(Ky shkrim u botua në 12 mars 2020)

Teksa virusi korona, i njohur zyrtarisht si COVID-19, vazhdon pa u lodhur të shpërndajë tmerr nëpër botë, në aspektin intelektual ka provokuar edhe një debat të ri mbi (gjeo)politikën dhe degëzimet e lidhura, në termat e rivizatimit të kufirit mes sferës private e asaj publike, të fuqizimit të qeverisjes (lokale) mbi individët, të sjelljes së re të «distancimit shoqëror», të një «de-globalizimi» të mundshëm, e kështu me radhë.

Prej Kinës në Iran, Itali, Kore të Jugut, Singapor etj. miliona njerëz janë vendosur në vetëizolim, me dekret ose «vullnetarisht», dhe fshatra e qytete të tëra po përjetojnë realitetin e vështirë të të jetuarit në karantinë – deri në pikën sa disa, sidomos në Evropë, kanë bërë krahasime me murtajën e madhe të viteve 1300, e cila fshiu nga faqja e dheut 60% të popullatës së atij kontinenti.

Gjasat janë, megjithatë, që për shkak të avancimeve në teknologjinë mjekësore, mundësisë më të madhe për të gjetur një vaksinë, masave parandaluese si karantina dhe «vetë-izolimi», e kështu me radhë, parashikimet e trishta si ajo e reflektuar në një studim të ri të Harvardit, të mos realizohen dhe që kjo pandemi të mos marrë miliona jetë, siç kanë frikë këto studime.

Me pasigurinë e madhe që po rrethon trenin në dukje të pandalshëm të COVID-19, mbetet të shihet se çfarë do të sjellë e ardhmja për ne, sidomos në dy muajt e ardhshëm që janë shumë të rëndësishëm. Por, nëse mund të përdoret rasti i Kinës për të bërë ndonjë parashikim, pra ajo që duket si suksesi i saj për të luftuar epideminë, nën përkujdesjen e udhëheqësit të vendit, atëherë mund të themi se ka gjasa të mira që pandemia të vihet nën kontroll herët a vonë, sidomos nëse vaksina do të prodhohet; e sa i përket kësaj, vlerësohet se mund të duhet një kohë prej disa muajsh e deri të një vit e gjysmë.

Ndërkohë është me vlerë të vendosim vëzhgimet e filozofit francez, Michel Foucault-së në praktikë, duek analizuar politikën globale të COVID-19 nën një perspektivë foucauld-iane. Siç dihet mirë, Foucault ka studiuar pasojat e murtajave e kolerave të mëdha në terma të kontrollit të popullsisë, centralizimit të pushtetit, de-individualizimit të qytetarëve dhe ndarjes së tyre në kategori «shkencore», gjë që ka rezultuar në disa efekte anësore që kanë të bëjnë me kontrollin «panopticist» të burgjeve dhe, bashkë me të, një mënyrë të re të mbikqyrjes që reflekton një modalitet të ri të operacionalizimit të pushtetit.

Në esenë e tij mbi Panoptikonin Foucault shkruante se «epidemia merr si përgjigjje rendin». Ngjashëm, mund të themi se pandemia e koronës po krijon një «rend të ri».

Cilat janë karakteristikat kryesore të këtij «rendi të ri»? Në këtë çast ne jemi ende shumë herët dhe drama ende është duke u shpalosur, ndaj nuk mund të nxjerrim përfundime të qëndrueshme, mirëpo ndoshta përfundimet provizore në vijim mund të vlejnë si përgjigje.

Së pari, ndërkohë që ka ndryshime të mëdha në strategjitë që shtetet e ndryshme po ndjekin për të luftuar COVID-19, në tërësi po vihet theksi te kufizimi i lirisë së lëvizjes, përmes ndalimit të udhëtimeve, mbylljes së kufijve, izolimit të fshatrave apo qyteteve e kështu me radhë, gjë që vë në pah një rritje eksponenciale të kontrollit qeveritar mbi jetët private, e kjo reflektohet edhe në masat gjithnjë e më të ashpra që po marrin qeveritë në nivel shtetëror apo lokal, duke deklaruar gjendje të jashtëzakonshme – e kjo karakterizohet nga anashkalimi i kanaleve normale ligjore për vendimmarrjen, dhe është në vetvete anti-demokratike pavarësisht arsyetimit të saj mjekësor.

Kështu pra, vektori autoritar në politikën globale është në rritje si pasojë e COVID-19, ndërsa demokracia është në rënie, në përgjithësi.

Së dyti, vendet si Irani, të cilat fillimisht zgjodhën metodat këshilluese apo bindëse, në vend të metodave drakonike të stilit kinez, nuk kanë qenë edhe aq të suksesshme në përballjen me zgjerimin e sëmundjes, gjë që më pas ka çuar në një centralizim më të madh të vendimmarrjes, psh. Udhëheqësi Suprem përzgjodhi presidentin Ruhani për të drejtuar vendin në këtë periudhë të masave. Këto variacione politike sa i përket taktikave dhe strategjive anti-virus, megjithatë duken të zbehta po t´i krahasosh me rrymën autoritare që po rritet gjatë betejës globale kundër pandemisë.

Së treti, prej një perspektive Foucauld-iane, konteksti politik i virusit korona është në një farë forme kontradiktor, sepse në disa raste, si psh. ShBA kjo ka çuar në një rritje të autonomive lokale, sepse guvernatorët e shteteve përbërëse të ShBA-së po marrin një rol të madh vendimmarrës sa i përket përballjes me epideminë, krahasuar me qeverinë federale e cila tash po ballafaqohet me kritikë publike, për shkak se nuk iu përgjigj në mënyrë optimale pandemisë.

Ky federalizëm i ri, me pushtet më të madh për vendimmarrjen lokale, shkon dorë për dore me efektin «anti-globalizues» të pandemisë, i cili me gjasë do t´i dobësojë lidhjet e «ndërvarësisë komplekse» në muajt e vitet në vijim.

Duke përforcuar sloganin e Trump-it, «America first», impakti i virusit në prioritizimin e strategjive kombëtare e nën-kombëtare përpara atyre të bashkëpunimit global a ndoshta edhe rajonal, ka vënë në lëvizje dinamika të reja, që do të jenë të vështira të përmbysen, në mos të pamundura.

Sa i përket ShBA-ve, të cilat kanë patur shqetësimin e «rritjes së Kinës», fillimisht virusi u pa si një mjet i dobishëm për të sabotuar pushtetin imponues të Kinës e për të dobësuar fuqinë e saj negocuese, përballë hegjemonisë amerikane. Por tani që Kina është pranë vënies në kontroll të sëmundjes, ndërsa ShBA veç sa ia ka filluar të ndjejë goditjet e para të virusit në ekonominë e saj të madhe, pozicionet duket se janë përmbysur. Shumëçka varet nga impakti dhe kohëzgjatja e epidemisë në ShBA, nëse ajo vazhdon, gjasat janë që do të rëndojë më shumë ekonominë amerikane se sa atë kineze, dhe kjo do të thoshte krijim i balancave të reja të pushtetit në glob.

Kjo epidemi, e cila koincidoi me një krizë të re të çmimit të naftës, pas dështimit të takimit të fundit të OPEC, mund të krijojë në ShBA një «stuhi» e cila mund të falimentojë industritë e naftës në ShBA dhe mund ta kthejë vendin sërish në importues të naftës. Po të ndodhte kjo, atëherë do të rritej sërish interesi amerikan për naftën e Lindjes së Mesme, e kjo gjë do të kishte pasoja për përllogaritjet parashikuese që ka bërë Pentagoni.

Sërish, nga një këndvështrim Foucauld-ian, kjo do të mund të analizohej në terma të fuqisë disiplinuese të ShBA-ve në krahasim me atë të «sfiduesve», si Irani apo Kina. Ajo fuqi mbështetet kryesisht në përdorimin e instrumentit të sanksioneve. Mirëpo, siç thamë më lart, ka një «kurth pandemik» që i kërcënon të dy polet, e që kërkon shumë zhdërvjelltësi politike në nivel kombëtar, për të bërë rregullimet e nevojshme gjatë një konteksti të ndryshueshëm, duke ndryshuar vazhdimisht edhe repertorin e taktikave e strategjive. Ata që do t´i shpëtojnë këtij kurthu do të jenë fitimtarët, e nga ana tjetër, ata që do të humbasin në këtë lojë do të ballafaqohen pashmangshmërisht me pasoja si margjinalizimi dhe kontrolli prej fuqive të jashtme.