Në formë bashkëbisedimi me mikun dhe bashkëpunëtorin, Agon Hamzën.

 

Agon Hamza: Arbër, të fillojmë me pyetjen që besoj se te dytë ne e konsiderojmë qenësore dhe përcaktuese për situatat në të cilën jemi: cilat janë shkaqet që çuan në protesta, në kuptimin e analizës socio-ekonomike të shkaqeve?

 

Arbër Zaimi – Është tepër e vështirë të gjesh studime të mirëfillta të varfërisë dhe të pabarazisë në Shqipëri. Fakultetet e ekonomisë, institutet që mbledhin e analizojnë të dhënat statistikore, të cilat deri para tri dekadash kishin për detyrë ruajtjen me çdo kusht të dogmës së planeve pesëvjeçare dhe ekonomisë së centralizuar, në tre dekadat e fundit kanë ndryshuar vetëm dogmën, por jo qasjen. Konsiderohet detyrim profesional i tyre, siç duket, fshehja e varfërisë, apo reduktimi i saj në varfëri ekstreme, të atillë që “s´ke ç´i bën” përveçse ta mëshirosh. E sa i përket varfërisë ekstreme, raportet zyrtare nga entet shtetërore thonë se 13% e banorëve janë të kapluar prej një fatkeqësie të tillë, pra rreth 365.000 persona, nga të cilët mbi 120.000 janë fëmijë. Bëhet fjalë për 82.000 familje që jetojnë me ndihmë sociale, e cila në Shqipëri konsiston në 65 euro në muaj, apo 8.000 lekë, për gjithë familjen.

Megjithatë, përqendrimi tek varfëria ekstreme nuk e rrok gjithë situatën e varfërisë në Shqipëri, sepse këta janë vetëm njerëzit që nuk kanë të ardhura të tjera. Shqipëria ka po ashtu rrogën minimale më të ulët në Europë, 180 euro, dhe në distancën prej 65 eurove të ndihmës sociale dhe 180 eurove të pagës minimale shtrihet një ekonomi e gjerë të varfrish që punojnë në të zezë.

Të ardhurat për frymë të Shqipërisë janë të fundit në kontinentin Evropian, përveç Kosovës, e cila ka të ardhura edhe më të ulëta për frymë, dhe papunësia është e lartë, sidomos tek të rinjtë, ku raportohet se është 56%.

Por varfëria nuk është e shpërndarë barazisht në Shqipëri, përkundrazi. Gjeografikisht varfëria është e theksuar, ndonjëherë në nivelet e katastrofës humanitare, në zonat rurale dhe në qytetet e vogla e të mesme në Shqipëri, pra jashtë Tiranës, e deridiku Durrësit.

Shkatërrimi i planifikuar e i vullnetshëm i industrive ia ka pamundësuar shqiptarëve që të përfitojnë prej pasurive natyrore, naftës e mineraleve të tjera. Por ai shkatërrim e uli vlerën e privatizimit që pasoi, duke mundësuar kështu shtënien në dorë të industrive prej kompanive private shpesh anonime që punojnë me logjikë ekstraktiviste: nxirr ç´të mundësh prej nëntokës, pa u kujdesur për natyrën e pa investuar në mirëmbajtje e teknologji; fito ç´të mundësh prej krahut të lirë të punës, pa u kujdesur për mirëqenie apo për rritje të kapacitetit profesional.

Varfërinë në zonat rurale e shton edhe fakti se bujqësia po dështon, jo vetëm tek fermat e vogla të mbijetesës, por edhe te fermat e mesme e të mëdha, për shkak të pamundësisë së konkurrimit me importet, e cila është pasojë e mungesës së një strategjie nxitëse e mbrojtëse për prodhimin vendor.

Ky varfërim ekstrem i periferisë ka sjellë zhvendosje të pandalshme drejt qendrave, sidomos drejt Tiranës e Durrësit, gjë që është mirëpritur prej politikanëve qendrorë e lokalë, të cilët janë lidhur ngushtë me biznesmenët e ndërtimit, tregu i të cilëve përfiton prej këtyre dyndjeve demografike.

Kjo ka sjellë vështirësim të kushteve edhe në Tiranë, ku me përjashtim të qendrës së vogël të qytetit, e gjithë pjesa tjetër ka përftuar një dendësi popullsie të cilës qyteti nuk mund t´i përgjigjet as me infrastrukturë rrugore, transport, energji, gjelbërim, shkolla, shëndetësi, apo punësim. Pra Tirana e vogël e qendrës është rrethuar nga një “skëterrë” urbane. Çmimet e banesave, për blerje apo qera mbeten të papërballueshme për pjesë të mëdha të popullsisë, e sidomos për rininë, kjo për shkak se ndërtimi me sa duket nuk i nënshtrohet kërkesës e ofertës, ndoshta ngaqë biznesi i këtij flitet se shërben edhe si një aparat për pastrimin e parave.

Këto e të tjera arsye bëjne që Shqipëria të jetë vendi i katërt në botë sa i përket vullnetit të njerëzve për t´u larguar prej saj, menjëherë pas Haitit të shkatërruar nga keqqeverisja e fatkeqësitë natyrore dhe dy vendeve të Afrikës qendrore, shkatërruar prej kolonializmit e luftërave civile ndër më të përgjakshmet e historisë botërore.

Pjesë e kësaj dëshire për të ikur është edhe angazhimi i shumë të rinjve në universitete. Në njërën anë mbijeton bindja se përmes shkollimit të duhur mund të “bësh përpara në jetë”, bindje e themeluar në kohën e socializmit shqiptar, në anën tjetër vetë qeveritë demokratike të Shqipërisë kanë aplikuar një zgjidhje populiste ndaj papunësisë së lartë rinore. Për të evituar trazirat që do të mund të vinin prej pasivitetit dhe varfërisë të të rinjve, ato hapën dyert e universiteteve përtej së mundshmes, përtej asaj që mund të përballonte profesorati dhe infrastruktura. Kjo solli si pasojë vërtet shmangien e trazirave rinore, por si pasojë të padëshiruar solli uljen e cilësisë së arsimit të lartë në nivele qesharake, ulje e cila e arriti nivelin e absurdit sidomos te hapja e universiteteve private që funksionojnë si dyqane diplomash, ku klienti ka gjithnjë të drejtë.

