(Ky shkrim është botuar në 14 mars 2020)

Sistemi klasor në Britani është, në rastet më ekstreme, vrasës. Njerëzit që jetojnë në lagjet më të varfra në Mbretërinë e Bashkuar (MB) kanë një mesatare jetëgjatësie 9,4 vite më të shkurtër, krahasuar me ata që jetojnë në zonat më të pasura; e për gratë ndryshimi është 7,4 vjet. Nëse udhëton në metronë e Londrës, në linjën «Jubilee», prej Uestminsterit deri në Kaning Taun, për secilin stacion që kalon, mosha mesatare e banorëve ulet nga një vit. E për gratë më të varfra, jetëgjatësia po vjen duke u ulur.

Pandemia e virusit korona ka për t´u gërshetuar me këtë motor pabarazie. Super të pasurit po arratisen, në aeroplanë privatë, drejt strofkave luksoze në vende me klimë të përshtatshme, ndërsa ata që kanë gjendje të mirë ekonomike do të mund të përdorin sigurimet shëndetësore private për të mos pritur radhën në sistemin tonë shëndetësor NHS, i cili prej kohësh po përpëlitet e së shpejti pritet të rrënohet. Ndërkohë, ushtria e punëtorëve të pambrojtur në Britani, nuk kanë se ku të fshihen, madje as prej punës e cila e vë në rrezik shëndetin e tyre. Shumë prej tyre do e kuptojnë se në fakt nuk kanë zgjedhje tjetër, pos të vazhdojnë të shkojnë në punë. Edhe pse shumë profesionistë të shtresës së mesme do të munden të mbrojnë veten e tyre duke punuar prej shtëpisë, raftet në supermarkete nuk mbushen vetë, e po e njëjta vlen sa i përket punëve në fabrika, apo pastruesve. Sa prej nesh do të mund të jetonin me vetëm 94.25 paund në javë, aq sa parashikohet me ligj në Britani pagesa e pushimit shëndetësor.

Ata të cilët kanë probleme të tjera shëndetësore janë më të rrezikuarit prej virusit korona, dhe përsëri, rrezikshmëria ndryshon, në varësi se në cilën shtresë je i dënuar të jetosh, në hierarkinë sociale britanike. 

Hulumtime të mëparshme prej British Heart Foundation kanë zbuluar se lagjet e punëtorëve në veriperëndim të Londrës kanë një shkallë vdekshmërie prej sëmundjeve të zemrës më shumë se tre herë më të larta se lagjet e pasura, si Kensington apo Çellsi. Sipas organizatës Asthma UK: «Asthma është më e përhapur në komunitetet dhe zonat më të varfra, e ata që vijnë prej atyre vendeve ka më shumë gjasa të shtrohen në spital për asthma». Diabeti është shumë më i përhapur te ata që jetojnë në varfëri dhe ka lidhje të fortë mes sëmundjeve të mushkërive dhe varfërisë. 1.9 milion pensionistë jetojnë nën pragun e varfërisë: shëndeti i tyre do të jetë, mesatarisht, më i lig se ai i homologëve të tyre të pasur, gjë që do të thotë se jetët e tyre do të jenë shumë më të rrezikuara.

E dimë se depresioni dhe stresi e dobësojnë sistemin imunitar, dhe hulumtimet flasin qartë: ata që kanë të ardhura të ulëta kanë shumë më shumë predispozitë për të vuajtur prej shëndetit mendor. Të ushqyerit keq është një faktor i rëndësishëm, i cili po ashtu lidhet me varfërinë. Çfarë do të ndodhë me ata më të varfrit, me ata që janë të pastrehë, që ushqehen keq, që kanë sisteme imunitare të dobësuara, dhe që nuk kanë qasje në higjienë të mirë? Çfarë do të ndodhë me 1.5 milion fëmijët e varfër që marrin ushqim falas në shkolla, nëse sektori i arsimit do të rrijë përkohësisht i mbyllur? Shumë prej tyre do të gjenden shpejt me barkun bosh.

Ndërsa virusi korona vazhdon të mbjellë shkatërrim, ne ka mundësi të jemi në zgrip të një tërmeti ekonomik të krahasueshëm me atë të kolapsit financiar të vitit 2008. Përveç retorikës, buxheti i miratuar për këtë vit nuk i riparon dëmet që i janë bërë stofit tonë social, të cilat janë shkaktuar prej një dekade politikash austeritare. Në fakt buxheti i fundit i thellon shkurtimet në shumë shërbime të rëndësishme, përveç NHS-së dhe policisë. Nëse do të ndodhë një krizë e re politike, atëherë mund të presim që konservatorët të përpiqen që kostoja e saj të paguhet prej fëmijëve të varfër, prej atyre që jetojnë me ndihmë sociale, dhe prej punëtorëve të pambrojtur të cilët kanë pësuar zvogëlimin më të madh në pagat reale, në krahasim me shumë breza të shkuar.

Ne e dimë se të pasurit kujdesen vetëm për të afërmit e tyre, por këto pabarazi nuk janë për faj të Zotit, e as nuk janë thjesht fakte të hidhura e të pandryshueshme, para të cilave mund të ngremë veç supet e të dorëzohemi. Do të ketë shumë mësime të tmerrshme që do të na i japë kjo pandemi: njërin prej tyre do të duhej ta kishim mësuar shumë kohë më parë, pabarazia vret.

Një dekadë politika të austeritetit dhe një rend shoqëror i cili ua mohon miliona njerëzve një ekzistencë në mirëqenie, do të thotë se do të kemi shumë vdekje në javët e muajt që vijnë, të cilat mund t´i kishim shmangur. Vendosmëria e qeverisë për të zbuluar një vaksinë për virusin korona do të duhej të ishte shoqëruar me një qasje të re për të zbutur varfërinë. Ashtu si çdo krizë tjetër, edhe kjo ka gjasa të prekë më tepër e më keq punëtorët dhe të varfrit. Kjo gjë nuk është diçka e pashmangshme. Është rezultat i një zgjedhjeje politike, dhe është brenda mundësive tona që të ndalet, mjafton të ekzistojë vullneti politik për të vepruar.

Përktheu nga anglishtja Arbër Zaimi