(Ky shkrim u botua në 20 mars 2020)

Frika është e dykuptimtë për nga vetë natyra e saj. Nga njëra anë pa frikën mbijetesa jonë do të ishte më e ndërlikuar. Njësoj si me dhimbjen, mungesa e frikës do të na bënte të mos ndërgjegjësohemi për rreziqe të vërteta, vdekjeprurës apo potencialisht të tillë, që kanë pasoja fatale. Frika na jep një shans që të mbijetojmë. Ekziston një neuropati, që njihet me akronimin CIPA, e cila e bën të pamundur përjetimin e dhimbjes. Në pamje të parë duket sikur kjo shëron gjithçka. Të mos ndjesh dhimbjen. Mirëpo në fakt është sindromë e rrezikshme në kulm. Kush nuk ndjen dhimbjen nuk është në gjendje të ndjejë shenjat paralajmëruese që sinjalizojnë ndonjë katastrofë të mundshme. Nëse nuk e ndjen që zjarri djeg, atëherë sigurisht do të digjesh. Kështu dhe frika, të paktën pjesërisht. Ata pak veta të cilët aparati poligraf nuk ua shënon asnjë shenjë frike, qoftë edhe minimale, janë individë me problematika të forta psiqike, skizo, shpesh të mbetur në ndonjë krah të vdekjes.

Frika në vetvete nuk është fre për veprimin. Është si një llampë që hedh dritë mbi rreziqet në një shteg të errët, duke lejuar që të përballesh me to duke patur vetëdije mbi çështjen. Por frika mund të bëhet edhe bllokuese, apo mjet kontrolli. Adolf Hitler-i, pa qenë veçanërisht origjinal në këtë pikë, megjithatë duke qenë ekspert i temës, i përkufizoi frikën dhe forcën si mjetet më efikase të kontrollit, në shërbim të pushtetit. Historikisht Gestapo-ja nuk i ka pasur numrat për të kontrolluar popullin gjerman, pjesën e pavendosur që nuk ishte kushedi sa entuziaste për nazizmin. Ata nga provincat rurale, ata për të cilët çdo pushtet është njësoj me të tjerët, për sa kohë që ia garanton vazhdimin e përditshmërisë. Por ia doli të arrinte një pushtet absolut mbi atë popull, pikërisht përmes aftësisë së vet për të terrorizuar, duke parapëlqyer spiunimin, kolaboracionizmin, shpifjen.

Aspektet e frikës janë shumë dhe është vështirë t´i rreshtosh të gjithë. Më lehtë është të thuash se çfarë nuk është frika. Frika nuk është lidhës shoqëror. Frika nuk pjell solidaritet të vërtetë. Frika nuk të bën më të mirë. Pushteti përgjithësisht, individual, grupor apo shtetëror, priret të vërtetojë të kundërtën. Pikërisht kur tmerri kaplon popullatat, nis të lartësohet retorika e solidaritetit njerëzor, kaq i ndryshëm prej solidaritetit autentik. Miti i farkës ku do të kaliten të gjithë që t´i jepet jetë një qytetërimi më të mirë.

Ajo që ndodh si pasojë e frikës thuajse tërësisht diktohet prej një interesi personal, të vërtetë apo të perceptuar, e jo prej tensionit dashuror të njërit ndaj tjetrit. Frika është si një jorgan i rëndë dhe i madh që mbulon gjithçka. Nën mbrojtjen e frikës lulëzon gjithë cirku i difekteve të njeriut, të gatshme për të dalë në pah sërish sapo që shkaku që ndezi frikën të jetë bërë një kujtim. Jemi të bërë prej mishi e për mishin. Pikërisht prandaj frika prej një ngjarjeje natyrore, qoftë edhe abstrakte, pashmangshmërisht priret që gjatë fazave të luhatjeve të saj, të personalizohet.

Reagimi inicial në labirintin e pazgjidhur kurrë të psikës njerëzore priret dalëngdadalë t´i njësojë efektet e urryera të frikës me persona të caktuar. Frika e transformon tjetrin në armik, pashmangshmërisht e fatalisht. Bën që të koincidojë shkaku i të keqes së vetes, me tjetrin. Dhe pjell një konflikt shurdh e ligështues i cili jo rrallë shfryhet në sjellje që simbolizojnë mjerimin njerëzor, si spiunimi e shkatërrimi i tjetrit. Pogromet e shumtë të shek. XX janë një shembull shumë i qartë për këtë.

Frika siç dihet vepron edhe mbi planin individual. Shtirja e saj kolektive, thuajse gjithnjë retorike e moralizuese, nuk mbron askënd prej pasojave që ka në planin personal. Pak rëndësi ka se cilat fjalë të bukura përdoren për ta zbutur frikën. Vetëm një vetëdijësim i thellë e i brendësuar mund t´i kundërshtojë pasojat e poshtra të frikës, sa i përket mohimit që ajo ia bën tjetrit. Por vetëdijësimi është një proces i cili gjithnjë vjen me vonesë, krahasuar me shfaqjen e simptomave.

Retorika e kontrollit përpiqet ta shfaqë këtë si një rrugë ripërtëritëse e terapeutike, një udhëtim të domosdoshëm për të arritur një stad të ri e më të plotë të evolucionit. Kuptohet se kjo është veç një shtrembërim instrumentalizues i së vërtetës. Frika e kultivuar dhe e mirëmbajtur nuk është gjë tjetër veçse në humus për të keqen. Një e keqe marrëdhënia e së cilës me të përditshmen tonë nuk mund të ketë të ardhme. Një e keqe e thellë, vetëmjaftuese, e shpërndarë, shurdhe si vuajtja e vërtetë, toni retorik i së cilës sot tingëllon si një fyerje e rëndë.

Historia nuk jep përgjigjje për këtë. Sepse nuk ka. Mundësia e vetme për njeriun është primati i autenticitetit dhe i empatisë, i cili si gjithnjë e ndan njerëzimin në familje të mëdha. Familjen e atyre që edhe pse kanë frikë e luftojnë tundimin për të fajësuar të tjerët, duke kërkuar te vetja shkakun dhe zgjidhjen, dhe të atyre që përkundrazi e ushqejnë frikën brenda vetes e te të tjerët sepse duan të përfitojnë prej saj, pushtet apo treg, duke shpërndarë fryte të urrejtjes e të ndarjes.

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi