Një udhëtim, në shoqërinë e qoftëlargut Carl Schmitt, në botën e imperializmit universalist

Alain Brossat

(ky shkrim u përkthye prej botimit frëngjisht të datës 29 shtator 2020)

Kur Carl Schmitt-i shkroi esenë përkushtuar nocionit të «hapësirës së madhe»[1] (Großraum), në pranverën e 1939-ës, ai haptazi po rrekej që ta vendoste talentin e kompetencën e vet juridike në shërbim të synimeve ekspansioniste të Führer-it, veçanërisht për Evropën Lindore, vetëm pak muaj para pushtimit të Polonisë prej Wehrmacht-it. Nocioni i «hapësirës së madhe» kishte për qëllim të pajiste, aq sa ishte e mundur, me një bazë teorike e juridike sipërmarrjen luftarake të Hitler-it që kërkonte të fitonte një «hapësirë jetike» (Lebensraum) në lindje të Gjermanisë. Do të mund të thoshim, thelbësisht, se Großraum-i të cilin çonte përpara ajo ese me titull të stërzgjatur, është veç petka juridike e Lebensraum-it, term që karakterizohet prej ngjyrimit vitalist[2].

Siç e thotë vetë Schmitt-i, ai libër është shkruar «sipas disa tezave e disa këndvështrimeve të caktuar, në një situatë të caktuar», shprehje që përmbledh në mënyrë të përkryer karakterin instrumental, të angazhuar e partizan të esesë. Për vetë masën në të cilën kjo ese vendoset haptazi në shërbim të një kauze politike – të një sipërmarrjeje pushtuese, për të cilën qysh të nesërmen e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e të rrëzimit të Reich-ut III, zuri vend konsensusi që të cilësohet si tërësisht ilegjitime e kriminale – statusi i saj në hapësirën e hulumtimit akademik vijon të jetë, edhe sot e kësaj dite, veçanërisht problematik. Në fakt është e pamundur të merresh me kategorinë e «hapësirës së madhe», ashtu siç e përdor Schmitt në këtë ese, duke abstraguar qëllimin e saj aq shprehimisht nazist. Pra vazhdimisht duhet ta zhveshim termin prej koracës naziste, nëse do të përpiqemi që ta rikthejmë në përdorim në perspektivën e një analitike të së tashmes – e sidomos të konfigurimeve të reja të cilat po përvijohen në Azinë Lindore, në kontekstin e Luftës së Ftohtë të re ku protagonistët kryesorë janë Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

Për ta bërë këtë duhet që të fillohet prej rimëkëmbjes së dispozitivit argumentues e teorik të përdorur prej Schmitt-it për ta ngritur nocionin e «hapësirës së madhe» në dinjitetin e një parimi të së drejtës ndërkombëtare. Konceptuar si një nocion dinamik, konkret, që lidhet drejtpërdrejt me aktualitetin historiko-politik të momentit, «hapësira e madhe» paraqitet si mjet për të tejkaluar situatën e ngecur, të lidhur prej ligjeve ndërkombëtare të shek. XIX, sipas të cilave ekuilibrat mes Shteteve, apo Shteteve-kombe, përbëjnë themelin e çdo rendi ndërkombëtar si dhe garancinë kryesore për efektivitetin e të drejtave të njerëzve. Ndërfutja e nocionit të «hapësirës së madhe» në horizontin e së drejtës ndërkombëtare është ajo që do të lejojë – thotë Schmitt – të merren parasysh dinamikat të cilat faktikisht janë duke vepruar në të tashmen, e sidomos ato ku vërehet «një popull i madh» (padyshim e ka fjalën për popullin gjerman) teksa afirmon prirjen për të udhëhequr mbi popuj të tjerë, dëshmon fuqinë e vet e është i përcaktuar që të aktualizojë të drejtën e vet për t´u vendosur në një «hapësirë të madhe konkrete».

Para se të mbërrihej në këtë pohim, Schmitt-i, në një mënyrë shumë të zhdërvjellët, risjell ndërmend atë që, sipas tij, përbën shembullin e parë të formësimit të një «hapësire të madhe» në historinë bashkëkohore – që është çuarja përpara e «Doktrinës Monroe» prej Shteteve të Bashkuara në fillim të shek. XIX. Aty gjendet, thotë ai, «te historia e afërt e së drejtës ndërkombëtare, shembulli i parë dhe ai më i përkryeri deri më sot i një parimi të hapësirës së madhe në të drejtën ndërkombëtare». Pra, precedent i pajisur me një autoritet të pakundërshtueshëm, të cilin Schmitt-i e vë në punë për të mbështetur të drejtat e Gjermanisë naziste për t´u vendosur në «hapësirën e madhe» që i takon, por njëkohësisht edhe duke denoncuar keqpërdorimin apo shtrembërimin e frymës fillestare të doktrinës Monroe.

Vazhdimi është, siç do ta shohim, i një zhdërvjellësie aq djallëzore, sa që kritika të cilën e argumenton Schmitt-i të lë mbresë me mprehtësinë e saj, dhe i ka rezistuar sfidës së kohës në një mënyrë aq të dallueshme sa që na çmerit – si është e mundur që një nacionalist-konservator, i rreshtuar me nazistët sa për interes aq edhe për bindje (edhe pse nazizmi i tij dallon në shumë çështje prej atij të SS-ve dhe të ideologëve e mitologëve të arianitetit), në një tekst me të cilin synon t´i japë një formë juridike të respektueshme hubris-it pushtues të Führer-it, të shkruajë një kritikë të asaj që e quan imperializëm universalist, tehu konceptual i së cilës vazhdon të presë edhe sot e kësaj dite? Gjithçka duket a thua se qyshkur u pat shkruar ky tekst rrethanor, koha (rrjedha e gjërave) s´ka bërë gjë tjetër përveçse ka punuar për të, ka bërë çmos për t´ia konfirmuar cilësinë kritike – aty ku teksti merret me versionin origjinal të «hapësirës së madhe» – që ka patur për sponsorë Shtetet e Bashkuara…

Në origjinën e vet, sjell në vëmendje Schmitt-i, doktrina Monroe konsistonte në deklarimin e një kondite imunitare: ajo e kontinentit amerikan në tërësi, përballë sipërmarrjeve koloniale evropiane. Pra aty pohohej në fakt se «popujt e kontinentëve amerikanë (…) nuk ndiheshin më subjekte të fuqive të mëdha të huaja, e nuk dëshironin më të ishin objekte kolonizimi». Pra proklamohej dalja e tyre prej orbitës së historisë evropiane, me mbretëritë e perandoritë e saj, me parimet e legjitimitetit monarkik e dinastik që e karakterizonin. Doktrina Monroe në këtë aspekt i përkufizon Amerikat si një «hapësirë e madhe», karakteristikë e së cilës është që i ka thyer të gjitha marrëdhëniet e heterogjenitetit me fuqitë ndërkombëtare. Një hap më tej, doktrina konsiston në bërjen e Shteteve të Bashkuara garant të mosvarësisë së kësaj «hapësire të madhe». Thënë thjesht, ekziston një dykuptimësi këmbëngulëse sa i përket vetë statusit të kësaj «doktrine», vë në dukje Schmitt-i: a shpall ajo «një parim të vërtetë të së drejtës» apo mos është vallë «një maksimë tërësisht politike» e shtyrë përpara prej qeverisë së Shteteve të Bashkuara për sa kohë që është vetë ajo që ka në zotërim mjete për ta garantuar efikasitetin e doktrinës? Ky lloj i «natyrës së dyfishtë» që i përket të parës «hapësirë të madhe» përbën, siç do të shohim, një çështje kryesore në diskutimin që merret me vetë nocionin.

Thënë shkurtimisht, gjatë rrjedhës së historisë së Shteteve të Bashkuara, argumenton Schmitt-i, Doktrina Monroe ka marrë një lakim vendimtar, pasoja e së cilit është si vijon: «Parimi fillestar i mos-ndërhyrjes dhe i refuzimit të ingerencave të huaja, u shndërrua në justifikim për ndërhyrjet imperialiste të Shteteve të Bashkuara në shtetet e tjera amerikane» – pra ai refreni i njohur mirë i Amerikës Qendrore dhe i Amerikës Latine si gjah ekskluziv për Dajën Sam… Qysh këtu e shohim se aspekti që shumë shpejt mbizotëroi, sa i përket përdorimit të doktrinës, nuk ishte ai i themelimit të një parimi të së drejtës ndërkombëtare – pra i pajisur me një vlefshmëri e synim universal – por pikërisht interpretimi decizionist i doktrinës Monroe: «Se çfarë thotë në fund të fundit Doktrina Monroe është një çështje që i takon vetëm qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta përcaktuar [nënvizimi AB], për ta interpretuar e për ta sanksionuar» (deklaratë e Sekretarit të Shtetit Hugues – 1923).

Qysh prej këtij lakimi që iu bë kësaj doktrine, politika ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara filloi të riorientohet duke ndryshuar shkallë: duke «falsifikuar» Doktrinën Monroe ajo e braktisi «parimin e hapësirës kontinentale dhe u bë mbështetëse e universalizmit planetar, dikur të përdorur prej Perandorisë Britanike», për t´u bërë një fuqi botërore e pushtuese e cila ka tendencën për ta shtrirë nocionin e «hapësirës së madhe» në shkallë planetare.

E pikërisht këtu Schmitt-i, nëse mund të themi kështu, bën këtë prerje decizive si pasojë e së cilës teksti i tij (me «rrethana naziste») gjen një jehonë që manifestohet në të tashmen tonë, e sidomos në atë pjesë të botës që është Azia Lindore. Ndryshimi në shkallë i Doktrinës Monroe, që fillimisht u shtrua për të racionalizuar apo për të vendosur në koncept nocionin e «hapësirës së madhe», si pasojë bën që sot ajo të shpallet me tone universaliste dhe të shndërrohet në një dispozitiv për ndërhyrje në gjithë planetin. E tash, pikërisht aty, thekson Schmitt-i mençurisht, ndodhet hileja prej prestidigjitatori, aty janë rrënjët e falsifikimit të konstituimit fillestar, antikolonial, të kësaj doktrine: duke e tretur, thotë Schmitt-i, një ide rregullative konkrete e të kufizuar në aspektin hapësinor, te ca ide universaliste e planetare, fuqia e Shteteve të Bashkuara autorizon vetveten që të përzihet në gjithçka me pretekste humanitare, si dhe të bashkojë pazgjidhshmërisht «idealet», «vlerat» me pan-intervencionizmin.

Po citoj Schmitt-in: «Nocionet e përgjithshme universaliste të aplikueshme në të gjithë planetin, në të drejtën ndërkombëtare janë armë tipike të intervencionizmit».

Ky kumt paraqet një karakteristikë të dyfishtë: në njërën anë vendoset shqueshëm brenda një tradite siç është ajo anti- dhe kundër-revolucionare, e cila fillet i mori prej Edmund Burke-it që kur ky i fundit iu kundërvu shpalljes së të drejtave universale prej Revolucionit Francez duke thënë se ato janë veç trill – nuk ekzistojnë, siç thotë Schmitt-i me të njëjtin fjalor si të Burke-it, përveçse të drejtat «konkrete» – ato të anglezëve, të francezëve, të gjermanëve etj. Nuk është për t´u habitur se, te kjo çështje e rendit parësor, Schmitt-i kripto-nazist i hedh hapat sipas teoricienëve të kundër-revolucionit të cilët gjatë gjithë shekullit XIX vijuan në traditën Burke-iane – pra të Bonald-it, Donoso Cortès-it, etj. – gjë që tregon mjaftueshëm sa i përket llojit të «revolucionit» që pretendonin se po bënin nazistët.

Ndërsa nga ana tjetër është e pakundërshtueshme dhe e dëshmuar prej një shekulli të tërë i cili fillon prej traktatit të Versajës (për aq sa ai traktat ishte nën skeptrin e Woodrow Wilson-it e të «parimeve» të tij të përgjithshme» që u shpallën në atë event duke shënuar fillimin e hegjemonizmit të ri, atij të Shteteve të Bashkuara), e deri te luftërat në Irak e Afganistan, se diskursi universalist dhe praktikat që e shoqërojnë në terrenin e politikës ndërkombëtare janë, në këtë konditë, maskim i politikave konstante hegjemoniste – ato të Perandorisë amerikane dhe të këtij Perëndimi i cili, sidomos qysh prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, përpiqet ta joshë.

Tipar i kësaj epoke, nëse mund të themi kështu, është se universalizmin që i referohet Revolucionit Amerikan e po ashtu Revolucionit Francez vazhdimisht e ndjek pas si të ishte hija e tij, falsifikimit «intervencionist» dhe hegjemonist – e pikërisht aty kritika schmitt-iane godet në shenjë dhe tregohet në nivel të situatës aktuale, dhe duket si të mos jetë plakur hiç: sido që ta kapim çështjen, «lëvizjet» rinore të Hong Kongut të «birësuara» prej Donald Trump-it dhe Boris Johnson-it në emër të mbrojtjes së idealeve, parimeve e vlerave universale (liri-demokraci), tingëllojnë false, tmerrësisht false

Nuk është sfidë e lehtë për ne që s´jemi të të njëjtës bindje me Schmitt-in, kur një kripto-nazist si Schmitt-i arrin që me një largpamësi të jashtëzakonshme të vërë gishtin në plagën e dështimit të vazhdueshëm, te ky difekt i pariparueshëm i diskursit universalist perëndimor i cili vetëshpallet si ndjekës i traditës së revolucioneve të mëdha të modernitetit e asaj të «iluminizmit» – dhe thonjëzat bëhen të detyrueshme këtu. Te amalgama konstante e interesave perandorake që vetëquhen universale, apo parime e vlera, apo edhe më tej, siç thotë Schmitt-i, vetëshpallen «interes i përjetshëm i njerëzimit» – një operacion tipik perëndimor për aq sa hegjemonist – pikërisht aty gjendet ajo që ai quan imperializëm universalist, një koncept i cili qysh prej kohës kur u sajua ka arritur të mbijetojë me sukses e të ruajë aktualitetin e mprehtësinë e vet. «Doktrina Monroe» shkruan Schmitt-i «nën Theodore Roosevelt-in dhe Woodrow Wilson-in u bë një doktrinë planetare imperializmi universalist».

Kështu pra ndodh që koncepte të pajisur me një forcë të konsiderueshme vepruese, të aftë për ta rritur intensitetin e të menduarit të së tashmes, të mund të hasen edhe në pirgun me plehra të një argumentimi plot vese e plot ligësi, i cili mbështet krijimin e një «hapësire të madhe» naziste, po aq rrallë sa ç´mund të hasen edhe në filan traktatin e filozofisë politike të ngritur në piedestal prej traditës, sado që kjo gjë neve mund të na zemërojë.

Ky lloj i autopsisë së Doktrinës Monroe që bën Schmitt-i në hapjen e tekstit të tij i përgjigjet një objektivi të dyfishtë: në njërën anë që «hapësira e madhe» të bëhet një nocion thelbësor për mendimin e marrëdhënieve ndërkombëtare gjatë shekullit XX, përtej kodifikimit të marrëdhënieve mes shteteve-kombe. Epoka, pohon Schmitt-i, nuk është ajo të drejtave të popujve për të qenë zotër të vetes, barazia formale mes Shteteve-Kombe, të mëdhenj e të vegjël, nuk është gjë tjetër përveçse një përrallë, ndoshta e dobishme mirëpo sigurisht jokonsistente, nocioni i të drejtave të minoriteteve një trill i frymëzuar prej një humanitarizmi budalla, e nëse jo, maskim i llogarive të stërholluara që synojnë të pengojnë rritjen e fuqisë së këtij apo atij «populli të madh»… E pikërisht këtu del zbuluar dhe objektivi i dytë i Schmitt-it: të mbështesë në arsye e në ligj ambicien e Reich-ut nazist për t´u pajisur me një «hapësirë të madhe» për veten e vet – duke fuqizuar të drejtën e vet për të pushtuar në Evropën Lindore e Qendrore.

«Ne nuk po propozojmë një ´Doktrinë Monroe` gjermane» thotë Schmitt-i, i cili dëshironte të parandalonte kundërshtimet që mund të vinin prej demokratëve evropianë e amerikanë, që ishin gati të dyshonin se Hitler-i donte të rivizatonte kufijtë e Evropës sipas kushteve të veta, siç kishte bërë Woodrow Wilson-i me kufijtë e veta kur u nënshkrua traktati i Versajës. Një pohim ky të cilin nuk mund ta kuptojmë ndryshe përveçse si refuzim të pastër: në fakt konstituimi i një «hapësire të madhe» gjermane ashtu siç e kuptonin nazistët mbështetet mbi premisa tërësisht të ndryshme prej atyre që frymëzojnë imperializmin universalist të Shteteve të Bashkuara. Siç e di në fakt gjithkush, nazistët nuk janë aspak universalistë – ideologjia e tyre e epërsisë racore dhe e të drejtave historike apo natyrore të gjermanëve, mistika e tyre e Volk-ut, mbështeten përkundrazi në një partikularizëm të ekzagjeruar. Ajo çka duan të çojnë përpara ata është e drejta vetëm e tyre, për aq sa janë (të supozuar si) të ndryshëm e po qe nevoja, kundër të gjithë të tjerëve – në emër të racës, të pabarazisë mes racave, në emër të së drejtave gjermane e aspak në emër të parimeve të përgjithshme, abstrakte, humanitare e universaliste.

Të drejtën e tyre, thotë Schmitt, gjermanët do ta vënë në fuqi për aq sa janë një popull i madh: «Kur një popull i madh përcakton me autoritetin e vet mënyrën e të folurit, madje dhe të të menduarit, të popujve të tjerë, fjalorin, terminologjinë e konceptet, kjo është shenjë e një fuqie të parezistueshme». Si shembull, themelit të politikës së «hapësirës së madhe» sipas modelit amerikan («bëni si ne, jini demokratë, meqenëse është zbuluar se, për fat të mirë, demokracia është regjimi i vetëm politik i qytetëruar e në të njëjtën kohë qenka edhe regjimi ynë…), Schmitt-i i kundërvë marrjen e epërsisë sipas modelit gjerman («ju nuk mund t´i ikni kapjes prej koncepteve tona, fjalëve tona, sepse janë më të fuqishmet, janë të parezistueshme!» [theksimet e AB, jo të Schmitt-it]).

Me terminologji të pushtetit, ajo që sipas Schmitt-it i korrespondon nocionit të «popullit të madh» në të drejtën e tij për të përvetësuar një «hapësirë të madhe», quhet perandori. Qartazi ky koncept përthyhet në forma të përveçme të cilat janë thelbësisht të ndryshme prej njëra-tjetrës – prandaj, «Reich, imperium, Empire, nuk janë e njëjta gjë». Është me rëndësi për Schmitt-in që ta nënvizojë karakterin unik të Reich-ut gjerman – një singularitet absolut – «të mos harrojmë që emërtimi Deutsches Reich për singularitetin e tij e për madhështinë që ka, është i papërkthyeshëm» shpall Schmitt-i plot krenari. Por në të njëjtën kohë, përmes një argumentimi delikat, ai vë me kujdes theksin te fakti se Reich-u nazist qëndron brenda kategorisë së përgjithshme të perandorisë për aq sa statuti apo kondita e perandorisë është ajo e cila, sipas Schmitt-it, mundëson qasje në disa prerogativa tërësisht të veçanta: «Quhen perandori ato fuqi drejtuese të cilat bartin një ide politike që rrezaton në një hapësirë të madhe [theksimi AB] prej së cilës ato përjashtojnë si princip ndërhyrjet prej fuqive të huaja. (…) Është e qartë se secila perandori zotëron një hapësirë të madhe ku rrezaton idenë e vet politike, e cila duhet mbrojtur prej ndërhyrjeve të huaja».

Kur thotë këtë Schmitt-i synon të saktësojë përfundimisht dy gjëra. Së pari që në 1939 nuk jemi më në kohën e sistemit apo të ndërveprimit të përgjithshëm që bazohej mbi ekuilibrin konfliktual mes Shteteve-Kombe, se Shteti-Komb nuk është më njësia themelore me të cilën llogaritet politika evropiane, botërore dhe si pasojë e drejta ndërkombëtare. Së dyti, që Gjermania, meqenëse «popull i madh» e perandori që pohon singularitetin e vet, është në gjendje ta marrë «hapësirën e madhe» që i takon, ashtu siç e ka përvijuar më parë. «Që kjo ideja e trashëguar për Shtetin si koncept qendror i së drejtës ndërkombëtare nuk i përgjigjet më realizmit dhe as së vërtetës, për këtë jemi vetëdijësuar prej kohësh. (…) Në këto vitet e fundit Gjermania e ka tronditur dominimin e konceptit të Shtetit në të drejtën ndërkombëtare, duke i vënë përballë konceptin e popullit» shkruan Schmitt-i, duke e bërë tërësisht të kuptueshme perspektivën e vet.

Mbase e kam gabim, mirëpo më duket se do të mund ta ndërprisja në këtë pikë këtë ekspoze e të kthehesha kah ju, që jetoni në Azinë e largme, e të thosha: ja pra, jua tregova të tërë historinë, është një fabul për të tashmen tuaj, për aktualitetin tuaj, e imagjinuar prej një nacionalisti të moçëm konservator gjerman i cili u bë nazist, e i cili përshkruan në mënyrë të përkryer konditat që sot janë tuajat – de te fabula narratur… Mirëpo meqenëse më është dhënë porosia për ta shfaqur filmin bashkë me titra, atëherë le të vazhdojmë e të mos kemi frikë që të kalojmë prej regjimit të fabulës te ai i analitikës së të tashmes, e cila përfshin ca diagnoza e prognoza…

Pas mposhtjes së Gjermanisë e Japonisë, Shtetet e Bashkuara arritën të konstituojnë «hapësirën e madhe» të tyren në shkallë globale, gjë që nuk do të thotë doemos që ajo koincidon me kufijtë e planetit. Ekzistenca e një perandorie tjetër, asaj sovjetike, i vuri kufij zgjerimit perandorak të tyre, ashtu siç bëri, në një farë mase, edhe mbijetesa e zonave të influencës të trashëguara prej perandorive koloniale evropiane. Por, pas Luftës së Dytë Botërore, perandoria amerikane u globalizua në kuptimin që u projektua në të gjithë kontinentët dhe u paraqit më shumë se kurrë si një model universal, me terminologjinë e formave të jetës, të «vlerave» të shpallura, e të civilizimit.

Kjo trajtë është bërë e dukshme sidomos në Azinë lindore e në Paqësor, ku «hapësira e madhe» e ShBA-ve është si tokësore ashtu edhe detare, e ku përfshin secilën sferë të jetës: në këtë rrafsh rasti i Japonisë është shembull i mirë – bazat amerikane, demokracia parlamentare, por edhe muzika jazz e pija alkoolike bourbon. Paqësori u bë për Shtetet e Bashkuara ajo çka Schmitt e quan «hapësirë jetike», e tillë siç ishte Mesdheu për Italinë në ëndrrat për madhështi të Musolini-t. Me këtë «kapje» (Nahme/Nomos) që i bënë Paqësorit ShBA-të pas ngadhnjimit të tyre mbi Japoninë, deti reshti së qeni element që i reziston përfshirjes në «hapësirë të madhe», apo «ku nuk avitet sundimi njerëzor» siç e quan Schmitt-i. Paqësori u bë, për ShBA-të, në dimensionin e tyre perandorak, «një hapësirë për sundim njerëzor e për shpalosje efektive të fuqisë». Zgjerimi i «hapësirës së madhe» të ShBA-ve pas vitit 1945 vërteton pohimin e Schmitt-it: «Perandoria është më shumë se sa një Shtet i zmadhuar, po ashtu si hapësira e madhe e cila nuk është një hapësirë e vogël e zmadhuar».

Qysh prej fundit të Luftës së Dytë Botërore kanë qenë një sërë episodesh kyç që e kanë përcaktuar procesin e ndërtimit të gardhit rreth «hapësirës së madhe» të ShBA-ve në Paqësor e në Azinë Lindore – Revolucioni Kinez, Lufta e Koresë, Lufta e Vietnamit për të përmendur vetëm më esencialet – dhe përafrimi terminologjik dhe konceptual i ndërmarrë prej Schmitt-it mes Ordnung (rendit) dhe Ortung (lokalizimit) shfaqet aty në gjithë vlerën e vet: çdo «hapësirë e madhe» prodhon një «rend» (funksionim sipas disa rregullave) dhe ky «rend» është i lokalizuar, pra i vënë midis kufijsh, i gardhuar (e këtu rigjejmë një prej gjesteve fillestare të filozofisë politike të Schmitt-it – nomos-i në marrëdhënien e tij me përvijimin e një sinori, e një kufiri).

Nën këtë regjim të «perandorisë» «populli i madh» i cili shpalos fuqinë e vet në «hapësirën e madhe» të cilës ia ka ngritur kufijtë, nuk e ushtron sovranitetin sipas përkufizimit të këtij termi që propozohet nga tradita e filozofisë klasike evropiane, një sovranitet i cili afirmohej në shek. XIX si prerogativë e Shteteve-Kombe – ajo fikson disa rregulla e kufij: kështu në «hapësirën e madhe të ShBA-ve në Azi Lindore e Paqësor, as që bëhej fjalë që një entitet apo një territor të lëkundet drejt «kampit» tjetër gjatë Luftës së Ftohtë, as që bëhej fjalë që Taivani të ribashkohej me Kinën, që Okinava apo Koreja e Jugut të largonin bazat «amerikane», që komunistët të vinin në pushtet në Indonezi, etj.

Në esenë e tij të vitit 1939 Schmitt-i shpallte një lloj utopie naive (apo ndoshta kinse-naive), por djallëzore në secilin rast, e cila padashje ishte distopi më shumë se sa utopi, për të thënë të vërtetën: ajo e një rendi planetar të themeluar mes një ndarjeje të rregulluar të «hapësirave të mëdha», thënë shkurt, një ndarje e botës midis «popujve të mëdhenj» të cilët do të kishin ditur të imponoheshin, një ndarje mes perandorish të cilat, nga vetë përkufizimi, nuk do të mund të ishin shumë. Duhet, thoshte ai, «të shpiket koncepti i një rendi të hapësirës së madhe» – një figurë që duket se i ngjan makthit të Orwell-it te «1984» – ndarja e botës mes perandorish që mbanin emra të ëmbël si puna e Eurazia, Oqeania, Azilindore

Problemi i parë që has utopia großräumig e Schmitt-it është me sa duket, ajo e pikave ku ka kontakt apo mbivendosje mes këtyre «hapësirave të mëdha» – si dhe konfliktet që rrjedhin prej tyre. Arsyeja se pse Schmitt e anashkalon këtë problem është e qartë: në vitin 1939 ai kishte përqafuar diskursin e paqes me të cilin Führer-i kishte maskuar vazhdimisht Drang nach Osten-in ku ishte angazhuar pas pushtimit të Çekosllovakisë e në fillim të fushatës në Poloni, diversion që (sipas fjalëve të vetë Schmitt-it) shembullin e vet më të shkëlqyer e më paturp e gjeti në nënshkrimin e paktit gjermano-sovjetik për «përcaktimin e kufijve e miqësisë», në shtator të 1939. S´bëhej fjalë që të flitej asokohe për Reich-un i cili po përgatitej ta hidhte në zjarr e në gjak Evropën në mënyrë që të çonte përpara «të drejtat» e veta për «hapësirë të madhe»; përkundrazi, formimi i kësaj hapësire përshkruhej si rrjedhojë e dekretuar prej destinit historik, i cili gjithsesi do ta gjente rrugën e vet për t´u aktualizuar në mënyrën më të natyrshme e më paqësore të mundshme.

Por ajo që u dëshmua nga sulmi i befasishëm kundër BRSS-së në qershor 1941, edhe më parë se sa të bombardohej prej aviacionit japonez Pearl Harbor-i, është se regjimi i «hapësirave të mëdha» nuk është ai i ndarjes së drejtë por ai i luftës së vazhdueshme deri në vdekje, nën shenjën e luftës për hegjemoni (koncept të cilin nuk e kam gjetur te Schmitt, për habi). «Hapësirat e mëdha» nuk bashkëjetojnë paqësisht, qofshin ato tokësore apo detare (apo të dyjat), e traktati i famshëm i Grotius-it mbi të drejtën e detit e dëshmon në mënyrë të përkryer këtë gjë qysh në agim të modernitetit politik dhe ekonomik, duke qenë se ai traktat u shkrua për shkak të situatës së krijuar prej përplasjes së dy ambicieve të «hapësirës së madhe» – sidomos në Azi, asaj të Vendeve të Ulëta e asaj të Britanisë së Madhe.

Koncepti i «hapësirës së madhe» e bën më intensive përplasjen se ajo që zakonisht përshkruhet nga nocioni i «zonave të influencës». E nxjerr të zhveshur në dritë faktin se ajo çka luhet kur bëhen ndarjet tipike të këtij regjimi, nuk janë thjesht lojëra «influencash», por çështje të ndikimit, të territorializimit e të ushtrimit praktik të pushtetit. Shtetet e Bashkuara në Indokinë i morën frerët prej duarve të kolonializmit francez, jo për t´u bërë «influencues», por për të penguar shtrirjen aty të ndikimit të komunizmit të kuptuar si një ideologji, kundër së cilës u vendos një «hapësirë e madhe» që mësyn të pushtojë botën. Sa i përket homogjenitetit të kësaj hapësire, çdo pohim mbase është i gabuar e mbase i nënvleftëson përçarjet dhe dallimet e nëndheshme, mirëpo ajo çka u vu haptazi në pah prej luftës katastrofike të Vietnamit është se «hapësira e madhe», që në momentin kur fillon të bëhet një koncept veprues në realitetin e marrëdhënieve ndërkombëtare – edhe pse gjithnjë mbetet i fshehur sepse nuk bën të përmendet – e bart në vetvete luftën «ashtu si reja që bart stuhitë» (Jean Jaurès).

Mirëpo vetëm nën shenjën e këtij nocioni e të asnjë tjetri, bëhet e mundur që një fuqi ta përjetojë si konflikt me rëndësi jetike për sigurinë e vet një përplasje mes dy faktorëve që gjenden më shumë se 11.000 km. larg brigjeve të saj (Vietnamin). Që në momentin kur qeveritarët e strategët e një fuqie, që në momentin kur një popull (i cili e sheh veten si «të madh») fillojnë ta mendojnë raportin e tyre me botën e me fuqitë e tjera sipas «logjikave» të «hapësirës së madhe», pragu që ndan çështjet e politikës së brendshme dhe atyre që kanë trajtën e politikës ndërkombëtare, nis e bëhet i mjegullt, e jashtmja bëhet e brendshme dhe, prej vetë këtij fakti, nocione si ato të interesit jetik, të sigurisë, apo të rrezikut jetik, priren të bëhen obsesive e njëherazi të globalizohen – e kjo gjë i çoi ShBA-të të projektohen në teatrin vietnamez (apo në atë korean), për të mbrojtur «interesat jetësore» të vetat.

Siç na e përkujton Scmitt-i, fuqia duhet të vendoset në hapësirë e jo thjesht të territorializohet, pra thjesht të pajiset me një territor të vendosur brenda ca kufijve. Fuqia është në mënyrë konstante e prirur ta kapërcejë territorin e vet e të shkelë kufijtë e veta – ndërhyrja e ShBA-ve në konfliktin vietnamez tregon pikërisht këtë gjë. Por ky kapërcim deterritorializues bëhet i mundshëm vetëm për shkak se ajo vepron mbi «themelin» e «hapësirës së madhe» – qysh pas Luftës së Dytë Botërore ShBA-të e shohin Paqësorin dhe Azinë Lindore, deri në brigjet e Kinës, si zonë të tyre të sigurisë, duke përfshirë aty një vend si Filipinet e duke përjashtuar ardhjen në pushtet të ndonjë regjimi hostil në gjithë Azinë Juglindore.

Vargu i shkak-pasojave ndërtuar prej Schmitt-it, që ka për hallka «popullin e madh», perandorinë, fuqinë shtetërore dhe «hapësirën e madhe» shpjegon në mënyrë të përkryer situatën aktuale në Azinë Lindore dhe në zonën perëndimore të Paqësorit. Rritja e fuqisë së Kinës kontinentale gjatë dekadave të fundit ka bërë që të shfaqet te ajo një oreks për «hapësirë të madhe», doemos detare po aq sa edhe tokësore, një proces zgjerimi i cili detyrimisht përmban edhe «fërkime» të rrezikshme me hapësirën e madhe tashmë ekzistuese në atë zonë qysh prej kohëve të shkëlqimit të Pax Americana-s – e sidomos në këtë rajon.

Pasojat e këtij fërkimi (që gjithnjë mund të shkaktojë zjarr) janë edhe më të rrezikshme për faktin se njëra prej fuqive të angazhuara është në rënie e tjetra është tërësisht në rritje. Në aspektin më të përgjithshëm, që në momentin kur dy shtete të fuqishme «vendosen në hapësirë», do të ndodhë ky lloj i përplasjeve – e kjo prodhon shkëndija, veçanërisht në këtë konfigurim ku nuk bëhet fjalë thjesht për një ballafaqim mes dy «hapësirave të mëdha» por është në lojë edhe vetë pozita e hegjemonit në shkallë globale. Kjo është arsyeja për të cilën Deti i Kinës Jugore sot është një prej vendeve më të rrezikshme në botë, dhe zbutja e rrezikut nuk duket se është pranë. Në këtë konfigurim ku thuajse çdo ditë luftanijet e aeroplanët gjuajtës e bombardues të Kinës e të ShBA-ve masin forcat e mbikqyrin njëri-tjetrin në ngushticën e Taivanit dhe në Detin e Kinës së Jugut, duket haptazi se nocioni i «hapësirës së madhe» është ai që lejon t´i avitemi kuptimit të asaj për të cilën po luhet në këtë teatër të krizës që po intensifikohet: ajo që po luhet është shumë më tepër se sa një konflikt klasik mes dy Shteteve-Kombe. Nuk bëhet fjalë aty për vizatim kufijsh, për territore të diskutueshme mes njërës e tjetrës fuqi, por për vendosjen në hapësirë të fuqisë, në një kuptim shumë më të përgjithshëm.

Njëra prej dy fuqive të implikuara në konflikt vepron për të ndërtuar një mburojë detare në prag të territorit të vet, tjetra për të ruajtur prerogativat e saj imperiale dhe hegjemonike në një hapësirë rajonale të vendosur mijëra kilometra larg territorit të saj. Nga ana tjetër përballja që po zhvillohet mes një «hapësire të madhe» e cila është në mbërje e sipër e tjetra në shpërbërje e sipër, ka si prapaskenë një luftë ekonomike e tregtare, kështu që në lojë është pozita e liderit të ekonomisë botërore.

Me fjalë të tjera, dhe përkundër asaj që pretendon Carl Schmitt-i i cili asokohe kishte përqafuar «diskursin paqësor» të Hitler-it, «hapësira e madhe» e ka si prirje natyrore globalizimin, shtrirjen në gjithë planetin, dhe zhvillimi i saj shtyhet prej një dinamike deterritorializuese e cila i hedh në erë gjithë pengesat e i fshin gjithë kufijtë.

Në këtë kuptim ambiciet e Pekinit në Detin e Kinës Jugore janë të pandashme me ato që përvijohen pas «rrugëve» të reja kineze që hapen në të gjitha drejtimet, drejt Azisë Juglindore, Azisë Qendrore, Evropës, Afrikës…

Nuk duam të themi se të gjitha dinamikat që veprojnë gjatë zhvillimit të një «hapësire të madhe» janë të barazvlefshme apo të ngjashme – ambiciet kineze në Detin e Kinës së Jugut dhe ato të Belt and Road Initiative nuk janë një remake i Sferës së bashkë-zhvillimit aziatik të Japonisë perandorake, militariste e pushtuese, e as nuk janë një kopje e përshtatur e doktrinës Monroe në versionin e saj imperialist, hegjemonist dhe të globalizuar. Por thjesht, përdorimi i konceptit të «hapësirës së madhe» për të menduar konfliktet globale të sotme dhe luftërat që i kanosen planetit, është diçka që lejon të kuptohet, siç e kishte kapur Schmitt-i qysh në 1939, se prej shumë kohësh nuk jetojmë më në regjimin e konfliktualitetit komplementar të Shteteve-Kombe, të kuptuar si një «sistem» me rregulla e konvencione të vetat; po ashtu nuk jetojmë më as në regjimin e «kampeve» si në kohët e Luftës së Ftohtë, por në atë të «hapësirave të mëdha». Në thelb, përshembull, ngecja e Bashkimit Evropian që nuk ka arritur kurrë të konstituohet si një fuqi dhe entitet i mëvetëm, autonom, i aftë për të rivalizuar në politikë ndërkombëtare me fuqitë e tjera, është ngecja e ambicies për të formuar një «hapësirë të madhe», të riterritorializuar përreth kontinentit të vjetër por të aftë për të rrezatuar në gjithë botën, duke mishëruar aftësinë dhe singularitetin e një «populli evropian», të një singulariteti evropian të vendosur pas periudhës së perandorive kolonizuese evropiane. Një popull i tillë evropian post-kolonialist nuk po arrin të formohet e po has një ngecje radikale, e bashkë me të edhe imperiumi i tij e «hapësira e madhe».

Një formulë si kjo që po lexoj te Le Monde në ditën kur e përfundova versionin paraprak të këtij teksti (3 korrik 2020) – «Ushtrimet ushtarake kineze përreth arqipelagut Paracels shqetësojnë Pentagonin» – nuk mund të kuptohet dot nëse nuk e lidhim me nocionin e «hapësirës së madhe». Në dukje kaq banale, kjo formulë nuk gjen dot kuptim përveçse nëse i referohet në mënyrë të nënkuptuar ekzistencës së një «hapësire të madhe» të ShBA-ve që shtrihet deri në kufijtë detarë të Kinës. E anasjellta, formula simetrike «Ministria kineze e mbrojtjes shqetësohet për praninë e anijeve ushtarake amerikane midis Key West-it dhe Havanas» është e pamendueshme dhe e pakuptimtë, gjë që dëshmon se nuk shtrihet ndonjë «hapësirë e madhe» kineze deri në afërsi të brigjeve të Floridës. Nocioni i «hapësirës së madhe» funksionon kështu si ai që shoqëron kthimin në realitet. «Realizmi» që propozon Schmitt-i në këtë konfigurim paraqitet si ai që i kundërvihet «ideologjikes» – trillimit jorealist sipas së cilit gjithë sovranitetet shtetërore janë të barabarta në të drejta, pra edhe në fuqi. Nëse ShBA-të duken të prirura që «të shqetësohen» pa pushim për garantimin e sovranitetit de facto të Taivanit, të alarmohen se mos instalimet ushtarake kineze në ca ishuj të vegjël në Detin e Kinës Jugore po shkelin të drejtat e Vietnamit, të Filipineve, të Singaporit, të Sulltanatit të Bruneit (etj.), apo nëse «lirinë e deteve» e kanë fort për zemër sidomos në këtë zonë, e më shumë se sa në zona të tjera detare, atëherë nocioni i «hapësirës së madhe» në këtë aktualitet është më funksional se kurrë.

Mirëpo në të njëjtën kohë kjo është edhe arsyeja pse ky nocion nuk figuron në fjalorët e kancelarive e as në atë të shkencës apo filozofisë politike në perëndim – sepse në fakt është një nocion që si efekt të drejtpërdrejtë ka «mjegullimin» e vijave ndarëse midis asaj që supozohet të jetë themel i të drejtës ndërkombëtare të konsideruar si një arritje e përparim i qytetërimit dhe asaj që veçanërisht refuzohet, «të drejtës për të pushtuar» – refuzim që ndodhi sidomos pas mposhtjes së regjimeve militariste dhe ekspansioniste (Gjermanisë, Japonisë, Italisë) pra pas Luftës së Dytë Botërore. Nocioni i «hapësirës së madhe» është i vërtetë pikërisht kur i shuan këta kufij të trilluar. Ai lejon që të kumtohen diagnoza realiste mbi të tashmen e mbi rreziqet që ajo fsheh, sidomos në këtë rajon ku po përballen dy pllaka tektonike të «hapësirave të mëdha», ajo e ShBA-ve, e lodhur por larg të qenit e mposhtur, dhe ajo e «hapësirës së madhe» kineze, që është duke u zgjeruar. Ky koncept si pasojë na lejon që të imagjinojmë edhe prognoza të së ardhmes – jo krejt të trëndafilta brenda realizmit të tyre.

Alain Brossat është profesor i filozofisë në Universitetin Paris VIII

Përktheu nga frëngjishtja Arbër Zaimi


[1] Përdor grafinë “hapësirë e madhe” me synim që të vë në dukje se nuk bëhet fjalë thjesht për një hapësirë që cilësohet si e madhe, por për një koncept të përveçmë që në gjermanisht jepet me një fjalë të veçantë: Großraum.

[2] Titulli i plotë i esesë së Schmitt-it është: E drejta e popujve e rregulluar sipas hapësirës së madhe që parandalon ndërhyrjet prej fuqive të jashtme – një kontribut për konceptin e perandorisë në të drejtën ndërkombëtare (1939-1942, Krisis, 2011).