Nga Giorgio Agamben

(Kjo intervistë u botua në 24 mars 2020, pyetjet u shtruan nga Nicolas Truong)

Filozofi italian me famë botërore, Giorgio Agamben, njihet për përpunimin e konceptit të «gjendjes së jashtëzakonshme» si paradigmë qeverisëse në veprën e tij madhore të filozofisë politike «Homo Sacer». Duke vijuar në drejtimin e Michel Foucault-së, por edhe të Walter Benjamin-it apo Hannah Arendt-it, ai ka sjellë një sërë hulumtimesh gjenealogjike mbi nocionet e «dispozitivit» dhe të «komandimit», ka përpunuar konceptet e «çaktivizimit», «formës së jetës», «pushtetit zhbërës». Intelektual ku mbështeten lëvizjet e «të paqeverisshmëve» Giorgio Agamben ka publikuar një tekst në gazetën «Il Manifesto» (Shpikja e një epidemie, në 26 shkurt), i cili ka ngjallur shumë kritika për shkak se, duke u bazuar te të dhënat shëndetësore në Itali në atë kohë, ai përqendrohej te ruajtja e lirive publike duke zvogëluar impaktin e epidemisë. Në këtë intervistë për «Le Monde» ai analizon «pasojat etike e politike shumë të rënda» të cilat rrjedhin prej masave siguritare të marra për të kufizuar pandeminë.

Në një tekst të publikuar në «Il Manifesto» ju përshkruani se pandemia globale e COVID-19 ishte një «epidemi e supozuar», asgjë më shumë se «një lloj gripi». Duke parë numrin e viktimave dhe shpërhapjen e shpejtë të virusit, sidomos në Itali, a jeni penduar për këto fjalë?

Unë nuk jam as virolog as mjek, dhe në artikullin në fjalë, i cili është shkruar më shumë se një muaj më parë, unë s´bëra gjë tjetër përveçse citova tekstualisht qëndrimin që në atë kohë mbante Qendra Kombëtare e Kërkimit Shkencor në Itali. Por nuk do të ndërhyj në diskutimet me shkencëtarëve sa i përket epidemisë; ajo që më intereson janë pasojat e rënda etike dhe politike të cilat rrjedhin prej saj.

«Do të mund të thoshim se, me mbarimin e terrorizmit si shkak për masa të jashtëzakonshme, shpikja e një epidemie do të mund të ofronte pretekstin ideal që masat e tilla të forcoheshin përtej çdo kufiri» shkruani ju. Si mund të argumentohet që kjo është një «shpikje»? A nuk mundet terrorizmi, apo një epidemi, t´i lënë vend politikave të sigurisë, të cilat mund të konsiderohen të papranueshme, por megjithatë janë reale?

Kur flitet për shpikje në sensin politik, le të mos harrojmë se kjo nuk duhet marrë në një kuptim tërësisht subjektiv. Historianët e dinë se ka konspiracione, për ta thënë kësisoj, objektive, të cilat duket se funksionojnë si të tilla pa qenë të drejtuara prej ndonjë subjekti të identifikueshëm.Siç e ka dëshmuar para meje Michel Foucault, qeveritë siguritare nuk funksionojnë doemos duke e prodhuar vetë situatën e jashtëzakonshme, por më tepër duke e shfrytëzuar e duke i dhënë drejtim asaj, pasi që ajo shfaqet. Sigurisht nuk jam i vetmi që mendoj se për një qeveri totalitare si ajo e Kinës, epidemia është forma e vetme për të eksperimentuar me mundësinë e izolimit dhe kontrollimit të një krahine të tërë. E fakti se në Evropë po i referohen Kinës si model që duhet ndjekur, dëshmon për shkallën e papërgjegjësisë politike ku na ka çuar frika. Duhet të shtrojmë pyetjen se a është vallë së paku e dyshimtë që qeveria kineze e deklaroi epideminë befasisht të mbyllur, kur kjo gjë i interesoi.

Pse gjendja e jashtëzakonshme është, sipas opinionit tuaj, e pajustifikuar, kur vetë-izolimi duket se për shumë shkencëtarë është një prej mjeteve kryesorë për ta parandaluar shpërhapjen e virusit?

Në situatën e konfuzionit babelian të gjuhëve që na karakterizon, secila kategori këmbëngul në arsyet e veta specifike, pa i marrë parasysh arsyet e të tjerëve. Për virologun armiku që duhet luftuar është virusi; për mjekët, objektiv është shërimi; për qeverinë bëhet fjalë për mbajtjen e situatës nën kontroll, e unë bëj të njëjtën gjë kur kërkoj që çmimi që duhet paguar për këto nuk duhet të jetë shumë i lartë. Në Evropë ka pasur epidemi shumë më të rënda, por askujt nuk i ka shkuar në mendje të deklarojë gjendje të jashtëzakonshme si kjo e Francës dhe e Italisë e cila praktikisht na ndalon të jetojmë. Po të merret parasysh se sëmundja ka prekur më pak se një në një mijë persona në Itali, shtrohet pyetja se çfarë mund të ndodhë nëse epidemia  përkeqësohet me të vërtetë. Frika është këshilltare e keqe dhe nuk besoj se shndërrimi i vendit në vend murtajor, ku secili e sheh tjetrin si mundësi për t´u infektuar do të ishte realisht zgjidhja e saktë. Logjika e rreme është gjithnjë e njëjta: ashtu siç përballë terrorizmit pohohej se liria që të mbrohej duhej kufizuar, ashtu edhe sot na thuhet se jeta që të mbrohet duhet pezulluar.

A po vendoset një gjendje e jashtëzakonshme e përhershme?

Epidemia po dëshmon qartësisht se gjendja e jashtëzakonshme, me të cilën qeveritë na kanë familjarizuar tash sa kohë, është shndërruar në konditë normale. Njerëzit janë mësuar kaq shumë të jetojnë në një gjendje krize të përhershme, sa që nuk duket se po e kuptojnë që jeta u është shndërruar në një kusht tërësisht biologjik dhe ka humbur jo vetëm dimensionin e saj politik, por edhe secilin dimension njerëzor. Një shoqëri e cila jeton një gjendje të jashtëzakonshme të përhershme nuk mund të jetë shoqëri e lirë. Jetojmë në një shoqëri që e ka sakrifikuar lirinë e vet për të ashtuquajturat «arsye sigurie», e kësisoj është dënuar të jetojë vazhdimisht në një gjendje frike e pasigurie.

Në ç´kuptim po përjetojmë një krizë politike?

Politika moderne është prej fillimit e deri në fund një biopolitikë, ku në fund fare ajo çka luhet është jeta biologjike si e tillë. Fakti i ri është se shëndeti është bërë detyrim juridik i cili duhet përmbushur me çdo kusht.

Pse problemi, sipas jush, nuk është sëmundja e rëndë, por kolapsi apo rrëzimi i secilës etikë që ajo ka shkaktuar?

Frika bën që të shpërfaqen shumë gjëra të cilat pretendojmë se nuk i shohim. E para është që tashmë shoqëria jonë nuk beson në asgjë tjetër, pos në jetën e zhveshur. Është e qartë, për mua, se italianët janë të gatshëm të sakrifikojnë praktikisht gjithçka, kushtet normale të jetës, marrëdhëniet shoqërore, punën, madje edhe miqësitë, ndjenjat e bindjet politike e religjioze, përballë rrezikut të infektimit. Jeta e zhveshur nuk është gjë tjetër për njerëzit, pos ajo që i verbëron e i ndan. E kësisoj qeniet njerëzore, ashtu si në rastin e murtajës së përshkruar prej Manzoni-t në romanin e tij «Të fejuarit», nuk janë asgjë më tepër se agjentë të ngjitjes së sëmundjes, prej të cilëve duhet të mbahet të paktën një metër e gjysmë distancë, dhe të burgosen nëse qarkullojnë të shkujdesur. Madje edhe të vdekurit – e kjo është me të vërtetë barbare – nuk kanë tash të drejtë për një funeral dhe nuk është e qartë çka ndodh me kufomat e tyre.

I afërmi ynë tash nuk ekziston më, dhe është me të vërtetë e tmerrshme që dy religjionet të cilat mbretërojnë në perëndim, krishtërimi dhe kapitalizmi, feja e Krishtit dhe feja e parasë, qëndrojnë në heshtje. Çfarë ndodh me marrëdhëniet njerëzore në një vend i cili mësohet të jetojë në kushte të tilla? Çfarë shoqërie është ajo e cila nuk beson në asgjë më shumë se mbijetesa?

Është një spektakël vërtet i trishtë të shohësh një shoqëri të tërë e cila përballë një rreziku, për më tepër të paqartë, po i likuidon masivisht gjithë vlerat e saj etike dhe politike. Kur e gjitha kjo të mbarojë, unë e di se nuk do të mund të rikthehet gjendja normale.

Si besoni se do të jetë bota pas kësaj?

Ajo që më shqetëson nuk është thjesht e tashmja, por edhe ajo që do të vijë më vonë. Ashtu si luftërat të cilat i kanë lënë trashëgimi paqes një sërë teknologjish të poshtra, po njësoj është e mundshme se do të kërkohet vazhdimi, edhe pas fundit të epidemisë, i emergjencës shëndetësore e i eksperimentëve që qeveritë nuk kanë arritur t´i kryejnë tërësisht: që universitetet dhe shkollat të vazhdojnë të mbyllura dhe leksionet të vazhdojnë vetëm online, që të heqim dorë prej tubimeve ku mund të flitet për çështje politike e kulturore, dhe të komunikojmë vetëm me mesazhe digjitale, që për aq sa është e mundshme makinat të zëvendësojnë çdo takim – çdo ngjitje – mes qenieve njerëzore.

Përktheu nga frëngjishtja Arbër Zaimi