(Ky shkrim u botua në 18 mars 2020)

Eurogrupi, forumi i ministrave të financës të vendeve të eurozonës po ka vështirësi për t´u marrë vesh për një përgjigje fiskale të koordinuar që të jetë domethënëse makroekonomikisht përballë efekteve të stërmëdha recesionare të pandemisë së COVID-19. Si rezultat, kam frikë, do të kemi shpallje heroike, që kumtojnë numra mbresëlënës, me të cilët do të maskohet mungesa e efikasitetit dhe pavendosmëria e politikave që do të ndërmerren.

Treguesi i parë në këtë drejtim vjen prej shpalljes nga ana e qeverisë gjermane të pakos së ndihmës financiare për sektorin privat. Ndërkohë që media ndërkombëtare tha se bëhej fjalë për një predhë prej 550 miliard eurosh (600 miliard dollarësh), shqyrtimi më i hollësishëm tregon se nuk është hiçgjë më shumë se një revole me ujë.

Me shtyrjen e pagesës së taksave dhe të kredive, pakoja gjermane na tregon se natyra e krizës është keqkuptuar seriozisht. Është i njëjti keqkuptim që ndezi krizën e euros një dekadë më parë. Tash, njësoj si atëherë, kompanitë dhe ekonomitë familjare, nuk kanë problem mungesën e likuiditetit, por mungesën e solvencës. Për të ndalur krizën qeveritë duhet të angazhohen «all in» me ekspansion të fortë fiskal. Por pakoja gjermane ka për synim pikërisht shmangien e kësaj.

Ministrat e financave nga vendet që po kalojnë probleme ekonomike më të thella se ato të Gjermanisë (psh. Italia e Greqia), pa dyshim se do të përpiqen që të shtyjnë për zgjerimin fiskal të domosdoshëm. Por ata do të përplasen me murin e palëvizshëm të ngritur prej ministrit të financave të Gjermanisë dhe mbështetësve të tij besnikë brenda eurogrupit. Kështu që, pa kaluar shumë kohë, «jugorët» do të tërhiqen e pajtimi i tyre do të vulosë edhe një tjetër pako pa domethënie fiskale, e imponuar prej recesionit që po vjen.

Nga e di unë këtë gjë? Sepse kam qenë aty. E kam përfaqësuar Greqinë në mbledhjet e eurogrupit në vitin 2015, kur ndodhi thyerja e përpjekjes së dëshpëruar të qeverisë sonë për të shmangur borxhe të reja që do të çonin në recesion edhe më të thellë. Mënyra metodike me të cilën ato mbledhje të eurogrupit mbyllnin çdo shteg për debat racional mbi politikat e duhura fiskale, është kyç për të kuptuar se pse eurogrupi edhe kësaj radhe do të dështojë në krijimin e një mbrojtjeje efikase fiskale përballë tronditjes së ardhur nga pandemia.

Një vëzhgim interesant prej atyre mbledhjeve të rëndësishme të eurogrupit pesë vite më parë: secili ministër finance prej ndonjë vendi që po kalon vështirësi, i cili guxon të kundërshtojë linjën e Berlinit apo guxon të propozojë zgjidhje që do t´i leverdisnin shumicës së evropianëve e jo sektorit financiar, nuk do t´i ketë punët lehtë.

Unë i pata shumë vështirë. Secili që i dëgjon regjistrimet e takimeve të gjata të eurogrupit në vitin 2015, të cilat tash janë të hapura lirisht për publikun, do të mund të dëgjojë se si presidenti i eurogrupit kërcënon se do t´i japë fund negociatave nëse unë do të guxoja të vendosja në tavolinë propozime të shkruara të cilat Gjermania nuk dëshironte që të diskutoheshin (dhe pas takimeve dilte në konferencë për media ku thoshte se unë kisha shkuar në takim «duarbosh»).

Pastaj ishte edhe kryetari i fondit bail-out të Evropës – Mekanizmit Evropian të Stabilitetit – i cili më akuzonte se po e vrisja shumë mendjen për borxhin e familjeve, dhe shumë pak për kapitalizimin e bankave (tashmë të falimentuara). E le të mos harrojmë ministrin e financave të Gjermanisë, Wolfgang Schäuble, i cili kërkonte që të mbeteshin për buxhetin e gjermanisë – «buxhetin tim» siç e quante ai – fitimet e Bankës Qendrore Evropiane prej tregtimit të bonove greke. BE-ja kishte rënë dakord që këto para duhej t´i ktheheshin Greqisë; por në fund Schäuble arriti atë që donte, i mbajti ato para në buxhetin e Gjermanisë.

Gjatë gjithë kohës ministrat nga Evropa veriore kërcënonin me përjashtim të Greqisë prej eurozonës, ose me një Plan B (një monedhë alternative për Greqinë), që të më detyronin të pranoja më shumë borxhe. Në vend që të ofronin lehtësim e ristrukturim realist të borxhit, na kërcënuan me ultimatume «merre ose lëre», dhe me një listë të gjatë katastrofash që do i binin mbi supe popullit tonë nëse nuk merrnim hua të tjera e nëse nuk pranonim nivele qesharake të politikave të austeritetit, të cilat garantonin që Greqia nuk do të ishte kurrë e aftë të shlyente borxhet.

Takimet e eurogruput në 2015 i ofrojnë dëgjuesve një karrike në rreshtin e parë si spektatorë të atij sporti gjakësor që është pushteti i pakufizuar. Gjithçka gjen aty: vendime të rëndësishme që merren pa e vrarë mendjen se ç´thotë shkenca apo matematika e thjeshtë. Shtrydhje e më të dobëtve deri sa ata të dorëzohen. Vjedhje e maskuar fare lehtësisht. Lajme të rrejshme që nxiten kundër atyre që guxojnë të rezistojnë. Dhe së fundmi, por jo më pak e rëndë, përbuzje për transparencën e për kontrollet e ekilibrat e tjerë që janë thelbësore për çdo demokraci.

Nuk është rastësi që këto tema edhe sot janë kaq mbizotëruese në perëndim. Takimi i eurogrupit në vitin 2015 ishte, marr guximin të shprehem kështu, fusha ku u mund demokracia evropiane, gjë që jehoi më vonë jo vetëm në Evropë por edhe në Amerikë e gjetiu. Brenda më pak se një viti Brexit-i dhe mundësia e fitores së Donald Trump-it nuk ishin më thjesht hipoteza zbavitëse. Praktikat për të cilat establishmenti liberal sot ankohet e qaravitet, ishin tashmë të shpërfaqura në ato takime të eurogrupit – i njëjti institucion që sot po merr vendime për përgjigjjet përmes politikës fiskale ndaj recesionit të virusit korona.

Euroskeptikët, qofshin jashtë BE-së, si Trump-i dhe presidenti rus Putin-i, apo brenda si Orbán-i i Hungarisë, Salvini i Italisë, Le Pen-ja e Francës do të marrin zemër prej publikimit të transkripteve të eurogrupit nga viti 2015. Mirëpo publikimi i tyre është në interes të evropianizmit. T´u tregohet qytetarëve se si është procesi vendimmarrës në BE, me gjithë problemet e veta, është parakusht për fuqizimin e demokratëve që duhet ta shpëtojnë BE-në duke marrë në kontroll institucionet tona.

Evropianët nuk janë budallenj. Edhe nëse nuk e dinë saktësisht se çfarë po ndodh pës dyerve të mbyllura të trupave vendimmarrëse të Evropës, ata mund ta ndjejnë se vendimet që dalin prej aty nuk po i përdorin burimet ekzistuese në interes të shumicës së evropianëve, nga shumica e vendeve anëtare.

E kemi për detyrë t´u tregojmë qytetarëve se si, edhe në demokracitë tona liberale, vendimet merren zakonisht në emër të tyre, kundër interesave të tyre, pa dijeninë e tyre, prej funksionarësh që e urrejnë demokracinë edhe pse pretendojnë që e mbrojnë atë. 

Nëse nuk arrijmë ta bëjmë këtë, vendimet e BE-së (sidomos gjatë pandemisë) sa i përket politikave fiskale, investimit mjedisor, shëndetësisë, arsimit dhe politikave të mërgimit, detyrimisht do të jenë po aq jo-efikasë sa ato që e zmadhuan krizën e euros dhjetë vite më parë. Atëherë do të përfitojnë vetëm ata që duan t´i shkatërrojnë institucionet e përbashkëta, si Trump-i, Putin-i, Orbán-i, Salvini e Le Pen-ja.