(Kjo intervistë u botua në 20 mars 2020. Pyetjet u shtruan prej Michel Eltchaninoff)

Ju që keni përjetuar tashmë sëmundje që zgjasin, si e përjetoni këtë izolim që po ndodh?

Disa probleme sëmundjesh që kërkonin shtrim në spital më kanë detyruar që të qëndroj shtrirë për javë me radhë në një shtrat, me një numër shumë të vogël njerëzish që më kontaktonin. Pa i krahasuar përmasat, izolimi që po na imponohet tani, më duket luksoz përballë izolimit të dikurshëm në spital. Mund të kontaktoj shumë njerëz, me telefon ose rrjete sociale. Në fakt, përmes këtij izolimi, ne të gjithë po kuptojmë se si jetohen disa jetë shumë të zakonshme. Janë jetët e personave me aftësi të kufizuara, apo jetët e personave të moshuar, që mbahen në azilin e pleqve, të cilët janë të kufizuar në rutinën e përditshme, me shumë pak vizita. Është një tjetër version i jetës, që ekziston prej shumë kohësh, e që ne tash po e zbulojmë. Fakti se e kam përjetuar më parë një izolim më lejon t´ia shpjegoj vetes çastet e ankthit, e të di si të përgjigjem ndaj tyre. Çka ndryshon, kësaj radhe, është se jam bashkë me vajzën time e jo e vetmuar, me mjekë e aparatura.

Angushtia, a është ligjësi e pashmangshme për çdo kohë izolimi?

Po, sepse përjetohet një kohë të pezullt, të cilën padyshim kemi vështirësi për ta banuar. Mund të thuhet, si fillim, se do ta shfrytëzojmë mirë këtë kohë që na jepet, e të bëjmë ato që kemi dashur të bëjmë prej shumë kohësh. Sa herë që jam shtruar në spital i kam thënë vetes që do përfitoja nga koha për të shkruar e për të lexuar. Por nuk ia kam dalë kurrë. Pse? Sepse jemi vazhdimisht në gjendjen e veçantë të pritjes. Jemi të shqetësuar. Kjo sfida e tashme dyfishohet nga fakti se përjetojmë një ankth të madh edhe për të afërmit tanë. Ndërkohë që po hyjmë në periudhën kur numri i të sëmurëve e i të vdekurve do të shumëfishohet, do të bëhet e pamundur që të ketë një vazhdimësi të kohës para pandemisë, kohës që mund të mirëpërdoret. Sot po jetojmë një maskaradë të vogël, edhe pse padyshim e domosdoshme. Realisht po përjetojmë një situatë të panjohur, që aktivizon ankthe të cilat nuk i kemi jetuar më përpara e që shtron pyetje të thella për secilin. Kemi hyrë në një kohë absolutisht të padëgjuar, me një paqartësi totale. Kjo do të bëhet gjithnjë e më e ankthshme. Dhe çështja që shtrohet është se si do të reagojmë.

Si manifestohet ky ankth?

Është përvojë trupore. Jemi të kufizuar në një hapësirë shpeshherë të ngushtë. Është situatë e vështirë për ata që nuk janë mësuar. Dhe fillojmë ta mbushim zbrazëtinë me gjëra të tjera, psh. duke ngrënë. Bëjmë gjëra të thjeshta sa për të mbushur kohën. Përpiqemi t´i bëjmë gjërat ngadalë. Është përvojë si në kohët e vjetra. Por gjumin e bëjmë të keq. Megjithatë, shansi ynë në krahasim me epokat e tjera është mundësia që kemi për të komunikuar me të tjerët, sidomos me telefon. Zëri na vjen pranë. Telefonohemi më shpesh. Çdo gjë që na kujton gjallërinë na jep forcë, na prek e na jep jetë. Këtu hyjnë dhe zërat, qofshin ato në radio, apo në oborrin e fqinjëve.

Cilat janë pasojat në jetën afektive?

Vetëdijësohemi për gjërat sipërfaqësore në jetët tona, se cilat lidhje janë të rëndësishme e cilat na mungojnë. Dashuritë kjo përvojë ndihmon t´i shohësh pak më qartë – qoftë ato që janë ekzistente qoftë ato që po lindin, e befasisht kuptojmë se janë ato që na mbajnë gjallë, që na ushqejnë, qoftë edhe së largu, madje edhe gjatë këtij frustrimi. Rikthehet intensiteti i marrëdhënieve, për mirë e për keq, sepse intensifikohen edhe konfliktet. Shohim të rritet dhuna në familje apo mes bashkëshortësh. E dimë që ka efekte edhe në rritje të histerisë, por edhe simptima post-traumatike të cilat shfaqen pas një izolimi rreth dhjetë-ditor. Duhet të mendohet gjithashtu edhe për personat me depresion apo për ata që jetojnë vetëm e që ndihen të braktisur. Ky izolim do të jetë i tmerrshëm për ta.

Tek libri «Rupture(s)» ju përshkruani si fenomenologe përvojën e thyerjes që mund të jetë mbarimi i një dashurie, zija prej humbjes së një njeriu të afërm, apo humbja e vendit të punës. Si mund ta përshkruani thyerjen që jemi duke përjetuar tani?

Mbi të gjitha kjo është një thyerje shoqërore. Ishim të mësuar me patjen e një roli në shoqëri, që e humbim gjatë izolimit. Si pasojë humbim edhe disa elemente dalluese. Kjo mund të jetë e çuditshme. Është po ashtu e vështirë që të luash gjithë rolet brenda të njëjtës hapësirë. Brenda apartamentit tim në Paris unë duhet të jem edhe nënë, edhe mësuese për vajzën time 8 vjeçare, edhe shoqe loje që ajo të mos mërzitet, edhe profesoreshë fakulteti në distancë, e po ashtu person që shqetësohet për familjen, për prindërit që i kam larg, për miqtë e shqetësuar apo ata që janë të rrezikuar. Duhen luajtur gjithë këto role në një hapësirë të ngushtë, e shpesh ka përplasje midis roleve të ndryshme.

A mund të nxjerrim prej kësaj situate efekte pozitive mbi jetët tona?

Është e mundur. Ka gjasa që disa të ndihen të çliruar prej rolit të tyre shoqëror, që ndonjëherë mund të jetë si këmishë force. I përshtatemi izolimit dhe bëhemi më fleksibilë, sepse prioritetin e merr shqetësimi që kemi për të tjerët. Së pari ne shqetësohemi për personin me të cilin flasim, pak rëndësi ka nëse është koleg, shef apo student. Marrëdhëniet zbuten dhe bëhen më njerëzore. Gjithnjë e më shumë kujdesemi për njëri-tjetrin, sidomos në ditët e para të izolimit. Nisim të vëmë re edhe disa aspekte qesharake të shoqërisë sonë, psh. kur shohim reklamat të cilat duket se janë mijëra lega larg shqetësimeve tona jetësore… Vetëdijësohemi për gjithçka të padobishme që kemi në jetët tona. Do të zbulojmë një mënyrë tjetër të të punuarit, me një tjetër efikasitet. Ndoshta do të shohim një përkujdesje më të madhe për mjedisin. Disa fluturime në anën tjetër të botës për të marrë pjesë në ndonjë mbledhje tre orëshe, ndoshta do të duken të panevojshëm. Ta shohësh lagunën e Venedikut me ujë të kthjellët sërish, të dëgjosh prapë zogjtë që cicërojnë nëpër qytete, këto gjëra mund t´i japin sadopak forcë diskursit ekologjik. Dhe ideja e rrezikut, e cila pavarësisht të gjithave mbetet tepër abstrakte, do të nisë të bëhet më e fortë, më e zakonshme në përfaqësimin tonë.

A i besoni atyre që thonë se do të dalim më të fortë prej kësaj krize?

Jam skeptike. Situata e punës nga shtëpia psh. që mburret kaq shumë, është e padurueshme për shumë prej nesh. Si mundet një nënë e vetmuar e tre fëmijëve të punojë nga shtëpia? Ose, si do t´ia bëjnë ata që duhet të punojnë jashtë, të cilët duhet të rrezikojnë shëndetin e tyre që të na mundësohet neve rehatia e përditshme? Sa i përket punëtorëve të përkujdesjes, ata ishin tashmë të keqtrajtuar, qysh para krizës. Ne e njihnim gjendjen e skamjes materiale e njerëzore në spitalet tona, do të duhet të kishim marrë masa shumë më herët. Edhe para virusit korona, kemi patur mungesë të shtretërve të spitaleve për epideminë e bronkitit gjatë dimrit. Nuk mjaftojnë duartrokitjet për mjekët prej dritareve. Duhet të livrohen masivisht para për spitalet, tash sa pa u bërë vonë. 

Në ç´gjendje do të dalim prej këtij izolimi?

Pjesa më e madhe prej nesh do të dalin prej kësaj thyerjeje të dobësuar, të mpakur, psiqikisht e moralisht. Disa do të jenë flijuar. Punonjësit e përkujdesjes, ata që janë në vijën e parë të frontit, do të kenë përjetuar situata të tmerrshme, të cilat nuk krahasohen fare me këtë që përjetojmë ne. Ne po u kërkojmë atyre të bëjnë gjëra që s´kanë menduar kurrë se do t´i bëjnë, po u kërkojmë të «prioritizojnë» të sëmurët, të përzgjedhin se kush shërohet e kush jo, mes tyre. Kjo situatë është skajshmërisht e dhunshme, edhe për ata që janë mësuar me vdekjet e me urgjencën. Stresi është dhe do të vazhdojë të jetë i stërmadh. Sa i përket të tjerëve? Disa do të humbin gjithçka që kanë.

Përktheu nga frengjishtja Arbër Zaimi