(Ky shkrim është botuar në 12 mars 2020)

Në shekullin e pestë p.e.s dramaturgu Sofokli e nis tragjedinë «Œdipus Tyrannos» (Edipi mbret) me personazhin titullues, teksa ai përpiqet të kuptojë shkakun e një epidemie që ka pllakosur qytetin e tij, Tebën. (Po ua tregoj qysh tash: shkak është sundimi i keq nga ana e tij).

Si person që shkruan për poezinë e hershme greke, kaloj shumë kohë duke menduar se pse të performuarit e kësaj tragjedie ka qenë diçka kaq e rëndësishme në jetën e asaj kohe. Një përgjigje është se performimi i epikës e i tragjedisë i ndihmonin rrëfimtarët dhe publikun e tyre që të gjenin një kuptim për vuajtjen e njerëzimit.

Nga kjo perspektivë epidemitë shërbejnë si një skenë teatrore për një temë edhe më të rëndësishme për mitologjinë e moçme: inteligjencën e një udhëheqësi. Në fillim të «Iliadës» psh. shortari Kalkant – i cili e di shkakun e një epidemie nëntë ditore – lëvdohet si një njeri që «di çfarë është, çfarë do të jetë dhe çfarë ka qenë».

Kjo gjuhë i paraprin njërës prej kritikave kryesore ndaj mbretit legjendar homerik, Agamemnonit: Ai nuk e di «të shkuarën dhe të ardhmen».

Këto epe ia përkujtojnë publikut të tyre se sundimtarët duhet të jenë të aftë të planifikojnë për të ardhmen duke u bazuar tek ajo çka ka ndodhur në të shkuarën. Ata medoemos duhet të kuptojnë ç´është shkaku e pasoja. Çfarë e shkaktoi epideminë? A mund të ishte parandaluar?

Moskokëçarja e njerëzve

Mitet e ndihmojnë publikun e tyre që të kuptojë shkaqet e gjërave. Siç kanë vënë në dukje teoricienët e rrëfimit, si Mark Turner, apo specialistët e të kujtuarit, si Charles Fernyhough, njerëzit mësojnë se si të sillen prej përrallave dhe koncepteve të shkakut e pasojës që i dëgjojnë në fëmijëri. Vijimësia lineare mes të shkuarës, të tashmes e të ardhmes komunikon marrëdhënien mes gjërave dhe mënyrën se si ne, si qenie njerëzore, e kuptojmë përgjegjësinë tonë në këtë botë.

Rrëfimet me epidemi ndërtojnë një skenë ku fati e çon deri në zgrip organizimin njerëzor. Sundimtarët, udhëheqësit, janë gjithnjë pikë kyçe në linjën shkakësore, siç vë re Zeusi tek «Odiseja» e Homerit, duke thënë: «Njerëzit gjithnjë për vuajtjet e veta fajësojnë hyjnitë / por dhimbje pësojnë më shumë se ç´u është shkruar, për shkak të moskokëçarjes së vet».

Problemet që krijojnë vetë njerëzit shkojnë shumë përtej epidemive: Poeti, Hesiodi, shkruan se kryehyu i grekëve, Zeusi, e tregon mospëlqimin e vet për sundimtarët e këqij duke i ndëshkuar ata me dështime ushtarake e me epidemi. Pasojat e dështimeve njerëzore janë një refren i zakonshëm në kritikat që u bëheshin sundimtarëve në lashtësi, me apo pa epidemi: «Iliada» psh. përshkruan sundimtarë që «me moskokëçarjen e tyre shkatërrojnë popullin e vet». Ndërsa te Odiseja e njëjta gjë thuhet me fjalë të tjera «barinjtë e këqinj prishin tufat e tyre».

Sëmundjet shkatërruese

Epidemitë ishin të zakonshme në botën e lashtësisë, por jo për të gjitha fajësoheshin sundimtarët. Si me çdo katastrofë natyrore, shpesh ato u faturoheshin zotave.

Por historianë si Polibi në shek. II p.e.s. dhe Livi në shek. I p.e.s. na tregojnë se si shumë shpesh epidemitë goditnin ushtritë apo njerëzit kur jetonin pranë kënetave, apo në qytete pa kushte higjienike. Filozofët dhe mjekët kërkonin arsye racionale – e shpesh ia vinin fajin klimës, apo ndotjes.

Kur historiani, Tuqididi, tregonte se si një epidemi që mendohej se e kishte origjinën në Etiopi pllakosi Athinën në vitin 430 p.e.s., ai përshkruante me shumë detaje se si pacientët vuanin nga ethe të befta me temperaturë të lartë, probleme në frymëmarrje dhe një sërë sekrecionesh të sëmura. Ata që i mbijetuan asaj sëmundjeje kapërcyen në ethe aq të rënda, sa që shumë prej tyre nuk mund as t´i mbanin mend. 

Athina si shtet ishte e papërgatitur për t´i bërë ballë sfidës së asaj epidemie. Tuqididi përshkruan kotësinë e secilës përgjigje njerëzore: Lutjet hyjnive dhe puna e mjekëve – të cilët vdiqën masivisht – të dyja dolën njësoj të kota. Sëmundja vrau shumë njerëz sepse athinasit ishin mbyllur brenda mureve të qytetit për t´u rezistuar ushtrive spartane gjatë Luftës së Peloponezit.

Megjithatë, pavarësisht natyrës së tmerrshme të epidemisë, Tuqididi këmbëngul se pjesa më e keqe ishte dëshpërimi që njerëzit ndjenin për shkak të frikës, si dhe «tmerri kur shihnin njerëzit që vdisnin si berra».

Njerëzit e sëmurë vdiqën nga mungesa e përkujdesjes, nga mungesa e strehimit të duhur dhe nga sëmundja që shpërndahej prej varrimeve shkel e shko, brenda mureve të një qyteti që nuk ishte bërë gati për epideminë, e që tashmë ishte i stërmbushur me njerëz. Epidemia u pasua prej plaçkitjeve dhe prej rënies së ligjit.

Athina, e cila kishte ndërtuar mure që të mbrohej prej armiqve, u zu brenda tyre dhe rrënoi veten.

T´u japësh kuptim gabimeve njerëzore

Emrat e atyre të shumtëve që vdiqën nga epidemia nuk janë shënuar në librat e rrëfimeve mbi epideminë. Homeri, Sofokliu, Tuqididi, na tregojnë se masat vdiqën. Por epidemitë në rrëfimet e moçme janë zakonisht fillimi, jo fundi i rrëfimit. Epidemia nuk e ndali Luftën e Trojës, nuk i ndali bijtë e Edipit të ndiznin një luftë civile, e as nuk i dha arsye të mjaftueshme athinasve që të kërkonin paqe.

Për vite me radhë pas shkatërrimit që solli epidemia, Athina vazhdoi të vuante prej luftës së brendshme, politikës toksike dhe sundimtarëve egoistë. Politika populiste shpuri deri te ekspedita shkatërrimtare në Siqeli, në vitin 415 p.e.s., ku vdiqën mijëra athinas – e megjithatë Athina mbijetoi.

Një dekadë më vonë athinasit prapë u ndanë në fraksione civile dhe i dënuan në gjyqe gjeneralët e tyre të cilët kishin fituar betejën detare në Argjinusë, në vitin 406 p.e.s. Në vitin 404 p.e.s., pas një rrethimi, Sparta e mposhti Athinën. Por, siç mësojmë prej miteve greke, në fakt ishin sërish populli dhe sundimtarët e Athinës ata që mposhtën vetveten.

Përktheu nga anglishtja Arbër Zaimi