(Ky shkrim u botua në 19 mars 2020)

Ndoshta kjo është fjala kyç e qeverisjes neoliberale. Sundimi i frikës, pushteti i ushtruar përmes emergjencës sistematike, alarmi i stërzgjatur. Shpërhapet drojë, transmetohet ankth, mbruhet urrejtje. Sugjerohen kërcënime imagjinare, stërfryhen rreziqe të vërteta. Besimi zhduket, paqartësia del në plan të parë. Frika e humb udhën, dhe degradon në panik. 

Psikopolitika nuk është risi e këtyre kohëve. Nëse frika dominon shpirtrat, atëherë përmes frikës është e mundur të dominosh shpirtrat e të tjerëve. Ka qenë gjithnjë e dukshme lidhja e ngushtë e frikës me pushtetin. Por në skenarin e globalizimit frika nuk është thjesht një instrument i qeverisjes. Aq më pak, nuk i ka format totalitare të së shkuarës, kur vetë terrori ishte ai që qeveriste, ndërsa pushteti e gllabëronte popullin, pra trupin e vet, duke shkaktuar kështu vetëshkatërrimin.

Sot frika është më shumë një atmosferë. Secili është i dorëzuar përballë zbrazëtisë planetare, i ekspozuar ndaj humnerës kozmike. Nuk duhet ndonjë shpallje e drejtpërdrejtë, sepse rreziqet duket se vijnë prej së jashtmi. Në dukje i munguar, pushteti kërcënon e jep siguri, zmadhon rrezikun dhe premton mbrojtje – një premtim që nuk mundet ta mbajë. Sepse demokracia post-totalitare ka nevojë për frikën dhe te frika themelohet. Ja pra ky është qarku pervers i kësaj fobokracie. Ankthi e tensioni pasojnë pa u ndalur njëra tjetrën, në një pritje të vazhdueshme, në një pagjumësi policore, e cila provokon inkubë, marrëzi, halucinacione. 

Ndizen e shuhen vatra të kuptueshmërisë kolektive, nxitet stres në mënyrë të herëpashershme, deri sa të arrihet kulmi i histerisë kolektive, pa asnjë strategji e pa synime të qarta, përveç kërkesës për një mbyllje imunitare të një komuniteti pasiv, të shpërbërë, të depolitizuar. Kështu «ne-ja» fantazmike i nënshtrohet përkohësisht emergjencës dhe dekretëve të saj. Mirëpo kjo fobokraci e kap pushtetin vetëm përkohësisht, sepse froni i saj rrezikohet t´i merret prej virusit të paqeverisshëm e sovran që dëshiron të qeverisë.