Në pamundësi që të jem fizikisht me juve, e pamundësuar nga distanca e largët dhe rrethanat ku momentalisht gjendem, mora guximin që t’a shkruaj këtë letër për të shprehur solidaritetin tim me ju. Po e them ‘guximin’ sepse përballë këmbënguljes suaj gjithçka tjetër ka pak vlerë. Ajo çfarë ju keni treguar në këto dy javë protestash të pandalshme është jo vetëm shpresdhënëse, por ka potencial të madh që të hap hapësira të reja emancipuese. Guximi juaj më kujton definicionin e Alain Badiou-së mbi guximin: “Guximi nuk është pika në vetvete, por është këmbëngulja në kërkesat/pikat e juaja. Çka kërkon guxim është që të këmbëngulni, në një kohëzgjatje tjetër nga ajo që ju imponohet brenda ligjeve të botës. Lënda e parë e guximit është koha.”. A nuk jeni ju ato/a që e jetësoni më së miri definicionin Badiouan të guximit? Dy javë në rrugë, nën diell dhe nën të ftohtë, herë me ushqim e herë pa ushqim, ndonjëherë me muzikë e ndonjëherë me bërtitje, por me plot guxim, duke insistuar për të drejtën fundamentale tuajën: arsim falas. Mos lejoni që kohëzgjatja e revoltës suaj të imponohet nga presioni i ideologjisë dominante.

Unë nuk jam i habitur nga revolta juaj. Tekefundit, kush tjetër përpos studentëve do të kishte guximin që krijonte këtë thyerje me ideologjinë dominante e cila ka sunduar mendjet dhe trupat e studentëve që nga ardhja e pluralizmit në Shqipëri? Duke e shkatërruar cilësinë e arsimit ideologjia dominante ka kërkuar që të sundojë mendjet e studentëve duke e anuluar kapacitetin kritik të tyre. Ndërsa, duke e neoliberalizuar arsimin, ideologjia dominante futi duart edhe në trupat tuaj, duke ju kërkuar që të punonit dhjetë, gjashtëmbëdhjetë orë në ditë, siç dëshmonin një numër studentësh nëpër intervista të ndryshme. Punoni dhjetë, gjashtëmbëdhjetë orë në ditë për të paguar të drejtën tuaj për arsim falas. Kështu, ideologjia dominante komodifikonte mendjen tuaj, trupin tuaj, të drejtën tuaj – dhe si pasojë, ideologjia dominante, lirshëm, riprodhonte vetvetën, vit pas viti, gjeneratë pas gjenerate.

Ndonse me mendje të fikur e trup të masakruar ju arritët që të dilni nga tuneli i gjatë ku ju kishin futur. Rrethanat ku ju tashmë gjendeni më kujton frazën e filozofit sloven, Slavoj Žižek, kur fliste për guximin e të pashpresëve: “Guximi i vërtetë është të pranosh se drita në fund të tunelit është, sipas gjitha gjasave, treni i cili, dalëngdalë, po ju qaset juve përballë.”. Ju, nuk u frikësuat asnjëherë që t’a përballni drejtëpërdrejtë dritën neoliberale e cila, përmes operacioneve ideologjike, synon të verbërojë dhe, kështu, verbërisht t’ju besojmë politikave të tyre. Këtë më së miri mund ta ilustrojmë përmes filmit të njohur “Ata jetojnë” [They live], të vitit 1988. Ngjarja zhvillohet në rrethinat e Los Angjelosit, ku një i pastrehë me emrin John Nada, teksa po kërkonte diçka në ngrehinat e një kishe të braktisur, papritmas hasë në syze të diellit, po jo të çfarëdoshëm. John Nada i vë syzet dhe fillon të shëtisë në rrugët e Los Angjelosit dhe vëren se syzet që kishte gjetur zbulojnë realitetin e fshehur: industria e mediave dhe reklamave në mënyrë mjeshtërore e maskonin dhe e paketonin realitetin e hidhur. Kështu: në vend të posterave me vajza gjysëm-nudo që reklamonin pushimet verore, John Nada, përmes syzeve, shihte patriarkinë dhe objektivizimin e grave; në vend të afisheve që reklamonin produkte të ndryshme, John Nada shihte mesazhin “konsumo”; e kështu me rradhë.

Fitoren e parë tashmë ju e keni arritur: keni vënë syzet e diellit të John Nadas në sytë e çdo studenteje e studenti. Ideologjia dominante nuk do të shihet më verbërisht nga studentët, ajo më në fund u ç’maskua. Ç’maskimi i saj do t’ju sjellë tek një pikë tjetër: atë të etiketimit. Tashmë shumë prej jush jeni bërë objekt etiketimi: komunist/e, dembelë/e, ngelës/e, radikalë/e, e kështu me rradhë. Përmes etiketimeve, ideologjia dominante tenton që t’ju frikësoj, t’ju përçajë. Mos u zmbrasni. Paolo Freire, pedagogu dhe filozofi brazilian, themeluesi i pedagogjisë kritike, shkruante: “Çka do të thotë të jesh radikal? Sa më shumë radikal një person është, aq më shumë ai ose ajo futet në realitet në mënyrë që, duke e ditur/njohur atë më mirë, rrjedhimisht ai ose ajo mund ta transformojnë atë. Ky individ nuk ka frikë që të përballet, të dëgjojë, të shoh botën e pa-zbuluar. Ky person nuk nuk ka frikë të takojë njerëzit ose të hyjë në dialog me ta. Ky person nuk e konsideron vetën si pronar të historisë apo të gjithë njerëzve, ose si çlirues i të shtypurve; por, ai ose ajo e zotojnë vetën e tyre, brenda historisë, të luftojnë në anën e tyre.”. Paolo Freire na mëson të mos frikësohemi që ta themi haptas: po, jemi radikal, nëse kjo nënkupton njohje të thellë të realitetit dhe transformim të tij pozitivë, si dhe thyerje me imperativin neoliberal “të jetojmë pa asnjë Ide”. Historia na mëson që kryeveprat botërore u jetësuan nga radikalët: Einstein, Curie, Picasso, Neruda, Freud, Kurosawa, Hikmet, Beethoven, etj. Kryeverpat e tyre kanë diçka të përbashkët: nuk pranuan asnjëherë që t’i nënshtrohen ideologjisë dominante në kushtet ku vepronin.

Ekziston, megjithatë, njëlloj hezitimi, konfuzioni, për politizimin e revoltës suaj. Dhe, është e natyrshme për periudhën e revoltës, kontekstin dhe rrethanat ku ju gjendeni. Mendoj, megjithate, se protesta juaj është thellësisht politike sepse ju keni prekur nervin e politikave monstruoze të pa-barazisë, shtypjes, dhe padrejtësisë. Kjo nuk duhet t’ju brengosë, përkundrazi, ju duhet të jeni krenar që keni krijuar ‘politikë pa parti’, politikë të kolektivitetit. Disa mund t’ju bëjnë presion për mospasje të një delegacioni përfaqësues apo t’ju kritikojnë për ‘mosorganizim të mirë të revoltës’. Më lejoni që t’i referohem edhe njëherë regjistrit politik të Alain Badiou. ‘Politika pa parti’, shkruan Badiou, do të thotë që politika nuk buron nga partia, por buron nga situata konkrete/reale, nga ajo se çka ne mund të bëjmë dhe flasim në këto situata. Më tej, Badiou shton se ‘politika pa parti’ “nuk ka të bëjë aq shumë me diciplinën organizative, sa ka të bëjë me diciplinën e mendimit.”. Diskutimet ndërmjet jush për të hartuar kërkesat tuaja apo ‘Kushtetutën e Studentit’, poezitë që i thurni teksa endeni bulevargjeve të Tiranës, parullat që burojnë nga kreativiteti juaj, janë politika më emancipuese që i ka ndodhur ndonjëherë Shqipërisë në këto dy dekada e gjysmë të fundit.

Në gjithë këtë, ekziston, gjithsesi, një lloj rreziku për romantizimin e revoltës. Më vien ndër mend disa shembuj: Maji i ‘68-ës në Francë, Vjeshta e Nxehtë e ‘77-tës në Itali, lëvizja anti-globaliste në Seattle (1999) dhe Genoa (2001), Pranvera Arabe 2011, e kështu me rradhë. Të gjitha këto lëvizje emancipuese me potencial të madh ndryshimi u rrënuan, u asfiksuan. Madje në disa raste, për shembull revolta e Majit ‘68 në Francë, patën rol ‘mundësues’ në rikonfigurimin e ideologjisë dominante, ku kjo e fundit i mori kërkesat e revoltës dhe i përshtati brenda ideologjisë së saj, rezultatet e së cilës sot i shohim gjithandej: fleksibiliteti i vendeve të punës në vend të kontratave të rregullta; PPP-të e famshme; strukturat horizontale zëvendësuan menaxherët vertikal brenda korparatave; e kështu me rradhë.

Të gjithë së bashku, pa përfaqësues, njëzërit: Jo Negociata! – është parulla e saktë në këto rrethana, dhe mbi të cilën ju duhet të insistoni me këmbëngulje deri në përmbushjen e të gjitha kërkesave. Por, njëkohësisht, kjo nuk duhet t’ju ndalojë në eksperimentimin e ideve të reja mbi një ri-formulim kolektivë politik emancipues, jo domosdoshmërisht horizontal, e cila, në një të ardhme të afërt, do të hapte ‘mundësi të mundësive’. Në këtë frymë, duke ju uruar protestë të suksesshme në kohën kur ju tashmë po hyni në javën e tretë të revoltës, ju dërgoj lutjen finale – për mendimin tim njëri ndër vargjet më monumentale – të Frantz Fanon: “Oh trupi im, më bëjë gjithmonë një njëri që pyet!”.