(Kjo intervistë u publikua në 18 mars 2020. Pyetjet u përgatitën nga David Le Bailly dhe Sylvain Courage)

Cili është, në këtë fazë, mësimi kryesor që mund të marrim prej pandemisë së virusit korona?

Kjo krizë na tregon se globalizimi është një ndërvarësi pa solidaritet. Lëvizja globalizuese sigurisht prodhon bashkimin tekno-ekonomik të planetit, mirëpo nuk rrit mirëkuptimin mes popujve. Pas fillimit të globalizimit në vitet 1990, kanë vazhduar luftërat e krizat financiare. Rreziqet planetare – ekologjia, armët bërthamore, ekonomia e derregulluar – kanë krijuar një përbashkim të fatit të njerëzimit, mirëpo njerëzit nuk janë vetëdijësuar për këtë. Virusi sot po vë në pah, në mënyrë të beftë e tragjike, se si e kemi fatin e përbashkët. A do të vetëdijësohemi më në fund? Në mungesë të solidaritetit ndërkombëtar e të organizmave të përbashkët që do të mund të merrnin masa në shkallë të njëjtë me pandeminë, po shohim mbylljen egoiste të shteteve në vetvete.

Në diskursin e tij presidenti Macron flet për rrezikun e një «rritjeje të nacionalizmit»…

Për herë të parë është një diskurs i vërtetë i presidentit. Nuk foli vetëm për çështjen e ekonomisë dhe të ndërmarrjeve, por edhe për fatin e gjithë francezëve, të atyre që përfitojnë përkujdesje dhe të atyre që ofrojnë përkujdesje, të punëtorëve që pjesërisht janë dënuar me papunësi. Aludimi i tij për modelin e zhvillimit që duhet të ndërrohet është karrem. Thënë kjo, antidoti i rritjes së nacionalizmit nuk është rritja e evropianizmit, sepse Evropa nuk është e aftë të bashkohet atje lart: do të duhej formimi i solidariteteve ndërkombëtare, duke ia nisur prej mjekëve e studiuesve nga të gjithë kontinentët.

Çfarë ndryshimesh do të duhej të bëheshin, sipas jush?

Virusi korona po na thotë me forcë që i gjithë njerëzimi duhet të kërkojë një rrugë të re, e cila do ta braktiste doktrinën neoliberale për një Neë Deal politik, shoqëror, ekologjik. Rruga e re do të shpëtonte dhe do të përforconte shërbimet publike, siç janë spitalet, të cilat kanë prej vitesh kanë pësuar shkurtime të paarsyeshme. Rruga e re do të korrigjonte efektet e globalizimit, duke krijuar zona të paglobalizuara që do të ruanin disa autonomi themelore…

Cilat janë ato «autonomi themelore»?

Fillimisht autonomia e të jetuarit. Në kohën e pushtimit gjerman ne kishim një bujqësi franceze të diversifikuar e cila na lejonte të ushqenim pa vdekur urie popullatën tonë, pavarësisht bastisjeve gjermane. Ndërsa sot, na duhet të rimëkëmbin diversifikimin. Pastaj është autonomia shëndetësore. Sot shumë barna prodhohen në Indi e në Kinë dhe ne rrezikojmë të mbetemi pa to. Duhet të kthehen në territoret e secilit vend ato që janë vitale për atë vend.

A e ka rënduar krizën shëndetësore globalizimi, duke e bërë krizë të përgjithshme?

Po, kështu ka ndodhur. Kur Putini vendos që të vazhdojë prodhimin e naftës ruse, kjo prodhon ulje të çmimeve në Arabi Saudite e në Shtetet e Bashkuara, ku Teksasi rrezikon të përballet me vështirësi të mëdha, gjë që mund t´ia humbë zgjedhjet Trump-it. Paniku ka kapluar financierët, gjë që prodhon rrëzim të bursës. Nuk i kemi nën kontroll këto reagime zinxhirore. Kriza e lindur prej virusit e rëndon krizën e përgjithshme të njerëzimit që është krijuar prej fuqive të cilat nuk i binden asnjë kontrolli.

Nëse e krahasojmë me gripin spanjoll të vitit 1918-1919, i cili u trajtua me heshtje të llojit «omerta» nga ana e autoriteteve, kësaj radhe qeveritë kanë luajtur në mënyrë pak a shumë transparente… A nuk është ky efekt i globalizimit?

Në kohën e gripit spanjoll nuk deshën që popujt, e sidomos luftëtarët të merrnin vesh për infeksionin. Ai mbulim i së vërtetës sot është i pamundur. As regjimi kinez nuk mundi ta mbyste lajmin, edhe pse e ndëshkuan heroin që dha alarmin… Rrjetet e informimit na lejojnë që të jemi në rrjedhë me shpërhapjen e pandemisë, vend pas vendi. Por kjo nuk ka çuar në rritje të bashkëpunimit në nivel të lartë. Thjesht është mundësuar një bashkëpunim ndërkombëtar spontan mes studiuesve dhe mjekëve. OBSh-ja, njësoj si OKB-ja, janë të paafta që të dërgojnë mjetet e rezistencës ndaj sëmundjes në vendet që kanë më shumë nevojë për to.

«Jemi kthyer në kohë lufte»: kjo është fraza që përsëritet shpesh për të përshkruar situatën në Itali e në Francë. Ju e keni përjetuar atë kohë. Çfarë ju thotë kjo analogji?

Në kohën e pushtimit kishte fenomene të burgosjeve, të deportimeve, kishte geto… Por dallimi i madh me kohën e sotme ishte që masat kufizuese atëherë imponoheshin prej armikut, ndërsa sot imponohen kundër armikut, që është virusi. Disa muaj pasi na pushtuan, filluan të sekuestronin ushqime për ushtrinë. Ndërsa sot nuk po ndidhin ende këto gjëra, edhe pse ka filluar të shfaqet paniku. Por nëse kjo krizë vazhdon, me reduktimin e transportit të mallrave në nivel ndërkombëtar, mund të parashikojmë se do të rikthehen racionet. Aty mbaron analogjia. Nuk jemi në të njëjtin lloj lufte. 

Për herë të parë që prej 1940 shkollat e universitetet janë mbyllur…

Po, mirëpo në atë kohë mbyllja ishte shumë e përkohshme. Pushtimi i Francës ndodhi në qershor, kohë kur fillojnë pushimet shkollore. Në tetor shkollat u rihapën.

Çfarë mund të presim prej izolimit? Frikë? Mosbesim mes individëve? Apo përkundrazi, zhvillim të marrëdhënieve të reja mes njëri-tjetrit?

Ne jemi në një shoqëri ku strukturat tradicionale të solidaritetit janë degraduar. Një prej problemeve të mëdha është ringjallja e solidariteteve mes fqinjëve, mes punëtorëve, mes qytetarëve… Me masat kufizuese që po përjetojmë, do të rimëkëmben solidaritetet mes prindërve e femijëve që nuk janë më në shkollë, mes fqinjëve… Mundësitë tona për të konsumuar do të zvogëlohen, dhe duhet të përfitojmë prej kësaj situate që ta rimendojmë konsumerizmin, ose thënë ndryshe varësinë prej «konsumit drogues», dehjen tonë prej prodhimeve që s´kanë ndonjë dobi të vërtetë. Të lirohemi prej sasisë, në të mirë të cilësisë.

Ndoshta edhe marrëdhënia jonë me kohën do të ndryshojë…

Po. Falë izolimit, falë kohës që do të rigjejmë, e cila nuk do të jetë më e shkurtër, e kronometruar, nuk do të jetë më thjesht metro – punë – gjumë, do të kemi mundësinë që të gjejmë veten tonë, të shohim se cilat janë nevojat tona thelbësore, pra dashuria, miqësia, butësia, solidariteti, poezia e jetës… Izolimi mund të na ndihmojë të nisim një detoksifikim të mënyrës sonë të të jetuarit, për të kuptuar se të jetuarit mirë do të thotë të rrisim «Unin» tonë, mirëpo gjithnjë brenda «Ne-së» tonë plot shumëllojshmëri.

Për fund, a mund të jetë kjo krizë paradoksalisht e shëndetshme?

U preka shumë kur pashë ato gratë italiane në ballkonet e tyre që këndonin himnin e vëllazërisë «Fratelli d´Italia» (Vëllezër të Italisë). Na duhet të rigjejmë një solidaritet kombëtar, jo të mbyllur dhe egoiste, por të hapur për bashkësinë e fatit tonë të përbashkët, për bashkësinë «tokësore»… Para se të na shfaqej virusi, qeniet njerëzore nga të gjithë kontinentët përballeshin me probleme të njëjta: shkatërrimi i biosferës, shumimi i armëve bërthamore, ekonomia e derregulluar që rrit pabarazitë… Kjo bashkësi e fatit të përbashkët ekziston, mirëpo meqë shpirtrat janë të kapluar prej ankthit, në vend që të vetëdijësohen për këtë ata gjejnë strehë te egoizmi nacional apo religjioz. Të mirëkuptohemi, një solidaritet kombëtar, thelbësor, është i domosdoshëm, por nëse nuk e kuptojmë që na duhet edhe një vetëdije e përbashkët për fatin e njerëzimit, nëse nuk përparojmë në solidaritet, nëse nuk e ndërrojmë të menduarit politik, atëherë kriza e njerëzimit do të rëndohet. Mesazhi i virusit është i qartë. Fati i keq i yni nëse nuk duam ta dëgjojmë.

Përktheu nga frengjishtja Arbër Zaimi