(Ky shkrim u botua në 21 mars 2020)

Pyetja është tashmë këmbëngulëse, pse investojmë kaq shumë në teknologji e kaq pak në njerëzi, e për ç´arsye shkencat njerëzore e shoqërore mbeten pas dhe dështojnë të përmbushin rolin e tyre të «përkujdesjes për njerëzimin», kur i krahasojmë me shkencat dhe teknologjitë të quajtura «materiale»?

Zarat janë hedhur. Përparimi teknologjik është i pandalshëm dhe gjithçka na bën të besojmë se do të çojë në skualifikimin tonë dhe në një ftohtësi emocionale që nuk e kemi përjetuar kurrë më parë. Që nga smartphone-t e deri te asistentët digjitalë do të duhet vetëm një hap që të arrihet tek platformat cerebro-komputacionale, e vetëm dy hapa që të shkohet te njerëzit e përmirësuar. Por çfarë kanë për të na thënë e si do të na qetësojnë në lidhje me pasojat e gjithë këtyre shkencat humane e shoqërore? Janë disa tema për reflektim që shkencat njerëzore e shoqërore duhet t´i trajtojnë në çdo kohë e me shumë kujdes.

1. Bota e punës

Të ardhurat po shkëputen prej punës dhe prej shpërblimit të orëve të punës. Norma e të ardhmes do të jetë pluriangazhimi dhe pluri-të-ardhurat. Tipologjia e profesioneve do të ndryshojë mjaft. E drejta e punës dhe të drejtat shoqërore që janë të lidhura me tregun e punës do të pësojnë një revolucion të thellë, njësoj do të ndodhë edhe me organizimet sindikale e lëvizjet shoqërore.

2. Universi familjar

Do të kemi perturbacione të forta në qiellin e jetës familjare, «normalja e re» sa i përket familjes do të jetë shumë e diversifikuar dhe kontingjente, familjet njësoj si profesionet do të kalojnë një fazë të paqëndrueshme para se të mund të stabilizohen sërish. Duke i ditur kufizimet e të metat e secilës ndërhyrje, format e mbrojtjes sociale dhe të përkujdesjes nga jashtë për familjen, do të jenë objekt i studimit dhe i vlerësimit të kujdesshëm.

3. Universi i shoqërisë së të moshuarve

Jetëgjatësia më e madhe si dhe zgjatja e moshës së punës (plakja aktive) do t´ia hapë derën shumë zgjidhjeve të reja për ndërveprim shoqëror e shoqërizim të më të moshuarve me shtresa e grupe të tjera shoqërore, si në botën e punës ashtu edhe në universin familjar, psh. në projekte sociokomunitare apo në ato të vullnetarizmit.

4. Lindja e një «sektori të katërt», shoqëria e ndihmës

Ndryshimet e thella në tregjet e punës, në universin familjar, në shoqërinë e të moshuarve dhe në arte e kulturë, krijojnë kushtet për daljen e një «sektori të katërt», ku e përbashkëta, solidariteti, ndjenja e bashkësisë, vullnetarizmi dhe platformat bashkëpunuese që korrespondojnë me to do të jenë faktorët vendimtarë për planifikimin dhe organizimin e ndërhyrjes të integruar shoqërore në tregun e të mirave të përbashkëta e bashkëpunuese, dhe në shërbimet ambulatore nëpër shtëpi, gjë që shkon në drejtimin e shoqërisë së ndihmës.

5. Krijimi i një «të ardhure bazë të garantuar»

Ngushtësisht e lidhur me sektorin e katërt, e parashkruar në filozofinë shoqërore të shoqërisë së ndihmës, dhe njëri prej instrumentëve të saj kryesorë do të jetë «e ardhura bazë e garantuar». Tipologjia e të ardhurës bazë të garantuar do të lejojë përcaktimin midis karakteristikave të ndryshme dhe kushteve shumë të gjera në të cilat ajo mund të administrohet. Si përfundim, mund të shërbejë për të reflektuar thellësisht mbi të ardhmen e ndihmës shtetërore dhe mbi pasojat e llojllojshme shoqërore, në kuadër të shoqërisë së ndihmës.

6. Përforcimi i një etike njerëzore përballë transformimit digjital

Uber-izimi intensiv i shumë aktiviteteve është veç një shembull i asaj i asaj që mund t´i bëjë ekonomia e re digjitale punëtorëve të pambrojtur. Por edhe më e frikshme është komercializimi i mundshëm në të ardhmen i të dhënave tona personale, si një lloj i «vjeljes së të dhënave» të cilën mund ta përdorë gjithkush sipas nevojave e leverdive të veta. Mund të shtojmë këtu edhe manipulimin gjenetik dhe mundësinë për të modifikuar gjenomën njerëzore. Nëse nuk ka kufizime vlerore e nuk ka parime që funksionojnë si rregullatorë thelbësorë, mund të fillojmë të rrëshqasim rëndë në këtë çështje.

7. Një vijë e re ndarëse mes lirisë dhe sigurisë

Pa një etikë të re njerëzore e cila përditëson vlerat dhe parimet tona, doza e rekomanduar mes lirisë dhe sigurisë do të mbetet pa masën dhe rregullimet e duhura. Dhunimi i të drejtave dhe garancive, si dhe mungesa e kontekstit ligjor të përshtatshëm, na lënë në mëshirë të rastësisë e të fatit. Shoqëria algoritmike e së ardhmes së afërt, që vepron në emër të sigurisë sonë, po ashtu është një shoqëri pa mëshirë e pa bashkëndjenjë.

