(Ky shkrim u botua në 19 mars dhe u rishikua në 22 mars 2020)

Në përpjekje për të intepretuar, kuptuar e analizuar fluksin e përditshëm të lajmeve, unë prirem ta vendos atë që po ndodh në sfondin e dy modelëve të funksionimit të kapitalizmit, të cilët janë të dallueshëm prej njëri-tjetrit, edhe pse të ndërthurur. 

Në nivelin e parë është harta e kontradiktave të brendshme të qarkullimit dhe akumulimit të kapitalit kur vlera e parasë rrjedh në kërkim të fitimit nëpër «momentet» (siç i quan Marx-i), e prodhimit, realizimit (konsumit), shpërndarjes dhe riinvestimit. Ky është një model i ekonomisë kapitaliste si një spirale zgjerimi dhe rritjeje të pafundme. Modeli bëhet edhe më i ndërlikuar nëse elaborohet përmes, psh. këndvështrimit të rivaliteteve gjeopolitike, zhvillimeve të pabarabarta gjeogafike, institucioneve financiare, politikave shtetërore, rikonfigurimeve teknologjike, apo rrjetës gjithnjë të ndryshueshme të ndarjes së punës e të marrëdhënieve sociale. 

Megjithatë, unë e përfytyroj këtë model si të vendosur në një kontekst më të gjerë riprodhimi shoqëror (në familje apo në komunitete), në një marrëdhënie metabolike të vazhdueshme dhe vazhdimisht në evolucion e sipër me natyrën (duke përfshirë aty edhe «natyrën e dytë» të urbanizimit e të mjedisit të ndërtuar», e gjithfarë formacionesh kulturore, shkencore (të themeluara në dije), fetare dhe kontingjente, të cilat formohen zakonisht prej popullatave njerëzore në kohë e në hapësirë. Këto «momentet» që shtova përfshijnë shprehjen aktive të aspiratave, nevojave e dëshirave njerëzore, etjen për dije e për kuptim dhe përpjekjen e pandërprerë për vetëpërmbushje përballë një sfondi rregullimesh institucionale që gjithnjë ndryshojnë, diskutimesh politike, përballjesh ideologjike, humbjesh, mposhtjesh, frustrimesh e tjetërsimesh, të gjitha të vendosura në një botë të karakterizuar prej diversitetit të theksuar gjeografik, kulturor, shoqëror dhe politik.

Ky model i dytë përbën, si të themi, kuptimin studimor që unë i jap kapitalizmit global si një formacion shoqëror i dallueshëm, ndërsa modeli i parë ka të bëjë me kontradiktat brenda mekanizmit ekonomik që i jep këtij formacioni fuqinë për të ecur në rrugët e caktuara të evoluimit të vet historik dhe gjeografik.

Kur në 26 janar 2020 lexova së pari për një farë virusi korona që po shpërndahej në Kinë, menjëherë mendova për pasojat që kjo mund të kishte për dinamikën globale të grumbullimit të kapitalit. E dija prej studimeve të modelit ekonomik se bllokimet dhe ndërprerjet vijueshmërinë e rrjedhës së kapitalit do të rezultonin në zhvlerësime, e nëse zhvlerësimet do të përhapëshin shumë e do të bëheshin të thella, kjo do të sinjalizonte fillimin e krizave. E dija mirë se Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe se praktikisht ishte ajo që e nxori kapitalizmin botëror nga kriza në vitet 2007-2008, kështu që çdo goditje ndaj ekonomisë kineze sigurisht do të kishte pasoja serioze për ekonominë globale e cila edhe ashtu ishte në gjendje të vështirë. 

Modeli ekzistues i grumbullimit të kapitalit ishte, sipas meje, tashmë në vështirësi të mëdha. Lëvizje protestash po ndodhnin thuajse kudo (prej Santiagos e gjer në Bejrut), shumë prej tyre të përqendruara te fakti se modeli ekonomik sundues nuk po funksiononte siç duhet për masat e gjera. Ky model neoliberal gjithnjë e më shumë mbështetet në kapital fiktiv dhe në një zgjerim të madh të ofertës së parasë e të krijimit të borxhit. Tashmë ai po përballet me problemin e pamjaftueshmërisë së kërkesës efektive për të realizuar vlerën që kapitali është në gjendje të prodhojë. 

Pra, si do të mundej ky model ekonomik sundues, tashmë më legjitimitet të rënë e me shëndet të brishtë, të përthithte pasojat e pashmangshme të pandemisë e t´i mbijetonte atyre? Përgjigjja varet në masë të madhe nga kohëzgjatja dhe gjerësia e kësaj ndërprerjeje, sepse siç e ka nënvizuar Marx-i, zhvlerësimi nuk ndodh për shkak se mallrat nuk mund të shiten, por për shkak që nuk mund të shiten në kohë.

Që prej shumë kohësh unë nuk e pranoj idenë e «natyrës» si të jashtme e të ndarë prej kulturës, ekonomisë dhe jetës së përditshme. Këndvështrimi im për marrëdhënien metabolike me natyrën është më dialektik dhe relacional. Kapitali i modifikon kushtet mjedisore ku vetë riprodhohet, por e bën këtë në një kontekst rrjedhojash të paqëllimta (si ndryshimi klimatik), dhe në një sfond forcash autonome e të pavarura evolutive të cilat pandërprerë i ndryshojnë kushtet mjedisore. Parë prej këtij këndvështrimi, nuk ekziston katastrofa e vërtetë natyrore. Viruset vazhdimisht pësojnë mutacione, sigurisht. Por rrethanat në të cilat një mutacion bëhet vdekjeprurës, varen prej veprimeve njerëzore.

Kjo gjë ka dy aspekte të rëndësishme. Së pari, kushtet e favorshme mjedisore rrisin gjasën për mutacione të forta. Psh. ka gjasë të lartë pritshmëria se transformimi i shpejtë i habitatit dhe sistemet intensive e të pastandardizuara të furnizimit ushqimor, ta zëmë në vendet e lagështa subtropikale, i kontribuon kësaj. Sisteme të tillë ekzistojnë në shumë vende, duke përfshirë Kinën në jug të lumit Jangce, dhe Azinë Juglindore. Së dyti, kushtet që favorizojnë transmetimin e shpejtë përmes trupave bartës, janë të llojllojshme. Popullatat njerëzore me dendësi të lartë duket se janë një shënjestër e lehtë. Dihet mirë se epidemitë e rubeolës, psh. lulëzojnë vetëm në qendra të mëdha urbane, dhe shuhen shpejt në zona me popullsi të rrallë. Se si ndërveprojnë njerëzit me njëri-tjetrin, si lëvizin, a e disiplinojnë vetveten apo harrojnë të lajnë duart, të gjitha këto ndikojnë në përhapjen e sëmundjes. 

Në kohët e fundit SARS, gripi i shpezëve dhe ai i derrave, duket se kanë ardhur nga Kina dhe nga Azia Juglindore. Kina ka vuajtur vitin e shkuar edhe prej gripit të derrit, gjë që ka çuar në asgjësimin masiv të derrave dhe në rritjen e çmimit të mishit të derrit. Nuk po i them të gjitha këto për të fajësuar Kinën. Ka plot vende të tjera ku rreziqet mjedisore që çojnë në mutacione virale janë të larta. Gripi spanjoll i 1918 mund të ketë ardhur prej Kansasit, dhe Afrika mund të ketë qenë origjina e HIV/AIDS, e sigurisht ishte origjina e virusit të Nilit Perëndimor e të Ebolës, ndërsa Dengi duket se lulëzon në Amerikën Latine. Por impakti ekonomik e demografik i shpërndarjes së virusit varet prej të çarave dhe dobësive të modelit ekonomik hegjemonik.

Nuk isha kushedi sa i befasuar që COVID-19 fillimisht u gjet në Uhan (edhe pse nuk dihet se a ishte ai vendi i origjinës apo jo). Impakti lokal do të ishte i madh, e duke qenë ky qytet një qendër e rëndësishme prodhimi do të kishte me gjasë edhe pasoja në ekonominë globale (edhe pse në fillim nuk e dija se sa të mëdha do të ishin këto pasoja). Çështja kryesore që shtrohej ishte se në ç´mënyrë do të shpërndahej infeksioni, e sa kohë do të zgjaste (pra kur do të mundësohej vaksina). Përvojat e mëparshme kishin dëshmuar se një prej problemeve të globalizimit gjithnjë e më të madh, është pamundësimi i ndalimit të shpërndarjes së shpejtë në gjithë botën të sëmundjeve të reja. Ne jetojmë në një botë shumë të ndërlidhur, ku thuajse secili udhëton. Rrjetet njerëzore që mundësojnë shpërndarjen e sëmundjes janë shumë të gjerë e janë të hapur. Rreziku (ekonomik dhe demografik) ishte se kjo ndërprerje do të mund të zgjaste një vit, apo më shumë.

Edhe pse pati një rënie të menjëhershme në tregjet globale të aksioneve kur doli së pari lajmi, çuditërisht kjo u pasua prej një muaji a pak më shumë gjatë të cilit tregjet patën rritje të lartë. Lajmi u interpretua se biznesi do të vazhdonte normalisht punën, përveçse në Kinë. U besua se po ndodhte një skenar si ai i SARS-it, i cili u vu nën kontroll shpejt dhe pati një impakt global të ulët edhe pse pati një vdekshmëri të lartë, i cili krijoi një panik të panevojshëm (në retrospektivë) të tregjeve financiare. Kur u shfaq COVID-19, reagimi sundues ishte ai që e përshkruante si një përsëritje e SARS-it, e që thoshte se paniku ishte i panevojshëm. Fakti se epidemia shpërtheu në Kinë, vend që shumë shpejt e shumë ashpër mori masa për të vënë nën kontroll pasojat, bëri që pjesa tjetër e botës gabimisht ta trajtonte problemin si diçka që po «ndodh atje», pra larg vështrimit e mendjeve tona (kjo gjë u shoqërua me shenja shqetësuese ksenofobie anti-kineze në disa pjesë të botës). Goditja që ia dha virusi rritjes së suksesshme ekonomike kineze madje u përshëndet me kënaqësi prej disa qarqeve të caktuara të qeverisë Trump. Megjithatë, nisën të qarkullonin rrëfime për ndërprerje të zinxhirëve globalë të prodhimit që kalonin përmes Uhanit. Ato përgjithësisht nuk u dëgjuan, ose u trajtuan si probleme për linja të veçanta prodhimi apo për korporata të caktuara (si Apple). Zhvlerësimet ishin lokale dhe partikulare, e jo sistemike. Sinjalet e rënies së kërkesës konsumatore po ashtu u minimizuan, edhe pse ato korporata si MacDonalds apo Starbucks që kishin investime të mëdha brenda tregut kinez u desh t´i mbyllnin dyert në atë vend, për një farë kohe. Koincidenca në janar e Vitit të Ri kinez me shpërthimin e virusit, i mbuloi pasojat gjatë atij muaji. Por mendjelehtësia e këtyre reagimeve ishte shumë pa vend.

Lajmet e para për shpërndarjen ndërkombëtare të virusit ishin rastësore dhe episodike, me një shpërthim serioz në Kore të Jugut e me ndonjë vatër tjetër, si puna e Iranit. Por ishte shpërthimi në Itali ai që solli reagimin e parë të fortë. Kolapsi i tregjeve të aksioneve filloi në mes të shkurtit, u lëkund ca dhe nga mesi i marsit u arrit një zhvlerësim neto prej gati 30% të tregjeve të aksioneve në të gjithë botën. Rritja eksponenciale e infektimeve prodhoi një sërë përgjigjesh shpesh jo koherente e të ndikuara prej panikut. Presidenti Trump performoi një imitim të mbretit Knut përballë një dallgës në rritje të sëmundjeve e vdekjeve të mundshme. Disa prej përgjigjjeve kanë qenë të pakuptimta. Psh. të vësh Rezervën Federale të ulë interesat përballë një virusi, duket tepër e çuditshme, edhe kur u kuptua se lëvizja synonte të lehtësonte pasojat në tregje e jo të ndalte përparimin e virusit. Autoritetet publike dhe sistemet shëndetësore gati kudo u kapën gafil. Dyzet vite neoliberalizëm në Amerikën Veriore e Jugore dhe në Evropë e kishin lënë publikun tërësisht të zbuluar dhe të papërgatitur për t´u përballur me një krizë të shëndetit publik si kjo, edhe pse goditjet e shkuara nga SARS dhe Ebola kishin dhënë mjaft paralajmërime e mësime mbi atë çfarë do të duhej të ishte bërë. 

Në shumë pjesë të së ashtuquajturës botë «e civilizuar», pushtetet lokale, ato krahinore e ato shtetërore, të cilat gjithnjë janë në linjën e parë të mbrojtjes gjatë emergjencave të shëndetit e sigurisë publike të këtij lloji, ishin lënë pa fonde për shkak të një politike të austeritetit e cila është shpikur që të financojë korporatat dhe të pasurit, përmes zvogëlimit të taksave dhe subvencionëve. Korporatat e mëdha farmaceutike kanë shumë pak ose aspak interes në hulumtimin e sëmundjeve infektive (siç është i gjithë spektri i virusëve korona, të cilët janë të mirënjohur qysh prej viteve ´60) sepse kjo gjë nuk sjell fitim. Korporatat e mëdha farmaceutike rrallë investojnë në parandalim. Ato kanë qejf të investojnë në mjekim. Nuk kanë shumë interes të investojnë në parapërgatitje për kriza të shëndetit publik. Sa më të sëmurë që ne jemi, aq të shumë ato fitojnë. Parandalimi i sëmundjeve nuk ia rrit vlerën dividendëve të aksionerëve. Përkundrazi, mund t´ua zvogëlojë. Modeli i biznesit që zbatohet sa i përket pajisjes së shëndetësisë publike, i ka eliminuar kapacitetet magazinuese që janë të domosdoshme gjatë një emergjence. Parandalimi madje ka qenë aq fushë jo-tërheqëse, sa që nuk ka joshur as krijimin e partneriteteve publike-private. Presidenti Trump e pati shkurtuar buxhetin e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, dhe e pati shpërbërë grupin e punës që merrej me pandemitë brenda Këshillit Kombëtar të Sigurisë, me të njëjtën logjikë që shkurtoi fondet për çdo hulumtim, duke përfshirë edhe atë mbi ndryshimin klimatik. Po të kisha dëshirë të tregohesha antropomorfizues dhe metaforik në këtë rast, do të kisha dalë në përfundimin se COVID-19 është hakmarrja e Natyrës për keqtrajtimin e pështirë dhe abuziv që i është bërë asaj gjatë dyzet viteve, prej ekstraktivizmit të dhunshëm e të parregulluar neoliberal.

Mbase është simptomatike që vendet më pak neoliberale, Kina, Koreja e Jugut, Taivani dhe Singapori, deri më tash kanë dalë prej pandemisë në një gjendje më të mirë se Italia, edhe pse Irani e përgënjeshtron universalizmin e këtij argumenti. Edhe pse ka patur shumë dëshmi që Kina e administroi SARS-in përgjithësisht keq, fillimisht me shumë propagandë mohuese e refuzuese, kësaj radhe presidenti Xi me shpejtësi urdhëroi transparencë, si në raportim ashtu edhe në testim, siç bëri edhe Koreja e Jugut. E megjithatë, Kina prapë humbi një kohë të vlefshme (vetëm pak ditë bëjnë gjithë ndryshimin në raste të tilla). Për t´u shënuar në rastin e Kinës, sidoqoftë, ishte kufizimi i epidemisë në provincën Hubei, me kryeqendër Uhanin. Epidemia nuk u përhap me të njëjtën ashpërsi në Pekin, apo në perëndim a më poshtë në jug. Nga fundi i marsit Kina lajmëroi se nuk kishte raste të reja në Hubei, dhe Volvo-ja shpalli se do të riniste prodhimin normal të makinave në të njëjtën kohë kur pjesa tjetër e industrisë globale të kësaj linje ishte e mbyllur. Masat e marra në Kinë për ta kufizuar gjeografikisht virusin ishin të ashpra e të gjera (siç do të duhej të ishin). Por do të ishte e vështirë që ato të përsëriteshin në vende të tjera, për arsye politike, ekonomike e kulturore. Raportimet që vijnë nga Kina tregojnë se trajtimi dhe politikat e ndërmarra nuk ishin aspak të kujdesshme ndaj ndjenjave njerëzore. Për më tepër, Kina e Singapori përdorën pushtetin për të mbikqyrur individët në nivele autoritare. Por, në tërësi duket se kanë qenë shumë efikase, edhe pse po të ishin ndërmarrë masat qoftë edhe pak ditë më përpara, sipas modelëve studimorë del se do të ishin mundur të shmangeshin shumë vdekje. Një informatë e rëndësishme: në secilin proces të rritjes eksponenciale, ekziston një vlerë e masës së rritjes, përtej të cilës rritja bëhet e pakontrollueshme  (të vihet re edhe një herë domethënia e masës së rritjes në krahasim me shkallën e rritjes). Fakti se Trump-i hezitoi për aq shumë javë, thuajse me siguri do të kushtojë shtrenjt në jetë njerëzore.

Pasojat ekonomike tash po dalin jashtë kontrollit anembanë globit. Ndërprerjet që po ndodhin në zinxhirët e vlerës të korporatave e të sektorëve të caktuar doli se ishin shumë më sistemike e thelbësore se ç´u mendua fillimisht. Pasojat afatgjata mund të jenë shkurtimi dhe diversifikimi i zinxhirëve të ofertës, ndërkohë që lëvizet drejt formave të prodhimit që kërkojnë më pak krah pune (gjë që do të ketë pasoja të stërmëdha për punësimin), e do të mbështeten më shumë në sistemet e prodhimit me inteligjencë artificiale. Ndërprerja e zinxhirëve të prodhimit sjell pushimin nga puna, ose largimin për arsye shëndetësore, të punëtorëve, gjë që zvogëlon kërkesën përfundimtare, ndërkohë që kërkesa për lëndë të parë zvogëlon konsumin produktiv. Do të mjaftonin këto pasoja nga aspekti i kërkesës që të mund të prodhohej së paku një recesion i vogël.

Por dobësitë më të mëdha ekzistojnë tjetërkah. Mënyrat e konsumerizmit të cilat lulëzuan pas krizës së 2007-08 tashmë janë rrënuar me pasoja shkatërruese. Këto mënyra bazoheshin te zvogëlimi i kohës turnover të konsumit sa më afër zeros. Vërshimi i investimeve në këto forma të konsumerizmit të menjëhershëm e të atypëratyshëm, kishin të bënin me përthithjen maksimale të volumeve të kapitalit gjithnjë e në rritje.

Simbol i kësaj ishte turizmi ndërkombëtar. Udhëtimet ndërkombëtare u rritën prej 800 milion në vitin 2010, deri në 1.4 miliard në vitin 2018. Kjo formë e konsumerizmit «eksperimental» e të menjëhershëm kërkon investime masive në infrastrukturë, në aeroporte e linja fluturimi, në hotele e restorante, në parqe zbavitëse e ngjarje kulturore, etj. Ky lloj i grumbullimit të kapitalit tashmë është i vdekur, linjat e fluturimit janë thuajse të falimentuara, hotelët janë të zbrazur dhe industrinë e hotelerisë e ka pllakosur industria masive. Të ngënët jashtë nuk është ide edhe aq e mirë, restorantet e baret janë mbyllur në shumë vende. Madje edhe marrja e ushqimit me vete duket punë e rrezikshme. Ushtria e madhe e punëtorëve të angazhuar në ekonominë «gig», apo në forma të tjera të punësimit të pasigurt, tashmë po mbeten pa punë dhe nuk duket se ka mjete për t´i mbështetur ata. Ngjarjet si festivalët kulturorë, turnetë e futbollit e të basketbollit, koncertet, konferencat profesionale e afariste, madje edhe tubimet politike e zgjedhore janë anuluar. Format e konsumerizmit «eksperimental» të bazuara te eventet, janë ndërprerë. Të ardhurat e pushteteve lokale kanë rënë. Universitetet e shkollat janë mbyllur.

Pjesa më e madhe e modelit avantgardist të konsumerizmit bashkëkohor kapitalist, në situatën aktuale nuk mund të funksionojë. Shtysa drejt asaj që André Gorz e përshkruan si «konsumerizëm kompensues» (sipas të cilit punëtorët e tjetërsuar prej punës supozohet se e rimarrin veten me një pako pushimesh në një plazh tropikal), u rrëzua.

Çështja është se ekonomitë bashkëkohore kapitaliste janë 70, ndoshta 80% të varura prej konsumerizmit. Vetëbesimi dhe ndjenjat e konsumatorëve gjatë dyzet viteve të fundit janë bërë çelësi i mobilizimit të kërkesës efektive, dhe kapitali është bërë gjithnjë e më i varur prej kërkesave dhe nevojave të konsumatorëve. Ky burim i energjisë ekonomike nuk ka pësuar luhatje të paparashikueshme (me pak përjashtime, siç ishte shpërthimi vullkanik në Irlandë, i cili bllokoi fluturimet transatlantike për nja dy javë). Por COVID-19 nuk është thjesht një luhatje e paparashikueshme, por një kolaps madhështor në zemër të formës dominuese të konsumerizmit, në vendet më me ndikim. Spiralja e grumbullimit të pafundmë të kapitalit po kolapson së brendshmi, në të gjitha pjesët e botës. Gjëja e vetme që mund ta shpëtojë është një konsum masiv i sponsorizuar dhe i frymëzuar prej qeverisë, i nxjerrë prej hiçit. Për këtë gjë do të nevojitej shoqërizimi tërësor i ekonomisë në ShBA, psh. pa e quajtur socializëm. Skepticizmi gjerësisht i përhapur sa i përket qeverive që kanë pushtete të mëdha, për momentin është lënë pushim, dhe po pranohet gjithnjë e më shumë dallimi mes qeverive të mira e atyre të këqija. Një qeveri e cila i shërben interesave të pronarëve të bonove dhe të financierëve (siç ka ndodhur që prej 2007-08 e deri më sot), po del se nuk është gjë e mirë, madje as për vetë financierët.

Ekziston një mit konvencional sipas të cilit sëmundjet infektive nuk njohin klasë apo pengesa sociale e kufij.  Si shumë thënie të tilla, ka diçka të vërtetë në këtë. Në epidemitë e kolerës në shek. XIX tejkalimi i çdo pengese prej infeksionit ishte mjaftueshëm dramatik sa që të nxiste lindjen e lëvizjes për shëndetësi e higjienë publike (e cila më vonë u bë profesionale), që vazhdon të jetojë edhe sot. Se a synonte kjo lëvizje të mbronte secilin, apo thjesht klasat e larta, kjo gjë nuk ka qenë gjithnjë e qartë. Por sot dallimi në pasoja e ndikim sipas klasave shoqërore na tregojnë një histori tjetër. Impakti ekonomik e shoqëror kalon në filtrin e diskriminimeve «zakonore» që janë evidente kudo. Si fillim, krahu i punës që supozohet se duhet të përkujdeset për numrin në rritje të të sëmurëve, është tipikisht i gjinorizuar në masë të madhe, i racializuar dhe i etnicizuar në shumicën e botës. Po ashtu është edhe ndarja klasore e krahut të punës psh. në aeroporte apo në shërbime të tjera logjistike. Kjo «klasë e re punëtore» është në linjën e parë të frontit dhe bart barrën e të qenit edhe krahu i punës më i rrezikuar prej infektimit gjatë ushtrimit të punës, por edhe të qenit më të rrezikuar prej mbetjes pa punë e pa të ardhura për shkak të rënies ekonomike të imponuar prej virusit. Pastaj është çështja se kush mund të rrijë e kush nuk mund të rrijë në shtëpi. Kjo e thekson dallimin shoqëror, njësoj si çështja se kush mund ta përballojë vetëizolimin apo vetëkarantinimin (me apo pa rrogë), në rast se infektohet. 

Njësoj siç, duke studiuar, mësova t´i quaj tërmetet e Nikaraguas (1973) dhe të Qytetit Meksiko (1985) si «tërmete klasore», edhe shpërthimi i COVID-19 i ka të gjitha karakteristikat e një pandemie klasore, gjinore e raciale. Edhe pse përpjekjet për administrimin e saj maskohen me retorikën se «në këtë sfidë jemi të gjithë së bashku», praktikat, sidomos prej qeverive të vendeve të caktuara, na lënë të kuptojnë se ka motive më problematike. Klasa punëtore bashkëkohore në ShBA (e përbërë kryesisht prej afroamerikanësh, latinësh dhe grash që punojnë me mëditje) përballet me alternativën brutale të marrjes së virusit në emër të vazhdimit të punës në sektorët e përkujdesjes apo të shitjes, ose me humbjen e vendit të punës dhe mbetjen pa të ardhura (dhe pa kujdes shëndetësor). Personeli rrogëtar (siç jam unë) mund të punojë prej shtëpisë dhe të marrin rrogën e tyre njësoj si më parë, ndërkohë që CEO-të vazhdojnë të fluturojnë me aeroplanë privatë dhe me helikopterët e tyre.

Punëtorët në shumicën e vendeve të botës janë edukuar e socializuar në mënyrë të tillë që të sillen si shtetas të bindur të neoliberalizmit (gjë që nënkupton t´ia vësh fajin vetes ose Zotit nëse ndonjë gjë nuk shkon ashtu siç duhet, por kurrë të mos guxosh të shtrosh pyetjen se mos problemi qëndron te kapitalizmi). Por edhe shtetasit e bindur të neoliberalizmit mund ta shohin tashmë se ka diçka të gabuar në mënyrën se si po i jepet përgjigje kësaj pandemie.

Pyetja kryesore është se sa do të zgjasë e gjithë kjo? Mund të jetë më shumë se një vit, e sa më shumë të zgjasë, aq më shumë zhvlerësim do të ketë, duke përfshirë këtu edhe atë të krahut të punës. Papunësia thuajse me siguri do të rritet deri në nivele të krahasueshme me vitet 1930, nëse do të mungojnë ndërhyrjet masive shtetërore që do të duhet të shkojnë kundër tendencës neoliberale. Impakti i kësaj në ekonomi por edhe në jetën e përditshme shoqërore është i shumëfishtë. Por jo gjithçka është për keq. Konsumerizmi bashkëkohor ishte tepruar gjer afër asaj mase që Marx-i e përshkruan si «mbikonsum e konsum i pashëndetshëm, i cili sinjalizon, përmes prirjes së tij kah monstruoziteti dhe bizarriteti, degjenerimin» e sistemit. Ky mbikonsum i pangopshëm ka luajtur një rol të madh në degradimin mjedisor. Anulimi i linjave të fluturimit, si dhe zvogëlimi radikal i transportit e i lëvizjes ka sjellë pasoja pozitive sa i përket efektit serrë. Cilësia e ajrit në Uhan është përmirësuar shumë, po ashtu edhe në shumë qytete amerikane. Vendet e turizmit natyror do të kenë një farë kohe që të rimëkëmben prej shfrytëzimit që u është bërë. Mjellmat janë rikthyer në kanalet e Venedikut. Sa më shumë që të sheshohet lakorja e mbikonsumerizmit të pangopshëm e të pakuptimtë, aq më shumë do të ketë benefite afatgjata për natyrën. Është gjë e mirë të ketë më pak kufoma në malin Everest. E edhe pse askush nuk e thotë me zë të lartë, targetimi moshor që bën virusi, mund të prekë piramidat moshore, gjë që do të japë efekte afatgjata në problemet e sigurimit shoqëror dhe në të ardhmen e «industrisë së përkujdesjes». Jeta e përditshme do të ngadalësohet, dhe për disa njerëz kjo do të jetë një bekim. Rregullat e këshilluara për distancim social, nëse emergjenca vazhdon gjatë, do të mund të çojnë në ndryshime kulturore. E vetmja formë e konsumerizmit «eksperimental» që me siguri do të përfitojë prej kësaj është ajo që unë e quaj ekonomi e «Netflix-it», e cila megjithatë i shërben vetëm shikuesve obsesivë.

Nga ana e frontin ekonomik, përgjigjet kanë qenë të kushtëzuara prej mënyrës se si u ballafaquam me kolapsin e 2007-08. Ajo përfshinte një politikë monetare të stërzgjeruar të ndërthurur me rifinancimin e bankave të mbështetur prej një rritjeje dramatike të konsumit për shkak të një zgjerimi masiv të investimit infrastrukturor në Kinë. Kjo e fundit nuk mund të përsëritet në përmasat që kemi nevojë. Pakot rifinancuese që u aplikuan në 2008 u përqendruan te bankat, mirëpo në to përfshihej edhe shtetëzimi de facto i General Motors. Mbase është domethënëse që përballë pakënaqësisë së punëtorëve dhe kolapsimit të kërkesës në treg, tre kompanitë e mëdha të makinave nga Detroiti po mbyllen, së paku përkohësisht. Nëse Kina nuk do të mundet ta luajë edhe një herë rolin që luajti në 2007-08, atëherë barra për ta nxjerrë globin prej krizës aktuale ekonomike bie mbi ShBA-të, dhe kjo është ironia më e madhe: të vetmet politika që do të funksiononin, qoftë ekonomikisht qoftë edhe politikisht, janë shumë më socialiste se çdo gjë që do të mund të propozonte Bernie Sanders, dhe këto programe shpëtimi do të duhet të nisin nën kujdesin e Donald Trump-it, me gjasë nën ombrellën Make America Great Again. Të gjithë ata republikanë të cilët aq sinqerisht e kundërshtuar rifinancimin e ekonomisë në 2008, tash do të duhet të mbyllin gojën, ose të kundërshtojnë Donald Trump-in. Ky i fundit me gjasë do t´i anulojë zgjedhjet për shkak të emergjencës, dhe do të shpallë fillimin e një presidence imperiale që të shpëtojë kapitalin dhe gjithë botën prej trazirave e revolucioneve. Nëse të vetmet politika që mund të kryejnë punë janë ato socialiste, atëherë oligarkët sundues padyshim që do të bëjnë çmos që ato të jenë nacional-socialiste e jo popullor-socialiste. Qëllimi i politikës anti-kapitaliste duhet të jetë që të mos lejojë të ndodhë kjo.

Përktheu nga anglishtja Arbër Zaimi