Nga Mario Draghi

(Ky shkrim u botua në 26 mars 2020)

Pandemia e virusit korona është një tragjedi njerëzore që ka potencial për të arritur në përmasa biblike. Sot për sot shumë njerëz po jetojnë në frikë për jetët e tyre, apo po vajtojnë për të dashurit e humbur. Masat që po ndërmerren prej qeverive për të parandaluar kolapsin e sistemeve shëndetësore janë guximtare dhe të domosdoshme. Ato duhen mbështetur.

Por këto masa shoqërohen prej një kostoje shumë të madhe dhe të pashmangshme ekonomike. Ndërkohë që shumëkush përballet me humbjen e jetës, shumë më tepër njerëz përballen me humbjen e të ardhurave jetike. Për wdo ditë që po kalon lajmet ekonomike po bëhen më të këqija. Kompanitë përballen me humbje të të ardhurave në të gjithë sektorët e ekonomisë. Shumë prej tyre po zvogëlojnë veprimtarinë dhe po nxjerrin nga puna punëtorët. Një recesion i thellë është i pashmangshëm.

Sfida me të cilën përballemi është se si të veprohet me një forcë e shpejtësi të mjaftueshme për të parandaluar recesionin që të shndërrohet në një depresion të gjatë, i cili do të thellohej prej shumë falimentimeve që do të shkaktonin një dëm të pariparueshëm. Humbja e të ardhurave prej sektorit publik – dhe wdo borxh i marrë për të riparuar këto humbje – do të duhet të absorbohet, tërësisht apo pjesërisht, prej buxheteve shtetërore. Nivele shumë më të larta të borxhit publik do të bëhen një karakteristikë e përhershme e ekonomive tona, dhe do të shoqërohen prej anulimeve të borxheve private.

Është rol tipik i shtetit që të angazhojë buxhetin publik për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë ndaj tronditjeve për të cilat sektori privat nuk ka faj e nuk ka mundësi t´i absorbojë. Shtetet gjithnjë kanë vepruar kështu në raste emergjencash kombëtare. Luftërat – precedenti më i ngjashëm me këtë – janë financuar përmes rritjes së borxhit publik. Gjatë Luftës së Parë Botërore në Itali dhe Gjermani vetëm diku midis 6 dhe 15 për qind të shpenzimeve të luftës në terma realë u financuan nga taksat. Në Austro-Hungari, Rusi e Francë asnjë pjesë prej kostove të vazhdueshme të luftës nuk u pagua nga taksat. Kudo baza taksapaguese u dëmtua prej luftës e prej rekrutimit në ushtri. Sot e njëjta po dëmtohet prej stresit njerëzor e dëmtimit shëndetësor për shkak të pandemisë, si dhe prej mbylljes së ekonomisë nga masat.

Pyetja kryesore nuk është se a do ta përdorë shteti buxhetin, por si do ta përdorë atë në mënyrë më dobiprurëse. Prioritet nuk duhet të jetë vetëm mundësimi i të ardhurave bazike për ata që humbin punët. Në radhë të parë duhet mbrojtur edhe vetë vendi i punës, që të mos humbet. Nëse nuk e bëjmë këtë gjë, do të dalim nga kriza me një punësim dhe kapacitet prodhues që në mënyrë të vazhdueshme do të jenë më të ulët, ndërsa familjet e kompanitë do ta kenë të vështirë të riparojnë buxhetet e tyre e të rindërtojnë asetet.

Subvencionet për punësimin dhe për të papunët si dhe shtyrja e taksave janë hapa të rëndësishëm të cilët tashmë janë ndërmarrë prej shumë qeverive. Por për të mbrojtur punësimin dhe kapacitetin prodhues në këtë kohë kur të ardhurat po bien në mënyrë dramatike, nevojitet mbështetje e menjëhershme me likuiditet. Kjo është e domosdoshme për të gjitha bizneset, që të kenë mundësi të mbulojnë shpenzimet e tyre operative gjatë krizës, qofshin ato korporata të mëdha, apo edhe më shumë nëse janë ndërmarrje të vogla e të mesme apo ndërmarrës të vetëpunësuar. Shumë qeveri kanë ndërmarrë masa për të dërguar likuiditet te bizneset në vështirësi, të cilat janë të mirëseardhura. Por, duhet një qasje më e gjerë.

Edhe pse vendet e ndryshme evropiane kanë struktura të ndryshme financiare dhe industriale, mënyra e vetme efikase për të arritur menjëherë në secilën të warë të ekonomisë, është duke mobilizuar tërësisht gjithë sistemet financiare të tyre: tregjet e bonove, kryesisht për korporatat e mëdha, dhe sistemet bankare e në disa vende edhe sistemet postare, për të gjithë të tjerët. Kjo duhet bërë menjëherë, duke shmangur vonesat burokratike. Sidomos bankat janë të shtrira në gjithë ekonominë dhe mund të krijojnë para në mënyrë të menjëhershme duke lejuar overdraftë apo duke lehtësuar marrjen e kredive.

