Nga José Luis Villacanas

Amelia Valcárcel nuk mund ta kishte përfytyruar, muaj më parë, kur e titulloi Festivalin e Tretë të Filozofisë në Malagë “Demokraci dhe Mbijetesë”, se ngjyrimet apokaliptike të takimit do të kishin qenë kaq realiste. Për ta rrumbullakësuar skenën, kolektivi “La Térmica”, organizata kulturore më e rëndësishme në qytet, ekspozoi një maskë antigaz nga Lufta e Parë Botërore, gjë që u prit mirë prej atyre më të tremburve nga Covid-19. Të ftuarit e Valcárcel ne u mblodhëm në lokalin e ri “La Malagueta”, një grup specialistësh të filozofisë, gjeografisë, muzikës, arteve plastike dhe pedagogjisë, për të debatuar mbi ndjesinë e prezencës së Apokalipsit në kulturën tonë. Valcárcel shtronte pyetjen se ai ishte reale apo retorike kjo prezencë, mirëpo na rezultonte se, në një mënyrë apo në tjetrën, përfaqësimi i Fundit të Botës në kulturën njerëzore është edhe sot fenomen mbarëplanetar.

Nuk i dëgjova dot të gjitha ligjëratat kështu që nuk mund të bëj një kronikë të ngjarjes. Vetëm dëshiroj të ofroj disa konsiderata që kanë si pikënisje fillestare krizën e virusit korona. Diskutimi ishte cytur nga një artikull që para disa ditësh kishte publikuar filozofi Giorgio Agamben, në të cilin protestonte për masat që kishte dekretuar qeveria italiane duke kufizuar disa liri themelore të njerëzve në zonën rreth Milanos. Filozofi argumentonte se, nëse kjo epidemi është provokuar nga një virus jo kushedi se sa më i rëndë se ai i gripit, atëherë kërkonte sqarim gjithë ky alarm global i provokuar nga shtypi, nga agjensitë qeveritare dhe nga komunikimi i qeverive. Opinioni i tij ishte se Shteti nuk humb asnjë rast kur vjen puna për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme, sepse kjo është bërë formë e zakonshme e qeverisjes.

I frymëzuar nga Walter Benjamin, Agamben-i shtjellon opinionin se jashtëzakonshmëria është normalja e Shtetit. Teza e tij është se atje ku i lëshohet pe shtetit, atje herët a vonë do të shfaqen tanket, ndaj Agamben argumenton se masat e ndërmarra në Itali nënkuptojnë qartësisht një militarizim të sundimit të popullsisë. Në përfundim ai pohon qartësisht “Do të mund të thoshim se, me mbarimin e terrorizmit si shkak për masa të jashtëzakonshme, shpikja e një epidemie do të mund të ofronte pretekstin ideal që masat e tilla të forcoheshin përtej çdo kufiri”. Nëse Valcárcel e shtronte si pyetje, a është kushti apokaliptik i së tashmes real apo retorik, Agambeni nuk ka asnjë dyshim: është retorik, thjesht njëri prej mjeteve që Shteti përdor për të sunduar. Synimi i kësaj retorike është prodhimi i frikës, e bashkë me të të krijohet kërkesa e popullatës për më shumë siguri. Kësisoj Shteti legjitimon politikën e vet. Si përfundim, është një rreth vicioz.

Nuk ka Apokalips pa përshpejtim (akselerim). Dhe nuk ka përshpejtim pa përshkallëzim. Rrethi vicioz siç dihet është njëri nga instrumentet për përshkallëzim. Në këtë rast bëhet fjalë, do të thoshte Agamben, për krijimin e përshtypjes së shqetësimit, mbjelljes së frikës, ofrimit të sigurisë në këmbim të lirive që eleminohen, e si përfundim duke shtuar fuqitë e pushtetit. Këtyre fenomeneve u hapet rruga edhe më shumë në ambientet ku situata dominohet edhe nga elementë të tjerë të përshkallëzuar. Në këtë rast ato janë fenomenet e rritjes së popullsisë, mërgimit intensiv, rishfaqja e herëpashershme e aspektit të frikshëm të planetit me fenomene meteorologjikë të paparashikueshëm, epidemi biblike, luftëra të njëpasnjëshme, grupe të mëdha refugjatësh. Kur këto ndodhin në të njëjtën kohë, sinkronia i përforcon reciprokisht përshkallëzimet, dhe kështu alarmizmi bëhet i përgjithshëm dhe intensiv.

Kështu jetohet në një atmosferë e cila i shenjon të gjithë jetesat me një ndjesi hiperestetike. Herët a vonë frika pjell urrejtje, e kjo e fundit pjell armiqësi. E kur jeta dominohet prej pranisë së armikut, si kërcënim i përhershëm, pamundësohet çdo lloj bashkëbisedimi me armikun, fjalët e tij bëhen tinguj të një gjuhe të huaj. Kur mbërrihet në këtë pikë, atëherë kërkohet një pushtet i fortë, me duar të lira, me liderë të mëdhenj që shesin forcë, radikalizëm, guxim dhe kokëfortësi: këta janë përbërësit e recetës që ofron siguri. Kështu pra jashtëzakonshmëria është edhe fenomen përshkallëzimi e përshpejtimi, në vorbullën e të cilit gjithçka bëhet e lejueshme që të garantohet mbijetesa.

Të gjithë këta procese nuk kanë nevojë për shumë retorikë që të ankorohen në strukturën e imagjinatës. Nuk u duhet shumë stërhollim. Nuk duhet ndonjë fuqi e madhe për t´i nisur. Mjafton prirja e mendjes njerëzore për parandalim. Është ajo që i cyt proceset që përshkallëzohen. Në këtë kuptim nevoja për parandalim ndihet e pambrojtur përballë armikut të saj të brendshëm, imagjinatës. Agamben, i cili në filozofinë e vet i është qasur konceptit të të qenit njeri duke shmangur këto gjëra bazike, duhet që t´i vendosë të gjithë këta fenomene brenda pushtetit të Shtetit. Mirëpo, ka arsye për të sugjeruar se, përkundër kësaj, Shteti ka pasur një histori aq të gjatë e të gjerë e të vazhdueshme për shkak se ka një bazë antropologjike, e cila i jep arsye për të qenë. Pa këtë bazë sundimi i shtetit do të ishte i padurueshëm. Mirëpo në realitet, shteti përmbush dëshira që vërtet ekzistojnë.

Me këto gjëra, në mënyrën e tij, e kundërshtoi filozofi francez Jean Luc Nancy “mikun e tij të vjetër Agamben”. Argumenti i tij fillestar është ad hominem, mirëpo kjo s´m´u duk fort relevante. Para tridhjetë vitesh Nancy pati nevojë për një transplant zemre, dhe Agamben-i e këshilloi të mos operohej. E sot Nancy ia përkujton që, po t´ia kishte vënë veshin në atë kohë, tash do të kishte vdekur prej shumë kohësh. Ky argument duket irrelevant, mirëpo nuk është. Thjeshtohet te fakti real se, poshtë abstraksioneve filozofike ndodhen qenie njerëzore singulare të cilët të gjithë kanë kërkesën e njëjtë për të mbijetuar, të cilët befasisht përjetojnë një transformim masiv në masën që të gjithë i përbashkon e njëjta dëshirë.

Çka është relevante në tekstin e Nancy-së nuk mbaron me kaq. Ai tregon se Shtetet nuk kanë nevojë për të dekretuar gjendje të jashtëzakonshme, përveçse kur tashmë gjithë njerëzia jeton në një të tillë. Kjo nuk është retorikë, por realitet, duket se na thotë Nancy-ja, sa i përket pyetjes së Valcárcel. Dhe shton: “i gjithë qytetërimi është në diskutim, e për këtë nuk ka dyshime”. Me këtë mbase do të ishte dakord edhe Agamben-i, mirëpo Nancy tregohet i ashpër dhe nuk e merr parasysh. Teksti i Agamben-it, i cili në realitet përmbledh frymën që përshkon veprën e tij të fundit, sipas Nancy-së i përngjet më shumë “një manovre diversioni se sa një reflektimi politik”. Nuk është manipulimi nga Shteti, por forca e pakrahasueshme e vullnetit të species për të ruajtur bashkësinë, komunikimin dhe fatin e saj, sot ashtu si edhe para miliona vitesh. Kjo i bën qeniet njerëzore të udhëtojnë nëpër glob. Për sa kohë ekzistojnë kondita të ndryshme jetësore, qoftë dhe përmes jashtëzakonshmërisë, qeniet njerëzore do të lëvizin midis disniveleve që krijojnë rrymat.

Kur dikush gjendet përballë më se treqind vetave të mbledhur në “La Malagueta” dhe duhet t´u flasë duke i parë në sy, e ka të vështirë që më pas të mbajë mend gjithçka prej asaj që tha. Ngrohtësia njerëzore kërkon prej inteligjencës një farë lirshmërie. Por po, mbaj mend me siguri se e kam thënë këtë: gërshetimi i fenomeneve që përshkruam na bëjnë të mendojmë se jemi përpara një zgripi evolutiv. Në epoka të tilla shfaqen atmosferat apokaliptike në të cilat bezdisja prej një parandalimi gati të pamundur i dorëzohet mendimit të lehtë të prezantimit të një përfundimi në të cilin të gjitha parandalimet janë irrelevante. Në shumicën e rasteve të së shkuarës qeniet njerëzore e kanë parandjerë zgripin. Ndërsa tani e njohim.

Javën e kaluar, në një qendër opinionesh në madrid, dikush më tha se njerëzimi gjithnjë ia del mbanë duke gjetur një zgjidhje. Këtij mikut nuk i bëhej vonë për faktin se ka patur specie të tjera njerëzore që nuk ia kanë dalë mbanë. As për kostot që paguan njerëzimi për të dalë prej këtyre situatave. Dhe kjo është çështja kryesore. Sepse në rrethana të tilla harrohet gjithë normativiteti, dhe specia strehohet në një darvinizëm ekstrem, të cilin nuk mund ta kuptojmë ndryshe përveçse si barbari. Dhe kur kujtojmë afërsinë sipas Hayek-ut mes darvinizmit dhe kapitalizmit, kuptojmë se kapitalizmi i përparon proceset e veta të përqendrimit të pasurisë në pak duar, pa pasur nevojë të prodhojë situata risku përmes flluskave spekuluese. Kapitalizmit i mjafton të përfitojë prej katastrofave që vijnë vetvetiu. E ndërkohë, Shtetet janë mjeti i vetëm që na mbetet.