(Ky shkrim është publikuar në 13 mars 2020)

Njësitë banesore me një dhomë, janë bërë si qeli izolimi, njësitë familjare me shumë banorë që jetojnë së bashku, janë bërë qeli të një burgu të mbingarkuar, e njësitë standarde të banimit, ato që merren si model, po shndërrohen në ëndrrën klaustrofobike të shumë meshkujve të dhunshëm: gratë e fëmijët tash tërësisht në mëshirën e tyre. Pastaj janë ata e ato që jetojnë në rrugë, të cilët mbase paradoksalisht mund të jenë të vetmit të lirë, mirëpo ata nuk llogariten.

Pra të paktën tre tipologji të ndryshme burgjesh që mund të prodhojnë efektet si në vijim. Të mbyllurit e të mbyllurat në qelinë e izolimit priren për veprime vetëdëmtuese, tentativa vetëvrasjeje, depresion, konsum akut të duhanit, dhe abuzim me qetësues e psikofarmakë të tjerë. Në qelitë e mbingarkuara mbase mund të shpresohet që zhvillohet ndonjë lloj solidariteti i brendshëm, por është po aq e mundshme anasjelltas të priten zënka, konflikte akute, rrahje. Ndërsa në modelin standard, ai të cilin marrin si referencë dekretet, të burgosurit në analizë të fundit janë gratë dhe fëmijët, e kjo nuk na bën të ndihemi të sigurt, duke parë shkallën e lartë të keqtrajtimeve e të feminicidit. 

Kush mbikqyr, kë? Brenda tipit të dytë e të tretë të burgut, mbikqyrja së paku pjesërisht u besohet vetë të burgosurve, të cilët domosdoshmërisht strukturohen në hierarki të komandimit. Ndërsa në tipin e parë, vetëmbikqyremi, falë brendësimit të komandimit e sidomos të frikës prej asaj që është ashtë. Në fakt, për të gjithë e për të gjitha, frika prej së jashtmes sundon: duhet të rrimë të burgosur sepse jashtë është një armik dinak dhe agresiv, të cilin kurrë saktësisht nuk mund ta dish ku fshihet e si mund të të hidhet në fyt. Megjithatë, ka patrulla të forcave të rendit nëpër rrugë, të gatshme për të gjobitur këdo që e gjejnë jashtë pa leje. Në Kinë janë edhe më të përparuar, je i kontrolluar individualisht në të gjithë momentet jetësore prej inteligjiencës artificiale, mirëpo nëse përpiqemi pak, mund t´ia dalim mbanë edhe ne në atë drejtim.

Në ndërkohë, vendet tradicionale të burgosjes, pra burgjet, qendrat e riedukimit etj. po shpërthejnë e po digjen: ah sikur të mund t´i dërgonim të gjithë në burg shtëpiak (por si t´ia bëjmë që shumë prej tyre nuk kanë banesë). Transferimi i të burgosurve nëpër shtëpi do të ishte idealja. Italia do të transformohej ashtu në një burg të stërmadh me 60 milion persona, pak a shumë të vetëburgosur, të mbikëqyrur në sektorë të ndryshëm prej personelit të brendshëm, e të drejtuar së jashtmi nga forcat e rendit, dhe ndoshta pak më vonë, ku i dihet, edhe nga ushtria e vënë në funksion të «rendit publik».

Kështu pra kemi kaluar prej Kështjellës Evropë, tek Kështjella Itali, e më në fund te Kështjella Shtëpi. Tani jemi të gjithë e të gjitha homines muniti, të mbyllur e të ndryrë, për të mos thënë të rrethuar, sepse armiku jemi ne, dhe ne jemi edhe potenciali kriminal, edhe potenciali policor.

Kurrë s´kemi parë qytete kaq «të bukura», kaq të pastra, kaq të rregulluara, «të sigurta» e të vdekura. Më në fund!

PS: Vetëkuptohet, burg apo jo, duhet me ndejtë në shtëpi!

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi