(Intervistë me Celia Miralles Buil, historiane në Universitetin e Lisbonës, dhe anëtare e Rrjetit të Studimeve mbi Karantinën. Botuar në 15 mars 2020. Pyetjet i ka shtruar Joseph Confavreux)

Kur ka lindur praktika e karantinës?

Vështirë është të caktojmë datën se kur ka filluar izolimi i personave për arsye mjekësore. Por dimë se infrastruktuën e parë ad hoc për të ndarë disa persona prej pjesës tjetër të popullatës, e kanë ndërtuar për lebrozët. Konsiderohet se karantina e parë e Evropës është bërë në vitin 1377, në portin e Raguzës, Dubrovnikut të sotmë, për shkak të një kolere. Sa i përket lazaretit dmth. ndërtesës së ndërtuar specifikisht për karantina, e para e tillë u ndërtua në Republikën e Venedikut, në vitin 1423, në ishullin e Shën Mërisë së Nazaretit. Kjo ndërtesë e përhershme që u caktua për të pritur udhëtarët që dyshoheshin mos kishin kolerën, u imitua shumë shpejt prej shumë qyteteve të tjera mesdhetare. 

Si vendoset për karantinat?

Në shek. XIX e XX mund të dallojmë dy lloje karantinash. Së pari, prej fillimit të epokës bashkëkohore janë ato preventive, ose permanente. Në to mbyllen gjithë udhëtarët që vijnë prej një territori të konsideruar si të infektuar, apo që dyshohet se është i tillë. Mbyllen në karantina preventive prej autoriteteve lokale, për të evituar shpërthimin e ndonjë epidemie të mundshme. Vendimin për këtë lloj karantine e marrin shërbimet shëndetësore të porteve, sipas informatave që kanë sa i përket gjendjes shëndetësore të vendit nga vjen anija, apo të ekuipazhit të anijes, etj. Këto karantina duhen dalluar prej atyre që ndodhin në momente krize, në momente të ndonjë epidemie të fortë që përpiqemi ta vëmë në kontroll përmes tyre.

Konkretisht janë autoritetet ato që vendosin për karantinat, por mund të ketë divergjenca apo konflikte mes tyre. Psh. gjatë kolerës së fundit të madhe evropiane, asaj të Portos në vitin 1899, autoritetet lokale u vonuan në reagimin e tyre. As autoritetet nacionale nuk ishin kushedi sa reaguese, mirëpo si përfundim e kuptuan përmasën e krizës, dhe dërguan ushtrinë që të krijonin një kordon sanitar. Në ishujt Baleare gjatë shek. XIX shumë shpesh kanë qenë pushtetet lokale ato që kanë vendosur dhe kanë financuar karantinat e kordonët sanitare, dhe jo autoritetet qendrore spanjolle.

Më së shpeshti, momentet e epidemive e karantinave janë shënuar prej një rritjeje të pushtetit ushtarak, dhe mjekëve lokalë rrallë herë u është dëgjuar fjala sa i përket vendimmarrjeve të mëdha për administrimin e popullatës.

Megjithatë nga fundi i shek. XIX, zbulimi i bakteriologjisë ndërroi kontekstin shkencor dhe i dha më shumë peshë fjalës së mjekëve. Deri në atë kohë kishim një kundërvënie të fortë mes dy teorive, ajo kontagjioniste, e cila ende nuk i njohte mikrobet dhe e përqendronte veprimin e saj te izolimi i personave, dhe ajo miazmatike, anti-kontagjioniste, që mendonte se shkaqet e sëmundjeve së pari duhet të kërkohen te ajri dhe mjedisi ku dikush rri. Konkretisht, autoritetet përdornin këto dy teori në funksion të vendimeve që merrnin përballë epidemive. 

Vetëkufizimet bashkëkohore herë bëhen vullnetarisht, herë me detyrim. A ka qenë gjithnjë kështu?

Gjithnjë ka pasur udhëzime për praktikat e mira që duhen ndjekur dhe për gjestet e gabuara që duhen shmangur. Gjithnjë, në kohë epidemish, i është bërë thirrje vullnetit të mirë të popullatave, e këtu përfshihet kërkesa nga ana e shtetit që edhe civilët të marrin pjesë në zbatimin e karantinave, siç e kemi parë kësaj radhe në Kinë. Në shek. XIX, në ishujt Baleare të cilat janë shumë të ekspozuara ndaj epidemive, nuk ka patur mjaftueshëm ushtarë për të formuar kordonet sanitare, kështu që i është kërkuar banorëve të marrin pjesë në ruajtjen e rrugëve. Në ishujt Azore, në fillim të shek. XX, raportohen shumë raste ku banorët, pasi mësonin që ka rënë kolera në një fshat apo në një tjetër, vetë shkonin dhe i bllokonin hyrje-daljet prej atij fshat. Zelli i tyre i tepruar është kritikuar shumë asokohe, prej mjekëve e prej autoriteteve. 

Historia tregin se gjithnjë ka ekzistuar kjo dialektikë, mes respektimit të udhëzimeve dhe teprimit me to. Edhe pas kolerës së Portos, në 1899, shumë qytetarë gjykonin se autoritetet e Lisbonës kishin aplikuar një karantinë tepër strikte, ndërsa pati portugezë të tjerë që vlerësonin se ajo nuk ishte e mjaftueshme.

Por sistemi di të jetë edhe tepër shtypës. Pas kolerës së Marsejës, e cila vrau më se 100.000 viktima në 1720, e që u shkaktua për shkak të një deklarate të rrejshme nga një kapiten i një anijeje, filluan të dënonin me vdekje çdo person që shkelte ligjet. Ashpërsia e masave të izolimit rritet bashkë me përmasat e krizës, sidomos nëse hyjnë në fuqi kordonet sanitare ushtarake, të cilat kanë për detyrë të pengojnë gjithë komunikimin mes zonave të infektuara dhe atyre të shëndosha. 

Ju tregoni se me fillimin e shek. XX, ka patur përpjekje që të kufizohet praktika e karantinës…

Duke nisur prej fundit të shek XIX, logjika e karantinës filloi të kritikohej me forcë, kryesisht për shkak se bllokon tregtinë dhe ekonominë. Anglia, e cila ishte partizane e teorisë anti-kontagjioniste, i priu përpjekjeve për të zhvilluar zgjidhje të tjera përballë epidemive.

Në shek. XX, me zhvillimin e bakteriologjisë, nisi të kuptohen më mirë shkaqet e epidemive, dhe u mundësuan veprime të tjera: testime bakteriologjike, dezinfektime, karantina më të shënjestruara, e duke filluar prej viteve 1940, masivizimi i vaksinave… Kjo lejon që të mos mbyllen njerëzit, apo që të dalin shumë më shpejt, që të mos ndalet tregtia. Edhe lazaretët, ndërtesat e dedikuara për karantinë, dolën jashtë përdorimi në fillim të shek. XX. Hera e fundit që është përdorur lazareti i Lisbonës, ka qenë në 1918, në kohën e gripit spanjoll, por prej atëherë praktikisht është rrënuar prej mospërdorimit.

Pse kjo masë parandaluese që konsiston në bllokimin e njerëzve e mallrave të infektuara, është aplikuar në mënyrë jo të barabartë në vende të ndryshme. Si mund të shpjegohen politikat e ndryshme të një vendi si Italia, e cila ka kufizuar gjithë popullsinë e saj, në krahasim me Korenë e Jugut, ku nuk janë bërë kufizime të tilla.

Në shek. XIX ka patur dallime të rëndësishme në mënyrën se si janë trajtuar karantinat në veri e në jug të Evropës. Kjo lidhet sidomos me faktin se anglezët apo francezët mendonin se këto sëmundje vinin nga jugu, apo nga lindja. Kështu ndodhi me rastin e kolerës: pas epidemisë të 1865, autoritetet shëndetësore u bindën se rreziqet më të mëdha vinin prej haxhilerëve që ktheheshin nga Meka, të cilët atje kontaktonin myslimanë të tjerë, të cilët vinin nga vende të infektuara, sidomos nga India. Kështu që, u përqendrua vëmendja te kjo pjesë e popullsisë, dhe u caktuan disa zona ku i mbyllën dhe aplikuan masa të ashpra karantine gjatë kthimit të tyre.

Sa i përket momentit bashkëkohor, mund të shtrojmë hipotezën se mbamendja i rrezikut nuk është i njëjtë kudo. Nëse Kina apo Peruja e marrin shumë seriozisht këtë gjë, kjo ndodh sepse këto vende kanë patur disa epidemi në kohë më të afërta, dhe popullsia e autoritetet e mbajnë mend atë. A është ndoshta mbamendja institucionale dhe historike e karantinave shumë të ashpra që ka njohur Italia, ajo që shpjegon reagimin e këtij vendi përballë virusit korona? Është e mundshme…

A ka raste rezistence ndaj karantinës?

Po, ka patur shumë individë, dhe ka patur raste që kanë shtënë me pushkë mbi ata që kanë shkelur masat. Gjatë kolerës së Portos u zhvillua një rezistencë e madhe sidomos te elitat tregtare, të cilat mendonin që masat e marra ishin një pengesë e madhe ekonomike për Lisbonën. Mirëpo ata që rezistonin dhe nuk zbatonin masat e izolimit, më shpesh ishin kontrabandistë apo njerëz që arratiseshin… Në fillim të shek. XX gjendja e lazaretëve ishte e tillë që nuk mund t´i ndalte njerëzit që donin të iknin, dhe disa prej tyre largoheshin lehtë e më pas i gjenin në qytete.

Epidemitë historikisht janë perceptuar si fshikuj të dërguar prej Zotit. A e prekin ato në të njëjtën mënyrë edhe botën e shekullarizuar?

Ideja se epidemitë janë një fshikull hyjnor filloi të modifikohet me nisjen e epokës moderne, dhe më duket se është zhdukur tërësisht në shek. XIX, me zhvillimin e shkencës që i themi moderne. Kritika ndaj autoriteteve filloi të marrë një vend më të madh, duke e tejkaluar perceptimin e një fataliteti të ardhur prej qiellit. Termi fshikull, bashkë me kuptimet e veta religjioze, mbetet i lidhur me murtajën mirëpo nuk e gjejmë që është përdorur edhe aq për kolerën apo për ethet e verdha, të cilat në shek. XIX ia zunë vendin murtajës, që u bë më pak e përhapur, sidomos në Evropë.

A mund t´i vlerësojmë cilat kanë qenë pasojat kryesore të epidemive të mëdha të historisë? Rritja e kontrollit shoqëror? Përmirësimet shëndetësore?

Përveç numrit të shtuar të vdekjeve e të të sëmurëve, pjesa më e madhe e epidemive të mëdha kanë prodhuar një ristrukturim tërësor të sistemeve shëndetësore. Kolera e Portos, në vitin 1899 prodhoi një rimendim total të sistemit shëndetësor portugez duke e rinovuar në hap me kohën, gjë që më vonë u vlerësua shumë edhe nga vendet e tjera. Në 1901, një rregullore e re e shëndetësisë, bashkë me një kapitull kushtuar porteve, hyri në fuqi. Në të deklarohej fundi i lazaretit, si dhe themelimi i vendeve të dezinfektimit, ku do të mund të futeshin udhëtarët në vend që të liheshin nëpër anije. Ajo rregullore bazohej mbi analizat bakteriologjike, mbi opinionin mjekësor që nxirrej prej vëzhgimeve disaditore, etj.

Është vështirë të dihet se a janë epidemitë rasti për të marrë masa të reja kontrolli shoqëror, por është e sigurt se ato janë rasti për përdorimin, eksperimentimin dhe eventualisht plotësimin e masave të kontrollit të popullatës që janë ekzistuese. Sigurisht, ato rrisin peshën e ushtrisë, që shpesh është institucioni i vetëm i aftë për të administruar kriza të tilla.

Filozofi Michel Foucault shkruan se administrimi me karantinë i epidemive të murtajave e kolerave në fund të shek. XVII janë në themel të shoqërive disiplinuese. Një logjikë të cilën ai ia kundërvë administrimit të një tjetër epidemie, asaj të lebrës, e cila bazohej mbi përjashtimin e një grupi të tërë. A ju duket se qëndron kjo kundërvënie?

Kuptohet se karantina është bartëse e një logjike të përqendruar te personat, te individët. Shumë lazaretë e ilustrojnë në mënyrë perfekte hapësirën e kontrollit të përshkruar nga Foucault, siç është panoptikoni, ai lloj arkitekture që i lejon mbikqyrësve të shohin gjithçka. Kontrolli është individual, e sidomos me bakteriologjinë e cila e precizon edhe më shumë shënjestrën e veprimit. Thënë kjo, nuk e di se a mund të flasim për një sipërmarrje e cila synon vërtet «disiplinimin» e të sëmurëve të prekur prej epidemive, siç ka qenë rasti psh. i të sëmurëve me tuberkuloz, të cilët rrinin për një kohë të gjatë të shtryar, pra të kontrolluar, në sanatoriume. Prej kolerës e murtajës vdiset shumë shpejt, nuk ka kohë për disiplinim. E pastaj, ka një dallim mes logjikës së urgjencës dhe asaj të parandalimit, edhe pse masat kufizuese mund të jenë të njëjtat.

Tensioni që ndjejmë tash, mes udhëzimit që të mos ndjejmë shumë panik, e atij tjetrit që të mos bëjmë sikur s´ka ndodhur asgjë, a dallohet edhe në momentet e tjera historike?

Kjo ide, që njerëzit duhet të gjejnë sidomos mënyrën që të mos bien në panik, është prezente në gjithë historinë e epidemive. Gjithnjë kërkohet të vetëdijësohemi për llojin e rrezikut, por mbi të gjitha pa kaluar në marëzi. Në arkiva gjejmë raste ku është preferuar që të varrosen të vdekurit në varrezën e vjetër të lazaretit, e cila ndoshta s´ka qenë e përshtatshme, për të mos marrë rrezikun e përhapjes së panikut duke i transportuar kufomat në mes të qytetit.

A mund të dihet se a shkaktonin epidemitë në radhë të parë solidaritet, apo refleksin «secili për vete»?

Arkivat tregojnë që ka patur nga të gjitha rastet. Që prej rasteve të ndihmës së ndërsjelltë, sidomos asaj për ushqime, e deri te demonstrime solidariteti… Por ka pasur edhe raste të mentalitetit «të shpëtojë kush të mundet» dhe «secili për vete».

Çfarë mund të na mësojnë karantinat më bashkëkohore, psh. administrimi i ebolas në 2014?

Na mësojnë se ka vazhdimësi historike mes epidemive dhe mënyrave se si i administrojmë e i luftojmë ato, por ka edhe dallime shumë të mëdha mes sistemeve të shëndetësisë. Ebola ka qenë e frikshme nga këndvështrimi njerëzor, sidomos për faktin se sistemet shëndetësore shpesh ishin të papajisura për t´u përballur me të, edhe pse ai virus u izolua shpejt. Ebola ngjalli një kritikë e cila ende vazhdon, kundër logjikës së karantinës e cila mbyll së bashku njerëz të shëndoshë e njerëz të sëmurë. E pamë atë logjikë edhe në rastin e anijes kruazierë në brigjet e Japonisë, ku për shkak të pranisë të disa rasteve të identifikuara, iu ndalua dalja të gjithë udhëtarëve. Është ky principi i karanginës, për të mbrojtur disa njerëz, kufizojmë lirinë e disa të tjerëve.

Përktheu nga frengjishtja Arbër Zaimi