(Ky tekst është publikuar në 2 mars 2020 në revistën franceze Lundi Matin, ku kryesisht botohet anonimisht apo me pseudonime. Kjo revistë është e afërme me pikëpamje të majta anarkiste)

«Pushteti është sundim: ai mundet veç të ndalojë dhe të imponojë bindje»

Michel Foucault

Cilido, nga gjithë spektri politik, që beson ende se perandoritë e sotme shqetësohen vërtet për popullsinë e tyre – «kësaj radhe vërtet na duan vërtet të mirën» – apo thënë ndryshe, se perandoritë tona nuk ushqejnë asnjë lloj interesi në këtë krizë shëndetësore, le të na lejojë që t´i përgjigjemi duke i shtuar disa rreshta përgjigjes së shkëlqyer të sjellë nga Agambeni ca ditë më parë.

Promemorje për studentët e bankës së parë: modeli i kontratës sociale i cili më së shumti e ka frymëzuar dhe ende e frymëzon gjithë rrjetën e pushtetit nuk është ai i Jean-Jacques Rousseau-së, por ai i Leviatanit të Thomas Hobbes-it. Një vepër që i ka dhënë jetë edhe rrymave të tjera, përveç asaj utilitariste të cilës ia kemi borxh Panoptikonin e Jeremy Bentham-it. Ky traktat i shkëlqyer i urbanistikës (Panoptikoni!), në duar të qeverisësve tanë ka pjellë pjesën më të madhe të arkitekturës së burgjeve, por edhe atë të shkollave. Por ndoshta ju nuk jeni edhe aq të interesuar për shkencën politike apo për urbanizmin e burgjeve dhe mundet që po e pyesni veten: «ç´lidhje ka vallë kontrata sociale me aspektin terrorizues të kësaj sëmundjeje të re?»

Promemorje për studentët e bankës së fundit: etimologjia e fjalës «strategji» rrjedh nga fjala «stratagjemë» («komplotist!») dhe do të duhej të na bënte të konsiderojmë një fakt: që dinakëria e kundërshtarit është gjithnjë relative dhe përcaktohet gjithnjë në krahasim me cilësinë tonë perceptuese – pra me aftësinë tonë për të lexuar mes rreshtash në diskursin e qeverisësve dhe në vrapimet e tyre jocilësore.

Por, medet, nuk është relativiteti ai që kufizon cilësitë tona perceptuese; dhe dinakëria e qeverisësve vepron vetëm për ata që e kanë transformuar budallallëkun e vet në art marcial.

Strategjia është shkenca (udha apo metoda: methodos) që lidhet me mjetet të cilat ia lejojnë strategos-it (komandantit të ushtrisë) të mbrojë vendin e vet dhe të mposhtë armikun.

(Mbi strategjinë, traktat bizantin të cilit nuk ia njohim autorin)

Po të nisemi që këtu, problemi më i madh është se rrjeti i pushtetit e zhvillon luftën e vet në një mënyrë pak a shumë të fshehtë e larvale («ja pse duhen cilëitë tona të famshme perceptuese»), jo më kundër shteteve apo perandorive të tjera (sipas përkufizimit klasik të luftës), por kundër popullatës së vet.

Kur nuk ka armiq, atëherë duhen shpikur: ky është rregulli numër një i secilës gjeopolitike. Ja pse kur Giorgio Agamben thotë se gjendja e jashtëzakonshme është bërë paradigma normale e qeverisjes, na fton haptazi të mendojmë ripërtërirjen e pandalshme të figurës së armikut, që fshihet pas ligjeve të reja kundër terrorizmit dhe pas militarizimit (shoqëruar me polici) të qyteteve tona.

Duke filluar prej armëve flash ball LBD e duke vazhduar me dronët dhe me rrjetin 5G, mos u shqetësoni fare, thjesht po i afrohemi një distopie si në filmin Gattaca «për të mirën tuaj». Siç thotë me të drejtë filozofi italian: «mund të thuhet se me përfundimin e terrorizmit si shkak për të marrë masa të jashtëzakonshme, shpikja e një epidemie mund të ofrojë pretekstin ideal për t´i zgjeruar ato përtej çdo kufiri». Kështu që, kur lexojmë listën e kufizimeve që parashihen nga dekretet shtetërore e që i drejtohen gjithë «të prekurve» (gjë për të cilën ju ftoj të lexoni tekstin e Agamben-it), mund të jemi të sigurt se në një të nesërme do të jetë e pamundur për një profesor filozofie apo për një qytetar militant, që të përshkruajë diçka të ngjashme me qytetin, për dëgjuesit e tij.

«Faktori tjetër, jo më pak shqetësues është gjendja e frikës e cila gjatë këtyre viteve qartësisht është shpërndarë në vetëdijet e individëve, e që përkthehet në një nevojë të mirëfilltë për gjendje të njëpasnjëshme panikësh kolektivë. Kësaj nevoje epidemia i jep edhe një herë pretekstin ideal. Kështu, në një rreth vicioz perfekt, kufizimet e lirive që imponohen prej qeverive, pranohen në emër të një dëshire për siguri, e cila induktohet prej po atyre qeverive të njëjta, që tash po ndërhyjnë për ta përmbushur dëshirën.»

Kjo «nevojë e mirëfilltë për gjendje panikësh kolektivë» është nyja thelbësore e kontratës sociale hobbesiane. Për të kaluar prej gjendjes natyrore (përkufizuar si luftë e të gjithëve kundër gjithkujt) në shoqërinë civile (përkufizuar nga fundi i luftës së të gjithëve kundër gjithkujt), nevojitet të pranohet, pavarësisht arsyes, një kontratë përmes së cilës të gjithë «mund të fitojnë» – meqenëse duke iu nënshtruar, qytetarët do të përfitonin siguri dhe liri përmes kalimit prej mitit të gjendjes natyrore te artifici i shoqërisë civile. Bëhet fjalë që të zëvendësohet një trillim me një tjetër: mirëpo këto tregime prodhojnë me sa duket disa pasoja reale. Me qëllimin për të garantuar stabilitetin shtetëror, princi duhet të prodhojë dhe të imponojë frikë, duke mundësuar njëkohësisht sigurinë e qytetarëve të vet. Me fjalë të tjera: garancinë që nuk do të vdesin prej dhunës (vdekja e dhunshme është vdekja paradigmatike e gjendjes natyrore hobbesiane).

Pra nuk është rastësi që Hobbes-i ka qenë ndër të parët që e ka konsideruar trupin si metaforë të shtetit, apo që ende sot mbetet njëri prej filozofëve më të studiuar në fakultetet e shkencave politike, prej Parisit gjer në Melburn.

Prej trupit politik, te trupi individual, Neogjuha na shet idenë se duhet të kujdesemi për vetveten – kur në fakt është e qartë, së paku po të kemi parasysh studimet e Canguilhem dhe Foucault, se trupi është objektivi par excellance i pushtetit sovran:

«Momenti historik i disiplinave është ai kur lind një art i trupit njerëzor i cili nuk synon thjesht të rrisë aftësitë e veta, as të rëndojë subjektivitetin e vet, por synon formimin e një marrëdhënieje e cila në vetë mekanizmin e saj e bën atë sa më të bindur, aq edhe më të nevojshëm, dhe anasjelltas».

(Michel Foucault – Disipinë dhe ndëshkim).

Këtë e demonstrojnë qindra mijëra kinezë të vetëmbyllur në karantinë pa patur nevojë të ndërhyjë policia, rikthimi i beftë i fletërrufeve, «ana praktike» e dy miliardë videokamerave të vendosura në vende «publike». 

Biopushteti që na prek në kohën e në vendin që jetojmë, është një thellim i pushtetit disiplinues të shoqërisë së kontrollit, që prej momentit kur ushtrohet si mbi individin ashtu edhe mbi popullatën, duke modifikuar rrënjësisht termat e kontratës: shkëmbimi i të drejtave dhe detyrave mes shtetit e qytetarëve pëson një integrim të detyrave tek secili nga ne, prej shtetit; dhe pjesa më e madhe e qytetarëve vepron pavetëdijshëm kundër asaj çka i mbetet prej qytetit e prej të drejtave.

Të vësh lagjen tënde nën shtetrrethim kundër «sëmundjes terrorizuese», në mënyrë «të pavarur», «duke u organizuar vetëm midis fqinjësh»: kjo pak a shumë është si shërbim ushtarak vullnetar. Nëse gjërat shkojnë mirë. Por nëse shkojnë keq… atëherë kjo është zgjerim i konceptit të kampit të përqendrimit në të gjithë planetin. Ose të paktën është ajo që po ia lejoj vetes ta quaj – me terma më penalë dhe siç kuptohet duke iu referuar veprave të Agamben-it, gjendje e jashtëzakonshme individuale.

Një sëmundje si shkak i një gjendjeje të jashtëzakonshme planetare, si armë e shkatërrimit masiv përmes frikës: asnjë komplotist profesionist (nga ata të shtresave të poshtme) do të kishte guxuar të imagjinonte një skenar të tillë. Prej Euronews-it e deri te Universiteti katolik i Louven-it, të gjithë përsërisin pa pushim një listë udhëzimesh të thjeshta, a thua se jemi fëmijë një vjeç e gjysmë. Megjithatë do të duhej ta konsideronim pak më seriozisht këshillën e tretë që u jepet qytetarëve të perandorisë (pas 1. Lani duart dhe 2. Mos u kollni dhe mos teshtini pranë personave të tjerë). Një degëzim imagologjik i këshillës së dytë e cila na lejon ta perceptojmë mënyrën se si rrjeti i pushtetit dëshiron ta rëndojë psikozën e përhapur: «3. Evitoni kontaktet me persona që manifestojnë simptoma të frymëmarrjes». Si përkthehet kjo? Kështu: «Ende kini kujdes dhe ruhuni nga mjekroshët synitë dhe shiitë, ata ishin dhe mbeten terroristë jo vetëm në gërmadhat e Sirisë por edhe në Iran. Por pavarësisht këtij rreziku, të dashur bashkëqytetarë, le ta hapim vitin 2020 nën shenjën e dyshimit për personat që kollen».

Ne nuk duhet të bëjmë panik thjesht pse po na e kërkojnë. Ligji i dytë i termodinamikës sigurisht që ka pësuar një përshpejtim, për shkak të këtij sistemi botëror, megjithatë është ende larg kryerjes së misionit të tij.

PS. Të mos mbash qëndrim do të thotë të mbash qëndrimin e kaosit sundues.

PPS. Shkatërrimi është para së gjithash karakteri jetëgjatë i katastrofës; jetëgjatë sepse duhet të rinovohet pandërprerë; dhe duhet rinovuar pandërprerë sepse kjo punë sjell përfitim.

PPPS. «Siguria është liri». Kjo frazë, siç dihet, vjen nga distopia më e famshme orwelliane, ajo që u kopjua nga Marco Minniti, e që sot përfaqëson sidomos drejtimin e politikave ekonomike kineze, evropiane dhe amerikane.

PPPPS. Kurrë nuk mund ta dimë «të gjithë të vërtetën» për asgjë. Në botën e përmbysur të spektaklit e vërteta me rrenën janë të përkëmbyeshme. Guy-Ernest Debord kumtonte: «jeta konkrete e të gjithëve është degraduar në një univers spekulativ». Jemi të gjithë filozofë nga kontingjenca jonë: mësojmë të bëhemi të tillë nga nevoja, dhe fillojmë të vëmë në pikëpyetje automatikisht gjithçka që kemi, gjithçka që transmetojmë, gjithçka që shesim.

PPPPPS. Kur Agamben-i thotë se gjendja e jashtëzakonshme është bërë paradigma normale e qeverisjes, duhet kuptuar se rrjeti i pushtetit po na qeveris përmes krizave. Thënë ndryshe, po kultivon një imagjinare të katastrofës problematikat e së cilës na përkasin, pa dyshim, por për to ende nuk kemi asnjë të dhënë. Se a do të jetë katastrofa e radhës ambientale, a është shëndetësore, terroriste apo financiare, neve – populli nga shtresat e poshtme – nuk kemi asnjë ndikim në proceset vendimmarrëse. «Ti flet shumë për qytetarët, por gjithçka po mbetet kaq abstrakte». Qytetari para së gjithash është një trillim juridik, politik dhe ekonomik që trashëgohet prej kontratës sociale dhe prej iluminizmit, që u konkretizua (apo më saktë, u rikonkretizua) nga revolucioni francez dhe nga shtetet-kombe moderne. Një mit, para së gjithash, ai i individit si qenie e integruar, e plotë, e pandarë, e përfshirë në një raport subjektivimi me shtetin – një raport që në dukje mbahet prej marrjes e dhënies (kontratës) së të drejtave e detyrave. Ky nënshtrim konsensual e përcakton figurën e subjektit – së paku nga këndvështrimi i gramatikës intitucionale dhe nga historia e gjuhës së rrjetit të pushtetit.

Artet e luftës e të qeverisjes janë zhvilluar aq shumë në mijëvjeçarët e fundit sa që kemi përfunduar duke e besuar këtë trillim, këtë mit, këtë figurë. Kaq shumë e kemi pranuar këtë gjë ne perëndimorët, sa që nuk e vëmë më në diskutim as pozitivitetin e as vendin e ushtrimeve të tilla.

Qytetari është në radhë të parë ajo qenie e cila merr emrin dhe statutin e vet përmes lindjes. Lindja dhe vendi i lindjes prej atij momenti e tutje bëhen shënjuesi, shifra, gjurma e sovranitetit. Thënë ndryshe, frymëmarrja e parë si këmbëngulje e ligjit. Gjesti i tij më i mbramë, para krizës globale mjedisore, ishte vota. Ndërsa pas asaj krize bëri dhe një gjest tjetër, u përpoq të hante ushqim bio. Ndonjë gjë tjetër ligjore? Asgjë. Çdo qytetar si i tillë, është ilegal dhe revolucionar sepse duhet para së gjithash të rishpikë ndonjë formë alternative të qytetit, që domethënë se duhet të luftojë kundër formës aktuale të qytetarisë.

Ndërsa në tjetërkundin që kemi po këtu, i huaji, mërgimtari, i deportuari, klandestini pa emër, e vënë në krizë këtë konstruksion juridiko-politiko-ekonomike. E godasin, si trashëgimtarë të kolonializmave të djeshëm e të sotëm me të cilët perëndimi kapitalist ende nuk i ka larë hesapet. Kështu që edhe pse askush prej nesh nuk e di saktësisht se përse një pjesë e rrjetit të pushtetit po nxitohet për të shpallur se «level-five-epidemic is a good option», «ngjarja koronavirus» është e destinuar të rrisë jashtë mase kontrollet kufitare, gjë që bën shumë më të vështirë zhvendosjen dhe pritjen e mërgimtarëve. Figurën e jashtëzakonshme të të deportuarit po ashtu po e shohin të domosdoshme ta pajisin me një kuadër referimesh e masash absolutisht të jashtëzakonshme – edhe pse gradualisht ajo po integrohet tek e drejta kombëtare e ndërkombëtare prej studimeve akademike dhe gazetarive që kanë për synim «kanalizimin» e problemit, kufizimin e tij duke e zmadhuar në gjuhën e në imagjinaren dominuese të shoqërisë.

I njëjti proces manifestohet edhe sa i përket figurës së manifestuesit të revoltuar në nivel kombëtar apo ajo e terroristit në nivel ndërkombëtar. Vizatohet profili i kërcënuesit dhe pastaj shpërndahet sa më shumë, duke idiotizuar imagjinatën e shumicës e mbi të gjitha duke e hequr vëmendjen prej kërcënimit përfundimtar: që jemi neve vetë. 

PPPPPPPS: «Ne si kërcënim përfundimtar?» Pakësimi i mbivlerës (surplus value) e detyron rrjetin e pushtetit të rishpikë papushim forma të vogla paqëndrueshmërish në mënyrë që ta harrojë të vetën.

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi