(Ky shkrim u botua në 12 mars)

Teksti i Agamben-it, i cili i karakterizon masat e marra në përgjigjje të pandemisë së COVID-19 si një ushtrim i biopolitikës së «gjendjes së jashtëzakonshme», ka nisur një debat të madh mbi atë se si duhet menduar për biopolitikën.

Vetë nocioni i biopolitikës, siç është formuluar prej Michel Foucault-së, ka qenë kontribut i madh për të bërë të kuptueshme për ne ndryshimet që shoqëruan kapërcimin historik në modernitetin kapitalist, sidomos sa i përket mënyrave në të cilat ushtrohet pushteti dhe imponimi. Prej konceptit të pushtetit si një e drejtë e sovranit për jetën a vdekjen e subjektit të tij, u kalua te pushteti si një përpjekje për të garantuar shëndetin (dhe produktivitetin) e popullatave. Kjo çoi te një zgjerim i paprecedent i formave të ndërhyrjeve dhe imponimeve nga ana e shtetit. Duke nisur prej vaksinimit të detyrueshëm e deri te ndalimi i duhanit në vende publike, nocioni i biopolitikës është përdorur në shumë instanca si çelës për të kuptuar dimensionet politike dhe ideologjike të politikave shëndetësore.

Në të njëjtën kohë na ka lejuar të analizojmë fenomenë të ndryshëm, shpesh të mbuluar në sferën publike, prej përpjekjeve për të gjetur justifikime «shkencore» për racizmin, e deri te rreziqet e tendencave eugjenike. E me të vërtetë, Agamben-i e ka përdorur në një mënyrë konstruktive, në sprovat e tij për të teorizuar format moderne të «gjendjes së jashtëzakonshme», apo hapësirave ku format ekstreme të imponimit vihen në praktikë, me kampin e përqendrimit si shembull kryesor.

Çështjet e masave për administrimin e pandemisë së COVID-19 qartësisht ngrenë pikëpyetje të lidhura me biopolitikën. Shumë komentues kanë sugjeruar se Kina ka hedhur hapa të suksesshëm drejt ndalimit apo ngadalësimit të pandemisë për shkak se pati mundësi të implementonte një variant autoritar të biopolitikës, gjë që përfshiu përdorimin në masë të madhe të karantinës dhe ndalimit të aktiviteteve shoqërore, e kjo u ndihmua prej arsenalit të gjerë të mjeteve imponuese, mbikqyrëse e monitoruese që shteti kinez ka nën kontroll.

Disa prej komentuesve madje kanë sugjeruar që demokracive liberale u mungon kapaciteti i njëjtë për t´u imponuar, apo për të investuar më shumë në ndryshimin vullnetar të sjelljeve individuale, nuk mund të marrin të njëjtat masa, dhe kjo i pengon në përpjekjet e tyre për të administruar pandeminë.

Megjithatë, unë mendoj se është mbithjeshtëzim nëse e shtrojmë dilemën si midis biopolitikës autoritare në njërën anë, dhe një besimi liberal se individët do të bëjnë zgjedhje racionale në anën tjetër.

Për më tepër, është e qartë se nëse i trajtojmë masat e shëndetit publik, siç është karantina apo «distancimi shoqëror», thjesht si biopolitikë, në një farë mënyre ua humbet potencialin dobiprurës. Në mungesë të një vaksine, apo të ilaçeve të suksesshme anti-virale, këto masa që vijnë prej repertorit të manualëve të shëndetit publik nga shek. XIX, mund ta zvogëlojnë brengën, sidomos për grupet e komunitetet e brishta.

Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse mendojmë se edhe në ekonomitë e përparuara kapitaliste infrastruktura e shëndetësisë publike është dobësuar, dhe nuk mundet realisht t´i bëjë ballë kulmit të pandemisë, përveçse nëse merren masa për të zvogëluar shkallën e përhapjes.

Mund të thuhet kundër Agamben-it se «jeta e zhveshur» i përngjan më shumë asaj të një pensionisti që pret në radhë për respirator ose për shtrat ICU, për faj të rrënimit të sistemit shëndetësor, se sa asaj të një intelektuali që bezdiset prej praktikaliteteve të masave të karantinës.

Duke patur parasysh këto që thamë, unë do të doja të sugjeroja një rikthim të ndryshëm te Foucault-ja. Mendoj se ndonjëherë harrojmë që Foucault-ja kishte një koncept tepër relacional, kur vjen puna të praktikat e pushtetit. Në këtë sens, është legjitime të shtrohet pyetja se a do të ishte e mundshme një biopolitikë demokratike, apo edhe komuniste?

Nëse duam ta shtrojmë ndryshe këtë pyetje: A është e mundur të kemi praktika kolektive që realisht e ndihmojnë shëndetin e njerëzve, duke përfshirë ndryshime të sjelljeve individuale në një masë të gjerë, pa patur një zgjerim paralel të formave të imponimit e të mbikqyrjes?

Vetë Foucault-ja, në veprat e tij të mbrame, tregon kah një drejtim i tillë, kah nocionet e së vërtetës, parrhesia-s, dhe përkujdesjes për vetet. Në atë dialog tepër origjinal me filozofinë e lashtë ai sugjeron një politikë alternative të bios-it, e cila gërsheton përkujdesjen individuale me atë kolektive, në mënyra jo imponuese.

Në një perspektivë të tillë, vendimet për zvogëlimin e lëvizjeve dhe për distancimin shoqëror në kohëra epidemish, apo ato për ndalimin e duhanit në hapësira të mbyllura publike, apo për ndalimin e praktikave individuale e kolektive që dëmtojnë mjedisin, do të duhej të ishin rezultat i vendimeve demokratike të diskutuara kolektivisht. Kjo nënkupton që zhvendosemi, prej disiplinës së thjeshtë, te përgjegjësia në raport me të tjerët dhe me veten, dhe prej pezullimit të shoqërizimit, te transformimi i tij i bërë me vetëdije. Në një konditë të tillë, në vend të një frike të vazhdueshme individuale, e cila mund të shkatërrojë çdo sens të kohezionit shoqëror, do të lëviznim drejt idesë së një përpjekjeje kolektive, bashkërendimi e solidariteti brenda një beteje të përbashkët, elementë që gjatë emergjencave të tilla shëndetësore do të mund të ishin po aq të rëndësishme sa ndërhyrjet mjekësore.

Kjo na hap mundësinë për një biopolitikë demokratike. Ajo do të mund të bazohej edhe në demokratizimin e dijes. Qasja gjithnjë e më e madhe në dije, bashkë me nevojën për fushata që e popullarizojnë dijen, bën të mundur procese të vendimmarrjes kolektive që janë të bazuara në dije e në mirëkuptim, e jo thjesht te autoriteti i ekspertëve.

Biopolitika nga poshtë

Beteja kundër HIV-it, lufta ndaj stigmatizimit, përpjekja për t´i bërë njerëzit të kuptojnë se nuk është një sëmundje «e grupeve me rrezikshmëri të lartë», nevoja për edukim mbi praktikat e shëndosha seksuale, financimi i hulumtimit shkencor për zhvillimin e masave terapeutike, dhe qasja në shërbime të shëndetit publik nuk do të kishte qenë e mundur pa betejën e lëvizjeve si ACT UP. Mund të thuhet se ajo psh. ishte vërtet një shembull i biopolitikës nga poshtë.

Dhe në konjukturën aktuale, lëvizjet shoqërore kanë shumë hapësirë për të vepruar. Ato mund të kërkojnë të merren masa të menjëhershme që të ndihmohen sistemet e shëndetësisë publike që t´i bëjnë ballë brengës së shtuar prej pandemisë. Mund të vënë në pah nevojën për solidaritet dhe për vetëorganizim kolektiv gjatë një krize të tillë, në vend të «panikëve» mbijetues të individualizuar. Mund të këmbëngulin që pushteti (dhe fuqia imponuese) e shtetit të përdoren për të kanalizuar burime prej sektorit privat, atje ku ka nevojë shoqëria. Dhe mund të kërkojnë ndryshime shoqërore, si një gjë e domosdoshme për të shpëtuar jetë.

Përktheu nga anglishtja Arbër Zaimi