(Kjo intervistë u botua në 20 mars 2020. Juristi Gustavo Zagrebelsky është kryetar honorifik i Gjykatës Kushtetuese në Itali. Ai u intervistua nga Liana Milella).

Para se të flasim për të drejtat e detyrat, për liritë personale e për Kushtetutën, si është gjendja juaj shpirtërore sa i përket kësaj murtaje të vitit 2020, e cila është përreth nesh e në gjithë botën, po përhapet e po prodhon vdekje?

Në këto momente kam përshtypjen se duhet të zgjedhim me kujdes fjalët, sepse fjalët nga ana e tyre mund të shpërndajnë murtaja psikologjike. Murtaja na kujton skenarë historikë, si murtaja e zezë, kolera, tuberkulozi në të shkuarën, të cilat nëpër shumë piktura janë paraqitur si valle makabre, ku të gjallët vallëzonin të përqafuar me skelete. Më duket se sot nuk jemi në një situatë të tillë. Së pari për shkak se jemi përballë një pandemie virale të mushkërive, e cila mua nuk ma kujton fare murtajën, e së dyti sepse përballë asaj që ju e quani murtajë bota shkencore dhe ajo spitalore është e përgatitur dhe ka tashmë mjete në duart e veta.

Pra ju jeni i qetë?

Aspak. Por mendoj se duhet reaguar duke menduar, e jo duke deliruar.

Çfarë do t´u thoshit komplotistëve të cilët mendojnë se ky është një montim i sajuar me qëllime represive ndaj lirive demokratike? Madje edhe duke nxjerrë ushtrinë?

Unë gëzohem po të shoh ushtrinë që nuk lufton në luftë, por kundër shpërndarjes së një sëmundjeje dhe pasojave të saj.

Edhe nëse ushtarakët transportojnë arkivolë, apo sillen nëpër rrugë që të na shtrëngojnë të qëndrojmë në shtëpi, ndërkohë që shumëkush po përmend shtetrrethimin?

Edhe në këtë pikë duhet bërë kujdes me fjalët. Nuk ka nevojë për kushedi çfarë talenti për të kuptuar dallimin mes shtetrrethimit që imponoi Pinochet-i në Santiago të Kilit dhe kufizimeve të qarkullimit për motive të shëndetit publik. Në regjimet antidemokratike bëhej fjalë për një masë policore e përjetuar si një teprim i dhunës; ndërsa kësaj radhe, që në pamje të parë duket se është diçka tjetër. Madje këto masa do të mbeteshin të panevojshme në rast se të gjithë ne, në mënyrë spontane e lirisht do të vetëdijësoheshim për këto domosdoshmëri që ruajnë shëndetin tonë.

A jemi në një udhëkryq mes shëndetit dhe lirive demokratike?

Disa kanë frikë se mos zgjaten këto ndalime, edhe përtej gjendjes aktuale të emergjencës, a thua se kjo është një provë gjenerale për një diktaturë globale. Për momentin, së paku le të ndalet gjykimi. Tash për tash mua më duken si masa në favor të lirisë më demokratike që ekziston: lirisë prej sëmundjes dhe prej vdekjes.

A jeni duke thënë se nuk po jetojmë çaste gjatë të cilave të drejtat themelore po sakrifikohen për shkak të emergjencës?

Nuk do të thosha. Cila e drejtë është më themelore se e drejta e të gjithëve për jetë e për shëndet?

Por kufizimet e hyra në fuqi, e ato eventualet në të ardhmen, a i mbulon Kushtetuta?

Le të përpiqemi si juristë të mos bëhemi ngucakeqë. Kushtetuta parashikon se liria e qarkullimit dhe liria e tubimit mund të kufizohen për arsye të shëndetit, sigurisë e mirëqenies publike. Për çdo rast, Kushtetuta lejon përdorimin e dekretëve urgjentë, në raste «të domosdoshmërive të jashtëzakonshme». A nuk është ky rast i tillë? Qeveria qendrore duhet të marrë përgjegjësitë e veta, edhe në pajtim me autoritetet lokale. 

A nuk po e teprojnë pak rajonet që po kërkojnë autonomi të gjerë?

Janë arsyet e shëndetësisë, sigurisë dhe mirëqenies ato që përcaktojnë kompetencat. Nëse janë në përmasa shtetërore, siç është padyshim në këtë rast, atëherë masat i përket t´i marrë qeverisë qendrore. 

Juristët shfaqen të pavendosur…

Dikush e ka për zanat.

Qeveria dhe opozita…

Po ju ndërpres menjëherë. Mendoj se të gjithë do të duhej të kishin një qasje konstruktive, por kjo nuk përjashton as pluralizmin e propozimeve, e as të drejtën për mospajtim (e cila nuk duhet të ngatërrohet me nxjerrjen e pengesave).

Meqë ra fjala, sa i përket votimit të dekreteve qeveritare në parlament, a mendoni se mund të fillojë praktika e votës digjitale, pa patur nevojë për praninë e deputetëve e senatorëve në sallë, pra votë nga shtëpia?

Përtej zgjidhjeve teknologjike, për mua është thelbësore, pikërisht për shkak se jemi në gjendje emergjence dhe në prani të masave të jashtëzakonshme, që parlamenti të jetë plotësisht funksional, sepse ka funksionin që të kontrollojë situatën.

A justifikon gjithçka emergjenca?

Në situatat e emergjencës, qëllimi justifikon mjetet. Por sigurisht jo të gjitha. Vetëm ato mjete që kanë, në mënyrë të arsyeshme, atë qëllim. Veçanërisht nuk do të pranoheshin mjetet e kundërt me dinjitetin e qenieve njerëzore, apo ato diskriminues.

Cilat do të ishin ato mjete?

Psh. ata që shkelin parimin e barazisë, i cili nuk lejon të bëjmë dallime mes të moshuarve dhe të rinjve. Nuk flas për konflikt interesi… por për arsye kushtetuese. Nuk më rezulton që parimi i barazisë të lejojë një diskriminim të tillë barbar e të pamëshirshëm. 

Duke lexuar kronikat, a mos ju ka bërë përshtypje fakti se mes dy të sëmurëve, njëri i ri e tjetri i moshuar, përzgjidhet që të shkojë në terapi intensive i pari, dhe i dyti lihet të vdesë?

Do të ishte tronditëse nëse pranohet parimi që të rinjtë janë «më të barabartë se të moshuarit». Kushtetuta nuk bën dallim. Ky do të ishte qëndrim shumë i afërt me eugjenizmin.

Megjithatë problemi ekziston, është vetëm një respirator dhe dy pacientë, ç´duhet bërë?

Është në etikën mjekësore që të bëhet përpjekja, për sa është e mundur, që të shpëtohen të dy. Në atë situatë tragjike, mjeku duhet të pyesë veten në lidhje me dy pacientët, se për cilin do të ishte më efikase terapia. Nuk ka situata ku dy pacientë janë në gjendje tërësisht të njëjtë. Dhe mosha është vetëm njëri prej komponentëve. E pastaj, diskursi ynë abstrakt, në fund vlen pak dhe i takon punonjësve shëndetësorë dhe ndërgjegjjes së tyre profesionale të bëjnë përzgjedhjen, kur ajo është e pashmangshme.

Po të kishte patur më pak evazion fiskal dhe të ishte investuar më shumë në spitale, sot ndoshta nuk do të ishim në këtë pikë.

Sigurisht. Çështja e përzgjedhjes tragjike vjen prej pamjaftueshmërisë së burimeve publike të cilat mbështeten prej të hyrave fiskale. Është e lehtë të lidhen pasojat me mungesën e përgjegjësisë të atyre që bëjnë evazion.

Nëse qeveria do të duhej të na kërkonte të gjithëve ne sakrifica të mëtejshme, e sidomos të gjata, a nuk rrezikojmë të shkojmë drejt kaosit e xhunglës?

Emergjenca duhet të jetë nga natyra e saj e përkohshme, sa më shumë ajo zgjat, aq më shumë përvoja tregon se shfaqen ndjenja të tipit «mors tua vita mea». Solidariteti është virtyt, virtyt i shenjtorëve fetarë apo laikë qofshin, por asnjë shoqëri njerëzore nuk mund të mbështetet vetëm mbi shenjtërinë. Le të urojmë që masat e marra të tregojnë efikasitet dhe që mes nesh të mos mungojë bindja se shëndeti e shpëtimi i të gjithëve varen nga secili prej nesh.

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi