(Ky shkrim u botua në 19 mars 2020)

Imperativi për t´u izoluar po ndodh në të njëjtën kohë kur po ndërgjegjësohemi për ndërvarësinë globale, gjatë kohës e hapësirës së re të pandemisë. Nga njëra anë na kërkohet të sekuestrojmë vetveten brenda njësive familjare, hapësirave të banimit të përbashkët apo atyre ku banojmë vetëm, dhe të heqim dorë prej kontaktit shoëror duke u tërhequr në sfera relativisht të izoluara; ndërsa nga ana tjetër ballafaqohemi me një virus i cili i kalon kufijtë pa pikë vështirësie, pa e marrë parasysh fare vetë idenë e territorit shtetëror. Mirëpo jo secili e ka një shtëpi apo një «familje», dhe një numër gjithnjë e më i madh njerëzish në ShBA janë të pastrehë apo endacakë. Kështu që «shtëpia» përshkruhet si një hapësirë e mbrojtur, mirëpo kjo nuk është e vërtetë për shumëkënd. Në ShBA është formuluar një strategji kombëtare e cila pastaj është anuluar, e më vonë është publikuar në formate të paqarta. Dhe çështja se kush do të jetojë e kush do të vdesë, presidentit tonë i duket si një problem kosto-përfitim, të cilit zgjidhjen ia jep tregu. Në kushte të tilla, si do të mund ta shtrojmë çështjen e pasojave që do të ketë pandemia mbi të menduarit e barazisë, ndërvarësisë globale dhe detyrimeve ndaj njëri-tjetrit? Fundja, virusi nuk diskriminon. Mund të themi se na trajton barazish, na kërcënon të gjithëve barabar me gjasën e sëmundjes, e humbjes të ndonjë të afërmi, e jetesës në një botë rreziku të kudogjindshëm. Virusi vepron në shkallë botërore, por çfarë po bëjmë ne? Me mënyrën qysh lëviz e godet, virusi po dëshmon se bashkësia njerëzore në gjithë botën është njësoj e pambrojtur. Në të njëjtën kohë, megjithatë, dështimi i disa vendeve për t´u përgatitur paraprakisht (ShBA-të ndoshta janë tash anëtari më i famshëm i atij klubi vendesh), theksimi i politikave shtetërore dhe mbyllja e kufijve (shpesh e shoqëruar prej ksenofobisë prej panikut), dhe hyrja në skenë e sipërmarrësve që mezi ç´presin të kapitalizojnë mbi vuajtjen globale, të gjitha këto dëshmojnë për shpejtësinë me të cilën pabarazia radikale, nacionalizmi dhe shfrytëzimi kapitalist gjejnë rrugë për t´u riprodhuar e për të përforcuar vetveten brenda zonave pandemike. Kjo gjë nuk duhet të na befasojë.

Politika e shërbimit shëndetësor në ShBA e shpërfaq këtë gjë në një mënyrë të veçantë. Një skenar që mund të imagjinojmë qysh tash është prodhimi dhe tregtimi i një vaksine efikase kundër COVID-19. Dukshëm lakmitar për të shënuar pikë politike që do t´ia sigurinin rizgjedhjen, Trump-i tashmë është përpjekur të blejë (me para të thata) të drejtën ekskluzive të ShBA-ve për të përdorur një vaksinë prej një kompanie gjermane, të quajtur «CureVac», e cila mbështetet financiarisht prej qeverisë gjermane. Ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë, të cilit nuk ka se si t´i ketë pëlqyer kjo, pohoi për shtypin gjerman se kishte patur vërtet një ofertë të tillë. Një politikan gjerman, Karl Lauterbach, theksoi: «Shitja e ekskluzivitetit të vaksinës së mundshme te ShBA-të duhet ndaluar me çdo mjet. Kapitalizmi ka një kufi». Supozoj se kundërshtimin ai e pati me «përdorimin ekskluziv» të vaksinës, dhe do të ishte po kaq kundër edhe sikur kjo vaksinë do të përdorej ekskluzivisht nga gjermanët. Më vonë Trump-i bëri një marrëveshje me «Gilead Sciences», një korporatë farmaceutike, të cilës i dha të drejtë ekskluzive për të zhvilluar Remdesivir-in, një ilaç me potencial për të trajtuar virusin e COVID-19. Ftesa që Trump i bëri «Walmart-it» dhe «CVS-së» për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë që të gjenin zgjidhje për sëmundjen, jo vetëm që shpërfaq bindje të gabuar mbi mënyrën se si zhvillohen barnat e mjekimet e reja, por përzien biznesin me shëndetësinë publike në një mënyrë që ka pasoja. Para disa ditësh Trump-i bëri të qartë se shëndeti financiar i vendit është shëndeti i vërtetë, dhe se e vetmja matje me rëndësi është ajo e Uollstrit-it. Si përfundim, kthimi te «biznesi si zakonisht», edhe nëse nënkupton rrezikun e një rritjeje të vdekshmërisë prej virusit, është i justifikuar sipas tij. Çka rrjedh prej kësaj është se nuk ka problem nëse vdesin njerëzit më të pambrojtur – pleqtë, të pastrehët, ata që kanë sëmundje të tjera – për sa kohë që mund të mëkëmbet ekonomia. Kombi nuk është tërësia e njerëzve, por vetëm ajo e tregjeve.

Nuk ka kuptim të shtrojmë edhe një herë pyetjen çfarë po mendon Trump-i? Pyetja tashmë është shtruar aq shumë herë e dëshpërimisht, sa që nuk mund të befasohemi më. Kjo nuk do të thotë se na zvogëlohet zemërimi sa herë që përballemi edhe me një rast të ri sjelljeje jo etike, apo vetë-mburrjeje kriminale. Po t´ia kishte dalë me sukses që ta blente vaksinën dhe ta mbante përdorimin e saj vetëm për shtetasit amerikanë, a beson ai se qytetarët e ShBA-së do ta duartrokasin këtë gjest, të gëzuar prej idesë se vetëm ata po shpëtojnë prej një rreziku vdekjeprurës i cili vazhdon të rrezikojë kombet e tjera? A do ta dojë me të vërtetë publiku amerikan këtë lloj nacionalizmi? E nëse vetëm të pasurit do të kenë qasje në mjekime kur ato të zhvillohen, a pritet që ne ta duartrokasim këtë pabarazi rrënjësisht të paturpshme, që çiftohet me arsye tregtare e me eksepsionalizëm amerikan? A pritet nga ne që ta miratojmë mënyrën e tij të vetëquajtur «brilante» për të përfituar edhe në këto kushte? A mendon ai se shumica e njerëzve besojnë që tregu i lirë duhet të vendosë se si do të zhvillohet e si do të shpërndahet vaksina? A është e mendueshme brenda botës së tij se ka një problem shëndetësor të të gjithë botës tash, i cili duhet t´i mbivendoset çdo arsyeje tregtare në këtë kohë? A ka të drejtë ai kur supozon se ne të tjerët jetojmë të gjithë brenda parametrave të botës së tij imagjinare? Edhe nëse këto kufizime të shpërndarjes së mjekimit mbi baza të shtetësisë nuk do të zbatohen, megjithatë me siguri do të shohim se si të pasurit e ata që kanë blerë sigurime të mira shëndetëosre do të jenë të parët që do ta marrin atë vaksinë sapo ajo të dalë, edhe nëse nuk do të ketë mjaftueshëm për të gjithë, e kjo gjë do t´i braktisë të tjerët të pambrojtur etë dobësuar gjithnjë e më shumë. Pabarazia shoqërore dhe ekonomike e garanton diskriminimin nga ana e virusit. Virusi vetë nuk diskriminon, por ne njerëzit po, të formuar e të frymëzuar siç jemi prej fuqive të gërshetuara të nacionalizmit, racizmit, ksenofobisë dhe kapitalizmit. Duket e mundshme që gjatë vitit të ardhshëm të shohim një skenar të dhimbshëm, në të cilin disa krijesa njerëzore do të marrin të drejtën për të jetuar në kurriz të të tjerave, duke e ngjallur edhe një herë dallimin e padurueshëm mes jetëve që duhen qarë dhe atyre për të cilat nuk duhet të mbajmë zi, pra, dallimin mes atyre që duhen mbrojtur prej vdekjes me çdo kusht dhe atyre jetët e të cilëve nuk konsiderohen aq të vlefshme sa të mbrohen prej sëmundjeve e vdekjes.

Gjithë kjo ndodh gjatë garës presidenciale në ShBA, në të cilën gjasat e Bernie Sanders-it për të marrë nominimin demokratik duken tash shumë të largëta. Parashikimet e reja të cilat e nxjerrin Biden-in si të parin në garë janë trishtuese, sepse pikërisht Biden-i dikur kërcënonte se do ta shkurtonte buxhetin për të moshuarit, ndërsa Sanders dhe Warren që të dy mbështesnin «Medicare for All», shërbimin shëndetësor për të gjithë, një program i shëndetësisë publike i cili do të garantonte kujdesin elementar për gjithkënd në këtë vend. Një program i tillë do t´i jepte fund kompanive të sigurimeve private të cilat udhëhiqen nga arsye tregtare dhe që vazhdimisht i braktisin të sëmurët, u faturojnë atyre shpenzime që nuk kanë mundësi t´i paguajnë dhe zbatojnë një hierarki brutale mes të siguruarve, të pasiguruarve dhe të pasigurueshmëve. Qasja socialiste e Sanders-it për shëndetësinë publike më saktësisht do të mund të përshkruhej si një perspektivë social-demokratike, jo fort e ndryshme nga ajo që propozoi Elizabeth Warren në fazat e para të fushatës së saj. Sipas këtij këndvështrimi, mbulimi shëndetësor është një «e drejtë njerëzore», gjë që do të thotë se secili njeri ka të drejtë që të ketë përkujdesjen shëndetësore që i duhet. Të drejtat njerëzore priren ta imagjinojnë njeriun individual si pikënisje. Por, pse të mos e kuptojmë përkujdesjen shëndetësore si në detyrim shoqëror, i cili rrjedh prej të jetuarit në një shoqëri, së bashku? Që të krijojnë pajtueshmëri popullore mbi një nocion të tillë, si Sanders ashtu edhe Warren do të duhej ta bindnin popullin amerikan që ne dëshirojmë të jetojmë në një botë ku askush prej nesh nuk ia mohon përkujdesjen shëndetësore askujt tjetër. Me fjalë të tjera, do të duhej të pajtoheshim me një botë shoqërore e ekonomike ku është radikalisht e papranueshme që ca të kenë qasje në vaksinën që shpëton jetë, e ca të tjerëve t´u mohohet ajo me arsyetimin se nuk mund të paguajnë, nuk kanë sigurime shëndetësore, apo u mungon viza apo statusi ligjor. 

Njëra nga arsyet se pse votova për Sanders-in në votimet e Partisë Demokratike në Kaliforni, siç bënë shumica e votuesve të regjistruar demokratë, ishte se ai, bashkë me Warren-in, hapën një rrugë për ta ri-përfytyruar botën tonë si të rregulluar prej një dëshire kolektive për barazi radikale, një botë ku bashkohemi për të këmbëngulur se materialet e domosdoshme për jetë, duke përfshirë përkujdesjen shëndetësore, duhet të jenë të arritshme për të gjithë, pa dalluar se kush jemi e se a kemi mjete financiare. Kjo politikë do të kishte vendosur një solidaritet me vendet e tjera që përkushtohen për përkujdesje shëndetësore për të gjithë, dhe kështu do të mund të zbatohej një politikë shëndetësore transnacionale që përkushtohet për të realizuar idealin e barazisë. Sondazhet e reja që kanë dalë e ngushtojnë mundësinë e zgjedhjes te Trump-i dhe Biden-i, pikërisht kur pandemia po kufizon jetën tonë të përditshme, duke i bërë edhe më të pambrojtur të pastrehët, të pasiguruarit e të varfrit. Ideja se ne mund të bëhemi një popull i cili dëshiron të shohë një botë ku politika shëndetësore kujdeset për gjithë jetët, duke e çliruar shëndetësinë prej kapjes së tregut e cila dallon mes atyre që vlejnë dhe atyre që mund të lihen lirisht të sëmuren e të vdesin, për pak kohë jetoi. Filluam ta kuptojmë veten tonë ndryshe, kur Sanders-i dhe Warren-i e propozuan këtë politikë. Kuptuam se mund të fillojmë të mendojmë e të vlerësojmë edhe jashtë termave që na i përcakton kapitalizmi. Edhe pse Warren nuk është më kandidate dhe Sanders ka shumë pak gjasa që të vazhdojë garën, ne duhet të shtrojmë pyetjen, sidomos tash, se pse ne si një popull vazhdojmë ta kundërshtojmë alternativën e trajtimit të jetëve sikur ato të kenë vlerë të barabartë? Pse disa ende gëzohen nga ideja se Trump-i përpiqet të sigurojë një vaksinë që do të mbronte jetët amerikane (siç i quan ai), para të tjerave? Mundësia për shëndet publik universal e ka përforcuar imagjinaren socialiste në ShBA, e cila duhet ende të presë para se të aktualizohet si një politikë shoqërore e si një synim publik në këtë vend. Por fatkeqësisht, në kohën e pandemisë, askush prej nesh nuk mund të presë. Ideali tash duhet mbajtur gjallë, te lëvizjet sociale të cilat nuk është se kaliten gjatë fushatave presidenciale, por në betejën afatgjatë që pret para nesh. Këto pikëpamje guximtare e solidare të cilat u tallën dhe u refuzuan prej «realistëve» kapitalistë, megjithatë patën hapësirë televizive, morën mjaft vëmendje, sa që kanë arritur ta rrisin shumë numrin e atyre të cilët – disa për herë të parë në jetë – dëshirojnë ta ndryshojnë botën.

Shpresojmë që do të mund ta mbajmë gjallë këtë dëshirë.