Javën e kaluar bankat private të nivelit të dytë në Shqipëri blenë rreth 100 milionë euro nga borxhi i emetuar i qeverisë në tregun e brendshëm, me një normë joshëse interesi në nivelin 1.9% për dy vjet. Siguri më të madhe për fitime se t’i japësh borxh shtetit me interesa të tilla nuk ka. Dy javë më parë, bankat morën 11 miliardë lekë (rreth 89 milion euro) si likuiditet nga buxheti i shtetit në formën e garancisë sovrane, ku bankave ju sigurua së paku 0.5% nga norma e interesit për kreditë që do duhej të jepeshin me interesa që shkonin deri ne 2.85%. M.q.s kjo garanci sovrane nuk funksionoi, në paketën e dytë të qeverisë, që pritet të nisë javën që vjen, bankave do u jepet 150 milion dollarë në formën e garancisë sovrane. Kësaj radhe qeveria do mbulojë edhe koston e interesit që bankat do marrin për çdo kredi.

Vitin e kaluar, 12 bankat private që operojnë në Shqipëri patën 500 milion dollarë të ardhura nga kreditë. Rreth 110 milion dollarë kanë qenë të ardhurat vjet nga komisionet dhe penalitetet për vonesat e shlyerjes së kredive. Pagesat që këto banka kryen vitin e kaluar për depozitat ishin vetëm në vlerën 81 milion dollarë. Prandaj, pas shpenzime të tjera, ato fituan vjet në total rreth 200 milion dollarë në Shqipëri, fitimi i dytë më i lartë i dekadës së fundit. Qartazi në Shqipëri bankat private nuk kanë patur as problem likuiditeti, as problem fitimesh. Megjithatë ato kanë qenë deri tani përfitueset më të mëdhaja të parasë publike nga masat e qeverisë për pandeminë.

Është e vërtetë se një pjesë e mirë e bankave private mund t’i ketë shtyrë këstet e kredive të huamarrësve për tre muaj, sipas udhëzimit të qeverisë. Por mos të harrojmë se ata që i kanë marrë borxh ato pare në bankë kanë vendosur edhe kolateral. Nëse kreditë nuk fillojnë të kthehen, bankat mund të kërkojnë edhe kolateralin – asetet e bizneseve që kanë marrë kredi, apo shtëpitë dhe pronat e qytetarëve.

Cila do ishte një zgjidhje? Një bankë zhvillimore publike për Shqipërinë, që mund të ishte e ngritur pjesërisht edhe me kapital privat. Nëse do themelohej e funksionalizohej siç duhet, atëherë kjo bankë zhvillimore do kishte potencialin ta rriste efiçiencën e tregut financiar në Shqipëri, duke i shtyrë bankat private të ulnin normat e interesit, e duke rritur konkurrueshmërinë. Një bankë zhvillimore do mundësonte investime të qëndrueshme afatgjata që rrisin punësimin, e do rriste edhe efiçiencën e gjithë kësaj paraje publike që aktualisht po përdoret për t’u siguruar fitime shtesë bankave private në Shqipëri.