Rudolf Brandner

Dramatizimi i jetës publike në kohën e pandemisë po na jep një ndjesi të re të jetës në komunitet. Po ku na mbeti se ai njeriu i mençur, i matur e i arsimuar, që vendimet i merr sipas ndërgjegjes së vet personale?

Nuk ka ngjarje në këto dhjetëvjeçarët e fundit që ka çoroditur deri në këtë farë feje dallimin midis përgjegjësisë personale dhe asaj shtetërore sa kriza e Koronës. Që individi duhet të jetë syçelë ndaj rreziqeve për jetën e vet, si puna e infeksioneve, e që detyra e shtetit është ta paralajmërojë atë për rreziqet e përgjithshme, apo për udhëtimet nëpër zonat me rrezikshmëri, deri sot e kësaj dite është konsideruar si një ndarje e natyrshme e zonave të ndryshme të kompetencës. Meqë koncepti modern i lirisë ngërthen vetë-përgjegjësinë, është në dorën e individit të vendosë se si do të ushqehet, a do të pijë duhan ose alkool dhe si do ta kalojë kohën e lirë.

Mirëpo tani pikërisht kjo ka ndryshuar rrënjësisht nga pandemia e Covid-19: shteti, me synimin për t’i mbrojtur nga infeksioni, me veprimet e veta u ndërhyn qytetarëve të tij të cilët supozohet të jenë vetë-përgjegjës dhe kësisoj ai merr mbi vete detyrën e mbrojtjes nga infeksioni, që në fakt është në lirinë dhe përgjegjësinë e vetë individit dhe vetëm e tij.

Është evidente se cilët janë rrethanat që e legjitimojnë një ndërhyrje të tillë: nga njëra anë, është rreziku i infektimit që shoqërohet me një shkallë të lartë vdekshmërie (vdekje masive), ndërsa vetë komunitetit i kanoset rreziku ekzistencial i shfarosjes – si në kohën e murtajës. Nga ana tjetër ndërkaq, do të duhej që përpjekjet shtetërore për t’i bërë apel individit që të jetë vetë-përgjegjës dhe t’u përmbahet disa rregullave dhe masave të kujdesit, të kenë dështuar.

Skenarët horror

Duke pasur parasysh papërgjegjshmërinë e gjerë, me qëllim për të zbatuar masat, në bazë të ligjit, për të mbrojtur komunitetin, do të duhej që pikë së pari të respektohet, si një ultima ratio, gjithmonë parimi i i proporcionalitetit. Ka qenë shumë e mundur që në shkurt/mars 2020 të veprohej sipas këtij parimi. Po përse ndodhi ndryshe, përse përgjegjësia personale e individit i kaloi shtetit?

Veprimi politik ndikohet jo edhe aq nga faktet e forta shkencore sesa nga modelet digjitale (simulacionet kompjuterike) që projektojnë këto skenarë të frikshëm të mundshëm. Në të njëjtën kohë, rrjetëzimi digjital i botës së globalizuar po ushtron një presion të lartë kolektiv i cili përfundon në një proces njëjtësimi imitues: “Nëse këtë e bëjnë të tjerët, ta bëjmë edhe ne, sepse kështu nuk kanë pse të na fajësojnë”. Po nuk shkoi siç duhet, faji ndahet kolektivisht, pra do kemi një difuzion të papërgjegjësisë.

Nëse kësaj i shtojmë presionin psikologjik të masave që rëndon mbi subjektin politik vendimmarrës, përgjegjësia u kalon pastaj kolektiviteteve masive si BE-së, OBSh-së ose OKB-së: që do të thotë, difuzioni i përgjegjësisë, i famshëm tashmë si deficit thelbësor i demokracisë së institucioneve të BE-së. Askush s’e ka fajin. Por megjithatë, në njëfarë mënyre të gjithë e kanë, sikur në një film të Agata Kristit.

Mungon marrja e përgjegjësisë personale për veprim. Kësaj i shtohet edhe presioni teknologjik. Ashtu si me digjitalizimin e ekonomisë financiare, edhe në fusha të tjera algoritmet e koduara digjitale janë duke zëvendësuar njeriun. Këto shkaktojnë varg vendimesh dhe veprimesh të automatizuara, pa ndërhyrjen e vendimeve tona, pra pa mendimet, qëndrimet apo vlerësimet tona.

Të menduarit njerëzor reagon në mënyrë mekanike, duke përllogaritur info-input-in, i cili krijon një simulakër të asaj që prezantohet si “inteligjencë”. Prandaj Inteligjenca Artificiale i liron njerëzit, qysh me blerjen e një makine, nga liria për të vetëvendosur, ose nga mendimi dhe veprimi që mbart vetë-përgjegjësi. 

Sërish po jepen urdhra

Kështu, sapo OBSh-ja e shpall një “Pandemi”, në bazë të çfarëdo qoftë kriteresh të dyshimta, vihet në punë një mekanizëm. Këtu vjen në shprehje fuqizimi politik që premton një rritje marramendëse e pushtetit. Për shkak të frikës deri në palcë dhe panikut masiv të njerëzve, më në fund mund të jepen sërish urdhra në mënyrë të shpenguar dhe pa teklif, me çka kompensohet ndjesia e pafuqisë ndaj proceseve vendimmarrëse demokratike dhe kompromiseve të tyre të mjerueshme.

Megjithëkëtë, kjo bëhet e mundur, vetëm për shkak se në anën tjetër hasim në dëshirën e masave për t’u nënshtruar dhe për t’u treguar se ku e kanë vendin. Boshllëku dhe mungesa e orientimit ekzistencial mbushet me një përmbajtje, që, edhe në mos premtoftë një jetë të “amshueshme”, premton një jetë të “mirë”.

Është vërtet për t’u habitur se ç’janë në gjendje të durojnë njerëzit kur kujtojmë ato dramatizimet e jetës publike përkitazi me rregullat absurde, urdhëresat kundërthënëse dhe gjithë ato tortura. E kemi fjalën për frikën moderne nga liria që heq nga vetja të gjithë vetë-përgjegjësitë dhe ia kalon ato kolektivëve dhe instancave anonime në të cilat mungon ai njeriu i mençur, reflektues, i matur dhe i arsimuar që merr vendime në bazë të dijes dhe ndërgjegjes së vet.

Sikur të ndodhej thjesht një subjekt i vetëm politik vendimmarrës që do të kishte kurajon të arsyetonte qartas dhe të mbante qëndrime vetë-përgjegjësie dhe i cili do të pezullonte kësisoj të gjithë masat ndaj Koronës me efekt të menjëhershëm, në këtë rast, e gjithë kjo shuplakë do zhdukej sa çel e mbyll sytë.

Mirëpo pikërisht për këtë askush nuk dëshiron të marrë përgjegjësi; ndërsa sa për dëmet kolaterale të masave që janë ndërmarrë, vlen: shpërndarja e përgjegjësisë. Njësoj si te Agata Kristi.

Rudolf Brandner është filozof gjerman nga Freiburgu.

Përktheu nga gjermanishtja: Bekim Qoku