(Ky shkrim është botuar në 16 mars 2020)

E paparashikueshmja transformon atë që vullneti nuk ka ditur si ta transformojë. Por tash çështja është si të rindizet energjia e ripërtëritshme e imagjinatës

Ti je kurora e krijimit
S´ke vend tjetër ku të shkosh
Jefferson Airplane, 1968

Fjala është një virus. Ndoshta edhe virusi i gripit dikur ka qenë një qelizë e shëndoshë. Sot është një organizëm parazit i cili sulmon dhe dëmton sistemin nervor qendror. Njeriu modern nuk e njeh më heshtjen. Përpiqu ta ndërpresësh të folurën e pazëshme. Përpiqu të arrish të heshtësh dhjetë sekonda së brendshmi. Do përballesh me një organizëm rezistent i cili të detyron të flasësh. Ai organizëm është fjala.

William Burroughs, The Ticket that Exploded 

21 shkurt

Kur po kthehesha nga Lisbona, në aeroportin e Bolonjës, një skenë e papritur. Në hyrje të aeroportit janë dy njerëz tërësisht të mbuluar prej një veshjeje të bardhë, me një helmetë vezulluese dhe me një vegël të çuditshme në duar. Vegla është një pistoletë termometër, me precizion shumë të lartë, që shpërndan dritëza vjollcë përreth.

I afrohen çdo udhëtari, e ndalojnë, ia drejtojnë dritëzën vjollcë në ballë, ia kontrollojnë temperaturën, pastaj e lënë të ikë.

Një parandjenjë: mos vallë kemi kaluar në një fazë tjetër, në procesin e mutacionit tekno-psikotik?

28 shkurt

Që kur jam kthyer nga Lisbona nuk arrij të bëj asgjë tjetër: kam blerë nja-njëzet telajo me përmasa të vogla dhe pikturoj me bojëra vaji, copëza fotografish, lapsa e thëngjill. Nuk jam piktor, por kur jam nervoz, kur ndjej që po ndodh diçka e cila shkakton dridhje të dhimbshme për organizmin tim, që të qetësohem më duhet të shkarravis.

Qyteti është i heshtur si të ishte koha e pushimeve verore. Shkollat janë të mbyllura, kinematë po ashtu. Nuk ka studentë vërdallë, as turistë. Agjencitë e udhëtimeve fshijnë regjione të tëra prej hartës gjeografike. Konvulsionet e trupit planetar në kohët e fundit ndoshta po provokojnë një kolaps që e shtrëngon organizmin të ndalohet, të ngadalësojë lëvizjet, të braktisë vendet e mbipopulluara dhe kontraktimet e përditshme frenetike. Por, mos vallë është kjo rrugëdalja që nuk po mbërrinim të gjenim e që tash na u shfaq përpara në formën e një epidemie psiqike, si një virus gjuhësor i pjellë prej një virusi biologjik?

Irritimi i tokës ka arritur kulmin, dhe trupi kolektiv i shoqërisë qysh prej kohe është në gjendje stresi të padurueshëm: sëmundja shfaqet, deri në këtë pikë, me një vdekshmëri modeste, mirëpo shkatërruese në planin shoqëror e psiqik, si një lloj reagimi vetëmbrojtës nga ana e Tokës, nga ana e trupit planetar. Për personat e rinj në moshë, është thjesht një grip i bezdisshëm.

Panik shkakton fakti se virusi del jashtë dijeve tona: nuk e njeh mjekësia, nuk e njeh as sistemi imunitar. Dhe i panjohuri, befasisht, ndalon makinën. Një virus semiotik në psikosferë bllokon funksionimin abstrakt të ekonomisë, sepse i heq prej saj trupat. Le të shohim.

2 mars

Një virus semiotik në psikosferë bllokon funksionimin abstrakt të makinës, sepse trupat ngadalësojnë lëvizjet e tyre, heqin më në fund dorë prej veprimit, ndërpresin pretendimin e sundimit të botës dhe lënë që koha të marrë rrjedhën e vet në të cilën notojmë pasivisht, sipas teknikës së notimit që quhet «rri si i vdekur». Asgjëja gëlltit gjërat njëra pas tjetrës, por ndërkohë tretet tej ai ankthi për ta mbajtur bashkë botën e cila mbante bashkë botën.

Nuk ka panik, nuk ka frikë, por ka heshtje. Rebelimi doli se është i kotë, kështu që, le të ndalemi.

Sa gjatë do të qëndrojë efekti i këtij fiksimi psikotik që ka marrë emrin virusi korona? Thonë se pranvera do ta vrasë virusin, por ajo mund edhe ta ekzaltojë atë. Nuk dimë asgjë, si mund të dimë se cilën temperaturë preferon? Pak rëndësi ka sa vdekjeprurëse është sëmundja, duket se është pak vdekjeprurëse, e shpresojmë që të largohet sa më shpejt.

Por efekti i virusit nuk është edhe aq numri i personave që ligështon, as numri shumë i vogël i atyre që vdesin. Efekti i virusit është në paralizën e marrëdhënieve që ai shpërndan. Prej kohe ekonomia botërore e ka kryer parabolën e vet zgjeruese, por ne nuk arrinim ta pranonim idenë e stagnimit si një regjim i ri afatgjatë. Tash, virusi semiotik po na ndihmon në tranzicionin tonë drejt palëvizshmërisë.

Le të shohim.

3 mars

Si reagon organizmi kolektiv, trupi planetar, mendja e stër-lidhur, e cila i është nënshtruar për tre dekada tensionit të pandërprerë të konkurrencës dhe të hiperstimulimit nervoz, luftës për mbijetesë, vetmisë metropolitane dhe trishtimit, e paaftë për t´u çliruar prej majmunit që vjedh jetën dhe e shndërron në stres të pandalshëm, si një i droguar që nuk arrin kurrë ta kapë heroinën e cila i vallëzon para syve, i nënshtruar kështu prej përuljes që rrjedh nga pabarazia e nga pafuqia?

Në pjesën e dytë të 2019 trupi planetar nisi të ketë konvulsione. Prej Santiagos deri në Barcelonë, prej Parisit në Hong-Kong, prej Kuitos në Bejrut, turma të rinjsh vërshuan në rrugë, me miliona, si të tërbuar. Revolta nuk kishte objektivë të saktë, ose më saktë, kishte objektivë kundërthënës. Trupi planetar kishte spazma të cilat nuk po i kontrollonte dot. Ethet u rritën deri në fund të vitit Nëntëmbëdhjetë.

Mandej Trump-i vrau Soleimani-n, duke ndezur popullin e tij. Miliona iranianë të dëshpëruar zbresin në sheshe, qajnë, premtojnë një hakmarrje shumë të madhe. Nuk ndodh asgjë, bombardojnë një hajat. Në panik e sipër rrëzojnë një aeroplan civil. E kësisoj Trump-i fitoi gjithçka, pëlqyeshmëria për të rritet: amerikanët eksitohen kur shohin gjakun, atje vrasësit qysh prej kohësh parapëlqehen. Ndërkohë demokratët fillojnë zgjedhjet e brendshme me një përçarje të tillë, sa që vetëm ndonjë mrekulli do të mund të çonte në kandidim plakushin e mirë Sanders, shpresa e vetme për një fitore të pagjasë.

Pra, nazizëm trumpist, mjerim për të gjithë, dhe stërngacmim në rritje i sistemit nervor planetar. Ky na qenka morali i përrallës?

Mirëpo ja surpriza, përmbysja, e paparashikuara që fshin çdo diskutim për të pashmangshmen. E paparashikuara që ishim duke pritur: shpërthimi i brendshëm. Organizmi i stëreksituar i species njerëzore pas dekadash përshpejtimi e frenezie, pas disa muajsh konvulsione ulëritëse pa perspektivë, i mbyllur në një tunel plot me tërbim, britma e tym, më në fund u godit prej një kolapsi: shpërndahet një gjerontomahi e cila vret më shpesh tetëdhjetëvjeçarët, e megjitha bllokon, pak nga pak, makinën globale të eksitimit, të frenezisë, të rritjes, të ekonomisë…

Kapitalizmi është aksiomatik, dmth. funksionon mbi bazën e një premise të pavërtetueshme (domosdoshmëria e rritjes së pakufishme e cila bën të mundur akumulimin e kapitalit). Të gjitha strukturat logjike e ekonomike që ndërtohen më tej janë koherente me atë aksiomë, dhe asgjë nuk mund të konceptohet e as të provohet jashtë asaj aksiome. Nuk ekziston një rrugë politike për të dalë prej aksiomatikës së kapitalit, nuk ka gjuhë të aftë për të folur të jashtmen e gjuhës, nuk ka asnjë mundësi për ta shkatërruar sistemin, sepse çdo proces gjuhësor zhvillohet brenda asaj aksiomatike e cila nuk mundëson kumte efikase jashtësistemikë. Rruga e vetme për të dalë, është vdekja, siç na ka mësuar Baudrillard-i.

Veç pas vdekjes do të mund të fillojmë të jetojmë. Pas vdekjes së sistemit do mund të fillojnë jetën organizmat jashtësistemore. Natyrisht, veç nëse mbijetojmë, e për këtë gjë nuk ka siguri.

Recesioni ekonomik që po gatitet mund të na vrasë, mund të nxisë konflikte të ashpët, mund të ndezë epidemi racizmi e lufte. Mirë është ta dimë. Nuk jemi kulturalisht të përgatitur që ta mendojmë stagnimin si kusht afatgjatë, nuk jemi të përgatitur që ta mendojmë kursimin, ndarjen me të tjerët. Nuk jemi të gatshëm ta dallojmë kënaqësinë prej konsumit.

4 mars

Kjo është hera e duhur? Nuk dinim si të çliroheshim prej oktapodit, nuk dinim si të dilnim prej kufomës së kapitalit; të jetuarit brenda asaj kufome na vriste ekzistencën e të gjithëve, por tash tronditja ia hap rrugën deflacionit psiqik përfundimtar. Në kufomën e kapitalit ishim të shtrënguar të stërngacmonim mendjet tona, të përshpejtonim vazhdimisht, për konkurrencë të përgjithësuar, për mbishfrytëzim me rroga gjithnjë e më të vogla. Tash virusi e shfryn flluskën e përshpejtimit.

Prej kohe kapitalizmi gjendej në kondita stagnimi të pashërueshëm. Por vazhdonte t´i shponte me hosten kafshët somatike që ne jemi, për të na detyruar të vazhdonim vrapin, edhe pse tashmë rritja ishte bërë një mirazh i trishtë dhe i pamundur.

Revolucioni nuk ishte më i mendueshëm, sepse subjektiviteti është konfuz, në depresion, konvulsiv, dhe truri politik nuk ka më asnjë lidhje me realitetin. E ja pra, një revolucion pa subjektivitet, tërësisht shpërthim së brendshmi, një revoltë e pasivitetit, e dorëzimit. Le të dorëzohemi. Befasisht kjo duket si një sllogan ultra-subversiv. Mjaft me agjitimin e kotë që do të duhej të përmirësonte e në fakt prodhon vetëm përkeqësim të cilësisë së jetës. Tekstualisht: nuk mundemi të bëjmë asgjë. E pra, le të mos bëjmë asgjë.

Është vështirë që organizmi kolektiv ta marrë veten prej kësaj tronditjeje psikotike-virale, e që ekonomia kapitaliste tashmë e degraduar në stagnim të pashërueshëm, ta rigjejë hapin e saj të lavdishëm. Mund të biem në ferrin e një sundimi tekno-ushtarak çelësat e të cilit i kanë vetëm «Amazon» dhe Pentagoni. Ose, mund ta harrojmë debitin, kreditin, paranë dhe grumbullimin.

Atë që nuk mundi ta bëjë vullneti politik, mund ta bëjë fuqia mutagjene e virusit. Por kjo dalje duhet përgatitur, duke imagjinuar të mundshmen tash që e paparashikuara e ka grisur stofin e së pashmangshmes.

5 mars

Manifestohen sinjalet e para të rënies së sistemit bursistik dhe të ekonomisë, ekspertët e çështjeve ekonomike vëzhgojnë se kësaj radhe, ndryshe nga viti 2008, nuk do të hyjnë shumë në punë ndërhyrjet e bankave qendrore apo ato të organizmave të tjerë financiarë.

Për herë të parë kriza nuk vjen prej faktorëve financiarë, e as nga faktorët strikt ekonomikë, nga loja e kërkesës dhe e ofertës. Kriza vjen nga trupi.

Është trupi që ka vendosur të ulë ritmin. Demobilizimi i përgjithshëm prej virusit korona është një simptomë e stagnimit, para se të jetë shkak i tij.

Kur flas për trup nënkuptoj në kompleksin e vet funksionin biologjik, nënkuptoj trupin fizik që sëmuret, edhe pse në mënyrë mjaft të lehtë – por mbi të gjitha nënkuptoj mendjen, e cila për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me të arsyetuarit, me kritikën, me vullnetin, me vendimin politik, ka hyrë në një fazë pasivizimi të thellë.

E lodhur prej artikulimeve të sinjaleve shumë komplekse, në depresion pas teprimit me mbingacmime, e poshtëruar prej pafuqisë së vendimeve të saj përballë plotfuqisë së automatit tekno-financiar, mendja e ka ulur tensionin. Jo se ka vendosur për ndonjë gjë mendja: është vetë ulja e befasishme e tensionit ajo që merr vendimin për këdo. Psikodeflacion.

6 mars

Natyrisht, mund të argumentohet edhe tërësisht e kundërta e asaj që kam thënë: neoliberalizmi, në martesën e tij me etno-nacionalizmin, duhet të bëjë një kërcim përpara në procesin e abstragimit total të jetës. Ja pra i vjen në ndihmë virusi, i cili i shtrëngon të gjithë të rrinë në shtëpi, por nuk e ndal qarkullimin e mallrave. Ja ku gjindemi në mes të një forme tekno-totalitare, në të cilën trupat do të jenë përgjithmonë të dorëzuar, të kontrolluar, të telekomanduar.

Revista «Internazionale» boton një artikull nga Srecko Horvat (i përkthyer nga «New Statesman»).

Sipas Horvat-it «virusi korona nuk përbën kërcënim për ekonominë neoliberale, përkundrazi krijon ambientin perfekt për atë ideologji. Por nga këndvështrimi politik virusi është rrezik, sepse një krizë shëndetësore do të mund të ndihmonte objektivin etno-nacionalist të përforcimit të kufijve dhe të ekskluzivitetit racor, si dhe atë të ndërprerjes së qarkullimit të lirë të njerëzve (sidomos nëse vijnë prej vendeve në zhvillim), duke garantuar në të njëjtën kohë një qarkullim të pakontrolluar të mallrave e të kapitalit.

Frika prej pandemisë është më e rrezikshme se vetë virusi. Imazhet apolitike të mjeteve të informimit fshehin lidhjen e thellë mes ekstremit të djathtë dhe ekonomisë kapitaliste. Ashtu si virusi që ka nevojë për një qelizë të gjallë që të riprodhohet, ashtu edhe kapitalizmi do t´i përshtatet biopolitikës së shek. XXI. 

Virusi i ri korona tashmë ka ndikuar mbi ekonominë globale, mirëpo nuk do ta ndalë qarkullimin dhe grumbullimin e kapitalit. Madje gjasat janë që shpejt të lindë një formë edhe më e rrezikshme e kapitalizmit, e cila do të mbështetet mbi më shumë kontroll e mbi një spastrim më të madh të popullsisë».

Natyrisht, hipoteza e formuluar nga Horvat-i është realiste. 

Por unë mendoj se kjo hipotezë realiste nuk është realiste ngaqë nënvleftëson dimensionin subjektiv të kolapsit, dhe efektet afatgjata të deflacionit psiqik mbi stagnimin ekonomik.

Kapitalizmi ka mundur t´i mbijetojë kolapsit financiar të vitit 2008 sepse kushtet e kolapsit ishin të gjitha të brendësuara në dimensionin abstrakt të marrëdhënies mes gjuhës financiare dhe ekonomisë. Ndërsa prej kolapsit të ekonomisë nuk do të ketë mbijetesë, sepse këtu hyn në skenë një faktor jashtë-sistemik.

7 mars

Më shkruan Alex-i, shoku im matematicien: «Gjithë burimet e kalkulusit janë impenjuar për të gjetur ilaçin për koronën. Natën pashë në ëndërr betejën finale mes virusëve biologjikë dhe virusëve të simuluar. Në çdo rast më duket se njerëzit kanë dalë jashtë loje.»

Rrjeti ndërkombëtar i kalkulusit është duke kërkuar formulën e aftë për t´i kundërvënë infovirusin biovirusit. Duhet të dekodifikohet, të simulohet matematikisht, të ndërtohet teknikisht korona-vrasësi, që pastaj të shpërndahet.

Në ndërkohë energjia hiqet prej trupit shoqëror, dhe politika demonstron pafuqinë e saj elementare. Politika është gjithnjë e më shumë vendi i mos-pushtetit, sepse vullneti nuk ndikon dot në krijimin e infovirusit.

Biovirusi shumohet në trupin e stresuar të njerëzimit global.

Mushkëritë duket se janë pika më e dobët. Sëmundjet e frymëmarrjes shpërndahen prej vitesh, në përputhje me rritjen e shpërndarjes së substancave të dëmshme për frymëmarrjen në atmosferë. Por kolapsi ndodh kur, i bashkuar me sistemin mediatik, i gërshetuar me rrjetin semiotik, biovirusi ia transferon fuqinë e vet ligështuese sistemit nervor, trurit kolektiv, i cili shtrëngohet ta ngadalësojë ritmin e vet.

8 mars

Gjatë natës kryetari i këshillit të ministrave, Conte, ka shpallur vendimin që të vërë në karantinë një të katërtën e popullsisë italiane. Piaçenca, Parma, Rexhio dhe Modena janë në karantinë. Bolonja jo. Për momentin.

Ditëve të shkuara jam dëgjuar me Fabio-n, me Lucia-n, dhe kishim vendosur të shihemi sot për një darkë. E bëjmë këtë gjë hera-herës, shihemi në ndonjë restorant ose në shtëpinë e Fabio-s. Janë darka pak të trishta, edhe pse nuk ia themi njëri-tjetrit, sepse të tre e dimë se bëhet fjalë për një mbetje artificiale të asaj që dikur ndodhte krejt natyrshëm, disa herë në javë, kur shiheshim te shtëpia e nënës.

Zakoni që të shiheshim për drekë (apo më rrallë për darkë) te nëna kishte mbetur pavarësisht të gjitha ngjarjeve, zhvendosjeve e ndryshimeve, kishte mbetur qysh pas vdekjes së babës: shihehshim te nëna sa herë që ishte e mundur.

Kur nëna arriti në gjendjen që nuk e përgatiste dot më drekën, ai zakon përfundoi. Dhe pak nga pak ndryshoi marrëdhënia mes neve të treve. Deri atëherë, edhe pse tashmë ishim gjashtëdhjetë vjeçarë vazhdonim të shiheshim thuajse përditë në mënyrë të natyrshme, vazhdonim të uleshim në të njëjtin vend në tryezë, aty ku ishim ulur edhe kur ishim dhjetë vjeçarë. Rreth tavolinës zhvilloheshin ritualet e njëjta. Nëna rrinte e ulur afër stufës, sepse kjo e lejonte të vazhdonte të merrej me gatimin gjatë kohës që hanim. Unë dhe Lucia flisnim për politikë, pak a shumë njëlloj si para pesëdhjetë vitesh, kur ajo ishte maoiste e unë operaist.

Ky zakon mbaroi kur nëna hyri në agoninë e saj të gjatë.

Prej atëherë u desh të mblidhemi për darka, ndonjëherë shkojmë te një restorant aziatik që ndodhet te kodrat, afër teleferikut, te rruga që çon për Kazalekio, ndonjëherë shkojmë në apartamentin e Fabio-s, në katin e shtatë të një ndërtese publike përtej urës së gjatë, midis Kasteldeboles dhe Borgos Panigale. Prej dritares duken lëndinat bri lumit, së largmi dallohet kodra e Shën Lukës e në të majtë qyteti.

Mirë pra, në ditët e shkuara kishim vendosur të shiheshim për darkë sot. Unë do çoja djathin dhe akulloret, Cristina, gruaja e Fabio-s kishte përgatitur lazanja. 

Por sot në mëngjes plani ndryshoi, dhe për herë të parë – tani po e kuptoj – virusi korona hyri në jetën tonë, jo më si objekt reflektimi filozofik, politik, mjekësor a psikoanalitik, por si një rrezik personal.

Fillimisht erdhi një telefonatë nga Tania, bija e Lucia-s e cila prej ca kohe jeton në Saso Markoni me Rita-n.

Telefonoi Tania për të më thënë: dëgjova se ti, mami dhe Fabio e keni lënë për darkë bashkë, mos e bëni. Unë jam në karantinë sepse njëra prej nxënëseve të mia (Tania është instruktore e jogas), është mjeke në spitalin Sant´ Orsola dhe ca ditë më parë doli pozitive në testin tampon. Kam pak bronkit, kështu që kanë vendosur të ma bëjnë dhe mua testin, e deri sa të dalë rezultati nuk mund të lëviz nga shtëpia. Unë iu përgjigja duke luajtur skeptikun, por ajo nuk hoqi dorë dhe më tha një gjë që më bëri mjaft përshtypje, për të cilën ende nuk kisha menduar.

Më tha se shkalla e infektueshmërisë së një gripi të zakonshëm është zero presje njëzet e një, ndërsa shkalla e infektueshmërisë së virusit korona është zero presje tetëdhjetë. Më thjesht: që të infektohesh prej gripit duhet të takosh pesëqind persona, ndërsa prej virusit korona, mjafton të takosh njëqind e njëzet. Interesanrte.

Pastaj ajo, që duket shumë e informuar sepse ka shkuar të bëjë testin tampon domethënë që ka folur me ata që janë në vijën e parë të frontit kundër infeksionit, më tha se mosha mesatare e të vdekurve është tetëdhjetë e një vjeç.

Eh, ja pra kjo që dyshoja, tash u vërtetua. Virusi korona vret pleqtë, e sidomos vret pleqtë asmatikë (si mua).

Në komunikimin e tij të fundit Giuseppe Conte, i cili më duket një person për së mbari, një kryeministër pak si i rastësishëm, i cili kurrë nuk ka reshtur së paturi atë pamjen e njeriut që s´ka fort lidhje me politikën, tha: «le të mendojmë për shëndetin e gjyshërve tanë». Prekëse, duke qenë se gjendem në rolin e sikletshëm të gjyshit që duhet të përkujdesemi.

Pasi hoqa dorë prej rolit të skeptikut i thashë Tania-s që e falënderoja e që do ndiqja rekomandimet e saj. I telefonova Lucia-s, folëm pak dhe vendosëm që ta shtyjmë darkën.

Vetëdijësohem se jam në mes të një dileme bateson-iane. Nëse nuk telefonoj për të anuluar darkën, vendosem në pozitën ku mund të jem një infektues fizik, një bartës i virusit që mund të vrasë vëllanë tim. Nëse telefonoj, siç edhe po bëj, për të anuluar darkën, bëhem infektues psiqik, pra shpëndaj virusin e frikës, virusin e izolimit.

Çka nëse kjo punë zgjat shumë?

9 mars

Problemi më i rëndë është ai i mbingarkimit të sistemit shëndetësor: repartet e kujdesit intensiv janë në buzë të kolapsit. Ekziston rreziku që të mos mundemi të kujdesemi për të gjithë ata që kanë nevojë për ndërhyrje urgjente, po flitet për mundësinë që të bëhet një përzgjedhje mes pacientëve që mund të marrin terapi, dhe pacientëve që nuk mund ta marrin atë.

Në dhjetë vitet e fundit i janë hequr 37 miliarë sistemit shëndetësor publik, repartet e kujdesit intensiv janë reduktuar dhe numri i mjekëve është zvogëluar shumë.

Sipas faqes quotidianosanità.it «në vitin 2007 sistemi shëndetësor publik mund të mbështetej te 334 departamente emergjence e urgjence, si dhe 530 departamente të ndërhyrjes së shpejtë. Mirëpo 10 vite më pas dieta ka qenë drastike: 49 departamentë të emergjencës e urgjencës janë mbyllur (-14%), dhe 116 ndërhyrje të shpejta nuk janë më (-22%). Por, shkurtimet më të dukshme janë ato të shërbimeve ambulante, qofshin të Tipit A (emergjencë), apo ato të Tipit B (transport shëndetësor). Në vitin 2017 ato të Tipit A janë shkurtuar me 4%, ndërsa ato të Tipit B janë përgjysmuar (-52%). Për t´u nënvizuar është se sa shumë është zvogëluar numri i ambulancave të pajisura me mjekë: në vitin 2007 mjek ka patur në 22% të veturave të ambulancës, ndërsa në 2017 vetëm në 14.7% të tyre. Me 37% është zvogëluar edhe numri i njësive lëvizëse të reanimacionit (ishin 329 në 2007, janë 205 në 2017). Shkurtimet kanë prekur edhe klinikat private të akredituara për përkujdesje, të cilat gjithsesi kanë shumë më pak struktura e ambulanca krahasuar me spitalet publike».

«Prej të dhënave vihet re se si ka patur një zvogëlim të numrit të shtretërve në shkallë kombëtare, gjë që është shumë më evidente te numri i shëtretërve në spitalet publike, krahasuar me numrin që kanë spitalet private: shkurtimi i 32.717 shtretërve brenda 7 viteve ka prekur më shumë publikun, me 28.832 shtretër më pak krahasuar me 2010 (-16.2%), krahasuar me 4.335 shtretër më pak tek privatët e akredituar (-6.3%).

10 mars

«Jemi valë të të njëjtit det, gjethe të së njëjtës pemë, lule të të njëjtit kopsht».

Kjo ishte shkruar mbi dhjetëra pako mbushur me maska që u dërguan në Itali prej Kinës. Të njëjtat maska që Evropa nuk pranoi të na i dërgojë.

11 mars

Nuk kam shkuar në rrugën Maskarela, siç bëj në çdo 11 mars, përvit. Atje takohemi me njëri-tjetrin përballë lapidarit që përkujton vdekjen e Francesco Lorusso-s, ndonjëri mban ndonjë fjalimth, vihet një kurorë me lule ose ndonjë flamur i Lotta Continua-s që ndonjëri e ruan në bodrum, dhe përaqfohemi e puthemi e rrimë pranë njëri-tjetrit.

Nuk e ndjeva të shkoj kësaj radhe, sepse nuk desha t´i them ndonjërit prej shokëve të vjetër se nuk mund të pëqrqafohemi.

Prej Uhanit mbërrijnë foto personash që festojnë, të gjithë rigorozisht me maskën e gjelbërt. Pacienti i fundit i prekur nga virusi korona është liruar prej spitaleve të ndërtuar shpejt e shpejt për t´i bërë ballë fluksit.

Në spitalin e Huoshenshanit, që është faza e parë e vizitës së tij, presidenti Xi ka lavdëruar mjekët dhe infermierët duke i quajtur «engjëjt më të bukur» si dhe «korrierë të dritës e të shpresës». Punëtorët shëndetësorë në vijën e frontit kanë kryer misionet më të rënda, tha Xi, duke i quajtur «personat më të admirueshëm të kohës sonë, që meritojnë elozhet më të larta».

Kemi hyrë zyrtarisht në epokën biopolitike, ku presidentët s´kanë më asnjë pushtet, e vetëm mjekët kanë në farë pushteti, edhe ata jo për gjithçka.

12 mars

Itali. Gjithë vendi në karantinë. Virusi rend më shpejt se masat e kufizimeve. 

Unë dhe Billi vëmë maskë, marrim biçikletat dhe shkojmë të psonisim. Vetëm barnatoret dhe ushqimoret mund të mbeten hapur. Por edhe libraritë, blejmë gazetat. Edhe tabakeritë. Blej letra për të dredhur cigare, po hashashi po më pakësohet në kutinë e drunjtë. Shpejt do të mbetem pa drogë, dhe në sheshin Verdi nuk gjendet më asnjëri prej djemve afrikanë që ia shesin studentëve.

Trump-i ka përdorur shprehjen «foreign virus»,

Çdo virus është i huaj, për nga përkufizimi, por presidenti nuk e ka lexuar William Burroughs-in.

13 mars

Në facebook është një tip shakaxhi që ka postuar në profilin tim frazën: ej Bifo, puna është ndaluar me ligj.

Në fakt puna është ndaluar vetëm për pak-kënd. Punëtorët e industrive janë në revoltë sepse po u duhet të shkojnë në fabrikë si gjithmonë, pa maska e pa mbrojtje të tjera, me vetëm gjysmë metri distancë prej njëri-tjetrit.

Kolapsi, pastaj ky pushim i gjatë. Askush nuk mund të thotë se si do të dalim prej kësaj.

Mund të dilet, siç parashikon dikush, në konditat perfekte të një shteti tekno-totalitar. Në librin «Black Earth», Timothy Snyder shpjegon se nuk ka kondita më të mira për formimin e regjimeve totalitare, se situatat ekstreme të emergjencave, kur luhet mbijetesa e të gjithëve.

AIDS-i krijoi kushtet për çrrënjosjen e kontaktit fizik dhe për fillimin e platformave të komunikimit pa kontakt: Interneti u parapri prej mutacionit psiqik të quajtur AIDS.

Tani mund të kalohet fare mirë në një izolim të përhershëm të individëve, dhe brezat e rinj ndoshta do ta brendësojnë ndjenjën e terrorit prej trupit të tjetrit.

Po çfarë është terrori?

Terrori është konditë ku imagjinarja sundon tërësisht imagjinatën. Imagjinarja është energjia fosile e mendjes kolektive, imazhet që përvoja ka depozituar aty, kufizim i të imagjinueshmes. Imagjinata është energjia e ripërtëritshme dhe e paparagjykuar. Jo utopi, por kombinim i ri i të mundshmeve.

Ka një çarje në kohën që po vjen: mund të dalim prej kësaj duke imagjinuar një mundësi e cila deri dje dukej e pamendueshme: rishpërndarje e të ardhurave, zvogëlim e orarit të punës. Barazi, kursim, braktisje e paradigmës së rritjes ekonomike, investim të energjive sociale në hulumtim, në arsim, në shëndetësi.

Nuk mund ta dimë se si do të dalim prej pandemisë konditat e së cilës janë krijuar prej neoliberalizmit, që prej shkurtimeve në shëndetësinë publike, deri te mbishfrytëzimi nervor. Ekziston mundësia të dalim përfundimisht të vetmuar, agresivë, konkurrentë.

Por mund të dalim edhe me një mall të madh për të përqafuar të tjerët: solidaritet shoqëror, kontakt, barazi.

Virusi është konditë e një kapërcimi mendor që asnjë predikat politik nuk do të kishte mundur ta prodhonte. Barazia është kthyer në qendër të skenës. Le ta imagjinojmë si pikënisje, për kohën që do të vijë.