Ivan Serrano – Profesor në Shkenca Politike në Open University of Catalonia, UOC.

Vetëvendosje është një ndër fjalët kyçe më eprore në politikën e shekullit të fundit. Ky koncept i ka kaluar kufijtë e debatit juridik e akademik dhe është përbrendësuar në qëllimet programore të lëvizjeve kombëtare anembanë botës. Megjithatë, ky popullaritet i tij nuk është shoqëruar me një konsensus të përgjithshëm mbi këtë nocion, por nga vështirësi në shndërrimin e tij në një koncept juridik efektiv. Për më tepër, brenda kontekstit të ri global në të cilin jetojmë, vetëvendosja përballet me sfida të një madhësie të panjohur deri më tani, siç po ndodh edhe me koncepte të tjera kryesore që kanë artikuluar bazat normative të organizimit politik në nivelin global në historinë e kohëve të fundit.

Nëse bëjmë një udhëtim të shkurtër historik, vërejmë se ideja e vetëvendosjes në formën e saj embrionale ka filluar të përdoret për synime territoriale në pjesën e dytë të shekullit XIX. Mirëpo, ky nocion nuk do të bëhet pjesë e gjuhës politike bashkëkohore deri sa të përmendet (shqueshëm) nga Woodrow Wilson dhe Lenini në kontekstin e Luftës së Parë Botërore dhe Revolucionit Rus. Që këtej e tutje, ky nocion bëhet po ashtu pjesë e repertorit të së drejtës ndërkombëtare, i ndërlidhur me formimin e shteteve të reja, por gjithashtu me forma të tjera të njohjes. Në statutin e OKB-së të 1945 shfaqet si princip që duhet të udhëheqë marrëdhëniet midis kombeve. Vite më vonë, vetëvendosjen e gjejmë të referuar si një e drejtë, në procesin e dekolonizimit, për shembull në Deklaratën e vitit 1960, për Dhënien e Pavarësisë Vendeve dhe Popujve të Kolonizuar. Nga ky moment e tutje, nocioni i vetëvendosjes është kufizuar vetëm në kontekstin kolonial, gjë që e ka kushtëzuar dhe kufizuar debatin pasues mbi të për rastet që nuk i ngjasojnë situatës së shkaktuar nga copëtimi i perandorive koloniale evropiane.

Një debat kompleks, juridik dhe politik

Në debatin për vetëvendosjen, mund të identifikohen të paktën tri elemente që nuk janë zgjidhur ende, as nga pikëpamja teorike e as nga ajo juridike.

Në njërën anë, ekziston një dallim mes vetëvendosjes së jashtme – të cilën mund t’a lidhim me idenë e krijimit të një shteti të pavarur si rezultat i ushtrimit të saj – dhe nocionit të vetëvendosjes së brendshme, në formën e njohjes së autonomisë brenda shetit ekzistues, pa nevojën e krijimit të një shteti të ri.

Së dyti, vetëvendosja nuk është sistematizuar si koncept i përgjithshëm e pozitiv në nivelin ndërkombëtar. Në praktikë, rregullimi i tij zë vend në fushën e sovranitetit shtetëror. Ama, në shumicën e rasteve, shtetet nuk e përmendin atë haptazi; zakonisht në tekstet kushtetuese, shtetet i referohen ruajtjes së territorit si një parim i patjetërsueshëm. Tani vonë, në shekullin XXI, në rastin e Kosovës opinioni subjektiv i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nënvizon se ky parim i referohet vetëm marëdhënieve “ndërmjet shteteve”. Kjo i shtoi debatit një element edhe më kompleks, por pa hedhur më shumë dritë mbi të drejtën e ushtrimit subjektiv të vetëvendosjes.

Së treti, asnjë teori apo ligj ndërkombëtar nuk e ka definuar qartë se cilat janë kërkesat thelbësore për identifikimin e bartësve të së drejtës së vetëvendosjes. Brenda fushës së teorisë, dhe lidhur me çështjen e shkëputjes së njëanshme, teoritë që theksojnë përkufizimin se cilat grupe njerëzore do të ishin bartëse të kësaj të drejte nuk kanë përcaktuar as kriteret dhe as mekanizmat për njohjen e grupeve – popujt, kombet, bashkësitë … – që do duhej të jenë bartëset e një të drejte të tillë. Për aq sa i takon ligjit ndërkombëtar, mund të themi se referencat për vetëvendosjen dhe subjektin e saj janë tejet konfuze dhe dykuptimëshe. Më tej, siç njihet nga një memorandum i vitit 1996 i Këshillit të Evropës për vetëvendosjen dhe shkëputjen, referenca për idenë e “popullit” është tautologjike, pasi që vetëvendosja do të ishte një e drejtë e “popujve”, por vetëm e atyre që janë tashmë të kushtetuar si të tillë: domethënë nga ata që tashmë kanë vetëvendosur.

Tensioni i krijuar nga një koncept i tillë ekzistues, por kontravers e i kufizuar, në ligjin ndërkombëtar del edhe më shumë në pah në procesin që tashmë ka ndodhur në krijimin dhe shkëputjen e shteteve të reja. Kjo është edhe më e vërtetë duke pasur parasysh se shkëputja, pavarësisht se është relativisht e shpeshtë në terma historik, është shumë më pak në kontekstin e regjimeve që janë demokratike (të paktën në një farë mase). Raste si ai i Norvegjisë, Islandës ose Irlandës, pa përjashtuar kofliktet e dhunshëm në disa prej tyre, janë më shumë përjashtimi sesa rregulli. Së fundmi, mund të gjenden edhe raste dështimi si ato në Kuebek ose Skoci, siç mund të gjenden edhe raste të pazgjidhura si në Katalonia, në të cilat duhet shtuar spikatja e kundërshtisë së shtetit prej të cilit duan të shkëputen për të rënë dakord mbi një proces dypalësh.

