Botuar më 22 janar 2020 në welt.de

Kaq shumë është shkruar tashmë për epideminë e koronavirusit – e ç´mund të shtoj unë si një vëzhgues i paspecializuar me një qasje shumë të kufizuar në të dhëna? Por ndoshta këtu mund të shtrohet pyetja: ku përfundojnë të dhënat dhe ku fillon ideologjia?

Enigma e parë sigurisht: ka shumë epidemi të tjera duke ndodhur, pra pse gjithë ky obsesion me këtë, edhe pse mijëra të tjerë vdesin përditë prej sëmundjeve të tjera ngjitëse? Nuk ka nevojë fare të kujtojmë pandeminë e influencës (gripit) të viteve 1918-1920 të njohur si gripi spanjoll, fataliteti i së cilës vlerësohet se ka qenë të paktën 50 milion njerëz: vetëm në kohën që flasim influenca (gripi) ka infektuar 15 milion amerikanë: të paktën 140.000 prej tyre janë shtruar në spital dhe më shumë se 8200 vetë kanë vdekur veç brenda kësaj stine.

Qartësisht kemi të bëjmë me një paranojë raciste – le të sjellim në vëmendje gjithë përfytyrimet e plakave të fëlliqura kineze në Uhan që rrjepin gjarpërinj të gjallë dhe gjerbin supë lakuriqi… edhe pse në kohën tonë një qytet i madh në Kinë është ndoshta një ndër vendet më të sigurta në botë.

Por ka dhe një paradoks akoma më të thellë këtu: sa më shumë që është e ndërlidhur bota jonë, aq më shumë një katastrofë lokale mund të shërbejë për të ndezur një frikë globale, ndonjëherë edhe një katastrofë globale. Në pranverën e 2010 një re prej një shpërthimi të vogël vullkanik në Islandë – një shqetësim i vogël në mekanizmin kompleks të jetës në Tokë – shkaktoi pezullimin e trafikut ajror në pjesën më të madhe të Evropës – një përkujtim se si, me gjithë aktivitetin e tij marramendës për transformimin e natyrës, njerëzimi mbetet veç një specie si gjithë të tjerat që jetojnë në këtë planet.

Vetë impakti katastrofik socio-ekonomik i një shpërthimi të tille ndodh për shkak të zhvillimit teknologjik (udhëtimeve ajrore): një shekull më parë një shpërthim vullkanik i këtyre përmasave do të kishte kaluar pa u vënë re. Zhvillimi teknologjik na bën më të pavarur prej natyrës dhe në të njëjtën kohë, në një nivel tjetër, më të varur prej tekave të natyrës. E njëjta gjë vlen edhe për shpërndarjen e virusit korona: po të kishte ndodhur para reformave të Deng Hsiao Ping, ndoshta nuk do të kishim dëgjuar kurrë për të.

Por si pra, mund ta luftojmë këtë virus, kur ai shumohet si një formë e çuditshme dhe e padukshme e jetës parazitike, si një entitet fantazmor, si lugat (i vdekur i ngritur prej varri), mekanizmi preciz i të cilit mbetet i panjohur? Është kjo mungesë e njohurisë që na shkakton panik të llojit: çka nëse ky virus pëson mutacione të paparashikueshme dhe krijon një katastrofë të vërtetë globale?

Paranoja ime private është kjo: mos vallë arsyeja e panikut që po shfaqin autoritetet, ndërkohë që efektet aktuale janë deri më tash relativisht modeste, qëndron te fakti se ata dinë (ose së paku dyshojnë) diçka për mutacionet e mundshme të këtij virusi, të cilën nuk duan ta publikojnë në mënyrë që të shmangin konfuzionin publik dhe trazirat?

Një gjë është e sigurt: izolimi, muret e reja dhe karantinat e tjera nuk do të kryejnë punë. Duhet një solidaritet i plotë dhe pa kushte dhe një përgjigjje e koordinuar globale, një formë e re e asaj që dikur quhej Komunizëm. Nëse nuk do t´i orientojmë përpjekjet tona në këtë drejtim, atëherë Uhani i sotmë mund të jetë ndoshta pamja e një qyteti të zakonshëm të së ardhmes.

Shumë distopi tashmë kanë përfytyruar të ardhme të ngjashme: shumica e kohës kalohet nëpër shtëpi, punohet nga kompjuterët personalë, komunikohet përmes videokonferencave, aktiviteti fizik bëhet në një makineri në një cep të zyrës sonë shtëpiake, me raste masturbohet përballë një ekrani që shfaq seks hardcore dhe ushqimi vjen me shërbim delivery

Megjithatë ka një perspektivë emancipuese të papritur që fshihet pas këtij vizioni-makth. Duhet ta pranoj se gjatë këtyre ditëve e kapa veten duke ëndërruar për të vizituar Uhanin. Rrugët gjysmë të braktisura të një megalopolisi – qendrat urbane zakonisht plot zhurmë e mizëri të shndërruara në qytete fantazmë, dyqanet me dyert e hapura por pa blerës, vetëm tek-tuk ndonjë këmbësor apo veturë e vetmuar, individë me maska të bardha – a nuk paraqesin këto imazhin e një bote jo-konsumeriste të paqtuar me vetveten?

Bukuria melankolike e bulevardeve të zbrazët të Shangait apo Hong Kongut më kujtojnë disa filma të moçëm post-apokaliptikë, si On the Beach, i cili rrëfen për një qytet ku shumica e popullatës është zhdukur – jo nga ndonjë shkatërrim spektakolar, thjesht një botë e cila nuk është e gatshme për t´u përdorur sipas qejfit tonë, nuk është duke na pritur, duke na parë në sy, duke ekzistuar për ne… Edhe maskat e bardha që mbajnë ata pak njerëz që vijnë vërdallë prodhojnë një anonimitet të mirëpritur dhe një çlirim prej presionit shoqëror për të qenë i njohur.

Shumë prej nesh e kujtojnë përmbylljen e famshme të manifestit të studentëve situacionistë nga viti 1966: “Vivre sans temps mort, jouir sans entraves” – të jetohet pa kohë të vdekur, të gëzohet pa pengesa. Nëse na kanë mësuar ndonjë gjë Freud-i dhe Lacan-i është se kjo formulë – rasti më i fortë i një urdhri të superegos meqenëse, siç ka dëshmuar gjerësisht Lacan-i, superegoja është në themelin e saj një urdhër pohues për të gëzuar – është një recetë për katastrofë: nxitja për të mbushur çdo moment të kohës që kemi me angazhim intensiv, pashmangshëm përfundon në një monotoni mbytëse.

Koha e vdekur – momentet e zmbrapsjes, ajo çka mistikët e vjetër e quanin Gelassenheit, – dorëzim përballë asaj që nuk e ndryshojmë dot (apo para Zotit) – është kyç për rigjallërimin e përvojës sonë jetësore. Dhe, ndoshta, mund të shpresohet se një nga pasojat e paplanifikuara të virusit korona dhe karantinimit të qyteteve mund të jetë se të paktën disa njerëz do ta përdorin kohën e vdekur për t´u tërhequr nga aktiviteti hektik dhe për të menduar se sa e (pa)kuptimtë është situata e tyre jetësore.

Jam tërësisht i vetëdijshëm për rrezikun me të cilin po luaj teksa po i publikoj këto mendimet e mia – a nuk është kjo që po bëj një version i ri i veshjes së viktimave që vuajnë me aftësinë për të pasur vështrime më të thella e autentike, bërë prej pozitës sime të sigurt prej së jashtmi, pra një legjitimizim cinik i vuajtjes së tyre? Kur një qytetar i Uhanit ecën nëpër rrugë me maskë të bardhë, duke kërkuar barna apo ushqim, sigurisht që në mendjen e tij apo të saj nuk ka asnjë mendim anti-konsumerist, vetëm panik, mllef edhe frikë. Por ajo çka dua të them është që edhe ngjarjet e tmerrshme mund të kenë pasoja të paparashikueshme pozitive.

Carlo Ginzburg ka propozuar nocionin se shenja e vërtetë e përkatësisë në një vend është kur ndjen turp për atë vend, jo kur e do atë. Ndoshta disa izraelitë do të gjejnë kurajo që të ndjejnë turp për politikat e Netanyahu-t dhe Trump-it të bëra në emër të tyre – sigurisht, jo të ndjejnë turp për faktin se janë hebrenj, përkundrazi, të ndjejnë turp për atë që politikat e Izraelit në Bregun Perëndimor po i bëjnë trashëgimisë më të çmuar të vetë judaizmit. Ndoshta disa britanikë do të duhej të gjenin kurajon për të ndjerë turp për ëndrrën ideologjike që u solli Brexit-in.

Mirëpo për popullin e Uhanit nuk është koha që të ndihen të turpëruar e të stigmatizuar, është koha që të gjejnë guximin dhe me durim të këmbëngulin në betejën e tyre. Të vetmit që duhet të kenë turp në Kinë janë ata të cilët publikisht e kanë nënvleftësuar epideminë ndërkohë që e kanë stër-mbrojtur veten, duke vepruar njësoj si funksionarët e dikurshëm sovjetikë në lidhje me Çernobilin, të cilët publikisht thoshin se nuk kishte rrezik, ndërkohë që menjëherë evakuuan familjet e tyre, apo njësoj si ata drejtues korporatash të mëdha të cilët publikisht e mohojnë nxehjen globale, por ndërkohë po blejnë shtëpi në Zelandën e Re apo po ndërtojnë bunkerë për të mbijetuar në Malet Shkëmbore (Rocky Mountains).

Ndoshta mllefi publik ndaj kësaj dyfytyrësie (gjë që qysh tash ka nisur t´i detyrojë autoritetet të premtojnë transparencë), do të mundësojë lindjen e një tjetër zhvillimi pozitiv të paplanifikuar politik në Kinë.

Por ata që do të duhet të ndjenin turp në të vërtetë, janë ata të cilët, kudo në botë, s´kanë mundur të mendojnë gjë tjetër përveç se si të vënë në karantinë kinezët.