(Ky shkrim u botua në 18 mars 2020)

Ditë më parë kryeministri i MB, Boris Johnson, shpalli politikën e tij për përballjen me virusin korona: vetëizolimin. Cilido që së fundmi i është shfaqur kollë apo temperaturë e lartë, tash këshillohet të vetëizolohet për shtatë ditë, teksa qeveria po lëviz drejt fazës «ngadalësuese» në planin e saj për të ballafaquar virusin e shpërndarë gjithandej.

Kryeministri po ashtu shpalli se pagesa e pushimit shëndetësor do të ndodhë qysh prej ditës së parë, e jo prej ditës së katërt të vetëizolimit. Ky ndryshim i politikave, megjithatë, nuk arrin t´u ndihmojë punëtorëve të ekonomisë «gig», sepse mund të përdoret vetëm prej të punësuarve e jo prej të vetëpunësuarve, siç janë shumica e punëtorëve «gig».

Edhe pse shumë kompani po e zhvendosin biznesin e tyre online dhe po i nxisin punëtorët të punojnë prej shtëpisë, politika e vetëizolimit në shtëpi mbështetet mbi dy bindje bazë: së pari që secili e ka një shtëpi të sigurt ku mund të izolojnë vetveten, dhe së dyti, që mund ta përballojnë ekonomikisht të ndenjurit në shtëpi. Mirëpo, kush do të ofrojë shërbimet e përkujdesjes për masat që do të vetëizolohen, dhe kush do të përkujdeset për ata që i ofrojnë këto shërbime? Përgjigjja për këto pyetje shpërfaq një çështje të kyç: nëse ata të cilët ofrojnë shërbimet e përkujdesjes nuk janë të mbrojtur, atëherë askush prej nesh nuk është.

Punë e nënvlerësuar

Për momentin nuk mungojnë fotot apo videot që tregojnë rafte të zbrazëta në supermarkete, apo mungesën e disa furnizimeve të rëndësishme, si psh. letër tualeti, detergjent për duar dhe ushqim të konservuar. Megjithatë, teksa supermarketet u garantojnë njerëzve se nuk do të mbeten pa ushqim (e as pa letër tualeti), nënvleftësohen rreziqet financiare, fizike e mendore me të cilat ballafaqohen punëtorët që mbushin raftet e supermarketeve apo që ua dërgojnë ushqimin në shtëpi individëve të vetëizoluar.

Ka patur shumë incidente gjatë javëve të fundit, sepse njerëz me simptoma të virusit korona kanë përdorur shërbime vozitjeje si Uber, Lyft etj. për të shkuar në spital, në vend që të telefononin ambulancat qpo të kërkonin ndihmë prej shërbyesve shëndetësorë, gjë që ka çuar në infektimin e shoferëve.  Është thjesht çështje kohe se kur do të ballafaqohen me të njëjtën situatë edhe punëtorët që shpërndajnë ushqim e shërbime të tjera nëpër shtëpi. Një artikull në New York Times i kategorizon punëtorët sipas rrezikut prej virusit korona me të cilin ata ballafaqohen. Tregon se punëtorët që kujdesen për fëmijët, shërbyesit shtëpiakë, ndihmësit personalë dhe ata që shpërndajnë nëpër shtëpi janë në grupin me rrezik më të lartë: shumica e tyre priren të jenë punëtorë «gig».

Punëtorët «gig» përballen edhe me një presion të stërmadh psikologjik teksa kërkesa për punën e tyre po bie, dhe kjo ka pasoja financiare e fizike. Tash që shumëkush nuk del fare nga shtëpia, punëtorët e vozitjes «rideshare» po ballafaqohen me një rënie të kërkesës për shërbimin e tyre; ndërsa shërbimet e shpërndarjes nëpër shtëpi po «lulëzojnë», si në supermarkete ashtu edhe në platforma të psonisjes online.

Ndërsa turizmi është në rënie të lirë, kërkesa për pastrues, për punëtorë shtëpiakë e kujdestarë me gjasë do të rritet, sepse autoritetet e MB i kanë kërkuar personave mbi 70 vjeç të izolohen. Kjo do të ndodhë sepse ata që më përpara i merrnin shërbimet e përkujdesjes prej familjes e miqve, tash do të duhet t´i blejnë ato. Punëtorët «gig» përballen me një zgjedhje të vështirë, të vazhdojnë të punojnë me rrezikun e madh që të infektohen (dhe të infektojnë familjet e kolegët e tyre), apo të mos punojnë dhe të pësojnë humbje e pasiguri financiare.

Të vetëdijshme për këto rreziqe disa platforma pretendojnë se kanë marrë masa që të mbrojnë punëtorët e tyre. Disa shërbime të shpërndarjes së ushqimit nëpër shtëpi psh. janë duke eksperimentuar me dërgimin «pa kontakt»; disa të tjerë i kërkojnë punëtorëve të mbajnë maska, e disa të tjerë kanë aplikuar skema të pagesës së pushimit shëndetësor për punëtorët e diagnostifikuar me virusin korona.

Megjithatë këto përpjekje janë të pamjaftueshme sepse janë menduar vetëm në afatshkurtër, dhe nuk mbulojnë gjithkënd. Të dhënat tona tregojnë se kompanitë kanë qasje shumë të ndryshme me kushtet e punës që i ofrojnë punëtorëve. Ndërkohë që një minoritet i vogël i punëtorëve punojnë si të punësuar të platformave, shumica dërrmuese janë rekrutuar mbi bazën e vetë-punësimit; gjë që nënkupton se nuk kanë qasje në mbrojtjet që vijnë bashkë me punësimin, siç janë pagesa e pushimit shëndetësor, apo benefitet e papunësisë.