Sidoqoftë, 100 vitet e fundit janë karakterizuar nga një e rritje e vazhdueshme e përpjekjeve për të krijuar shtete të reja, qoftë nëse ato kanë dështuar ose jo, nëse kanë qenë ose jo të lidhura me valët e ngjarjeve historike, të shkaktuara nga copëtimi i perandorive koloniale evropiane, për të mos përmendur pastaj shuarjen e mbretërive Otomane, Ruse e Spanjolle gjatë shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Në fund të shekullit 20, vendet që i përkisnin regjimeve të ndryshme socialiste si Republika Çeke dhe Sllovakia, Jugosllavia ose Bashkimi Sovjetik gjithashtu iu nënshtruan proceseve të pavarësisë, dhe në disa prej tyre, të tilla si republikat Baltike, u përjetua një lloj kopje historike me humbjen dhe rimëkëmbjen e njëpasnjëshme të sovranitetit në një proces të tranzicionit demokratik. Për më tepër, në dekadat e fundit ushtrimi i vetëvendosjes ka çuar në një rënie të rasteve, disa prej të cilave kanë qenë të suksesshme, duke rezultuar në një total prej rreth 10 shtetesh të sapo njohura në 25 vitet e fundit.

Vetëvendosja dhe krizat klimaterike, shëndetësore dhe të migracionit

Kështu, duke mos pasur një përkufizim të vetëvendosjes as nga ana legjislative dhe juridike, vërejmë se si pohimi i saj po lidhet pazgjidhshmërisht me modelin e organizimit politik – shtet komb – dhe legjitimimin e ushtrimit efektiv të fuqisë së tij – sovranitetit. Këto koncepte, fundamentale për të kuptuar evolucionin politik të botës moderne, janë subjekt i presioneve të një madhësie të pa hasur deri më tani. Në fakt, kriza aktuale e covid-19 nuk mund të shihet e ndarë prej tyre, siç nuk mund të shihet si fenomen i përkohshëm. Më së shumti, është reflektim i modelit global të kapitalizmit bashkëkohor, që ka edhe manifestime tjera, jo më pak të rëndësishme, siç është çështja e ngrohjes globale, që kohët e fundit duket sikur është lënë në rend të dytë. Format e organizimeve politike që kanë dominuar sistemin global në 100 vitet e fundit operojnë në një kontekst ku, pavarësisht ndryshimeve në kapitalizëm e teknologji të reja, çështjet e lidhura me rreziqet mjedisore, klimaterike dhe shëndetësore duhet të llogariten po ashtu, të cilat shpesh janë vështirësisht të përputhshme me parametrat e diskutimeve normative për vetëvendosjen.

Disa shtete dhe territore të ngjashme po përjetojnë efektet e ndërveprimit mes fenomeneve natyrore dhe atyre të sistemit ekonomiko-politik, efekte të një shkalle të panjohur deri më tani që ndikojnë në presupozimet përkufizuese të koncepteve të tilla si ai i vetevendosjes. Në Paqësor, për shembull, një gjendje e jashtëzakonshme po vazhdon prej vitesh, duke kërcënuar zhdukjen e shteteve dhe territoreve të caktuara autonome, sa paradoksalisht mund të imagjinojmë ekzistencën e shteteve sovrane të njohura formalisht, por territori i të cilave është nën rrezik. Ngrohja globale po ndikon edhe në të ashtuquajturin sovranitet ushqimor të shumë prej shteteve, për shkak të problemeve të shkaktuara nga thatësirat, përmbytjet apo sëmundjet epidemike. Njëkohësisht, shtete të tilla si Kina dhe ato të Gjirit Persik, po investojnë në hapësira të mëdha toke të punueshme nëpër botë, sidomos në Afrikë. Në hemisferën veriore, shkrirja e Arktikut po i detyron shtetet përreth që të konsiderojnë implikimet gjeopolitke që mund të lindin me krijimin e deteve të reja. Në kontekstin e sotëm, fenomeni i pandemisë covid-19 nuk mund të kuptohet pa marrë në konsideratë faktorë të tillë siç janë transporti, kriza energjetike ose nivele të mëdha të ndërlidhjes globale.

Kështu që duhet ta kemi parasysh lidhjen mes elementeve ekonomike dhe mjedisore, për të arritur të kuptojmë zhvillimet politike të viteve të fundit, siç është zhvendosja autoritare e shumë regjimeve politike, ose shfaqja e të ashtuquajturit populizëm, dhe më përgjithësisht lidhjen me temat kryesore të debatit në sferën e teorisë politike ose të së drejtës ndërkombëtare. Efektet e paparashikueshme por të pakundërshtueshme të ndryshimeve klimaterike  në lidhje me migracionin ose qëndrueshmërinë e shumë shteteve, ndikimi shkatërrues i pandemisë që po përjetojmë sot, ndryshimet gjeopolitike që rezultojnë nga globalizimi dhe kapitalizmi bashkëkohor, ose roli i teknologjive të reja janë faktorë që po i vënë në provë ato themele të mëdha të sistemeve politike bashkëkohore dhe do të sjellin ndryshime dramatik në mënyrën dhe rrethanat në të cilat ato kërkohen.

Marrë nga mediumi Nationalia: https://www.nationalia.info/opinion/11336/the-new-global-context-tests-self-determination-as-never-before

Përktheu: Liridona Kelani

Redaktoi: Pavjo Gjini