Nga Bruno Latour

(Ky shkrim u botua në 25 mars 2020)

Koincidenca e papritur mes një kufizimi të përgjithshëm dhe periudhës së Kreshmës është diçka e mirëpritur për ata të cilëve u është kërkuar që në shenjë solidariteti të mos bëjnë asgjë dhe të rrinë në shtëpi, larg frontit, në prapavijë. Ky agjërim i detyrueshëm, ky Ramazan republikan dhe shekullar, mund të jetë një shans i mirë për ta që të reflektojnë mbi çka është e rëndësishme e çka është qesharake…

Duket sikur kjo ndërhyrje e virusit mund të shërbejë si një «provë gjenerale» për krizën pasardhëse, në të cilën riorientimi i kushteve të jetesës do të prekë gjithëkënd dhe secilin detaj të ekzistencës së përditshme, të cilat do të na duhet të mësojmë t´i përzgjedhim me kujdes. Unë shtroj hipotezën, si shumëkush, që kriza shëndetësore po na përgatit, po na nxit e po na indukton të përgatitemi për ndryshimin klimatik. Megjithatë kjo hipotezë mbetet ende për t´u vënë në provë.

Ajo që mundëson vargëzimin e dy krizave është vetëdijësimi i beftë e i dhimbshëm se përkufizimi klasik për shoqërinë – si ajo çka bëjnë njerëzit mes veti – nuk ka më asnjë kuptim. Shteti social varet në çdo instancë prej ndërlidhjes së shumë faktorëve të cilët në më të shpeshtën e rasteve nuk kanë formë njerëzore. E kemi fjalën për mikrobet – këtë e dimë që nga Pasteur-i, por edhe për Internetin, për ligjet, organizimin e spitaleve, kapacitetin e shtetit, si edhe për klimën. E sigurisht, pavarësisht zhurmës mbi një farë «gjendje lufte» kundër virusit, ai nuk është përveçse një prej hallkave të një zinxhiri, dhe administrimi i rezervës së maskave apo të testeve, rregullimi i të drejtës pronësore, zakonet qytetare, gjestet e solidaritetit, janë hallka të tjera që janë po aq të rëndësishme për të përcaktuar shkallën e virulencës së agjentit infektues.

Nëse marrim parasysh pra gjithë rrjetin, ku virusi nuk është veçse një hallkë, atëherë mund të kuptojmë se pse ai nuk po vepron me të njëjtin impakt në Taivan, Singapor, Nju Jork apo Paris. Pandemia nuk është pra një fenomen «natyror», siç nuk janë as krizat e qëmotshme të urisë, apo kriza aktuale klimatike. Prej shumë kohësh tashmë shoqëria nuk rri më brenda kufijvë të ngushtë të shoqërores.

Por, paralelja nuk mund të zgjerohet më tej. Fundja, krizat shëndetësore nuk janë gjë e re, dhe ndërhyrjet e shpejta e radikale të shtetit nuk janë kushedi sa inovative deri më tani. Mjaft të shihet se me ç´entuziazëm po e merr Macron-i pamjen e burrit të shtetit, gjë të cilën patetikisht ka dështuar ta arrijë më parë. Shumë më fort se sulmet terroriste – të cilat fundja janë thjesht punë për policë – pandemia ngjall te liderët e te pushtetarët një ndjenjë të vetëzbuluar të «mbrojtjes»: «ne duhet t´ju mbrojmë» «ju duhet të na mbroni» – i cili e ringre autoritetin e shtetit, dhe i lejon që të kërkojë gjëra të cilat përndryshe do të kishin shkaktuar revolta.

Por ky shtet nuk është shteti i shekullit XXI dhe i ndryshimit ekologjik; është shteti i shekullit XIX dhe i të ashtuquajturit biopushtet. Në fjalët e statisticienit të ndjerë, Alain Desrosières, ky është shteti i asaj që me të drejtë quhet statistikë: menaxhim i popullsisë në një rrjetëzim territorial të parë nga lart e të udhëhequr prej pushtetit të ekspertëve. Pikërisht këtë shohim të ringjallur tani – me të vetmin ndryshim që sot kjo po kopjohet nga një shtet te tjetri, aq sa është bërë mbarëbotërore.

Origjinaliteti i situatës së tashme, sipas meje, qëndron se duke ndenjur të mbyllur në shtëpi ndërkohë që jashtë mureve po ndodh zgjerimi i pushteteve policore dhe ulërima e ambulancave, ne po vëmë në skenë një lojë karikaturuese të figurës së biopolitikës që duket sikur ka dalë kokekëmbë prej ndonjë ligjërate të Foucault-së. E këtu po përfshij edhe harresën që i bëhet atyre shumë punëtorëve të padukshëm që janë megjithatë të detyruar të punojnë në mënyrë që ne të tjerët të vazhdojmë të qëndrojmë në strofkullat tona – e pa përmendur aty emigrantët të cilët prej vetë përkufizimit nuk mund të mbyllen në ndonjë shtëpi të vetën, sepse s´kanë të tillë. Mirëpo kjo karikaturë është pikërisht karikatura e një kohe që nuk është më jona.

Ka një hendek shumë të madh mes shtetit që ka kapacitetin të thotë «unë ju mbroj prej jetës e vdekjes» dmth. prej infektimit nga një virusi gjurmët e të cilit i dinë vetëm shkencëtarët dhe efektet e të cilit mund të kuptohen vetëm duke mbledhur statistika, dhe shtetit që do të guxonte të thoshte «unë ju mbroj prej jetës e vdekjes sepse unë mirëmbaj kushtet e jetesës të të gjithë njerëzve të gjallë prej të cilëve ju vareni».

Mendojeni pak këtë. Imagjinojeni presidentin Macron sikur të deklaronte me një ton churchill-ian një pako masash që garantonin ndalimin e nxjerrjes prej tokës të rezervave të gazit e të naftës, që ndalonin tregtimin e pesticideve, që ndalonin plugimin e thellë të tokës, e me guxim të paparë, të ndalonin ngrohëset për ambient të jashtëm, që përdoren në verandat e bareve. Nëse taksa për karburantet nxiti revoltën e jelekëve të verdhë, atëherë përfytyroni trazirat që do të vinin pas një deklarate të tillë, që do t´i vinin zjarrin vendit. E megjithatë, kërkesa për të mbrojtur popullin francez, për të mirën e tyre dhe prej vdekjes, do të ishte shumë më e justifikuar po të merreshin masa kundër krizës ekologjike, se sa për krizën shëndetësore, sepse e para prek secilin njeri e jo vetëm disa mijëra – e jo vetëm për një kohë por përgjithnjë.

Sigurisht, një shtet i tillë nuk ekziston. E çka na shqetëson edhe më shumë është fakti se nuk po shohim që shteti të përgatitet për kapërcimin nga njëra krizë te tjetra. Në rastin e krizës shëndetësore administrata mban atë rolin klasik edukativ, dhe autoriteti i saj përputhet tërësisht me kufijtë e vjetër shtetërorë – vetë arkaizmi i ringjalljes së kufijve brenda Evropës është një provë e dhimbshme për këtë.

Ndërsa në rastin e një ndryshimi ekologjik ky raport do të përmbysej: do të ishte administrata ajo që do të duhej të mësonte prej një populli shumëformësh, në shumë përmasa, se cilat do të jenë territoret ku njerëzit do të përpiqen të mbijetojnë në shumë mënyra të reja, teksa rreken t´i shpëtojnë prodhimit të globalizuar. Shteti aktual do të ishte tërësisht i paaftë që të diktonte masa, nga lart poshtë, në rastin e tillë. Nëse në rastin e krizës shëndetësore janë njerëzit «trima» ata që duhet të rimësojnë të lajnë duart dhe të kolliten te bërryli, siç kanë bërë në shkollën fillore, në rastin e një ndryshimi ekologjik do të ishte shteti ai që do të duhej të mësonte.

Por ka dhe një arsye tjetër se pse figura e «luftës kundër virusit» është kaq e pavend: në këtë krizë shëndetësore mund të jetë e vërtetë se njerëzit si një tërësi po «luftojnë» kundër virusëve – edhe pse virusët nuk kanë ndonjë interes të veçantë te ne dhe vazhdojnë rrugën e tyre nga fyti në fyt duke na vrarë pa e pasur as qëllim. Situata do të përmbysej tragjikisht në rastin e ndryshimit ekologjik: në atë rast patogjeni, virulenca e tmerrshme e të cilit i ka ndryshuar kushtet e jetesës së gjithë banorëve të planetit nuk është më virusi, por është njerëzimi! Sigurisht, jo të gjithë njerëzit, vetëm ata që luftojnë kundër nesh pa shpallur luftë. Për atë lloj lufte shteti-komb është tepër i papërgatitur, i keqkalibruar e i papërshtatshëm, sepse frontet e betejave janë të shumëfishtë dhe prekin secilin prej nesh. Në këtë kuptim «mobilizimi i përgjithshëm» kundër virusit nuk po na lë të kuptojmë se jemi të gatshëm për krizën e ardhshme. Pra nuk është vetëm ushtria ajo që gjithnjë gjendet e përgatitur vetëm për luftën e shkuar.

E si përfundim, ku i dihet; koha e kreshmës, qoftë ajo shekullare apo republikane, mund të sjellë shumë konvertime. Për herë të parë gjatë shumë viteve një miliard njerëz, të byllur nëpër shtëpi, po rizbulojnë këtë luks të harruar: kohën për të reflektuar e për të dalluar se çfarë është ajo që zakonisht dhe pa pikë nevoje i ngacmon nga të gjitha anët duke mos u lënë kurrë kohë të mendojnë. Le ta respektojmë këtë agjërim të gjatë e të paparashikuar.

Përktheu nga frëngjishtja Arbër Zaimi