Bankat duhet sa më shpejt të nisin huadhënien me kosto zero për kompanitë të cilat janë të përgatitura për të shpëtuar vendet e punës. E meqenëse në këtë proces bankat shndërrohen në mjet për zbatim të politikave publike, kapitali që u duhet për ta kryer këtë punë, u duhet dhënë prej qeverive, në formën e garancive shtetërore mbi gjithë overdraftët apo huatë që japin. As rregulloret e as kriteret e kolateralit nuk duhet ta pengojnë krijimin e gjithë hapësirës që nevojitet në buxhetet bankare, që të përmbushet ky funksion. Për më tepër, kostoja e këtyre garancive nuk duhet të bazohet në riskun e kredisë që ka kompania e cila merr hua, por duhet të jetë zero, pavarësisht kostos së financimit nga ana e qeverisë që i lëshon ato garanci.

Kompanitë megjithatë nuk do të marrin mbështetje në likuiditet thjesht pse kredia është e lirë. Në disa raste, psh. në bizneset me pagesa të prapambetura, humbjet e tyre mund të jenë të riparueshme dhe ata do të mund t´i paguajnë borxhet. Por në sektorë të tjerë, me gjasë nuk do të kenë një mundësi të tillë.

Kompani të tilla mund të kenë megjithatë mundësi ta përballojnë krizën për një okhë të shkurtër dhe të marrin hua për ta mbajtur stafin në punë. Por humbjet e grumbulluara rrezikojnë që t´ua dëmtojnë aftësinë për të investuar në të ardhmen. Dhe, në rast se emergjenca e virusit dhe mbyllja e ekonomisë do të zgjaste, ato realisht do të mund të mbijetonin prej falimentimit vetëm nëse huaja e marrë për të mbajtur njerëzit në punë gjatë asaj kohe, do të mund të falej.

Ose qeveritë do të kompensojnë huamarrësit për shpenzimet e tyre, ose ata huamarrës do të falimentojnë dhe garancinë do ta paguajë qeveria. Nëse do të mund të mbahej nën kontroll rreziku moral, opsioni i parë është më i mirë për ekonominë. Ndërsa opsioni i dytë i kushton më pak buxhetit. Në të dyja rastet qeveria do të absorbojë një pjesë të madhe të humbjes së të ardhurave të shkaktuara prej mbylljes së ekonomië, nëse dëshiron të ruajë punësimin dhe kapacitetin produktiv.

Borxhi publik do të rritet. Por alternativa – një shkatërrim afatgjatë i kapacitetit produktiv, pra dhe i bazës fiskale – do të ishte shumë më i dëmshëm për ekonominë, e me gjasë dhe për kreditin shtetëror. Duhet të vëmë në dukje se duke ditur nivelet aktuale e me gjasë edhe të ardhshme të interesave, kjo rritje e borxhit qeveritar nuk do ta shtojë koston e tij.

Në disa aspekte Evropa është e mirëpajisur për t´u ballafaquar me këtë tronditje të jashtëzakonshme. Ajo ka një strukturë financiare të shtrirë kudo, e cila është e aftë të dërgojë fonde në secilën pjesë të ekonomisë që ka nevojë për to. Ka një sektor publik të fortë e të aftë për të koordinuar një përgjigje të shpejtë politike. Shpejtësia është absolutisht thelbësore për efikasitetin.

Të përballur me rrethana të paparashikueshme, është i domosdoshëm një ndryshim i mentalitetit gjatë kësaj krize, njësoj siw do të ishte edhe në kohë lufte. Tronditja me të cilën po përballemi nuk është ciklike. Humbja e të ardhurave nuk është për faj të atyre që po vuajnë prej saj. Kostoja e hezitimit mund të jetë e pariparueshme. Kujtimet nga vuajtjet e evropianëve gjatë citeve 1920 na shërbejnë si paralajmërim i mirë për këtë.

Shpejtësia me të cilën po përkeqësohen buxhetet private – si pasojë e mbylljes ekonomike e cila është edhe e pashmangshme edhe e nevojshme që të ruhet shëndeti – duhet të përballet me një shpejtësi po aq të madhe në angazhimin e buxhetit publik, mobilizimin e bankave, dhe si evropianë, në mbështetje të njëri-tjetrit në përpjekjet tona për atë që është dukshëm një kauzë e përbashkët.

Përktheu nga anglishtja Arbër Zaimi