radhë shumë të gjata u formuan para farmacive. Politikanët u vlerësuan në bazë të shpejtësisë në të cilën arritën në t´i ofrojnë maska gjithë popullatës. Aparatura të reja për prodhimin e maskave u ndërtuan me nxitim të madh. Për momentin duket se pajisja po shkon mirë. Madje ekziston edhe një aplikacion i cili të informon se në cilën barnatore afër teje mund të blesh maska. Besoj se maskat mbrojtëse, me të cilat është pajisur gjithë popullata në Azi, kanë qenë shumë të rëndësishme për vënien e epidemisë nën kontroll.

Koreanët mbajnë maska antivirus edhe në vendin e punës. Edhe politikanët dalin në publik vetëm me maska. Madje edhe presidenti i Koresë së Jugut e mban një të tillë, për të dhënë shembull, edhe gjatë konferencave të shtypit. Në Kore të Jugut i ziu ti nëse nuk mban maskë. Përkundrazi, në Evropë thuhet shpesh se ato nuk hyjnë shumë në punë, gjë që është budallallëk. Pse pra i mbajnë mjekët maskat mbrojtëse? Çështja është se maskat duhet t´i ndërrosh mjaft shpesh, sepse kur lagen e humbin funksionin e tyre filtrues. Megjithatë koreanët tashmë kanë shpikur një «maskë për koronavirus» e përbërë prej nanofiltrave, të cilat edhe mund të lahen. Thuhet se ato maska mund të përdoren deri për një muaj rresht për të mbrojtur njerëzit nga virusi. Është zgjidhje shumë e mirë deri në momentin që nuk kemi vaksina apo barna ndaj tij. Ndërsa në Evropë as mjekët nuk kanë mjaftueshëm maska, e duhet të shkohet deri në Rusi për t´i marrë. Macron-i ka urdhëruar që të konfiskohen të gjitha maskat, që të mund t´i shpërndahen personelit mjekësor. Por ato ishin maska normale me indikacionin që mund të ishin në gjendje të mbronin prej virusit korona, gjë që ishte e rreme. Evropa po dështon. Ç´të hyn në punë mbyllja e dyqaneve dhe e restoranteve nëse personat vazhdojnë të grumbullohen nëpër metro apo në autobusë gjatë orëve të trafikut? Si të mbahet distanca e domosdoshme? Edhe në supermarkete është thuajse e pamundur. Në një situatë të tillë maskat mbrojtëse do të kishin mundur të shpëtonin me efikasitet jetë njerëzish. Po shfaqet një shoqëri me dy klasa. Kush ka makinën e vet është më pak i rrezikuar, e kush nuk e ka ekspozohet më shumë. Ndërsa edhe maska normale do të mund të jepte efekt po të mbahej edhe prej të infektuarve, sepse do t´ua vështirësonte shpërndarjen e virusit te të tjerët.

Në kohën e «lajmit të rremë» lind një apati për realitetin. Këtu virusi i vërtetë, jo informatik, prodhon tronditje.

Në shtetet evropiane thuajse askush nuk mban maskë. Ka disa që i mbajnë, por janë aziatikë. Bashkëkombasit e mi që jetojnë në Evropë ankohen për faktin se i shohin me dyshim kur mbajnë maska. Ka një dallim kulturor. Në Evropë ka një individualizëm i cili mbart me vete zakonin e të treguarit të fytyrës së zbuluar. Të vetmit që maskohen janë kriminelët. Por tash, kur shoh pamjet nga Koreja e Jugut, jam mësuar aq shumë të shoh njerëz me maska sa që fytyra e zhveshur e bashkëqytetarëve të mi evropianë më duket thuajse si një pafytyrësi e paturpësi. Do të doja të vishja një maskë mbrojtëse, por këtu nuk ka më të tilla.

Në të shkuarën prodhimi i maskave, ashtu si dhe i shumë gjërave të tjera, u eksternalizua dhe u dërgua në Kinë. Prandaj në Evropë nuk mund të gjesh më maska. Shtetet aziatike po përpiqen të pajisin gjithë popullsinë e tyre me maska mbrojtëse. Në Kinë, kur të mbarojnë maskat, do të ri-investojnë në fabrika e makineri që të prodhojnë të reja. Ndërsa në Evropë nuk ka as për personelin shëndetësor. Përderisa personat do të vazhdojnë të grumbullohen nëpër autobusë apo metro për të shkuar në punë pa maska, ndalimi i daljes prej shtëpisë, logjikisht, nuk do të sjellë pasoja kushedi sa të mira. E si mund ta mbash distancën e sigurisë nëpër autobusë apo në metro gjatë orëve të pikut? Mësimi që duhet të nxjerrim prej pandemisë është se do të ishte mirë të rikthehej në Evropë prodhimi i sendeve të caktuara, siç janë maskat mbrojtëse, barnat apo prodhimet shëndetësore.

Pavarësisht gjithë rreziqeve, të cilat nuk duhet të merren me mendjelehtësi, paniku që ka shpërthyer prej pandemisë së virusit korona është përtej masës së duhur. As «gripi spanjoll» i cili ka qenë shumë më vdekjeprurës nuk ka pasur efekte kaq të mëdha mbi ekonominë. Për çfarë bëhet fjalë kësaj radhe? Pse po reagohet me kaq panik ndaj një virusi? Emmanuel Macron madje flet edhe për luftë kundër një armiku të padukshëm që duhet ta mposhtim. A po përjetojmë një rikthim të armikut? «Gripi spanjoll» plasi në mes të Luftës së Parë Botërore. Asokohe të gjithë ishin të rrethuar prej armiqsh dhe askush nuk do ta kishte krahasuar epideminë me luftën apo me armikun. Por sot jetojmë në një shoqëri shumë ndryshe prej asaj kohe.

Në të vërtetë prej kohësh jetojmë pa armiq. Lufta e ftohtë ka mbaruar shumë kohë më parë. Së fundi edhe terrorizmi islamik duket se u zhvendos në vende të largëta. Saktësisht dhjetë vite më parë në librin tim «Shoqëria e lodhjes» kam argumentuar tezën se jetojmë në një epokë ku paradigma imunologjike e cila bazohet te negativiteti i armikut e ka humbur vlefshmërinë e saj. Si në kohët e luftës së ftohtë shoqëria e organizuar imunologjikisht karakterizohet prej një jete të rrethuar prej kufijsh e rrethimesh, të cilat e ndalojnë qarkullimin e përshpejtuar të kapitalit e të mallrave. Por globalizimi i shkel të gjitha këto pengesa imunitare, që ta lërë kapitalin të shfrehet lirisht. Edhe lejueshmëria e promiskuiteti që sot janë kaq të përhapura në të gjitha sferat jetësore, eliminojnë negativitetin e së panjohurës apo të armikut. Kërcënimet sot fshihen, jo më te negativiteti i armikut por, te teprimi i pozitivitetit, gjë që shprehet si teprim me rendimentin në punë, teprim i prodhimit, dhe teprim i komunikimit. Represioni i dikurshëm prej të tjerëve sot ia lë vendin depresionit, shfrytëzimi i dikurshëm prej të tjerëve sot ia lë vendin vetëshfrytëzimit vullnetar si dhe vetëpërkryerjes. Në shoqërinë e spektaklit lufta më e madhe bëhet kundër vetvetes.

Pengesa imunologjike dhe mbyllje kufijsh.

Mirë pra, midis kësaj shoqërie kaq të dobësuar imunologjikisht prej kapitalizmit global, shpërthen befasisht virusi. Mbushur me panik ne ngremë edhe një herë pengesa imunologjike e kufij të mbyllur. Armiku u rikthye. Nuk luftojmë më kundër vetvetes, por kundër armikut të padukshëm që vjen prej së jashtmi. Paniku i tepruar përballë virusit është një reagim imunitar shoqëror, madje global, përballë armikut të ri. Reagimi imunitar është kaq i dhunshëm sepse për një kohë shumë të gjatë kemi jetuar në një shoqëri pa armiq, në një shoqëri pozitivitetesh, e tash virusi përjetohet si një terror i përhershëm.

