(Ky shkrim u botua në 12 mars 2020)

COVID-19 është fatkeqësia që po na troket në derë. Hulumtuesit po punojnë natë e ditë për të zbuluar karakteristikat e epidemisë, mirëpo po përballen me tre vështirësi të mëdha.

Së pari, mungesa e numrit të mjaftueshëm të mjeteve të testimit ka bërë që të humbim çdo shpresë se do të mund ta kontrollojmë këtë epidemi. Për më tepër, kjo mungesë na pamundëson që të kemi një vlerësim të qartë të parametrave kyç, siç është shkalla e riprodhimit të virusit, përmasa e popullatës së infektuar, dhe numrit të saktë të infeksioneve beninje. Si rezultat, kemi një kaos statistikor.

Ka megjithatë disa të dhëna më të sakta sa i përket impaktit të virusit, por vetëm për disa grupe shoqërore dhe vetëm në pak shtete. Këto të dhëna janë të frikshme. Në Itali e Britani psh. po raportohet një numër shumë më i madh vdekjesh te ata mbi 65 vjeç. Ajo që Trump-i e quajti «gripi korona» me nënvleftësim po del se është një rrezik që nuk e kemi parë kurrë, për popullatat gjeriatrike, dhe potencialin vdekjeprurës duket se e ka për miliona.

Së dyti, po ashtu siç ndodh në rastin e gripeve stinore, ky virus po pëson mutacione gjatë shpërndarjes së tij në popullata me përbërje moshore të ndryshme, e me imunitete të fituara po ashtu të ndryshme. Varietieti i virusit që ka gjasa të infektojë amerikanët, tashmë do të jetë pak më ndryshe se ai që infektoi banorët e Uhanit në Kinë. Mutacionet e mëtejshme mund të jenë problematike, ose mund ta ndryshojnë panoramën e virulencës aktuale, e cila rritet bashkë me moshën, se foshnjat e fëmijët tash për tash nuk duket se rrezikohen seriozisht, ndërsa ata mbi 80 vjeç përballen me rrezik vdekjeprurës prej pneumonisë virale. 

Së treti, edhe sikur virusi të rrijë i pandryshueshëm, apo të pësojë shumë pak mutacione, impakti i tij tek popullatat më të reja se 65 vjeç ka mundësi të jetë shumë më i ndryshëm në vendet e varfra, apo te shtresat e varfra shoqërore. Le të kemi parasysh rastin e gripit spanjoll në 1918-19, i cili vlerësohet se vrau 1 deri në 2% të njerëzimit. Ndryshe nga virusi korona, ai virus më së shumti vriste të rinjtë, dhe kjo është shpjeguar për shkak të sistemit të tyre më të fortë imunitar, i cili mbireagonte ndaj infeksionit dhe prodhonte «sulme me cytokinë» ndaj qelizave të mushkërive. Ai grip, i cili ishte edhe H1N1 i parë, terrenin më të përshtatshëm e gjeti në fushëbeteja e në llogore të luftës, ku kositi dhjetëra mijëra ushtarë të rinj. Dështimi i ofensivës së madhe gjermane në pranverën e 1918, që çoi në përfundimin e luftës, prej shumë historianëve shpjegohet me faktin se aleatët patën mundësinë të rimbushnin ushtritë e veta me trupa amerikane të sapoardhura, gjë që nuk ishte e mundur për gjermanët.

Megjithatë, rrallë vihet re se 60% e të vdekurve nga ajo epidemi, ndodhën në Indinë perëndimore. Atje, shpërthimi i sëmundjes koincidoi me eksportimin e dhunshëm të grurit drejt Britanisë, si dhe me një thatësirë të madhe. Mungesa e ushqimit që pasoi i çoi miliona të varfër deri në zgrip të urisë. Ata mbetën viktima të një sinergjie vdekjeprurëse mes kequshyerjes, e cila i kishte dobësuar sistemet e tyre imunitare në momentin kur do të duhej të ballafaqoheshin me infeksionin, dhe sëmundjes së pneumonisë bakteriale e virale. Në një rast tjetër, Irani i pushtuar prej britanikëve pësoi gërshetimin e thatësirës për disa vite me radhë, shpërthimit të kolerës, mungesës së ushqimeve, shpërthimit gjerësisht të malaries, gjëra që çuan në vdekjen e rreth një të pestës së popullsisë.

Kjo histori, sidomos ajo e pasojave të papritura të gërshetimit mes kequshqyerjes dhe infeksioneve ekzistuese, duhet të na paralajmërojë për kërcënimin dhe vdekshmërinë e shtuar që mund të paraqesë COVID-19 në periferitë e varfra të Afrikës apo Azisë Jugore. Rreziku që paraqet kjo pandemi për të varfërit në gjithë globin thuajse nuk është trajtuar fare prej gazetarëve dhe qeveritarëve perëndimorë. I vetmi artikull që unë kam gjetur në shtyp, ka qenë një që pretendonte se për shkak të faktit që popullata urbane e Afrikës Perëndimore është me moshën më të re në botë, atëherë impakti i pandemisë do të jetë shumë i vogël. Po të kemi parasysh përvojën e 1918, ky përfundim do të duhej të na dukej i marrë. Askush nuk mund ta dijë se çfarë do të ndodhë në javët në vijim në Lagos, Nairobi, Karaçi apo Kalkutë. E vetmja gjë e sigurt është se vendet e pasura e njerëzit e pasur do të fokusohen te shpëtimi i vetes, duke përjashtuar solidaritetin ndërkombëtar apo ndihmën mjekësore mes vendeve. Mure, jo vaksina: A mund të kishte formulë më të keqe për të ardhmen?

Ndoshta pas një viti do të jemi duke parë me admirim suksesin e Kinës për të kontrolluar pandeminë, por mund të jemi edhe duke parë më keqardhje dështimin e ShBA-ve (po tregohem ca i guximshëm me supozimin që deklaratat e Kinës për zvogëlimin e shpërndarjes janë pak a shumë të sakta). Paaftësia e institucioneve tona për ta mbajtur të mbyllur kutinë e Pandorës njihet, nuk përbën surprizë. Qysh prej vitit 2000 ne jemi mësuar të shohim në ShBA dështime të sistemit shëndetësor përballë vështirësive emergjente.

Psh. gjatë gripit stinor në vitin 1918 u stërmbushën spitalet në gjithë vendin, gjë që nxori në pah mungesën e madhe të shtretërve, shkaktuar prej shkurtimeve të bëra gjatë njëzet viteve, me synim rritjen e fitimit, që kishin çuar në zvogëlim të kapacitetit për shtrim të pacientëve (ky është versioni i menaxhimit «just in time» në sektorin e shëndetësisë private). Mbylljet e spitaleve private e atyre të bamirësisë, si dhe mungesa e infermierëve, që po ashtu vijnë si pasojë e logjikës së tregut, i ka rrënuar shërbimet shëndetësore në zonat më të varfra dhe në ato rurale, duke e transferuar barrën te spitalet publike të cilave prej kohësh u ka munguar mbështetja financiare. Kapacitetet për shërbime emergjente në këto institucione publike tashmë janë të pamjaftueshme për t´u përballur qoftë edhe me infeksionet stinore, kështu që si do të mund të përballen ato me shtimin e menjëhershëm të rasteve kritike?

Ne jemi në fazat e para të një uragani Katrina në sferën e mjekësisë. Edhe pse ka patur shumë paralajmërime gjatë viteve të shkuara, si psh. gripi i shpendëve apo pandemi të tjera, mjetet bazike spitalore për emergjenca të tilla, si psh. respiratorët, nuk mjaftojnë për t´i bërë ballë vërshimit të rasteve në kritike. Sindikatat e infermierëve në Kaliforni e në shtete të tjera po përpiqen që ne të gjithë të kuptojmë rreziqet e mëdha që u krijohen atyre prej mungesave të mjeteve mbrojtëse në magazina, siç janë psh. maskat e fytyrës. E edhe më të rrezikuar, për shkak se janë të padukshëm, janë qindra mijëra punonjësit e përkujdesjes shëndetësore shtëpiake, apo ata që punojnë nëpër azile pleqsh, të cilët punojnë me orë të gjata dhe paguhen keq.

Industria e përkujdesjes dhe asistencës shëndetësore në azile, ku shërbehen 2.5 milionë amerikanëve të moshuar – shumica syresh në programin Medicare – ka qenë skandal kombëtar prej një kohe të gjatë. Sipas «New York Times» rreth 380.000 pacientë të përkujdesjes shtëpiake vdesin përgjatë secilit vit, për shkak të pakujdesisë së punonjësve me procedurat e kontrollimit të infeksioneve. Shumë prej azileve, sidomos ato në shtetet jugore të ShBA-ve, mendojnë se u bie më lirë të paguajnë gjoba për shkeljet e protokolleve shëndetësore, se sa të punësojnë më shumë staf, apo t´u japin atyre trajnimin e domosdoshëm. Tash, siç na mëson rasti i Seatëllit, dhjetëra e ndoshta qindra azile rrezikojnë të bëhen qendra të shpërndarjes së infeksionit, dhe ka mundësi që punonjësit do të vendosin me plot të drejtë të mos shkojnë në punë, që të mbrojnë familjet e tyre prej infeksionit. Nësë ndodh kjo atëherë sistemi mund të kolapsojë, dhe vështirë të mendojmë se do të shkoje ushtria të ndërrojë pelenat e pleqve.

Shpërthimi i epidemisë ka shpërfaqur se sa i madh është dallimi klasor kur vjen puna te shërbimet shëndetësore: ata që kanë patur mundësi të paguajnë paketë të mirë sigurimesh shëndetësore janë të njëjtët që munden të punojnë edhe nga shtëpia, të vetëizoluar në rehati dhe larg rreziqeve, nëse ndjekin me kujdes udhëzimet. Nëpunësit publikë dhe grupe të tjera punëtorësh që mbrohen nga sindikatat e që kanë një farë mbulimi nga sigurimet shëndetësore, do të detyrohen të bëjnë zgjidhjen e vështirë midis pagës dhe sigurisë. Ndërsa miliona punëtorë me rroga të ulëta, ata të shërbimeve apo ata të fermave, të cilët punojnë pa sigurime shëndetësore e me kontrata afatshkurtra, do të flaken në rrugë. Edhe nëse Uashingtoni e zgjidh këtë çështjen e mungesës së mjeteve testuese, ata që janë pa sigurime shëndetësore do të duhet prapë se prapë të paguajnë mjekët apo spitalet që ta bëjnë testin. Kjo do të thotë se faturat familjare për shërbimet mjekësore do të fryhen shumë, në të njëjtën kohë kur miliona njerëz do të humbin vendin e punës e do të mbeten pa sigurime. A mund të ketë rast më urgjent e më të rëndë për të argumentuar në favor të shërbimit shëndetësor falas për të gjithë, «Medicare for All»?

Por mbulimi i gjithë popullatës me shërbim shëndetësor është veç një hap i parë. Është zhgënjyese, për të thënë më të voglën, fakti se gjatë debatit për zgjedhjet brendapartiake, as kandidati Sanders e as kandidatja Warren nuk e ka vënë në pah faktin se industritë e mëdha farmaceutike kanë hequr dorë prej hulumtimit dhe zhvillimit të antibiotikëve dhe antiviralëve të rinj. Nëse shohim 18 kompanitë më të mëdha farmaceutike, 15 prej tyre e kanë braktisur krejt këtë fushë. Përfitimin më të madh ato e gjejnë te mjekimet për zemrën, te qetësuesit të cilët prodhojnë varësi, te mjekimet e impotencës mashkullore etj. prandaj nuk merren më me prodhimin e mjeteve e mjekimeve mbrojtëse ndaj infeksioneve spitalore, ndaj sëmundjeve të reja apo ndaj mikrobeve tradicionalë tropikalë. Mjafton të themi se shkencërisht prej shumë vitesh tashmë është e mundshme të prodhohet një vaksinë universale për gripin – pra një vaksinë që shënjestron pjesët e pandryshueshme të sipërfaqjes proteinike të virusit – mirëpo kompanitë farmaceutike nuk e kanë financuar zhvillimin e saj, sepse kjo gjë nuk u sjell fitim.

Teksa po rritet rezistenca ndaj antibiotikëve, do të rishfaqen edhe sëmundjet e vjetra krah infektimeve të reja, dhe spitalet do të shndërrohen në katakomba. Ndonjëherë edhe Trump-i mund të qortojë çmimet e larta të barnave, në mënyrë oportuniste, mirëpo na duhet një vizion pak më i fortë, i cili është në gjendje të thyejë monopolet e kompanive të barnave dhe të zhvillojë barnat jetike për publikun e gjerë (kjo është e mundshme, ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur ushtria amerikane punësoi Jonas Salk-un dhe studiues të tjerë, e u dha detyrën që të zhvillojnë një vaksinë për gripin. Siç e kam shkruar para pesëmbëdhjetë vitesh në librin tim «Fatkeqësia te dera – rreziku global nga gripi i shpendëve»:

Barnat me rëndësi jetike për publikun, që përfshijnë vaksinat, antibiotikët dhe antiviralët, duhet të jenë një e drejtë njerëzore, dhe qasja ne to nuk duhet të kushtojë. Nëse tregu nuk gjen nxitje për të prodhuar me kosto të lirë barna të tilla, atëherë përgjegjësinë e prodhimit e të shpërndarjes duhet ta marrin qeveritë dhe organizatat jofitimprurëse. Mbijetesa e të varfërve duhet të ketë prioritet më të lartë se fitimet e kompanive të mëdha farmaceutike.

Pandemia aktuale e zgjeron këtë argument: globalizimi kapitalist tanimë duket se është biologjikisht i paqëndrueshëm, nëse mungon një infrastrukturë vërtet ndërkombëtare e shëndetësisë publike. Por një infrastrukturë e tillë nuk do jetë e mundshme deri në momentin kur lëvizjet popullore të arrijnë ta thyejnë pushtetin e kompanive të mëdha farmaceutike e atë të spitaleve private.

Përktheu nga anglishtja Arbër Zaimi