Intervistat tona tregojnë se shumica e punëtorëve «gig» jetojnë duke konsumuar të ardhurat e përditshme, kështu që nuk mund ta përballojnë një pushim, me apo pa krizë shëndetësore. Për më tepër disa prej punëtorëve kanë këste kredish apo pagesa të tjera që duhet t´i bëjnë nëpër platformat ku punojnë, kështu që nuk mund ta ndalin punën pa arritur të fitojnë aq sa duhet të paguajnë.

Këto masa afatshkurtra nuk marrin parasysh faktin se punëtorët «gig» prapë se prapë duhet të ndërveprojnë me punëtorët e restoranteve, supermarketeve e transportit, nëpër hapësira publike. Për disa tipe të punëve «gig», kryerja e punës nuk është e mundur pa kontakt; shoferët, punëtorët e përkujdesjes, shërbëtorët shtëpiakë, estetistët, nuk mund të bëjnë shërbimet e tyre pa qenë në kontakt me klientët. E përveç kësaj, nuk është gjithnjë e mundshme që të diagnostifikohesh e të dëshmosh që je i sëmurë, për të marrë pushim të paguar, duke ditur se mungojnë kapacitetet testuese, e duke njohur politikën e MB që të testohen vetëm ata që shtrohen në spital.

Jetë duke konsumuar të ardhurat e përditshme

Vetëizolimi është luks, dhe si politikë publike është e paqëndrueshme nëse koston për të e paguan ajo pjesë e popullatës e cila prodhon shërbimet e nevojshme për mirëqenien e shumëkujt që përballet me rrezik më të madh financiar, fizik e mendor.

Duke analizuar se kush mundet të vetëizolohet e kush jo, kuptojmë se sa të thellë janë hendeqet që ndajnë shoqërinë tonë sot; por edhe se si jemi të ndërthurur me njëri tjetrin me lidhje gjithnjë e me të dukshme. Sheshimi i lakores grafike nënkupton jo thjesht të ngadalësohet rreziku i shpërndarjes së infektimit për shumicën, por edhe të përballemi së bashku me rreziqet që kërcënojnë ata të cilët janë më të pambrojtur në shoqëri: qofshin ata të moshuarit, të sëmurët, të vetëizoluarit apo ata që u shërbejnë atyre.

Si platformat e ekonomisë «gig» ashtu edhe qeveria, duhet të rrisin përpjekjet e tyre për të mbrojtur punëtorët «gig» në mënyrë që ata të munden të vazhdojnë të përkujdesen për popullsinë. Sa i përket pagesës së pushimit shëndetësor dhe skemave të tjera sociale që i ofrohen punëtorëve, hulumtimi jonë tregon se punëtorët jo gjithnjë janë të informuar për këto të drejta që i kanë, e ndonjëherë në kontratat e tyre ka kufizime në qasjen ndaj këtyre masave. Mirëpo atyre u duhet urgjentisht të kenë qasje në skema të pagesës së pushimit shëndetësor që i mbulojnë për së paku 14 ditë, në linjë me rekomandimet qeveritare. Mjetet që mundësojnë vazhdimin e punës në mënyrë të shëndetshme, siç janë detergjentët, pajisjet pastruese dhe kontrollet shëndetësore duhet të jenë për ta falas dhe të qasshme lehtësisht. Këstet e kredive apo pagesat e tjera duhet të pezullohen deri sa të përfundojë pandemia, që të lehtësohet barra financiare që ata kanë.

Qeveritë po ashtu duhet të rrisin përpjekjet dhe të japin mbështetje financiare për punonjësit që duhet të vetëizolohen, si dhe të ofrojnë asistencë papunësie e pagesë të pushimit shëndetësor për të gjithë punëtorët – pavarësisht se si i kanë kontratat. Madje këto duhet të jenë masa afatagjata që marrin në mbrojtje punëtorët «gig», e jo thjesht skema të përkohshme të fuqizuara sa për të kaluar momentin.

Si konsumatorë ne po ashtu duhet të ndryshojmë mënyrën e sjelljes tonë. Në vend që të falëndeojmë platformat të cilat shpallin se do të kujdesen për punëtorët e tyre, ne duhet të pyesim se si saktësisht do të ndodhë kjo përkujdesje, dhe duhet të shmangim platformat të cilat nuk i marrin seriozisht përgjegjësitë morale që kanë ndaj punëtorëve të tyre.

Virusi korona nxjerr në dritë rolin thelbësor që luajnë në jetën e përditshme të shoqërisë punëtorët «gig»; por edhe shpërfaq rreziqet e kërcënimet me të cilat ata përballen çdo ditë. Përmes rrjeteve tona të transportit e të përkujdesjes, pandemia na tregon se sa të ndërlidhur jemi. Zgjidhjet tona duhet të jenë sistemike, përfshirëse, e nuk munden më të lënë disa grupe shoqërore të bien nëpër të çarat e tyre.

Përballë këtij problemi jemi të gjithë së bashku, dhe na duhet t´i ripërtërijmë përpjekjet tona për të falënderuar punëtorët që sjellin shërbime gjithnjë e më të rëndësishme për shoqërinë, duke u përkujdesur për ta. Vetëizolimi është luks; por mbrojtja sociale nuk duhet të jetë e tillë.

Ky shkrim u realizua së bashku nga Funda Ustek-Spilda, Mark Graham, Srujana Katta, Kelle Howson, Fabian Ferrari dhe Alessio Bertolini, një koalicion hulumtuesish në Fairwork, e cila është një organizatë që studion praktikat e punës në ekonominë «gig». Fairwork e ka bazën në Oxford Internet Institute.

Përktheu nga anglishtja Arbër Zaimi