Por ka edhe një arsye tjetër pse paniku është kaq i shpërndarë. Edhe kjo ka të bëjë me digjitalizimin. Digjitalizimi e fshin realitetin. Realiteti përjetohet si pasojë e kokëfortësisë së tij, e ajo kokëfortësi nga ana e realitetit mund të jetë edhe e dhimbshme për ne. Ndërsa digjitalizimi dhe gjithë kultura e «më pëlqen» (like), e fshin negativitetin e kokëfortësisë. Në epokën post-faktike të «fake neës» dhe «deep fake», lind një apati për realitetin. Pra, këtu kemi një virus të vërtetë që po prodhon konfuzion, e jo një virus informatik. Realiteti, kokëfortësia e tij, vjen sërish në paj nën formën e një virusi armik. Reagimi i panikut të dhunshëm e të tepruar përballë virusit mund të kuptohet vetëm si i bazuar në këtë tronditje të shkaktuar prej realitetit.

Reagimi me panik ndaj pandemisë, prej tregjeve financiare, është edhe manifestim i faktit se ai panik ishte brenda tyre qysh më përpara. Luhatjet e stërmëdha të ekonomisë botëore e kanë bërë shumë të cënueshme atë. Edhe pse lakorja e indeksit të aksioneve rritet, politika e rrezikshme monetare prej bankave qendrore ka prodhuar gjatë viteve të fundit një panik që u mbajt i mbuluar deri në kohën kur u shfaq epidemia. Virusi nuk është gjë tjetër me gjasë, përveçse ajo pika e fundit që e detyron kupën të derdhet e të përmbyset. Çka po del në pah në tregjet financiare nuk është edhe aq frika prej virusit, se sa frika që tregu ka prej vetes së vet. Kjo ngjarje do të mund të ndodhte edhe pa patur virus. Ndoshta virusi është thjesht preludi i një incidenti shumë më të madh.

Zizek-u pojhon se virusi i jep një goditje fatale kapitalizmit dhe i hap rrugën një komunizmi të panjohur. Gabohet.

Zizek-u ka pohuar se virusi po i jep një goditje fatale kapitalizmit e po ia hap rrugën një komunizmi ende të panjohur. Ai madje mendon se virusi do të mund të rrëzojë edhe regjimin kinez. Zizek-u e ka gabim. Asnjëra prej këtyre nuk do të ndodhë. Kina do të jetë në të ardhmen në gjendje që ta shesë shtetin e vet policor si një model suksesi kundër pandemisë. Kina do të mburret edhe më shumë me krenari me superioritetin e sistemit të vet. Dhe pas pandemisë, kapitalizmi do të vazhdojë me më shumë forcë. E turistët do të vazhdojnë të shkelin gjithë planetin.

Virusi nuk mund të zëvendësojë arsyen. Është e mundur që edhe shteti policor digjital i stilit kinez të vijë në perëndim. Siç ka thënë më parë Naomi Klein, konfuzioni ështëmomenti më i përshtatshëm për të implementuar një sistem të ri qeverisës. Kështu u vendos neoliberalizmi, i cili u parapri prej krizave që shkaktuan tronditje. Kjo ka ndodhur në Kore të Jugut apo në Greqi. Ndoshta, pas tronditjes së shkaktuar prej këtij virusi, do të zbarkojë në Evropë një regjim policor digjital i ngjashëm me atë kinez. Nëse kjo do të mund të ndodhte, siç ka frikë Giorgio Agamben, atëherë gjendja e jashtëzakonshme do të bëhej situatë normale. Pra virusi do të realizonte atë që as terrorizmi islamik nuk kishte arritur të bënte.

Virusi nuk ka për ta mundur kapitalizmin. Revolucioni viral nuk do të ndoshë. Asnjë virus nuk është në gjendje të bëjë revolucione. Virusi na izolon e na individuon. Nuk pjell asnjë ndjenjë të fortë kolektive. Në një farë mënyre, secili kujdeset vetëm për mbijetesën e vet. Solidariteti që konsiston në mbajtjen e distancave reciproke, nuk është solidaritet i llojit që na lejon të ëndërrojmë për një shoqëri të ndryshme, më paqësore e më të drejtë. Nuk mund ta lëmë revolucionin në dorë të virusit. Le të shpresojmë që pas virusit të ndodhë një revolucion njerëzor. Jemi NE, PERSONAT e pajisur me ARSYE ata që duhet ta rimendojmë rrënjësisht kapitalizmin shkatërrimtar, të rimendojmë lëvizshmërinë tonë të pakufizuar e shkatërruese, që të shpëtojmë veten, klimën dhe planetin tonë të bukur.

Përktheu nga spanjishtja Arbër Zaimi