(Kjo intervistë u botua së pari në gazetën suedeze «Dagbladet», ku filozofi italian merret në pyetje prej eseistit suedez Torbjörn Elensky, e më pas, në 18 mars 2020, në italisht tek Instituti Italian për Studime Filozofike).

Me emergjencën e shkaktuar prej shpërhapjes së epidemisë të ardhur prej COVID-19, shohim politikanët e gjithë vendeve të angazhuar në një mënyrë të jashtëzakonshme për të shpëtuar jetë njerëzore. Si do t´i konsideronit këto zhvillime, në dritën e teorisë suaj të immunitas-it?

Ndër të tjera, më duket se çështja e imunizimit po konfirmohet se është absolutisht qendrore për biopolitikën bashkëkohore. Biopolitika nuk është kategori e pandryshueshme në kohë. Siç e ka argumentuar tashmë edhe Foucault, bëhet fjalë për një fenomen historik, i cili ka një fillim e i cili ka përshkuar ndryshime të panumërta. Nëse në fillim të shek. XX biopolitika sidomos (por jo vetëm) në dorë të nazizmit u përmbys e u shndërrua në thanatopolitikë, në politikë të vdekjes, sot ajo ka marrë një karakter të ndryshëm, thellësisht të shenjuar prej gjuhës së imunitetit. Kjo do të thotë se nuk duhet menduar marrëdhënia biopolitike si një sundim i pushtetit mbi jetën – edhe pse kjo nuk përjashtohet assesi – por si një dinamikë e cila ka të bëjë me vetë jetën e individëve dhe popullatave, në marrëdhëniet e saj me rrezikun e infektimit. Pra, më shumë se sa një marrëdhënie vertikale, mes të epërmes e të poshtmes, kemi të bëjmë me një marrëdhënie horizontale, mes individëve dhe komuniteteve. Qoftë çështja e imigrimit, qoftë ajo e virusit korona, janë pjesë e këtij horizonti imunitar. Imunizimi nga njëra anë kërkohet si mbrojtje prej infektimit që mund të ngjitet nga individë të tjerë, e nga ana tjetër kërkohet si një lloj vaksine përballë vetë sëmundjes. Siç është thënë, vetëm kur një pjesë e madhe e popullatës të infektohet, do të mund të kemi një «imunitet të grigjës», gjë që do të krijojë siguri e mbrojtje prej kësaj të keqeje.

Më duket se në fillim të epidemisë, sidomos në Suedi, ka patur një farë cinizmi duke nënvizuar se viktimat e virusit korona do të ishin vetëm personat e moshuar e tashmë të sëmurë. A ka patur edhe në Itali diskutime të këtij lloji? A janë këta pozicione të kategorizueshëm brenda një lloj darwin-izmi social?

E pranoj se edhe në Itali ka qenë një ndjesi e tillë, po aq e papëlqyeshme – deri para se të bëhej e qartë se virusi korona sulmon edhe një pjesë të atyre që nuk janë të moshuar, madje edhe të rinj. U mendua se vdekja e të moshuarve është një lloj mbrojtjeje e shpëtimi për ata që nuk janë të moshuar – a thua se sëmundja në vend që të kërëcnonte cilindo, kërcënonte vetëm një grup të caktuar të popullatës, me një moshë të caktuar. Prej kësaj rrodhi ideja, që më vonë doli e gabuar, se të rinjtë ishin të sigurt dhe se për pasojë mund edhe të mos e çanin kokën fort për infeksionin që po përhapej. Kështu shpjegohet fakti se, të paktën deri para disa javësh, shumë të rinj kanë shmangur masat mbrojtëse, duke vazhduar të frekuentojnë vende të mbingarkuara, bare e festa, aktivitete sportive. Jam dakord, në këto sjellje ndihet një lloj darwin-izmi social – që në Suedi është i pranishëm qysh prej dekadave të para të shek. XX – sipas të cilit vetëm më të përshtatshmit do të mbijetojnë, krahasuar me më të brishtët. Nga kjo mjafton veç një hap që të kalohet te ideja se jeta e këtyre të fundit mund të jetë e sakrifikueshme në emër të mbijetesës së të parëve.

Ç´pasoja mund të sjellë epidemia te kufijtë, brenda e jashtë Bashkimit Evropian? A mund ta përforcojë prirjen e çdo vendi për t´u mbyllur në vetvete?