8. Një tjetër shoqëri, një tjetër normale shoqërore

Në prani të makinave inteligjente dhe të një shoqërie algoritmike gjithnjë e më shumë të standardizuar, vihet në pikëpyetje sjellja jonë, sepse siç duket askush nuk do të mund të jetë më dembel, i papërkryer, i pandërlidhur apo anonim, nëse nuk dëshiron të jetë i censuruar e i përjashtuar. Është detyrë e shkencave njerëzore e shoqërore që të angazhohen për një normativizëm të ri shoqëror i cili na mbron prej shndërrimit në njerëz të përmirësuar teknologjikisht kundër vullnetit tonë, kur ne thjesht duam të jemi njerëz normalë, me shëmtitë e cenet tona.

9. Një zinxhir i ri vlerash, edukimi, dijeje dhe kulture në epokën digjitale

Kjo do të jetë zinxhiri më i çmuar vleror në epokën digjitale, kësaj radhe më pak i vertikalizuar e hierarkik e më shumë bashkëpunues e transversal. Rëndësia e tij vendimtare do të jetë mënyra se si do të kontribuojë për strukturimin e cluster-it digjital në tre aspekte themelore: vlerësimi i punës jomateriale, promovimi i inteligjencës kolektive dhe integrimi i efekteve të jashtme në administrimin e zinxhirit vleror.

10. Një brez i ri i të drejtave themelore njerëzore

Tranzicionet e mëdhenj të këtij shekulli – ai klimatik, energjetik, digjital, demografik e socio-laboral – do të kërkojnë me shumë gjasë një rishikim të të drejtave themelore njerëzore, si në doktrinë e tipologji, funksionalitet e veprim, apo aplikim e rregullim. Sot, përballë regresit që paraqesin populizmat nacionalistë dhe gjeopolitika e zonave të influencës, është vënë në pikëpyetje multilateralizmi liberal i cili e mundësoi institucionalizimin kozmopolit të të drejtave të njeriut në shek. XX. Nëse nuk përforcohet kjo praparojë politiko-institucionale, atëherë e gjithë ndërtesa juridiko-politike e të drejtave njerëzore do të vihet në pikëpyetje.

Shënime përmbyllëse

Në planin e epistemologjisë dhe hermeneutikës së shkencave njerëzore e shoqërore, shkencëtari shoqëror duket i pafuqishëm përballë një «momenti Polanyi», si rrjedhojë e pesë tranzicioneve të mëdha: klimatikut, energjetikur, digjitalit, demografikut e socio-laboralit. Është në të njëjtën kohë një udhëtim shumë interesant që do të na nxjerrë prej shoqërisë kufitare e disiplinuese të shkencës moderne, dhe do të na çojë te shoqëria globale e kozmopolitie e kiber-hapësirës dhe kiber-kulturës, por edhe një udhëtim shqetësues që na çon gjer në zgrip të kiber-tribalizmit dhe kiber-terrorizmit. Nga njëra anë ndjejmë se një «ekonomi pa peshë» dhe një shoqëri më bashkëpunuese e më shpërndarëse janë kontribut i madh për të rimëkëmbur planetin tonë dhe gjithë njerëzimin. Nga ana tjetër shohim manifestime të urrejtjes në hapësirën publike, të cilat në fund fare mund të çojnë edhe në luftëra mes kibernautëve, apo mes tyre dhe organizimeve më konservatore, për të mos folur pastaj për luftën civile mes identiteve lokale e territoriale.

Në kontekstin aktual shkencëtari shoqëror ka vështirësi të dukshme në trajtimin e kulturës digjitale dhe më specifikisht me atë të inteligjencës kolektive që krijohet prej platformave të reja digjitale, jo vetëm për shkak të mungesës së një mendimi të përshtatshëm ndërdisiplinar, por mbi të gjitha për shkak të mungesës së një kodi gjuhësor të përshtatshëm për «sjelljen e re komunikative». Në veçanti ndërveprimi mes komuniteteve online dhe atyre offline është një burim i pashtershëm mësimesh, jo vetëm në aspektin kognitiv të këtyre komuniteteve, por edhe në aspektin preventiv e terapeutik, pa anashkaluar aspektin toksik të rrjeteve digjitale dhe rrezikun e tjetërsimit që vjen bashkë me to.

Po çfarë të themi për krizën e COVID-19 në planin e sjelljeve shoqërore? Rreziqet globale e sistemike, materiale e jomateriale, do të jenë një sfidë e vërtetë për bashkësinë njerëzore dhe do të sprovojnë vërtetësinë e solidaritetit tonë. Tash e tutje do të mësohemi me mbajtjen pranë të listës së aktualizuar përditë të rreziqeve globale e sistemike. Për një arsye të thjeshtë, sa i përket rreziqeve sistemike ato tashmë janë te dera, pra problemet tona të ndryshme – ambientale, shëndetësore, hidrike, digjitale, ushqimore, siguritare, teknologjike, industriale – do të vijnë gjithnjë duke u rritur e duke u rënduar nëse sillemi në mënyrë të gabuar. Prandaj, mësimi i madh që na jep kjo pandemi ka të bëjë me ekonominë e sjelljeve tona, e në të është edhe roli i shkencave njerëzore e shoqërore, sa i përket dijes mbi sjelljet e njeriut e shoqërisë. Në këtë kuptim do të duhet edhe një ndryshim nga ana jonë, një ndryshim i sjelljes së shkencëtarëve shoqërorë, në kërkim të një shoqërizimi e bashkëjetese të re.

Përktheu nga gjuha portugeze Arbër Zaimi