(Ky shkrim është botuar në 18 mars 2020)

Miku im, Jun Fujita, që po kalonte nëpër Madrid teksa kthehej në Japoni prej Argjentinës, u mbërthye prej karantinës teksa rrinte te unë. Nga ana ime, ky qe një fat i madh: gatuajmë bashkë, llafosemi, dhe netëve bëjmë kine-forum.

Dje pamë «Gjëja», film i bërë nga John Carpenter në vitin 1982, një horror fantastiko-shkencor i cili nuk ka humbur asnjë grimë prej aftësisë së vet goditëse. Gjithë biseda pas filmit u soll rreth çështjes, kaq prezente tash me virusin korona, të armikut.

  • Kush është armiku? Qenien e tmerrshme që gjetën në Antarktidë, ekspedita e shkencëtarëve e quajti thjesht «Gjëja».

«Jemi në luftë», tha Macron. Dhe dërgoi ushtrinë të patrullojë rrugët. Të njëjtën gjë e tha edhe presidenti kilian Sebastián Pinera, kur filluan kryengritjet në vendin e tij: «Jemi në luftë kundër një armiku të padukshëm, të pathyeshëm, që nuk respekton askënd e asgjë». Një fuqi «alienogjene» shtoi e shoqja. Mobilizim dhe luftë totale kundër… Gjësë.

Gjëja nuk ka emër. Është një Objekt Fluturues i Paidentifikuar për radarët e njohjes sonë. Nuk bie në asnjërën prej tabelave klasifikuese, në asnjërin sistem të kategorizimit që zotërojmë. Për më tepër: Gjëja i rrënon e i shkatërron ato. Është përbindëshi, qenia e ardhur prej një planeti tjetër, luftëtari i paligjshëm, pushteti i jashtëm, një pikë jashtësie në raport me qytetërimin.

Luftë kundër Gjësë! Sigurisht që duhet të mbrojmë e të mbrohemi, të japim përkujdesje e ta marrim atë. Por, a nuk është Gjëja edhe një rast për të menduar? E vetmja mundësi për të menduar është gjatë ndërprerjes: ndërprerjes së automatizmave, të stereotipeve, të fakteve. Gjëja është një e çarë në sistemin e palëvizshëm të fakteve. Na fton që ta rimendojmë nga e para: shëndetin dhe shëndetësinë, qytetet e ushqimin, lidhjet e përkujdesjet. 

Në vend se ta bllokojmë atë të çarë, duhet të shohim përmes saj. Ky është dallimi mes administrimit të situatës e shndërrimit të saj. Por kush vallë ka qejf të mirëmbajë një të çarë?

  • Padukshmëri. Çka është Gjëja?

Po e shohim tash: armiku mund të jetë kushdo. Ata që vijnë në fshat prej qytetit, ai tipi që vazhdon del në rrugë, endacakët, apo djelmoshat emigrantë që s´kanë shtëpi.

Tensioni shoqëror horizontal është i prekshëm gjatë këtyre ditëve. Kush vallë e ka virusin? Nuk dihet. Secili mund të ta ngjisë. Duhet të mos i besosh askujt. Madje disa mund ta kenë brenda vetes Gjënë pa e ditur fare: këta janë asimptomatikët.

Komunistët ishin një armik i dukshëm. AIDS-i ishte i lidhur me «grupe apo sjellje me rrezikshmëri të lartë». Por sot secili mund të infektohet, secili mund të infektojë të tjerët, secili është armiku. 

Piloti Mc Ready (Kurt Rusell) shkon rast pas rasti, kjo është rruga më e sigurt, mirëpo situata ndryshon, evoluon. Ai që ishte i shëndoshë dje mund të jetë i infektuari i sotëm. Një qark i shkurtër prej skëterre mes aktuales dhe virtuales. Mosbesimi dhe paranoja tashmë janë situata të përgjithshme.

  • Armiku vjen së jashtmi

Si të mbrohesh vallë? Në film secili personazh mbyllet në dhomën e vet individuale, duke shmangur takimet përveç atyre që i bëjnë në një dhomë të përbashkët (skena e kundërskena marrin natyrën e distancimit shoqëror). Duhen mbyllur kufijtë. Një kufi rreth e rreth secilit prej nesh, shtëpia në karantinë. Kufiri shtetëror, kufiri i Bashkimit Evropian. Pak rëndësi ka që Evropa është vatër më e madhe infeksioni se kontinentet e tjera, vazhdohet me mendimin se armiku vjen nga jashtë e se mbrohemi duke e lënë jashtë.

Padyshim që Gjëja arriti përpara ekspeditës së hulumtuesve. Gjëja ishte brenda prej shumë kohëe, e rrënjosur në Tokë. 

Nëse Gjëja ka qenë brenda prej kohësh, si vallë do të mund ta lëmë jashtë?

Një tekst interesant që ka qarkulluar këto ditë, Monologu i virusit, na kujton se viruset kanë qenë këtu qysh prej fillimit të gjithçkaje, ata përfaqësojnë vazhdueshmërinë e së gjallës, pa ata nuk do të kishte pasur jetë.

Si stuhia «barravento» që fryn e kërcënon peshkatarët në filmin e vitit 1962 të Glauber Rocha-s, virusi korona lëviz duke u bërë një me lëvizjet e deterritorializimit absolut të Tokës. Virusi është toka. Jemi ne jashtëtokësorët. Jemi ne që e kemi ndërprerë vazhdueshmërinë e së gjallës duke ndarë subjektin (njeriun) prej objektit që të sundojmë (botën). Është logjika e sundimit ajo që ndërpret fushën e marrëdhënieve në të cilën ndërtohet jeta, duke na vënë të gjithëve në rrezik. Është kjo jetë jashtë-tokësore ajo që na kërcënon.

  • Të mbrohemi nga gjëja. Por si?

No ëay out në filmin e Carpenter-it. Film radikal, që nuk lëshon pe, nuk lë hapësirë për iluzione, nuk ka fund të lumtur. 

Për t´i dhënë fund Gjësë, Mc Ready i vë zjarr gjithçkaje, gjithë ndërtesave, gjithë ushqimeve, gjithë kompleksit të bazës shkencore. I vë zjarr gjithçkaje që (mendohet) se mund të mbrojë. Sepse dyshon që në ndonjë qosh diku mund të jetë e fshehur Gjëja. 

I vë zjarr gjithçkaje dhe mbetet jashtë, në shkretëtirën e akullt. Zjarri e mposht të ftohtin, mirëpo kërcënon të marrë gjithçka me vete. 

Kjo është dalja më radikale: të djegësh gjithçka që presupozohet të mbrojë prej së keqes por që në të vërtetë e riprodhon atë. Të mbetesh jashtë, aty ku një fillim i ri është i mundshëm. I zbuluar, me jetën e zhveshur.

A është brenda mundësive tona ky gjest radikal? A duam ta bëjmë atë, apo kemi frikë prej tij? A është i vetmi gjest i mundshëm?

Sigurisht ne preferojmë një përgjigjje më të pranueshme, që do t´i mbronte të brishtët e të zbuluarit, pa zbuluar asnjë tjetër si pasojë (të varfrit, të targetuarit), një përgjigje që do të na rikthente në normalitet pa shumë kosto. Por pikërisht aty, te rrugëdaljet reformiste, Gjëja do të gjejë me siguri ndonjë qosh ku mund të mbrojë vetveten, dhe ne nuk do ta shfrytëzojmë të çarën për të menduar radikalisht.

Apo jo?

Përktheu nga spanishtja Arbër Zaimi