Fatkeqësisht kjo është një mundësi shumë serioze. Virusi korona mund të ketë një impakt në dy drejtime të ndryshme e të kundërta. Nga njëra anë shpërhapja e tij shumë e shpejtë përtej kufijve kombëtarë madje dhe atyre kontinentalë, e bën perspektivën e kthimit te shtetet kombëtare – apo atë që në Itali e quajmë sovranismo – jo praktike. Ç´të vlen përforcimi i kufijve kombëtarë nëse rreziku më i madh sot – ai i pandemisë – është i aftë të tejkalojë çdo kontroll e të kapërcejë çdo kufi? Nga ana tjetër ama, emergjenca e virusit me pasojat katastrofale që sjell, përbën megjithatë edhe një goditje ndaj globalizimit. Siç kishte ndodhur tashmë me krizën ekonomike dhe me çështjen e imigrimit, globalizimi tregoi fytyrën e vet negative. Ai nuk sjell vetëm përparësi, por edhe efekte të mëdha negative. Kjo gjë mund t´i bëjë shtetet kombëtare të provojnë, për sa është e mundur, që të mbyllen brenda vetes së vet, duke përforcuar forcat politike të ashtuquajtura sovraniste dhe populiste (në Itali sidomos «Lega» dhe «Fratelli d´Italia»).

Në ç mënyrë shpërhapja e virusit dhe masat e marra për ta vënë nën kontroll këtë shpërhapje, mund të influencojnë në afatgjatë sjelljet tona shoqërore, të cilat tashmë janë shenjuar prej impaktit të përdorimit të telefonave, aplikacioneve dhe mediave sociale?

Edhe sa i përket mediave virusi ka efekte dydrejtimëshe. Nga njëra anë risjell vëmendjen te trupat e gjallë të njerëzve, e jo te ata virtualë. Prej këtu e tutje do të bëhet e vështirë të mendosh se marrëdhëniet reale mund të zëvendësohen me ato virtuale. Tashmë ka një farë nostalgjie për marrëdhëniet shoqërore që u detyruam të ndërpresim. Kuptohet që mediat sociale nuk mjaftojnë dhe nuk mund të zëvendësojnë kontaktet fizike, siç mund të ketë menduar dikush. Nga ana tjetër, vihet re edhe se sa e si mediat elektronike janë të rëndësishme për kontaktet ndërpersonale kur këto janë të pamundura tjetërqysh, siç ka ndodhur gjatë këtyre javëve.

A mund të flitet për gjendje emergjence, apo për gjendje të jashtëzakonshme, në kuptimin qysh e zhvillon këtë temë Giorgio Agamben?

Sigurisht që mund të flitet për gjendje emergjence – apo të jashtëzakonshme – mirëpo jo në kuptimin e një vullneti nga ana e pushtetit për të kapur e për të shtënë nën kontroll jetën. Sot gjendja e emergjencës – në të cilën sigurisht që jemi duke jetuar tashmë – nuk është produkt i një vullneti sovran për të administruar jetët sipas interesit të vet, apo aq më keq për të mohuar mundësinë e të jetuarit. Ajo më shumë lind prej domosdoshmërisë për të mbrojtur jetën e individëve dhe të popullatave. Pra në origjinën e gjendjes së emergjencës – që faktikisht është shpallur në Kinë, në Itali e së shpejti edhe në shtete të tjera – nuk qëndron arbitrazhi i pushtetit, apo vendimmarrja sovrane, por urgjenca për të shtënë në kontroll shpërhapjen e virusit, për ta ndaluar transmetimin e tij të lirë prej një personi te tjetri. Megjithatë kjo nuk e ndryshon faktin se gjendja e emergjencës në një vend despotik si Kina nuk dallon prej asaj që praktikohet ose do të mund të praktikohej në shtetet demokratike si Italia, apo Suedia.

Pas një gjendjeje të emergjencës apo të jashtëzakonshme, në ç´mënyrë mund të rikthehemi te politika në sensin demokratik?

Çështja është si të gjehet një barazpeshë virtuoze mes communitas dhe immunitas. Ashtu siç nuk ka trup individual, nuk ka as trup politik që do të mund të jetonte pa një sistem imunitar. Gjithë puna është si të mos tejkalohen limitet përtej të cilavë imunizimi përfundon duke shkatërruar vetë trupin që pretendohej të mbronte, psh. duke ia mohuar lirinë. Pasi që aktivizohet për shkak të nevojës sistemi imunitar, siç po ndodh në këtë periudhë izolimi të imponuar të individëve, duhet të riaktivizohet sapo ta lejojë situata, parimi komunitar. Qysh tash fundja, në mes të krizës imunitare që po kalojmë, nevoja për munus të përbashkët – pra për ndarje e dhurim – është duke u praktikuar. Psh. prej punonjësve shëndetësorë – mjekëve, infermierëve, vullnetarëve – të cilët rrezikojnë jetën e vet për të shpëtuar jetë të tjera. Kur të përfundojë e gjithë kjo, do të duhej të bëhej edhe një tjetër përpjekje në këtë drejtim. Gjë që do të koincidonte faktikisht me riaktivizimin e demokracisë.

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi