Sergio Benvenuto

(Ky shkrim u botua në 18 mars 2020)

Reaksioni i menjëhershëm i sovranistëve – emërtim fisnikërues ky për fashistët e rinj – përballë pandemisë së virusit korona, ka qenë refleks tipik prej ksenofobësh: të mbyllen kufijtë, duke e njësuar COVID-19 me të huajin. Është e njëjta gjë që bëri dhe Trump-i, duke bllokuar fillimisht hyrje-daljet me Evropën, pa bërë asgjë në lidhje me zhvillimet e brendshme. Rreziku vjen gjithnjë nga jashtë, kurrë nga brenda.

Thuhet se kjo pandemi do t´ia heqë hapësirën propagandës së neo-fashistëve (ndër të cilët përfshij Trump-in, Johnson-in, Salvini-n, Erdogan-in…). Në fakt, kur i infektuar mund të jetë cilido, rreziku nuk vjen nga jashtë – nga Afrika, nga Kina, nga myslimanët etj. – dhe as nga ndonjë tjetër i brendshëm i kategorizueshëm, i rrethueshëm, i izolueshëm, siç kanë qenë për shekuj me radhë hebrejtë në Evropë. Rreziku vjen nga kushdo, nga fëmija, nga gjyshi, nga dashnori. Siç ka thënë gazetari Massimo Giannini «Ne nuk jemi rrezik, ne jemi rreziku». Kundërshtitë themelore që i japin domethënie qenies sonë prej kafshe politike schmitt-iane – ne/ata, unë/tjetri – hidhen në erë të gjitha, sepse secili jemi njësoj të rrezikshëm apo njësoj shpëtimtarë. Në këtë pandemi një rom nuk është më i rrezikshëm se ime bijë, dhe kategorizimet raciste befasisht e humbin gjithë joshjen e tyre mobilizuese.

Në këtë aspekt nuk më shqetëson që vendet evropiane kanë pezulluar Schengen-in. Do të kishte qenë shqetësuese nëse do të kishte ndodhur mbyllje e një shteti ndaj shtetit tjetër, por në të vërtetë kjo është një mbyllje në çdo nivel: secili qytetar mbyllet ndaj qytetarit tjetër.

Shkruan Giorgio Agamben, filozof shumë i shquar

«Edhe më trishtuese kufizimet e lirive që nënkuptohen në këto masa, dhe sipas meje, përkeqësimi i marrëdhënieve mes njerëzve që ato mund të prodhojnë. Tjetri, kushdo qoftë ai, madje edhe ndonjë person i dashur, nuk duhet as të afrohet, as të preket, madje duhet vënë mes tij dhe nesh një distancë që sipas disave duhet të jetë një metër, por sipas sugjerimeve të fundit të të ashtuquajturve ekspertë duhet të jetë 4.5 metra (interesante ato 50 centimetrat!)»

Është vështirë të përfytyrohet një përgjigjje kaq sipërfaqësore sa kjo. Epidemia në fakt i përmbys klishetë sipas të cilave nëse e duam fqinjin duhet ta përqafojmë, ta puthim, të ngjitemi pas tij apo saj, si sardele… Sot dashurinë për tjetrin e tregoj pikërisht duke e mbajtur larg. Ky është paradoksi që hedh në erë gjithë skemat gjumashe ideologjike (ideologjike jo në kuptimin marksist) të së majtës e të së djathtës, për të mos përmendur edhe ato populistet.

Propaganda tipike e politikanëve dhe e mediave i bën thirrje egoizmit tonë e jo altruizmit: «nëse i shmang kontaktet mbron të tjerët, por edhe veten». Tash, shpesh kjo nuk është fare e vërtetë. Dihet se të rinjtë mund të jenë të infektuar si gjithë të tjerët, por rrallë sëmuren; të gjithë e dimë se kjo pandemi është senilicid, dhe personat vërtet të rrezikuar janë ata të moshave mbi 65 vjeç.

Një miku im në moshë të re më mban në distancë prej së paku tre metrash dhe më buzëqesh. E vlerësoj shumë këtë jo-gjest të tij, sepse e di që mbi të gjitha ai po më mbron mua, që jam plak. Është e vërtetë, po mbron edhe pleqtë e shtëpisë së vet, babën, nënën… Sidoqoftë i jam mirënjohës. Sa më shumë dikush ruan distancën me mua, aq më shumë e ndjej pranë. Prandaj Agamben nuk ka kuptuar asgjë për atë që po ndodh në molekularitetin e marrëdhënieve njerëzore.

Në anën tjetër, gjatë ditëve të fundit kam takuar persona të ndryshëm që nuk e përfillnin distancën e sigurisë prej të tjerëve, pa doreza e pa maska, dhe thoshin se ishin skeptikë sa i përket fuqisë së virusit… Siç kam konstatuar prej diskursit të tyre, ishin persona thelbësisht cinikë, në analizë të fundit asocialë. Kush e do shoqërinë sot nuk rri në shoqëri.

Një klloun qesharak si Boris Johnson i tha britanikëve «bëhuni gati që të humbni shumë prej të dashurve tuaj para se t´u vijë dita». Por pse të mos i drejtohej dhe atyre që po vdesin duke u thënë «përgatituni të humbni jetën»? A thua se vdekja është gjithnjë vdekje e tjetrit. Ndoshta donte të thoshte «bëhuni gati të humbni pleqtë tuaj…». Sipas Boris Johnsonit ata që do të vdesin, ata që i kanë gjithë letrat në rregull për të vdekur, nuk janë më të vlefshëm si bashkëbisedues të tij, pra nuk ka nevojë t´u drejtohet më me «ti». Italia ka marrë vendim tjetër: të shkojë në karantinë, të paralizohet ekonomikisht për të mbrojtur të moshuarit e vet. Ndër të është edhe Agamben-i, i lindur në 1942. Ndjej se ka diçka heroike në këtë mbrojtje me mish e me shpirt të atyre që nuk i ka mbetur edhe shumë për të jetuar.

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi