Nga Alain Badiou

(Ky shkrim u botua në 23 mars 2020)

Gjithnjë kam menduar se situata aktuale, e shënuar prej një pandemie virale, nuk ka asgjë vërtet të jashtëzakonshme. Qysh prej pandemisë (po ashtu virale) të Aids-it, gripit të shpendëve, virusit Ebola, virusit Sars-1, pa përmendur gripet e shumta, rishfaqjes së rubeolës apo të tuberkulozëve të cilët nuk po shërohen dot më prej antibiotikëve, e dimë tashmë se tregu global i kombinuar me ekzistencën e zonave të gjera të nën-mjekësorizuara dhe me pamjaftueshmërinë e disiplinës globale për vaksinimet e nevojshme, prodhon pashmangshmërisht epidemi serioze dhe rrënuese (në rastin e Aids-it shumë miliona të vdekur). Po të lihet mënjanë fakti se situata e pandemisë aktuale kësaj radhe po godet në shkallë të madhe edhe botën e rehatshme të ashtuquajtur perëndimore – fakt i cili në vetvete nuk bart ndonjë domethënie të re dhe që më shumë ngjall qaravitje të dyshimta dhe gomarllëqe pështirosëse në rrjetet sociale – unë nuk e marr vesh se pse, përtej masave të vetëkuptueshme mbrojtëse dhe kohës që do t´i duhet virusit deri sa të zhduket kur të mos ketë më njerëz pa imunitet, duhet të bëhet gjithë kjo zhurmë.

Nga ana tjetër edhe vetë emri i vërtetë i kësaj epidemie që po ndodh do të duhej të na tregonte se ajo nuk sjell njëfarësoj «asgjë të re nën qiellin bashkëkohor». Emri i vërtetë është Sars 2, pra «Severe Acute Respiratory Syndrom 2», emërtim që faktikisht e shënon si një identifikim të «pjesës së dytë», pas epidemisë së Sars 1, e cila u shpërhap në botë në pranverën e vitit 2003. Kjo sëmundje në atë kohë u quajt «sëmundja e parë e panjohur e shek. XXI». Pra është e qartë se epidemia aktuale në asnjë mënyrë nuk është shfaqje e diçkaje radikalisht të re apo të padëgjuar.Gjatë këtij shekulli ajo është e dyta e llojit të saj, dhe pasardhëse e të parës. Aq sa e vetmja kritikë serioze që po u bëhet sot autoriteteve, sa i përket parapërgatitjes, është se pse nuk e mbështetën me seriozitet, pas Sars 1, studimin shkencor i cili do t´i kishte dhënë botës mjekësore mjete të vërteta veprimi kundër Sars 2. Është kritikë e rëndë megjithatë, e cila denoncon mangësinë nga ana e Shtetit në raportin e tij me shkencën, raport që është thelbësor për situatën që kemi. Por kjo kritikë po kalon pa u vënë re…

Ndërkohë, nuk gjeta gjë tjetër që mund të bëja, përveçse të përpiqesha si gjithë bota të izolohesha në shtëpinë time, e nuk pata ç´të thosha tjetër, përveçse të nxisja gjithë botën që të veprojë në të njëjtën mënyrë. Respektimi strikt i disiplinës është edhe më i nevojshëm sepse është një mbështetje dhe një mbrojtje parësore për të gjithë ata që janë më të ekspozuarit: sigurisht, gjithë punëtorët e përkujdesjes (të cilët janë drejtpërsëdrejti në front e të cilët llogarisin se ne e ndjekim me përpikmëri disiplinën), personat e infektuar; por edhe më të dobëtit, siç janë të moshuarit e sidomos ata që janë nën trajtim në shtëpi për shkak të demencës, alzheimer-it apo sëmundjeve imunodepresive; e më tej, edhe gjithë ata që shkojnë në punë e që rrezikojnë aty të infektohen. Disiplina e atyre që kanë mundësinë t´i binden urdhrit për «të ndenjur në shtëpi» duhet të gjejë e të propozojë mjetet që edhe ata të cilët nuk kanë «shtëpi» për «të ndenjur», megjithatë të mund të gjejnë një strehë të sigurtë. Në këtë pikë mund të mendohet edhe një sekuestrim i përgjithshëm i disa hoteleve, si dhe formimi i «brigadave» të vullnetarëve të rinj, të cilët mund të sigurojnë shpërndarjen e sendeve jetike, siç tashmë ka filluar të bëhet kjo gjë, përshembull në Nisë.

Këto urdhëresa janë vërtet gjithnjë e më të domosdoshme për t´u zbatuar, mirëpo së paku në shikim të parë nuk kanë nevojë për përpjekje të mëdha analitike, apo për të ndërtuar një mendim të ri. Ato janë në rendin e asaj që është emërtuar «asistencë popullore».

Mirëpo ja që unë vërtet lexoj shumë gjëra, dëgjoj shumë gjëra, përfshi edhe prej atyre që më rrethojnë, të cilat më shqetësojnë me konfuzionin që shfaqin por edhe me faktin se nuk kanë asnjë lidhje me situatën që po jetojmë, e cila që të themi të vërtetën është e thjeshtë. Sa shumë njerëz që, siç nënvizon Elizabeth Roudinesco, nuk e vrasin mendjen se si ta luftojnë me efikasitet tragjedinë, por se si ta shijojnë atë.

Këto deklarata të pakundërshtueshme, këto thirrje patetike, këto akuza emfatike janë të llojeve të ndryshme por të gjitha kanë të përbashkët – përveç të shijuarit sekret – një keqkuptim interesant të thjeshtësisë të padiskutueshme dhe të mungesës së risive që paraqet situata epidemike aktuale. Ose janë panevojshëm servilë të pushteteve në fuqi, të cilat në fakt nuk po bëjnë gjë tjetër përveç asaj që përcaktohet nga vetë natyra e fenomenit. Ose na tregojnë retorikën e Planetit dhe mistikën e tij, që nuk na bën të ecim as edhe një hap përpara. Ose ia hedhin gjithë fajin mbi shpinë Macron-it të shkretë i cili nuk po bën asgjë tjetër (dhe hiç më keq se ndonjë tjetër), përveçse punën e vet si shef i shtetit në kohë lufte apo epidemie. Ose brohorasin për një ngjarje e cila paska për të themeluar një revolucion të padëgjuar, i cili nuk dihet se ç´marrëdhënie do të kishte me shfarosjen e një virusi, gjë për të cilën nga ana tjetër «revolucionarët» tanë nuk zotërojnë as edhe ndonjë mjet të ri. Ose zhyten në pesimizmin e fundit të botës. Ose dëshpërohen aq shumë sa që edhe «kujdesi për veten», rregulla e artë e ideologjisë bashkëkohore u duket pa asnjë vlerë në rrethanat e së tashmes, sikur nuk hyn në punë, madje u duket si bashkëpunëtore për një vazhdim të pafundmë të së keqes.

Mund të thuhet se sfida epidemike po e gërryen gjithandej aktivitetin intrinsek të Arsyes, e se po i detyron subjektet të rikthehen te efektet trishtuese – misticizmi, përrallat, lutjet, profecitë dhe mallkimet – që ishin të zakonshme në mesjetë kur kolera godiste vendet. Kështu që ndihem paksa i detyruar të sjell këtu ca ide të thjeshta, që do të isha i lumtur t´i quaja karteziane.

Le të merremi vesh si fillim që ta përkufizojmë problemin, i cili deri më tash është i keqpërkufizuar, prandaj i keqtrajtuar.

Çka e ndërlikon epideminë është fakti se ajo gjithnjë është një pikë nyjëtimi mes përcaktimeve natyrore e përcaktimeve shoqërore. Analiza e saj tërësore është transversale, duhen kuptuar pikat ku dy përcaktimet ndërthuren, dhe duhen nxjerrë përfundimet.

Për shembull, pika fillestare e epidemisë aktuale gjendet, me shumë gjasë, në tregjet e rrethinës së Uhanit. Tregjet kineze sot e kësaj dite janë të njohura për atë që mund të gjesh të ekspozuar në to, e sidomos për zakonin e tyre që të shesin në ambiente të hapura gjithfarë kafshësh të gjalla të grumbulluara njëra mbi-tjetrën. Hipoteza më e besueshme deri më tash është që pikërisht atje u has së pari virusi, i bartur prej kafshëve, me origjinë nga lakuriqët, në një ambient të populluar dendur e me një higjienë disi rudimentare.

Trajektorja natyrore e një virusi prej një specieje te tjetra, kapërceu kështu deri te specia njerëzore. Si saktësisht? Nuk e dimë ende, dhe vetëm përmes procedurave shkencore do të mund ta mësojmë. Në ndërkohë, le t´i tregojmë me gisht të gjithë ata që në rrjetet e internetit shpërndajnë përralla tipike raciste, të mbështetura nga imazhe të rreme, sipas të cilave gjithçka rrjedh nga fakti se kinezët hanë lakuriqë gati të gjallë.

Ky kapërcim i lokalizuar i virusit mes specieve shtazore e deri te njeriu, përbën pikën fillestare të gjithë kësaj situate. Pas atij momenti, funksionon vetëm një e dhënë themelore e botës bashkëkohore: afrimi i kapitalizmit shtetëror kinez në përmasat e perandorisë, pra një prezencë intensive dhe e kudondodhur në tregun botëror. Dmth. rrjete të panumërta të shpërndarjes, qysh para se qeveria kineze të ishte në gjendje ta izolonte totalisht vendin e origjinës – që në fakt është një provincë e tërë me dyzet milion banorë – të cilën në fund arriti ta izolonte, por tepër vonë për ta penguar epideminë që të nisej në udhët e saj – me aeroplanë e më anije – drejt shtrirjes botërore.

Një detaj interesant që shpërfaq atë që unë e quaj nyjëtimi i dyfishtë i një epidemie: Sars 2 është izoluar në Uhan, mirëpo ka shumë infektime në Shangai, të cilat në shumicën e rasteve vijnë prej atyre që vijnë nga jashtë Kinës, kryesisht kinezë. Pra Kina është vendi ku mund të vëzhgojmë mpleksjen, së pari për shkak të prapambetjes, së dyti për shkak të modernitetit, mes një gërshetimi në njërën anë të natyrës e shoqërisë në tregje pa mirëmbajtje që ndjekin zakonet e vjetra e që janë shkak i shfaqjes së infeksionit, dhe në anën tjetër një shpërndarje planetare e pikës së origjinës, e cila bartet prej tregut kapitalist botëror dhe mbështetjes së tij në lëvizje të shpejta e të pandalshme.

Pas kësaj hymë në fazën ku shtetet përpiqen, lokalisht, ta ndalin këtë shpërhapje. Le të vëmë re kalimthi se kjo vendosmëri mbetet kryesisht lokale, ndërkohë që epidemia vetë është transversale. Edhe pse ekzistojnë ca autoritete trans-nacionale, është e qartë se në vështirësi të madhe janë vendosur shtetet borgjeze lokale.

Këtu cekim njërën prej kontradiktave të mëdha të botës bashkëkohore: ekonomia, ku përfshihet procesi i prodhimit masiv të mallrave, varet prej tregut botëror. E dimë se edhe prodhimi i një telefoni mobil kërkon angazhim të punës e të burimeve – duke përfshirë dhe minierat – prej së paku shtatë vendeve të ndryshme. Por nga ana tjetër pushtetet politike mbeten thelbësisht shtetërore. Dhe rivaliteti i imperializmave mes të vjetërve (Evropa e ShBA-ja) dhe të rinjve (Kina, Japonia…) e pengon çdo proces të krijimit të një shteti botëror kapitalist. Epidemia është njëri nga momentet kur kjo kontradiktë mes ekonomisë dhe politikës shpërfaqet. As vendet evropiane mes njëra tjetrës nuk po arrijnë t´i koordinojnë në kohë politikat e tyre, përballë virusit.

Të ngecura në këtë kontradiktë shtetet kombëtare përpiqen që t´i bëjnë ballë situatës epidemike duke respektuar sa të jetë e mundur mekanizmat e kapitalit, edhe pse natyra e rrezikut kërkon që të ndryshohen stili e veprimet e pushtetit.

E dimë qysh moti se në rast lufte mes vendeve, shteti duhet të imponojë, jo vetëm për masat popullore, por edhe për vetë borgjezët, kufizime të konsiderueshme që të shpëtohet kapitalizmi vendor. Industritë thuajse tërësisht shtetëzohen, në të mirë të prodhimit të pandërprerë të armëve, i cili gjatë kohës së luftës nuk prodhon asnjë mbivlerë që mund të shndërrohet në para. Një numër i madh borgjezësh mobilizohen si oficerë dhe ekspozohen edhe vetë ndaj rrezikut e vdekjes. Shkencëtarët hulumtojnë natë e ditë që të shpikin armë të reja. Shumë intelektualë dhe artistë mbështeten që të ushqejnë propagandën shtetërore, etj.

Përballë një epidemie, ky refleks etatik është i pashmangshëm. Kjo është arsyeja e vërtetë, ndryshe nga ç´thuhet, e deklaratave të Macron-it apo Philippe-it për një rikthim të beftë të shtetit të mirëqenies sociale, për ndihmën me të ardhura për të papunët apo për të vetëpunësuarit të cilëve u është mbyllur biznesi a puna, duke përdorur miliarda nga paratë e shtetit, madje duke shpallur edhe «shtetëzime»: nuk ka asgjë për t´u habitur në gjithë këtë, e as paradoksale. Nga kjo rrjedh që metafora e Macron-it se «jemi në luftë» është korrekte: Luftë apo epidemi shteti është i shtrënguar, madje ndonjëherë duke kapërcyer edhe rregullat normale të lojës që përcakton natyra e vet klasore, duke ndërmarrë praktika ndonjëherë më autoritare e më gjithëpërfshirëse për të shmangur katastrofën strategjike. Kështu që fillon të ripërdoret leksiku i tejkaluar i «kombit», në një farë karikature të gaulle-izmit, gjë që sot është e rrezikshme, duke ditur se nacionalizmi gjithandej po bëhet shtrat i një të djathte ekstreme revanshiste.

Gjithë këto retorika janë një pasojë tërësisht logjike e situatës, qëllimi i tyre është ta kufizojnë epideminë – të fitojnë luftën, për ta përdorur edhe një herë metaforën e Macron-it – në mënyrë sa më të sigurt, ndërkohë që rendi shoqëror të mbetet i paprekur. Kjo nuk është komedi, është domosdoshmëri e imponuar prej shpërhapjes së një procesi vdekjeprurës i cili ndërthuret me natyrën (prandaj po marrin rol kaq vendimtar shkencëtarët në këtë situatë), dhe rendin shoqëror (prandaj po ndodh ndërhyrja autoritare e shtetit, i cili nuk ka mundësi të bëjë asgjë përveç kësaj që po bën).

Që gjatë kësaj përpjekjeje do të dalin në pah mangësi të mëdha, kjo është e pashmangshme. Si puna e mungesës së maskave mbrojtëse, apo mungesa e përgatitjes së spitaleve për të mbajtur shumë njerëz e më gjatë. Por kush vallë mund të mburret se i ka «parashikuar» këto gjera? Në disa aspekte është e vërtetë se shteti ka dështuar që të parashikojë këtë situatë. Mund të themi se duke dobësuar për dekada me radhë aparatin shtetëror të shëndetësisë, dhe në fakt të gjithë sektorët e shtetit që i shërbenin interesit të përgjithshëm, shteti ka vepruar a thua se vendin tonë nuk do ta prekte kurrë ndonjë pandemi apo diçka e ngjashme. Në këtë aspekt shteti ka shumë faj, jo vetëm nën formën «Macron» por në të gjitha format që i kanë paraprirë, prej së paku tridhjetë vitesh. Dhe është shumë e mundshme që debati mbi shkatërrimin dhe privatizimin e shërbimeve publike, e cila është po ashtu çështje e pronës private pra e komunizmit – të ringjallet në opinion, për shkak të epidemisë.

Mirëpo ndërkohë është e drejtë të themi këtu që askush nuk e ka parashikuar, e as përfytyruar, zhvillimin në Francë të një pandemie të këtij lloji, me përjashtim ndoshta të ndonjë dijetari të izoluar. Shumë njerëz mendonin se me gjasë këto histori mund të ndodhnin në Afrikën e errët apo në Kinën totalitare, por jo në Evropën demokratike. E sigurisht as majtistët, as jelekët e verdhë e as sindikalistët nuk kanë ndonjë të drejtë që të kapen te kjo pikë e të vazhdojnë të gjykojnë për këtë gjë Macron-in, të cilin gjithnjë e kanë pasur shënjestër të përqeshjeve e talljeve të tyre. As ata vetë, në asnjë mënyrë, nuk e kishin parashikuar ndonjë gjë të tillë. Përkundrazi, kur epidemia tashmë kishte nisur në Kinë, ata e ndihmuan të shpërhapet, duke vazhduar deri vonë me tubimet e pakontrolluara dhe me manifestimet opozitare, kështu që tani nuk kanë të drejtë të bëjnë parada duke kritikuar vonesat e pushtetit në marrjen e masave. Asnjë forcë politike, për të thënë të vërtetën, në Francë, nuk i ka marrë ato masa para se t´i merrte shteti i Macron-it e para se të implementoheshin kufizimet autoritare.

Nga këndvështrimi i shtetit, kjo situatë është nga ato ku shteti borgjez duhet, haptazi e publikisht të prioritizojë interesa që në një farë mënyrë janë më të përgjithshëm se sa ato thjesht të borgjezisë, e në të njëjtën kohë duhet të ruhet strategjikisht, për të ardhmen, primati i interesave të asaj klase formën e përgjithshme të së cilës përfaqëson ky shtet. Thënë ndryshe, konjuktura e detyron shtetin që të mos mund ta administrojë dot situatën në mënyrë tjetër, përveçse duke përfshirë edhe interesat e klasës mbi të cilën sundon brenda interesave më të përgjithshme, dhe kjo me arsyetimin se ekziston një «armik» edhe ai i përgjithshëm, i cili mund të jetë në kohë lufte pushtuesi i huaj, e që është në situatën e tashme, virusi Sars 2.

Ky lloj situate (luftë botërore apo epidemi botërore), është veçanërisht «neutral» në planin politik. Luftërat e së shkuarës nuk kanë sjellë revolucione, përveçse në dy raste, nëse mund të themi kështu, larg qendrës së asaj që ishin fuqitë imperialiste të asaj kohe: në Rusi e në Kinë. Në rastin rus ndodhi për shkak se pushteti carist ishte në të gjitha aspektet e prej shumë kohe i prapambetur, madje edhe si pushtet që mund të hapte rrugën për një kapitalizëm të vërtetë në këtë vend të stërmadh. Kundër tij ekzistonte, në formën e bolshevikëve, një avangardë politike moderne, fort e strukturuar prej disa drejtuesish të shquar. Në rastin kinez, lufta revolucionare e brendshme i parapriu luftës botërore, dhe partia komuniste e Kinës ishte qysh në 1937, kur ndodhi pushtimi japonez, në krye të një ushtrie popullore e cila e kishte dëshmuar veten. Nga ana tjetër, në asnjërën prej fuqive perëndimore lufta nuk ka nxitur ndonjëherë ndonjë revolucion fitimtar. Edhe në atë vend ku revolucioni nuk ishte fitimtar, në Gjermani, kryengritja spartakiste u shtyp shumë shpejt në vitin 1918. Është ëndërr jo konsistente dhe e rrezikshme të përfytyrohet se do të mund të rrezikohet seriozisht prej situatës aktuale kapitalizmi bashkëkohor, i cili po shijon shkatërrimin e hipotezës komuniste kudo në botë, dhe që kësisoj po mundet ta paraqesë veten si e vetmja formë historike e mundshme për shoqëritë klasore bashkëkohore.

Mësimi që del nga gjithë kjo është i qartë: epidemia që po vazhdon nuk do të ketë si e tillë, pra si epidemi, asnjë rrjedhojë politike për t´u shënuar në një vend si Franca. Edhe sikur të supozojmë se borgjezia jonë mendon – po të marrim parasysh skërmitjet në rritje dhe slloganët inkonsistente por të përhapura – se ka ardhur koha që ta heqin qafe Macron-in, kjo nuk përfaqëson absolutisht asnjë ndryshim për t´u vënë re. Kandidatët «politikisht korrektë» tashmë po presin në prapaskenë, siç po presin edhe ata që përfaqësojnë format e një «nacionalizmi» të mykur, sa i tejkaluar aq edhe pështirosës.

Sa na përket neve, që dëshirojmë një ndryshim të vërtetë të të dhënave politike në këtë vend, duhet të përfitojmë prej këtij interludi epidemik si dhe prej izolimit të domosdoshëm që të udhëtojmë mendërisht, me shkrim e me korrespondencë, drejt figurave të reja të politikës, projektimit të vendndodhjeve të reja për politikën, si dhe për përparimin transnacional të një etape të tretë të komunizmit, pas etapës së parë e brilante të lindjes së tij dhe etapës së dytë, të fortë e komplekse por më në fund të mposhtur të eksperimentimit të tij etatik.

Do të na duhet po ashtu t´i bëjmë një kritikë të fortë secilës ide sipas së cilës fenomene si puna e një epidemie mund të hapin si të tillë rrugën për politika të reja. Sa i përket transmetimit të përgjithshëm të të dhënave shkencore mbi epideminë, ato nuk mund të kenë forcë politike, përveçse nëse lidhen me pohime e bindje të reja sa i përket spitaleve e shëndetit publik, shkollave dhe barazisë në arsim, kujdesjes për pleqtë dhe çështje të tjera si këto. Këto janë të vetmet përmes së cilave mund të artikulohet ndoshta një bilanc i mangësive të rrezikshme të shtetit borgjez, të vëna në pah prej situatës aktuale.

Kalimthi do të duhet të tregojmë publikisht dhe pa u ndrojtur se të ashtuquajturat «rrjete sociale» po dëshmojnë edhe një herë se janë mbi të gjitha – përveç faktit që majmin miliarderët më të mëdhenj të botës – një vend ku propagohen paralizat mendore të më të pafytyrëve, thashetheme të pavërtetuara, zbulim «të rejash» të qëmotshme, e shpesh edhe obskurantizëm fashistizues.

Nuk duhet t´i falim besim, sidomos tani që jemi të vetë-izoluar, asgjëje tjetër përveçse të vërtetave të verifikueshme të shkencës dhe perspektivave të bazuara të një politike të re dhe të përvojave të saja lokale dhe synimeve të saj strategjike, duke përfshirë aty edhe organizimin e klasave më të pambrojtura e sidomos të proletarëve nomadë të ardhur prej vendeve të tjera.

Përktheu nga frëngjishtja Arbër Zaimi