Megjithatë universiteti si eskapizëm funksiononte vetëm për sa kohë që kishte edhe valvula të tjera të shkarkimit të tensionit të prodhuar nga varfëria dhe papunësia, dhe më efikasja prej këtyre valvulave në tre dekadat e fundit ka qenë mërgimi. Por kriza ekonomike globale e shkaktuar nga neoliberalizmi (flitet se po afrohet një krizë e dytë, në vend të zgjidhjes së shumëpritur të së parës) solli vështirësim të kushteve të mërgimit në perëndimin e preferuar prej shqiptarëve. Rritja e ksenofobisë, ekstremit të djathtë anti-imigracion, si dhe vështirësimi i gjetjes së punës dhe ulja e pagave atje, shkakton drejtpërsëdrejti rritje të stresit tek të rinjtë këtu, që shtyjnë kohën në universitet, në kafe, apo në ndonjë punë të përkohshme, duke pritur ditën e mërgimit.

E në mënyrë më specifike, hapja sektorit të arsimit të lartë për tregun, fillimisht duke lejuar funksionimin e universiteteve private, e pastaj duke reformuar edhe arsimin e lartë publik me ligjin famëkeq të vitit 2015, i cili është kulmi i ndërhyrjes neoliberale në arsimin e lartë. Ky ligj e përcakton universitetin publik dhe vetë fakultetet si konkurrente tregtare me ato private. Qasja e tyre në fondet publike, pra financimi i tyre, varet nga performanca në treg, nga tarifat që mbledhin prej studentëve-klientë, e kështu me radhë. Ky ligj dhe kjo reformë janë kritikuar, dekonstruktuar, dhe kundërshtuar me shkrime, paraqitje mediatike e aksione protestuese nga një grup universitarësh të quajtur Lëvizja për Universitetin, të cilët kanë qenë aktivë edhe në nxitjen e mbarëvajtjen e protestave të dhjetorit 2018, duke ndihmuar në artikulimin e kërkesave studentore, të cilat forumet rinore partiake edhe pse prezente në protestë nuk mundeshin t’i artikulonin pa rënë në konflikt me linjën zyrtare neoliberale të partive të tyre.

Kjo reformë ka bërë që kostot e jetës studentore të vijnë duke u shtrenjtuar, pa sjellë ndonjë rritje të cilësisë apo të funksionalizimit të diplomës. Përkundrazi, papunësia e lartë dhe cilësia e ulët e arsimit të lartë bën që diploma të duket një letër pa vlerë, por gjithsesi shumë e kushtueshme.

Të gjitha këto, e të tjera që nuk i kam përmendur, janë kontekst social i protestave të studentëve në Tiranë të nisura në fillim të dhjetorit 2018.

 

AH – Nuk janë vetem studentët, por duket të jenë një kontingjencë e rrethanave. Në Shqipëri, dallimet klasore janë ngrehina, pabarazia sociale, kulturore, ekonomike, politike është e skajshme, shumë më skandaloze se sa në shtetet e tjera të Ballkanit. Një pjesë arriti të mobilizohet, por shumica jo. Dhe me mobilizim po mendoj ata që shkojnë në sheshe e bulevarde gjithë ditën, janë të angazhuar në apektin organizativ, logjistik, etj, dhe jo këta “part-time” pjesëmarrësit. Pse?

 

Sa i përket pabarazisë keni të drejtë, ajo i shtohet varfërisë në përkeqësim të rrethanave. Edhe pse Ballkani përgjithësisht është i varfër e Shqipëria më e varfra prej vendeve të tjera, po të krahasohet me një vend shumë të ngjashëm sa i përket nivelit të varfërisë, pra me Kosovën, Shqipëria ta tërheq vëmendjen për nga pabarazia. Të ardhurat mesatare për frymë e kapaciteti për të konsumuar është i ngjashëm, mirëpo në Prishtinë nuk e sheh as shkëlqimin e rrokaqiejve të milionerëve, as klaustrofobinë mbytëse të periferisë, e as dekadencën e varfërisë të disa lagjeve të Tiranës. Po ashtu jeta rurale në Kosovë është e strukturuar rreth një ekonomie më të fortë, e cila dallohet që tek pamja e shtëpive fshatare anash “Rrugës së Kombit”, e cila në pjesën e Shqipërisë ngjan si një ekspozitë prapambetjeje ekonomike e mjerimi. Kjo pabarazi e madhe në Shqipëri të bën të kuptosh se varfëria është shumë më e gjerë, më e shtrirë se sa ajo e cila njihet zyrtarisht dhe përfiton ndihmën prej 65 eurosh për familje. Të dhënat mesatare për ekonominë në kushte të pabarazisë ekstreme vetëm sa e maskojnë varfërinë.

Por, pse po protestojnë vetëm studentët?

Pjesë të tjera të popullit kanë protestuar vazhdimisht në Shqipëri. Minatorët, sidomos ata të Bulqizës, psh. protestojnë gati çdo vit. Bulqiza është një ndër vendet më të pasura me mineralin e kromit në nivel botëror, por shkatërrimi i industrisë shtetërore dhe privatizimi i minierave nga investitorë që nuk kanë investuar në teknologji e në kushte të punës por vetëm në rrjepje, e ka katandisur Bulqizën në një prej vendeve më të varfra të Shqipërisë, dhe vdekjet e minatorëve janë të kohëpaskohshme. Njësoj është edhe në shumë miniera të tjera të vendit. Edhe naftëtarët kanë qenë vazhdimisht në protesta, viktima të privatizimeve korruptive e shkatërruese të një industrie e cila në kushte të tjera do të mund të ishte flamuri i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Fermerët e mollëve në Korçë e Bilisht edhe sivjet po protestojnë duke e hedhur prodhimin e tyre, i cili nuk po mund të shitet si pasojë e konkurrimit të padrejtë nga importi. Protestojnë edhe rritësit e gjelave të detit në Peqin, që nuk shesin dot për Vit të Ri, ca për rënie të fuqisë blerëse, ca për shkak të hyrjes së gjeldetëve të lirë me origjinë braziliane apo indokineze. Punëtorë të ndërmarrjeve të ndryshme private e shtetërore hera-herës kanë protestuar e kanë mbajtur greva për kushtet e punës. Po ashtu edhe banorë të lagjeve e fshatrave të ndryshëm kanë protestuar kundër projekteve urbanistike që e shkatërronin ekonominë, natyrën apo kolektivin e tyre. Viktima të padrejtësive të pushtetit, siç kanë qenë Gërdeci apo 11 janari po ashtu kanë protestuar. Pra, populli i Shqipërisë nuk ka qenë i fjetur përballë vjedhjes së stërmadhe që i është bërë.

Mirëpo ka një dallim mes gjithë këtyre protestave e protestës së fundit të studentëve, dhe ajo është masiviteti e rezistenca.

Pas ´91 në Shqipëri i gjithë aparati stalinist i indoktrinimit, që përfshinte shkollat, mediat, dhe krijimin e menaxhimin e opinionit, në vend se t´i nënshtrohej një analize të mirëfilltë kritike e të shkatërrohej, u ruajt. Ato çka u shkatërruan ishin vetëm pasuritë, industritë, shërbimet e ndërmarrjet publike. Aparati i indoktrinimit vazhdoi funksionimin me dy ndryshime, apo update-ime, siç i thonë sot. I pari ishte update-imi përmbajtësor, ai u zbraz prej doktrinës socialiste dhe u mbush me doktrinën neoliberale, dhe i dyti ishte update-imi formal, prej një megafoni, u krijuan shumë megafonë që thoshin… të njëjtën gjë. Një pluralizëm polifonik, një kor, një iso. Shumë zëra, por një vijë melodioze e parapërcaktuar nga kompozitori. Nga kjo rrjedh ideja e “rrugës së vetme” që në Shqipëri u shqiptua më së pari nga Edi Rama: reformat liberalizuese, hapja e tregjeve, privatizimi dhe lufta kundër korrupsionit.

Pasojë e indoktrinimit me këtë rrugë të re të vetme (e vjetra rrugë e vetme ishte ajo e socializmit me karakteristika shqiptare), janë: bindja se zhvillimi do të jetë i mundur vetëm kur të jetë apolitik, vetëm si teknokratik, ku ekspertët teknicienë do të vendosin gjithçka në mënyrë racionale objektive, dhe ata ekspertë do të përzgjidhen sipas meritave, sërish objektivisht, pra një lloj utopie (apo distopie) pa subjektivitet njerëzor, pa debat, pa politikë dhe me hierarki të ngurtë të përcaktuar nga konkurset që masin meritat; dhe bindja tjetër se në këtë botë të re e të mirë secili duhet të shohë punën e vet, leverdinë e vet, bythën e vet, sepse sipas fjalëve të Adam Smithit, “e mira e së tërës realizohet kur secili ndjek të mirën vetjake”. Fakti se ky parim smithian është kritikuar dhe rrëzuar praktikisht e shkencërisht shumë herë prej shkencëtarëve e kritikëve nga e majta e nga e djathta, nuk mbërriti të infiltrojë aparatin e indoktrinimit, i cili s´do të ishte më i tillë nëse do të lejonte kritikat. Aq më keq për faktet.

Kështu që, me apo padashje të brumosur prej “idealeve” të njeriut të ri neoliberal, individët e grupet që kanë protestuar në Shqipëri nuk e kanë parë të udhës, ndoshta as nuk e kanë menduar, apo e kanë menduar dhe u është dukur e pakuptimtë, që të bashkohen me protestues të tjerë, jashtë “kauzës” së tyre. Madje, edhe nëse ndonjë qytetar iu është bashkuar në mbështetje, vetë protestuesit e kanë parë me dyshim, si dikush që “merr projekte” për të mbështetur protesta. Dyshim ky i përforcuar nga fakti i vërtetë se një pjesë e mirë e shoqërisë civile në Shqipëri ka funksionuar pikërisht kështu, duke marrë projekte e paga për të mbështetur protesta sipas agjendave të caktuara nga donatorët (pra një shoqëri civile tërësisht “fake”).

Individualizmi ekstremist neoliberal që iu ushqehet përditë nga mediat i ka bërë njerëzit të shohin njëri-tjetrin me dyshim, ndaj protestat e tyre kanë mbetur të vogla dhe janë menaxhuar lehtë.

Ç´ndryshon në rastin e protestave të studentëve është numri i tyre, i cili është shumë më i madh, dhe qëndresa e tyre në protestë për ditë e javë me radhë. Kjo ndodh pasi, siç shpjeguam më sipër, arsimi i lartë është përdorur në mënyrë populiste si zgjidhje e përkohshme për të platitur rininë e dërrmuar nga papunësia masive. Por, në të njëjtën kohë, përqendrimi i të rinjve në të njëjtin ambient (fakulteti, konvikti) prodhoi identitet. Identifikimi me njëri-tjetrin solli vetëdijësimin e tyre për hallet e ngjashme që kanë. Përmes këtij vetëdijësimi i riu u bë student, dhe si student, duke patur parasysh gjithë rrethanat e përmendura në pyetjen e parë, ai vendosi të protestojë. Në protestë ndodhi vetëdijësimi i dytë, studenti pa që ashtu si ai edhe shumë studentë të tjerë kishin dalë në rrugë, dhe u bë trim. Pra i riu i izoluar si individualist u përball fillimisht me kolektivitetin e hallit në auditore e konvikte, pastaj u përball me kolektivitetin e guximit në rrugë. Transformimi i parë prodhoi numrin, i dyti qëndresën.

Këto përballje janë të pamundura sot për sot për pjesët e tjera të shoqërisë, pasi nuk ekzistojnë industritë masive apo fabrikat e mëdha ku punëtorët do të kuptonin se kanë halle të përbashkëta. Industritë në Shqipëri janë përgjithësisht punësuese të dhjetra, maksimumi qindra vetëve, e edhe ata rrallë rrinë në të njëjtin ambient. Po ashtu sindikatat e partitë politike, që do të ishin vende ku qytetarët do të mund ta pësonin transformimin e parë, edhe ato janë të delegjitimuara dhe të dominuara prej logjikës sunduese neoliberale.

Prandaj vetëm studentët mbërritën të bëjnë një protestë masive.

Por kjo nuk do të thotë se studentët janë shkëputur prej dominimit ideologjik neoliberal. Përkundrazi, edhe ata janë të strukturuar sipas atij modeli ideologjik, dhe janë të interpeluar vazhdimisht prej asaj ideologjie. Kjo dallohet tek mënyra se si përpiqen të shmangin dhe të largojnë protestuesit e çështjeve të tjera, siç janë banorët e unazës së re, prej protestës së studentëve. Pra edhe ata janë të interesuar “vetëm për hallin e tyre”, paçka se janë vetëdijësuar tashmë se ky është hall masiv dhe se kjo i bën relativisht të fortë. Po ashtu karakteristikë tjetër e ideologjisë dominante është dëshira e tyre për të qenë apolitikë, pra për t´u paraqitur si kërkues (lypës) në derën e pushtetit me listën e kërkesave të tyre. Frika e tyre nga instrumentalizimi është pasojë e dëshirës së tyre për ta mbajtur “ndërgjegjjen e pastër”; dhe mungesa e dëshirës për organizim e vetëndarja e tyre në “ekselentë” e jo-ekselentë, në forume partish etj. është pasojë e dëshirës së tyre për të ndjekur planin vetjak. Këto janë elementë kryesorë të një rinie të indoktrinuar e cila gjithnjë e më pak arrin të mendojë politikisht, e gjithnjë e më shumë shndërrohet tentativisht në “shpirtra të bukur”, në kuptimin ofendues që Hegeli kishte për këta të fundit. Ndonjëherë duken si pjesëmarrës në konkursin e bukurisë të përshkruar në filmin Sweet Movie (1974) të Makavejevit, ku përzgjidhej bukuroshja më e virgjër në botë, ndonjëherë si pjesëmarrës në konkursin tjetër të bukurisë, përshkruar në filmin Salo (1975) të Pasolinit, ku të rinjtë e skllavëruar detyroheshin të përkuleshin që një kastë fashistësh të korruptuar të përzgjidhnin bythën më ekselente, dhe si çmim fituesi merrte një ekzekutim me revole të zbrazët (sepse vrasja e vërtetë do të ishte një lloj shpëtimi, e sadisti nuk dëshiron t´i dhurojë shpëtim viktimës).

 

AH- Adorno thotë që borgjezia e do popullin siç janë, sepse e urren çka mund të bëhen. A nuk është rasti i tillë në raportin që krijohet ndërmjet establishmentit dhe popullit?

 

Këtë dashuri të borgjezisë për popullin “ashtu siç është”, pra për popullin “autentik” e pamë edhe kësaj radhe. Në emisionin Opinion moderatori Blendi Fevziu i cili thuhet se paguhet 150 herë më shumë se paga minimale, me një mallëngjim prekës i nxiste studentët të tregonin për kushtet e tyre të vështira. “Si, ti punon 8 orë në ditë dhe vazhdon të jesh student i shkëlqyer? Ti me prindërit pa punë nga një qytet aq periferik ditke të flasësh kaq mirë?” Për këtë lloj borgjezie të mësuar me përthyerjen dhe palosjen e përditshme të çdo vlere shoqërore sipas kërkesave të tregut, është gati-gati prekëse dhe e pabesueshme që në Shqipëri paska ende njerëz të mirë.

Por njerëz të mirë ka patur gjithnjë, dhe do të ketë, e megjithatë ky nuk është ndonjë lajm as i mirë e as prekës. Ajo çka mungon në Shqipëri janë njerëzit me qëllim të mirë, pra njerëzit që synojnë ecjen përpara të popullit drejt asaj çka ai “mund të bëhet” në termat e Adornos, e jo ruajtjes së asaj çka ai është. Pra duhen njerëz me synim, me model, që sjellin alternativa dhe që themelojnë organizim rreth atyre alternativave.

Një model i tillë, për mendimin tim do të mund të ishte shteti socialdemokratik evropian, por borgjezia e lartë Shqipërisë nuk është edhe aq dashamirëse ndaj njerëzve të cilët sjellin modele të ndryshme që sfidojnë rehatinë e tyre me modelin sundues.

Vetëm kështu mund ta kuptojmë dashamirësinë e mediave, politikanëve dhe milionerëve për studentët, si dashamirësi për njerëzit e mirë që nuk duhet të lejohen kurrë të bëhen njerëz me qëllime të mira e transformuese. Kjo lloj “dashurie” shfaqi nëpër studio televizive e intervista vetëm fytyrën e saj më të pranueshme, sepse fytyra më obscene e kësaj “dashurie” është tek “vlerësimi” i punës së lirë të studentëve nëpër call-center, nëpër lokale e restorante ku punojnë si kamarierë e pastrues, por edhe në strip-clube e në prostitucion, ku gjithnjë e më prezente janë studentet që mbajnë veten gjallë me këtë punë. “Si ti natën punon striptease dhe ditën studion dhe je me rezultate të shkëlqyera?”

 

AH – Forma horizontale e organizimit politik del të jetë ndër armiqtë kryesorë të politikës. Edhe pse nuk dua të tërheq paralele, sepse është shumë herët (në Tiranë protestat megjithatë po vazhdojnë), por që nga Sheshi Tahrir, te Occupy Wall St. etj, forma horizontale e organizimit është efemerale. Ajo zhduket në efektet e saj, por pa lënë gjurmë si efekt. Në protestat e studentvve ndodhën një seri e gjërave që pahtësuan këtë formë të organizimit si limitin kryesor/parësor. Problemi i alternativës politike ndaj PS; a mund të krijohet një strukturë nga këto protesta, etj?

 

Pajtohem me kritikën ndaj formës horizontale të organizimit, historikisht format e tilla kanë si meritë të vetme hapjen e disa terreneve të reja diskursive, mirëpo përgjithësisht me dobësinë e tyre organizative kanë lënë fushën e lirë për revanshin triumfal të formave edhe më reaksionare të së djathtës. Kjo histori mund të nisë edhe më herët, psh. paaftësia e ´68 për t´u organizuar u pasua me shkarjen e disa grupeve të vogla të së majtës në ekstremizëm terrorist, e kjo në vitet ´70 solli një ashpërsim të politikave siguritare, të represionit e censurës ndaj së majtës e kështu me radhë. Edhe në “luftën në terrenin e teorisë”, siç ka analizuar në atë kohë D.Bensaid, “rrafshimi horizontal” që u shkaktua prej kritikës së prodhuar nga Derrida, Deleuze e sidomos Foucault, e la të majtën perëndimore pa taktikë e pa strategji organizative, gjë që, siç argumenton më vonë D.Zamora u shfrytëzua menjëherë në fund të viteve ´70 e në fillim të viteve ´80 për revanshin më të madh të politikave të djathta, që ishte lëvizja neoliberale, e studiuar kritikisht nga D.Harvey, D.Losurdo etj.

Më bashkëkohorë janë edhe shembujt e përmendur nga ju, pas Tahririt vjen grushti i ashpër i Sissit, pas Occupy Wall St. vjen Trumpi, etj. Mund t´i bashkohemi gëzimit të dikurshëm të Toni Negrit, se lëvizjet e tilla horizontale çelin publikisht debate e diskutime që deri më atëherë konsideroheshin tabu, mirëpo vetëm kaq.

Megjithatë Toni Negri në analizat që ia bën lëvizjes së Jelekëve të Verdhë në Francë, e cila po ashtu shfaq karakteristika të njëjta me atë të protestës studentore në Shqipëri (refuzim i organizimit, refuzim i përfaqësimit, refuzim i udhëheqësve), shfaq shpresën që megjithatë të lindë një organizatë popullore.

Situatat e tilla janë sigurisht populiste, sepse studentët në Shqipëri, ashtu si Jelekët e Verdhë në Francë, apo pjesëmarrësit në Occupy etj. e përkufizojnë veten si “ne, populli, kundër atyre, establishmentit të mbarëkorruptuar”. Por ky populizëm “nga poshtë” është i prodhuar nga konsistenca e populizmave nga lart që i kanë paraprirë. Themeli i populizmit, siç thekson Laclau, qëndron te fakti se pluralizmi partiak flet njëzëri, dhe të gjitha partitë ekzistuese mbështesin të njëjtin program neoliberal. Le të mos harrojmë se qasja antipolitike e neoliberalizmit e nxit dhe e shumëfishon bindjen se “politika është kurvë”, e cila ka si synim largimin e njerëzve prej politikës (gjë që i thjeshton si individë), dhe nënshtrimin e tyre të plotë ndaj teknokratëve (më vjen keq për ty, por nuk vendos unë, vendosin rregullat e tregut).

Megjithatë në populizëm e djathta po tregohet më e suksesshme sa i përket thirrjes dhe angazhimit të masave të gjera. E majta është pre e dy tendencave, së pari tendencës për të vendosur në plan të parë përjetimin shumëformësh të vuajtjeve individuale, gjë që përkthehet më pas në maninë për politikat identitare që rezultojnë në një fragmentarizim të pandalshëm të çdo shtrese e klase, së dyti tendencës për të gjetur utopinë në ekstremet e veta një pjesë e të cilave janë delegjitimuar prej historisë. Në këtë sens shqetësimin e ka shprehur në disa prej ndërhyrjeve të tij polemike publicistike edhe filozofi S.Zizek: Nëse e majta synon të ndihmojë qoftë edhe “më të vuajturit” e “më të përjashtuarit”, ajo nuk mund ta bëjë këtë përveçse duke u shndërruar në organizim të shumicës së popullsisë, duke e drejtuar atë kah politikat “progresive” e jo kah shtypja e diskriminimi i të margjinalizuarve, ku e drejton e djathta. E për t´u shndërruar në një organizatë të masave, e majta do të duhet të sillte një model për mirëqenien e tyre, ndaj dhe përqafimi i socialdemokracisë evropiane si një trashëgimi që duhet ruajtur – siç shkruan Žižek.

Këto sfida i ka edhe një e majtë potenciale në Shqipëri, së pari të kuptojë masat e gjera, së dyti të mos gjejë utopinë në ekstremet e veta por të ofrojë një model të pranueshëm të organizimit shoqëror e shtetëror. Dhe mbi këtë të organizohet.

Potencialisht kjo nuk do të duhej të ishte e vështirë. Kundërshtimi e cinizmi i mediave dhe i ekspertëve neoliberalë ndaj një të alternative zhvillimore socialdemokratike nuk do të pengonte shumë, sepse këta janë delegjitimuar me afërsinë e tyre me pushtetin ekonomik e politik në tre dekadat e fundit, si dhe me produktin real të këtyre tre dekadave, që e kanë shndërruar Shqipërinë në një vend të pajetueshëm – edhe sipas sondazheve të Gallup-it.

Do të ishte në letër më e lehtë të themelohej një organizatë masive socialdemokratike, se sa një ultrakonservatore apo një neofashiste në Shqipëri. Qendra aktuale është tërësisht neoliberale, dhe brenda neoliberalizmit PS-ja është më e suksesshme se PD-ja për të krijuar konsensus popullor për të njëjtat reforma “të dhimbshme”. Ka shumë njerëz që, edhe pse konfuzë, kanë nisur të kërkojnë rrugëdalje prej kësaj qendre që nuk e mban dot më drejtpeshimin, por rrethanat ekonomiko-sociale të shumicës së shqiptarëve (mungesa e një tradite borgjeze), rrethanat kulturore (mungesa e një tradite dominuese fetare, për shkak të plurireligjiozitetit dhe për shkak të ateizmit zyrtar të imponuar gjatë socializmit), si dhe rrethanave historike (duke mos qenë kurrë kolonizuese e dikujt, format e kujtesës perandorake si suprematizmi etnik apo racor etj. që mund të ushqejnë të djathtën e re, në Shqipëri nuk ekzistojnë. Ekziston përkundrazi kujtimi i të qenit gjithnjë viktima apo të kolonizuar prej tjetërkujt, gjë që shpesh rezulton në dorëzim e përgjumje, e fare rrallë në ndonjë rebelim për sovranitet).

Nëse do të ekzistonte kjo organizatë, pra nëse studentët do të ishin të organizuar, sot nuk do të kishim protesta, por demonstrata (sipas përkufizimit të J.Berger gjithnjë protestat janë trazira spontane që lindin atypëraty prej pakënaqësive e indinjatës, ndërsa demonstratat janë manifestime paqësore masive të një fuqie të organizuar e cila kërkon mundësimin e një realiteti). Ndërsa në të ardhmen, do të kishim pasurim të politikës e të demokracisë në Shqipëri.

Por nëse do të krijohej ndonjëherë kjo organizatë e majtë socialdemokratike e cila do të mund ta kundërshtonte suksesshëm PS-në, ajo do të duhet të vinte prej përpjekjeve të njerëzve që mendojnë seriozisht organizimin si projekt jetësor, dhe të tillët nuk po dalin fort në pah. Aktivistët, ata që e bëjnë hapin cilësor prej njeriut të mirë tek njeriu me qëllim të mirë, duhet ta kenë prioritet të menduarin organizativ, disiplinën, e jo aventurat.

 

AH – Pozicioni i Ramës, që deri para disa ditësh dukej më se stabil, si duket është lëkundur nga këto protesta. Rama duket i shqetësuar dhe i frikësuar. Si do të reflektojë kjo në pozicionin e tij a) brenda partisë, b) në skenën politike në vend. Qershori është përmendur si datë potenciale për zgjedhje të jashtëzakonshme, për shkak të dështimit të marrjes së datës për BE.

 

Në këndvështrimin tim Rama paraqet një fenomen të ngjashëm me Renzin e Italisë dhe Macronin e Francës, një lloj manifestimi kulmor i qeveritarit nën neoliberalizëm. Ai shërben vetëm si një fytyrë e re për thellimin e politikave të njëjta, për të njëjtat interesa.

Ky lloj i politikanit vjen në pushtet duke i shkatërruar e delegjitimuar partitë ekzistuese – partitë klasike janë struktura të gjera të organizimit shoqëror që kushtojnë për t´u mbajtur, dhe këtë kosto shtresa më e lartë e shoqërisë nuk dëshiron që ta paguajë. Ndaj kanakari i neoliberalizmit “me fytyrë njerëzore” shpall se nuk ka nevojë për strukturat partiake që të vijë në pushtet, sepse fillimisht kalëron mbi një shprehje të entuzizamit elektoral kundër korrupsionit të elitave. Pasi vjen në pushtet një politikan i tillë funksionon personalisht si një ndërmjetës mes interesave të korporatave, në emër të të cilave bëhen “reformat e dhimbshme” dhe qëndrimit paqësor të popullit, i cili duhet të shtrëngojë rripin në emër të “gabimeve të së shkuarës” dhe “rreziqeve e pasigurive të mëdha që paraqet e ardhmja”.

Për sa kohë që kjo performancë publike funksionon vetëm përmes imponimit të diskursit të luftës kundër korrupsionit dhe “ndërtimit të shtetit”, dhe prodhon pajtueshmëri në masat e gjera, atëherë gjithçka është në rregull, dhe politikani duket i fortë, madje në rastin e Ramës i lejon vetes të jetë edhe arrogant. Mirëpo në momentin kur rrethanat vështirësohen për shumëkënd dhe lind pyetja “shtet për kë?”, në këtë moment pozitat e tij lëkunden seriozisht. Duke mos i patur më strukturat partiake si trupa ndërmjetësues mes “popullit” dhe pushtetit, ky lloj politikani e përjeton drejtpërdrejt çdo dallgë pakënaqësie që rritet.

Prandaj Rama ndihet i pasigurt e i tronditur, ai nuk mundet të japë përgjigje të sinqertë tek pyetja “shtet për kë?”, sepse nuk mund t´u thotë studentëve se shteti që ai ka ndërtuar është shtet për Henri Çilin dhe pronarët e universiteteve private, nuk mund t´i thotë të varfërve se shteti që ai ka ndërtuar është shtet për Samir Manen, Fidel Yllin, Sandër Frangajn, Mihal Delijorgjin, Shefqet Kastratin, Bashkim Ulajn e të tjerë zotërinj të nderuar të këtij klubi ekskluziv. E vetmja gjë që mund të thotë, edhe atë duke belbëzuar, është se këta milionerë nuk i krijoi ai por i gjeti aty, prandaj opozita zyrtare nuk ka gojë të ankohet. Dhe saktësisht ky është problemi. Rama ka funksionuar për vite e vite me radhë tashmë vetëm si paketimi më i ri e i më i bukur për popullin, për pakon e njëjtë e cila përbëhet nga korporatat e njëjta e të njëjtët pasanikë. Pak a shumë ka funksionuar si dekorimet që i ngjit Erion Veliaj mbi ndërtesat e ministrive, duke i bërë të duken si pako dhuratash, gjatë festave të fundvitit, ndërkohë që shumësitë e varfëruara të përshkruara më sipër vijnë në qendër të Tiranës rrallë e vetëm për hall, kur i detyron përballja e tyre kafkiane me një shtet që nuk është për ta.

E meqë ra fjala te Erion Veliaj, vazhdimisht qarkullojnë thashetheme se ky i fundit është një lloj sfidanti i Ramës përbrenda partisë. Këto thashetheme mund të gjejnë konfirmim ndoshta edhe te fakti se gjatë kësaj sfide të madhe më të cilën po përballet Rama, Veliaj ka zgjedhur të mos e thotë as edhe një fjalë qortuese ndaj protestuesve, por gati në mënyrë dinake e heshturazi, të premtojë për investime të reja në konvikte, pra të paraqitet si dora e ngrohtë e PS-së, aty ku Rama po paraqitet ende si një farë shpulle prepotente.

Mund të jetë e vërtetë që Veliaj ushqen shpresa për të marrë pushtetin pas skadimit të Ramës, megjithatë kjo nuk përbën ndonjë ndryshim të madh, së paku jo për të mirë të shqiptarëve. Në veprat e në fjalët e tyre politike ata janë dy shprehje të së njëjtës gjë, e nëse nuk i kanë punët mirë me njëri-tjetrin, kjo ndodh vetëm për arsye ambiciesh vetjake e jo për ndonjë mospajtim programor apo ideor.

Por nuk përjashtohet edhe versioni tjetër, që kjo “opozitë” brendapartiake të jetë e planifikuar për të mbajtur megjithatë pranë PS-së votuesit e zhgënjyer nga Rama. “Demokracia” lë shumë hapësirë për manovra e manipulime të tilla që dikur i quanim “bizantinizma”.

 

AH – Por, çka për skandalin 40 milionësh të unazës të Zogu i Zi? Nuk mendoj se janë të shkëputura nga totaliteti i katastrofës qeverisëse të Ramës.

Rama dështoi të drejtojë kapitalistët dhe kapitalin e Shqipërisë drejt sektorëve të prodhimit e të avancimit teknologjik, që do të mundësonin punësim masiv. Kështu që kapitali i madh, i lënë krejtësisht i lirë, ka zgjedhur të shkojë tek sektorët me përfitim më të lartë, më të shpejtë, e më të papërgjegjshëm, siç është tregtia (përfshi importin dhe rrjetet shitëse, supermarketet, qendrat tregtare, pikat e karburanteve etj.) dhe ndërtimi (përfshi këtu ndërtimin e patundshmërive private, por edhe realizimin e projekteve publike).

Këta sektorë ku është përqendruar investimi i biznesmenëve më të mëdhenj nuk sjellin ndonjë përqindje të lartë punësimi, e edhe atë punësim që sjellin nuk e kanë të qëndrueshëm, e as nuk e rrisin cilësinë e profesionalizmin e krahut të punës. Si të mos mjaftonte fitimi i lartë dhe shkatërrimi i perspektivës zhvillimore për prodhimin e punësimin vendas, ato biznese vazhdimisht edhe vjedhin – tregtarët e mëdhenj përmes evazionit e manipulimeve të ndryshme me çmimet, e ndërtuesit përmes rritjes artificiale të kostos në punët që i kryejnë.

Çdo inxhinier i sinqertë që punon në kompanitë private të ndërtimit në Shqipëri mund të rrëfejë në konfidencë se nuk ka asnjë projekt publik të realizuar nga ndonjë kompani private, i cili investon mbi 50% të kostos së deklaruar. Pjesa që mbetet e painvestuar, e cila i vidhet publikut, shkon në fitim për biznesmenin dhe në ryshfet për pushtetarë e drejtues të lartë të administratës lokale apo qendrore. Ky fenomen e shpjegon se përse në Shqipëri investimet në infrastrukturë e në ndërtim janë disa fish më të shtrenjta se sa në vendet e rajonit, por po ashtu shpjegon edhe pse cilësia e infrastrukturës shpesh është më e dobët se sa ajo për të cilën paguhet.

Ky lloj korrupsioni ka lëshuar rrënjë prej 1991 në Shqipëri, dhe sigurisht që është pjesë e katastrofës së përgjithshme, edhe të “periudhës Rama”.

Ndërkohë mediat e zotëruara prej pronarëve që kanë interesa në ndërtim e në tregti, e kanalizojnë shqetësimin e popullit për korrupsionin, tek përndjekja e shkelësve të vegjël, ndonjë mësues fshati që i shet libra nxënësve, ndonjë dyqanxhi i vogël në periferi që ia hedh pa paguar taksa ndonjë muaj e kështu me radhë. Të njëjtin avaz ndjek edhe Rama, pasi të gjitha programet e tij kundër korrupsionit e ushtrojnë presionin tek zyrtarët e vegjël e periferikë të administratës së tij, ndonjë drejtor shkolle a drejtor burgu, ndonjë specialist në ndonjë drejtori bashkiake a ministrore, ndonjë zv.drejtor spitali e kështu me radhë. Këta të vegjlit po i disiplinon mirë, dhe kështu e krijon spektaklin e madh të “bërjes së shtetit”. Por “shteti i kujt”, kjo dallohet pikërisht tek tenderët e fituar nga kompani fiktive, si ai i skandalit te “Unaza e Re”, tek koncesionet, tek PPP-të, që shpronësojnë e vjedhin publikun në të njëjtën kohë.

 

AH – Përderisa protestat po vazhdojnë të zhvillohen, dhe pavarësisht suksesit të tyre imediat apo jo, një dilemë është e rendesishme: a do të mbijetojë/krijohet një strukturë politike mbasi jeta të kthehet në normalitet, dhe a do të jetë një normalitet i ri pas këtyre protestave?

 

P.Bourdieu në vitin 1996 i përgjigjej pyetjes se ç´është neoliberalizmi kështu: Një program për shkatërrimin e strukturave kolektive të afta për t´i rezistuar logjikës ekstremiste të tregut. Sociologu i shquar më pas analizon se si lëvizja neoliberale përmes politikave të derregullimit financiar që synojnë utopinë neoliberale të një tregu të kulluar e perfekt, ndërmerr aksione transformuese, apo siç thotë Bourdieu, shkatërruese, ndaj të gjitha masave e politikave mbrojtëse përballë tregut. Neoliberalizmi në pushtet pra ka sulmuar shtetin-komb, hapësira manovruese e të cilit nuk resht së u zvogëluari, siç u bë e qartë së fundmi me Britaninë e Madhe, për ata që nuk iu mjaftonte Greqia si shembull. Po ashtu neoliberalizmi ka sulmuar grupet, shtresat e identitetet politike të punëtorëve, përmes individualizimit të rrogave e karrierave në përputhje me kompetencat e secilit, gjë që ka çuar në atomizimin e punëtorëve dhe në dekadencën apo shkatërrimin e sindikatave, shoqatave, kooperativave private a publike e kështu me radhë. Madje edhe familja, përfundon Bourdieu, si kolektiv sulmohet dhe e humbet kontrollin mbi konsumin, përmes ndërtimit të tregjeve të fokusuara në klasa të ndryshme moshore.

Analiza e sociologut francez i përshtatet shumë Shqipërisë, si vend i cili nuk ka njohur asnjë formë tjetër të zhvillimit kapitalist përveç neoliberalizmit, dhe ky i fundit u aplikua mbi Shqipërinë si mbi një fushë të virgjër. Kështu shteti-komb u dobësua maksimalisht, ushtria u shkatërrua, armatimi i rëndë u shit (kinse për skrap) dhe goditja e madhe iu dha në 1997, ndërkohë anëtarësimi në NATO funksionon në bazë të nevojave të SHBA-ve, më shumë se sa si partneritet për ofrim të shërbimeve ushtarake, siç bëjnë vende të tjera të rajonit të cilat kontribuojnë në NATO me ushtri dinjitoze për përmasat e tyre. Arsimi, si element i rëndësishëm i riprodhimit ideologjik të shtetit-komb po ashtu është sulmuar rëndë, e gjithmonë e më shumë brezi i ri nuk është qytetar shqiptar, bartës i detyrave e përgjegjësive për kolektivitetin ku bën pjesë, por shqiptar etnik, krenar për veten e vet, vetëjustifikues, i paorganizueshëm. Për institucionet e tjera të shtetit, për sektorët publikë të ekonomisë dhe për rrëzimin e tyre nën peshën e privatizimit të egër e korruptiv, folëm edhe më lart. Shteti-komb në Shqipëri, siç mund ta dëshmojë çdo prodhues vendor, është shtet-komb “in name only”. Dëshira për shtet-komb shfaqet herë pas here në ngjarje megjithatë të kontrolluara dhe të shfrytëzuara nga politika, psh. në ngjarjen e Bularatit, ku nga forcat e policisë u vra një i ri minoritar i brumosur në Greqi me ideologji fashiste e shovene antishqiptare. Shumëkush u krenua, por pakkush i bëri dy analiza me atë rast, së pari që ishte mungesa e prezencës së policisë shqiptare për dekada me radhë, ajo që kishte mundësuar krijimin e vetëmbrojtjes parapolicore në fshatrat minoritarë, dhe së dyti që edhe pasi shteti vendosi të bëhet prezent, me bëmën e Bularatit, në Greqi brenda një muaji janë vrarë gjashtë shqiptarë, por shteti-komb i krenarisë nuk po mundet t´i mbrojë qytetarët e vet.

Sigurisht, janë shkatërruar lehtë edhe kolektivat punonjëse, për të cilat vetë Rama si neoliberal që është, mburrej tek të huajt se “në Shqipëri s´kemi sindikata”. Sindikatat e shoqatat nuk qe e vështirë të shkatërroheshin, së pari për mungesë të ndonjë tradite të mirëfilltë, ato që kur u krijuan ishin të kompromentuara, si instrumente ndikimi te punëtorët në pronësi të një sistemi bipartiak ku të dyja partitë ishin neoliberale. Së dyti, është lehtë të shkatërrosh sindikatat e sindikalizmin kur ke një papunësi të gjerë e masive si në Shqipëri, dhe kur, patur parasysh prapambetjen teknologjike e moszhvillimin industrial të Shqipërisë, edhe ata që punojnë janë në masë të madhe punëtorë të përkohshëm, që nuk kanë nevojë për specializim të madh, pra zëvendësohen lehtë.

Sa i përket familjes, ajo po ashtu është goditur rëndë, jo shumë nga agjendat “sorosiane LGBT” siç mund të këmbëngulin disa konservatorë, se sa nga mërgimi jashtë vendit apo brenda vendit, largimi prej familjes, shkatërrimi i mënyrave tradicionale të jetesës, shpërbërja e komuniteteve rurale e urbane, dhe çnjerëzimi, depresioni, dhuna në familje, divorcet e vetmia që prodhohen nga stresi i konkurrencës mes të varfërve.

 

AH – S´ka asnjë bazë që e barazon, apo vendos një raport krahasues ndërmjet 1990 dhe këtyre sot! Ato kanë qenë të djathta në esencë e shpërfaqje (anti-totalitarizëm, pro-demokraci, tregu, prona, etj.), ndërsa këto të sotmet janë në esencë të majta (arsim pa pagesë, barazi, jo-diskriminim, etj). Pse thirrja apo identifikimi në 1990?

 

Është shpjeguar mjaftueshëm prej B.Kajsiut se studentët e 2018 nuk janë në të njëjtën situatë historike e as në njëjtën kahje me ata të 1991. Thirrja e identifikimi me ta ka ardhur nga “pjesa e djathtë” e protestës, që përpiqet të ndërtojë rrënjët e veta tek evente të veshura me një natyrë mitike tashmë, siç janë ato të 1991.

Po ashtu ka patur edhe përpjekje të kuptueshme nga PD për të bërë për vete protestën, më shumë si imazh se sa si përmbajtje (dmth. më shumë i intereson lidhja e imazhit të PD me pamjet e protestave që shfaqen në TV e rrjete sociale, se sa përkrahja reale e protestuesve për këtë parti, sepse protestuesit edhe pse janë një numër i madh për Shqipërinë, nuk përbëjnë ndonjë sasi relevante votuesish).

Në mungesë të ndonjë strategjie për ardhjen deri te pushteti, PD-ja ndodhet e zënë ngushtë. Nuk mund të bëjë kritikë ideologjike ndaj PS-së, sepse çdo gjë që PS-ja bën është në kuadër të neoliberalizmit. Por nuk po i ngjisin as kritikat për korrupsion, sepse siç thamë, kompanitë korruptuese janë të njëjtat që më përpara kanë paguar ryshfetin tek qeveritarët e PD-së. PD-ja nuk ka mbërritur të bëjë ndonjë ndërrim të elitave të brendshme, ndaj shpesh është peng i pjesës së keqe të së shkuarës së vet.

Në kushte të tilla, PD-ja i sheh me interes protestat e tilla që mund të destabilizojnë qeverinë. Por, nuk po duket se arrin ta bëjë për vete protestën e studentëve.

Kjo nuk do të thotë ama se protesta e studentëve është e majtë. Rrethanat sociale janë të tilla, që do të mundësonin nisjen e një lëvizjeje të majtë, mirëpo studentët dhe kërkesat e tyre janë laramane, e siç argumentuam më sipër, janë në masë të madhe të interpeluara prej ideologjisë dominante neoliberale, kështu ata kërkojnë të jenë apolitikë, kërkojnë të mbajnë larg kauzat e tjera prej kauzës së tyre, nuk duan të kenë organizim e as përfaqësues apo lider, nuk e kanë përfshirë në kërkesat e tyre bazike ndryshimin e ligjit dhe politikave neoliberale, kërkojnë vetting dhe meritokraci, luftë të korrupsionit e kështu me radhë.

Pra edhe pse kushtet dhe rrethanat janë të favorshme për një lëvizje të majtë, shprehitë e shumë studentëve lënë të kuptohet se më lehtë do të ishte të themelohej një lëvizje e djathtë populiste, udhëhequr nga teknokratë e performantë spektakolarë, e tipit “Pesë yjet” në Itali.