(Ky shkrim është botuar në 20 mars 2020)

Filozofi nuk dorëzohet. I sulmuar nga shumë anë për shkak të teksteve të tij të mëparshme për sëmundjen ngjitëse, disa herë i sulmuar në mënyrë serioze e disa të tjera në mënyrë harbute, ai prapë përgjigjet. Dhe e përkeqëson situatën. Teza e tij është si vijon: nëse të gjithë ne, përfshi dhe mua, filozof pensionist dhe me sëmundje të ndryshme, shqetësohemi për shëndetin dhe jetën tonë e rrimë mbyllur në shtëpi duke shmangur kontaktet, atëherë në rastin më të mirë jemi të pamençur, e në rastin më të keq jemi shërbëtorë të pushtetit. Sipas tij, për të dëshmuar se nuk jemi katandisur në jetë të zhveshura dhe si pasojë në objekte të çarmatosura të pushtetit (i cili është i keq si përkufizim, pavarësisht se ç´bën), do të duhej të zbrisnim plot gëzim nëpër rrugë, t´i shkonim përballë virusit korona dhe me një zë moskokëçarës e me një shikim joshës, ta ftojmë që të na infektojë: «Më infekto, më infekto, nuk jam një jetë e zhveshur, jam jetë e vërtetë dhe e mirëfilltë, edhe pse sipas çdo gjase, tashmë në rrugë e sipër për t´u bërë kufomë».

Po e lë pa bërë një analizë të togfjalëshit «jetë e zhveshur» që është larg modeleve të cilëve pretendon t´u referohet – «thjesht jeta» e Benjamin-it nga Kritika e Dhunës dhe «jeta e zhveshur» e Arendt-it nga Origjinat e totalitarizmit – gjëja që lëndon më shumë kur lexon tekstin e filozofit e që më godet më shumë, është përbuzja që rrjedh prej fjalëve të tij, përbuzja për ne krijesat mjerane të cilët në vend që të luftojmë kundër gjendjes së jashtëzakonshme, kundër kapitalizmit dhe kundër gjithë masave lirivrasëse që janë ndërmarrë tash prej gjithë qeverive në gjithë botën, ne mendojmë vetëm se si të shmangim vdekjen, si të mos vdesim ne dhe si të mos shkaktojmë vdekjen e të tjerëve, qofshin ata që duam, qofshin të panjohurit, përfshi dhe filozofët që urojnë që ne të vdesim. Oh, i dashur Nancy, sa mirë po të kuptoj!

Ku gabon filozofi? Në furinë e tij gnostike (sipas së cilës pushteti nuk është një aset shoqëror jopersonal dhe neutral – funksion i shumë gjesteve e prirjeve të cilat për shkak të heterogjenezës të synimeve prodhojnë situata që nuk mund t´i mvishen një subjekti të vetëm (këtë na ka mësuar Foucault, për cilindo që e lexon me mendje të kthjellët) – por më tepër një realitet i personalizuar të cilit, ashtu si Demiurgut të Markionit, i atribuohet një vullnet i kthyer kah e keqja dhe një synim pervers) ai beson se pushteti është ai që na katandis te ajo jetë e zhveshur të cilën secili mund ta vrasë pa patur pasoja, madje me shpirt të qetë e të përmbushur, njësoj siç mund të vritet një homo sacer. Në të vërtetë ajo që na katandis në jetë të zhveshur e që na shtrëngon të merremi me mbijetesën, duke i shtyrë për nesër ndjenjat, marrëdhëniet shoqërore e shkëmbimet kulturore, është vetë jeta kur e imponon praninë e saj pa ato filtra që zakonisht shërbejnë për të na mbrojtur. E kam fjalën pikërisht për atë, virusin, i cili sot ka marrë formën e virusit korona, është ai jeta e zhveshur, jeta e vërtetë dhe e mirëfilltë, jeta tërësore. E dinte Lacan-i, për të cilin filozofi as që e çan kokën, se jeta nuk është gjë tjetër përveçse sëmundje ngjitëse, infeksion, pushtet thanatologjik, murtajë. Kur jeta bëhet si lumë që del prej shtratit të vet – po në rastin e virusit as jeta por një faksimile e saj, një jo-gjallesë e cila shtiret sikur jeton në shpinën tonë, në shpinë të organizmave të gjalla – dhe vërshon ekzistencën që ne jemi, atëherë shpërndahet ankthi; sepse ankthi nuk është asgjë tjetër përveç kësaj: të katandisesh prej jetës në trup, në organizëm, në një rropulli që po kalbet, një një kufomë lëvizëse. Kundër jetës që prodhon vdekje, imperativi i vetëm është që të mos vdiset, e kjo gjë na bën të denjë të ekzistojmë sot. Dhe për të mos vdekur ndonjëherë është e nevojshme të rrallohet lidhja shoqërore, të pakësohen takimet, të rrihet në shtëpi (oh retorika për liritë mikro-borgjeze: liria për peizazh, për ajër të pastër, për banjo dielli, për puthje e përqafime!). Dhe të përdoret interneti: sepse, qershiza mbi tortë, filozofin interneti e bezdis. Si të gjithë humanistët ai është i bindur se teknika çnjerëzon: nuk kupton se përkundrazi, teknika është antropogjenike. Por për një person që teorizon mbi përdorimin e trupave sipas rregullës françeskane, komunikimi në distancë nuk është gjë tjetër pos punë e djallit, njësoj si paraja. Sot më shumë se kurrë përdorni skype, ëhatsApp, sms, dhe rrini të bashkuar në ndarje, bëhuni të fortë duke ndenjur larg, së paku një metër. Dhe, paçi fat!

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi